E enjte, 25.04.2024, 06:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Homazhi

E premte, 19.06.2009, 08:13 PM


Suzana Kuqi

Homazhi

Shkuan të gjithë kuadrot meshkuj të administratës së ndërmarrjes. Zbritën nga makina duke hapur çadrat, qielli kish vendosur të shprazej atë ditë. Hidhnin me kujdes hapat se mos u binte këmba në ndonjë gropë me ujë, mallëkonim kohën e pyesnin veten, se pse babai i vjetër i sekretarit të partisë së sektorit nuk kish gjetur kohë më të përshtatëshme...

I futën në dhomën ku prisnin burrat. U dhanë dorën pjestarëve meshkuj të familjes e pastaj u ulën. Konsumuan ato pyetjet e zakonshme, sa vjeç ishte, ç'profesion kish pasur, ç'fëmijë, nga se kish vuajtur... edhe se i dinin mirë, pasi Fehmiu krenohej me babanë e tij dhe e përmendte rast e pa rast e çdo gjë e lidhte me ç'i kish thënë babai dikur. Mbaruar këto, muhabeti filloi të bëhej kaps e mezi po prisnin kafenë të mbaronin punë. Fehmiu u zhduk një çast e kur e panë sërish në derë, morën frymë të lehtësuar, kafeja duhet të vinte nga çasti në çast. Ishin ngopur me vdekje atë muaj, kish lënë shëndenë... ai... ato mbledhje, mitingje, homazhe. Fehmiu kish qarë shumë për të. Të nesërmen e komunikimit, kish mbirë pa gdhirë në dyert e zyrave... “jemi gdhirë pa udhëheqës”... kish dënesur ai. Tani i kish ardhur rradha... themi rradha, pasi i ndjeri gati i kish kapur të nëntëdhjetat... Por ec e thuaj, askujt nuk i bjen vdekja tamam. Fehmiu nuk u ul, mbeti një çast më këmbë e :

- Do t'u lutesha shokëve, të ngrihen e t'i bëjmë homazhet tim eti.

Kuadrot panë njeri tjetrin në sy dhe u ngritën. Fehmiu ngriti grushtin lart në shenjë nderimi dhe filloi të ecë i pari. Por kur pa se po e ndiqte vëllai tjetër, ndaloi.

- Prit, përpara shokët e partisë e pushtetit!- e i bëri shenjë me gisht drejtorit, pastaj sekretarit të partisë së ndërmarrjes, shefit të planit e të tjerëve me rradhë. E të gjithë sipas rradhës së përcaktuar, duke nderuar me grusht, hynë në dhomën e xhenazes. Në mes të dhomës një arkivol, i vogël ju u duk atyre, duke menduar moshën e madhe të të ndjerit. Qëndruan tri minuta në heshtje, të ngrirë rreth arkivolit, siç ua kërkoi Fehmiu, për të nderuar kujtimin, e menduan se mbaruan me aq. Por e kishin menduar gabim. Fehmiu përpara e ata pas tij filluan t'i vinin rrotull arkivolit. Pasi u bënë nja dy xhiro të mira, ai qëndroi tek këmbët e arkivolit. Qëndroi dhe rreshti i burrave gjithë duke nderuar me grusht. Nuk guxonin të shiheshin në sy. Kishin bërë diçka afërsisht të tillë... atje... por këtu... kujt ja kish prerë mendja... Fehmiu vendosi dorën mbi arkivol dhe me zë të lartë e solemn, aq sa mund të ishte i tiji, filloi :

- Të ka ardhur Partia, baba! Të ka ardhur pushteti! Të ka ardhur drejtori, shefi, kuadrot. Ty o komunist i ditëve të para...

Ligjërimi vazhdoi për disa minuta që u dukën pa mbarim, ndërkohë që kuadrot vrisnin mendjen mos e kishim lexuar diku emrin e të ndjerit si komunist i orëve të para e që kish kontribuar aq shumë për forcimin e partisë e pushtetit. Kur mbaroi, Fehmiu i udhëhoqi sërish edhe nja dy herë të tjera rreth arkivolit e pastaj ju dha leje të uleshin e urdhëroi të binin kafetë. As miza nuk pipëtinte. Gjithë ata burra që bënin zap një ndërmarrje, rrinin me sy ngulur mbi dysheme. Prunë kafetë. I pari e filloi drejtori:

-Të rroni e t'a kujt... - nuk arriti ta mbaronte fjalën, zëri i ngjiti në grykë në tingullin e një kolle. Rrufiti një herë kafenë, lëshoi filxhanin dhe qokën mbi tabaka, dhe u ngrit. Po ashtu dhe të tjerët. U dhanë dorën me të shpejtë njerëzve të shtëpisë e dolën. Kujt ju bë vonë se u bë qull në shi, apo se këmbët gjuanin gropat me ujë. Drejt e tek makina e ndërmarrjes. Shoferi që priste urdhërin të nisej, përpiqej të zbërthente kuptimin e disa dialogjeve që i dukeshinn fare pa kuptim:

- C'dreqin nuk mi shqisje sytë? Desh më fëlliqe... - i thosh sekretarit të partisë, drejtori.

- Kë të shikoja, ky dukesh si Shvejku...

- Unë si Shvejku? Ti ecje si Carli Caplini...

- Homazh! ... Dreq o punë... babai i Fehmiut

- Cadrat! - u kujtua dikush.

- Të shkoj ti marr? - ndërhyri i gatshëm shoferi.

- Cfarë çadrash! Nisu! - urdhëroi drejtori.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora