E premte, 29.03.2024, 12:25 PM (GMT)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Poezi kushtuar Bardit të Poezisë Shqipe

E premte, 19.06.2009, 07:58 PM


POEZI KUSHTUAR BARDIT TË POEZISË SHQIPE*

Halil Haxhosaj “ Përkushtime”, poezi kushtuar Din Mehmetit. - Botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”.- Gjakovë, 2009

Nga Ali D. Jasiqi

Nuk ka shkrimtarë që për se gjalli të tij i janë kushtuar aq poezi sa Din Mehmetit. Kjo ndodh nga se ai gjithmonë ka qenë dhe kemi bindjen se do vazhdoj të mbes i dashur për shtresat e gjera të publikut lexues, veçmas për të rinjve. Duke u nisur nga kjo e dhenë shkrimtari Halil Haxhosaj i ka hyrë tubimit të poezive kushtuar këtij krijuesi. Në këtë përmbledhje ai ka zgjedhë krijimet e më se pesëdhjetë (50) autorësh, të cilët kanë shkruar poezi kushtuar Din Mehmetit, duke filluar nga penat e shquara të letërsisë shqipe, siç janë Rrahman Dedaj, Ibrahim Kadriu, Januz Fetahaj, Haxhi Vokshi, Hasan Hasani ( ky i fundi madje ka krijuar një kurorë sonetesh për profesorin e tij dhe poetin e adhuruar) e ndonjë tjetër, gjer ke disa shkrimtarë,që jetojnë dhe krijojnë në diasporë,ndër të cilët po përmendi Arif Molliqin, Pal Sokolin, Mehmet Haxhosajn,Gëzim Ajgerajn,Liman Zogajn, Dibran Demakun, Xhene  Bezhin etj. apo shkrimtarët që jetojnë në Shqipëri , në mesin e të cilëve vlen të përmendet Sazam Goliku,Milianov Kallupi etj. Poezi për poetin tonë kanë shkruar  dhe disa krijues më pak të njohur,si dhe disa të tjerë që vokacion nuk e kanë poezinë, por që i ka ngazëllye krijimtaria dhe personaliteti  i Dinit. Të gjithë këta  që  i kanë kushtuar poezi, kanë vure  në pah vlerat artistike e letrare të kësaj krijimtarie, dhe në të njëjtën kohë e kanë madhëruar personalitetin e poetit si krijues e si njeri. Nuk mungojnë as poezitë kushtuar Dinit si pedagog e arsimtar i dashur dhe i respektuar, edukator i disa gjeneratave qofshin si nxënës të shkollave të mesme apo edhe studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike e Fakultetit të Mësuesisë, në të cilin ka dhenë mësim poeti.
Po ashtu në këtë libër përpiluesi ka sjellë shkrimet e tri penave të dalluara të shkruara jo në poezi, por në prozë e që në vete mbajnë mjaft elemente poetike. Fjala është për dy shkrime te Ali Sutajt kushtuar Din Mehmetit dhe atë  të Besim Bokshit, shkrua dhe  lexuar në shënimin e 70 vjetorit të lindjes se poetit tonë  dhe shkrimi  i Dritëro Agollit, shkrim ky mjaft i ngrohtë, përplot ndjenja suptile, botuar në shtypin shqiptar atëherë kur qe hap lajmi për vrasjen e Dinit nga forcat serbe, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi to. Nis nga ky fakt del se Din Mehmeti këtë vit, pra vitin 2009 po shënon tri jubile 80 vjetorin e lindjes 1929,60 vjetorin e krijimtarisë letrare 1949,kur botoi vjershën e parë “Të resë sonë” në revistën letrare “Jeta e re” dhe 10 vjetorin e “ringjalljes” 1999, kur u hap lajmi për vrasjen e tij.  Sidoqoftë shkrimet e përmendura e plotësojnë tërësinë organike të librit, kësaj vepre të rrallë dhe gjithsesi të dobishme në letrat shqipe.
Cili është Din Mehmeti, sipas autorëve të poezive që i ka zgjedhë Haxhosaj. Disa nga ata i kanë përmend veprat e tij letrare, disa të tjerë e kanë madhëruar atë si pedagog dhe arsimtar të dashur, të tjerët i kanë veçuar vetit njerëzore e humane të poetit. Dhe secili në mënyrën e vet e ka dhenë portretin e krijuesit dhe njeriut të dashur, që në Gjakovë e thërrasin Baclok, emër ky përkëdhelës. Poezitë e këtij libri paraqesin qëndrimin e autorëve të tyre për këtë krijues, njëri ndër emrat më të shquar, më të dashur dhe më të respektuar në letrat shqipe. Secili prej tyre ka shpreh nderim dhe në të njëjtën kohë edhe admirim për Din Mehmetin, qoftë si njeri e mbi të gjitha si poet e krijues që ka lënë gjurmë të pashlyera në letrat shqipe, pa poezinë e të cilit nuk mund të mendohet asnjë antologji e poezish shqipe, qoftë kjo antologji e lirikës,e poezisë patriotike apo edhe asaj të angazhuar, siç do ta quanim poezinë që trajton tema nga aktualiteti i kohës në të cilin jetojmë dhe veprojmë.
Duke shkruar për këtë përmbledhje përpiluesi  i saj Halil Haxhosaj ka konstatuar edhe këtë:
“Pikërisht për këto jubile, sidomos në 80 vjetorin e jetës së tij si poet dhe si njeri, vendosa t'i mbledh këto përkushtime dhe t'i botoj në këtë libër për të treguar popullaritetin që ka gëzuar dhe gëzon Din Mehmeti si poet në Kosovë, si dhe për të paraqitur dashurinë, respektin, afërsinë dhe dinjitetin e lexuesve për artin poetik dhe figuracionin e vargjeve të tij.”   
Ndërkaq studiuesi dhe poeti i njohur Fatmir Terziu ka shtuar edhe këto mendime “ Duke iu referuar më tej kritikut Haxhosaj mësohet se “Ajo që dëshmon për origjinalitetin dhe vlerën artistike të kësaj poezie tregohet me faktet se është përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në Kosovës si dhe në antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në gjuhët e huaja. Poetit Din Mehmeti iu botua edhe një libër i veçantë me poezi të zgjedhura në Francë, i cili u prit mirë nga lexuesi francez dhe nga kritika letrare frënge. Po ashtu, për poezinë e këtij poeti janë shkruar tema diplomash në shkollat e mesme, të larta e sidomos në fakultete dhe janë mbrojtur edhe tema magjistraturash. Poezia e Din Mehmetit është bërë fushë interesimi për shumë studime dhe hartime veprash të tjera. Prandaj në njëfarë mënyrë ky poet me tërë opusin e tij letrar është shndërruar në kult.”
Marrë në tërësi kemi të bëjmë me një përmbledhje që duhet shënuar ndër librat e dalluara të letërsisë sonë, si një realizim që do të mbes si dëshmi e respektit që ka gëzuar e vazhdon të gëzojë poeti ynë i dalluar Din Mehmeti, i dashur dhe i respektuar nga gjeneratat e krijuesve në mesin e të cilëve do të dallohen veçanërisht poetët e rinj, ata që mësuan nga kjo jo vetëm se si shkruhet poezia por edhe se si duhet të sillen dhe të veprojnë në situata të caktuar në të cilat i sjellin furtunat e jetës.
Përmbledhja “Përkushtime” padyshim është një libër i rrallë, një vepër sa tërheqëse aq edhe interesante,sepse është e veçantë në shumë aspekte, libër që besojmë se do të pasohet nga vepra të tjera të kësaj gjinie, për krijues të tjerë, u mur vesh për emrat që e meritojnë një vepër të tillë, në qoftë se ka poezi që u janë kushtuar, siç ka ngjarë me poetin tonë Din Mehmeti, të cilit i urojmë jetë të gjatë,shëndet dhe krijimtari edhe më të begate, kurse hartuesin e kësaj përmbledhje e përgëzojmë për një punë të mirë dhe të dobishme që e ka bërë në begatimin e bibliotekave tona me një vepër të mirë.

*E lexuar në shënimin e 80 vjetorit të lindjes se poetit, në  Gjakovë më 19 qershor 2009 


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora