Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çelo Çelaj: Kulla e Pëllumbit

| E premte, 19.06.2009, 05:36 PM |


Kulla e Pëllumbit

Nga Çelo Çelaj

Demokracia zemërgjerë i solli fatin të jetë përfaqësuesi i shtetit shqiptar në selinë e OKB-së në Nju – Jork, pavarësisht se nuk e meritonte në asnjë rrethanë për shkak të formimit zero politik e diplomatik. Nga ky emërim humori shqiptar pati firo dhe humbje nga largimi i tij në postin e sipërpërmendur. Për 5 vjet mund të thuhet se luajti skeçet në tij në sallat e OKB-së, duke mos ngritur për asnjë rast dinjitetin e shtetit shqiptar në atë tribunë të lartë të diplomacisë botërore. Për etikë mund të jepte dorëheqjen me kohë, por nuk deshi ta bëjë kurrë këtë. Pasi socialistët morën pushtetin me forcë në vitin 1997, e shkarkuan menjëherë nga puna Pëllumb Kullën, por ky si për çudi, nga ky çast e deri sot, pavarësisht se është në opozitë ose pozitë u bë në një prej kritikëve më të mëdhenj të Sali Berishës. Ishte viti 1997 koha kur pëllumbi u bë zog me krahë. U bë kritizer i madh. Natë e ditë u bë propagandist i madh duke botuar gjithnjë në gazetat e njohura si të majta. Edhe tani që ishte fushata ai nuk mund të rrinte i qetë. Zhgarravit prej kohësh në të njëjtin drejtim, po me të njëjtën gjë, por duke ndryshuar paksa kontekstin e kohës. Harrohet prapë. Del prapë në skenë. Shfaqet nëpër tavolina. Ikën prapë. Rikthehet prapë me të njëjtën ulërimë. Eh, pensioni i vështirë bëhet i padurueshëm edhe tani kur po i afrohet të 70-ave. Sigurisht as ka ngenë njeri të merret me të. Dhe as do të merremi dhe do ta lëmë të qetë në pensionin e tij, por dy fjalë do t’i themi.

Në mes të fushatës zgjedhore, ish skenaristi i skeçeve në estradën e Fierit, i dërgoi një letër të hapur kryeministrit të firmosur me emrin e tij. Ku e botoi do thoni ju? Në gazetën e Edi Ramës. Në atë gazetë që mbahet nga tenderat e korrupsionit të kryetarit të bashkisë së Tiranës Edvin Rama. Le të provojë ndonjë i dënuar politik të shkruajë në atë gazetë për shembull një shkrim për lidhjet e Edvin Ramës me diktaturën, e të shohë sesi do botohej. Po pse a ka të përndjekur e i djathtë që do të mund të besojë se nga gazeta e Edi Ramës mund të lavdërohet Sali Berisha. Pse ty o pëllumb t’i hapin rrugët pra në gazetën e Edi Ramës, kundërshtarit politik të Sali Berishës në këto zgjedhje, apo edhe ti je “politikë e re”. Ama trim i madh u tregove. E dërrmove “armikun e klasës” aqsa Edit iu bë qejfi si asnjëherë tjetër. Si kokë e madhe që je, u shprehe se nuk u mban mend emrat të përndjekurve politikë që polemizuan me ty. Shikoni pra ironi e tij. Një ditë më parë u qante hallin të përndjekurve politikë, e kur këta kundërvepruan ndaj tij, u hodh dhe tha se “nuk u mban mend emrat”. Kaq shpejt i iku “fisnikëria” këtij zemërgjeri? Po i harroi skeçet me ballistë që detyronte Luftar Pajën të hipte në degët e pemëve me kokëposhtë, duke ia çuar tensionin deri në një pikë të padurueshme e të rrezikshme?

Dhe e fundit fare o Pëllumb Kulla si ti je kokë e madhe e nuk bëhet polemikë me ty. Kush u kujtua për t’u tani më pak se dy javë para zgjedhjeve për penën tënde?

Të paktën mos kujto se nga kulla e Edi Ramës të beson njeri në ato që thua, sado që ato nuk janë as mendime, as skeçe, as grimca humoristike, etj.