Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çfarë mund t’i urojmë Kampionatit të 69-të?

| E merkure, 22.08.2007, 10:05 PM |


Nga Besnik Dizdari

Shumë. Vërtet që mund t’i urojmë shumë. Mirëpo, vetvetiu po na pëlqen t’i urojmë disa “punë të mira” që kanë të bëjnë me profesionin tonë të gazetarit.

Kështu, Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit që nis këte javë, do t’i uronim gazetari, gazetari më të mirë se vitin që shkoi. Kjo sepse një Kampionat Fubolli është i lidhjur tejet me gazetarinë. Madje dihet, pa gazetarinë ai zëre se nuk zhvillohet. Kampionatit të 69-të do t’i uronim atë që po e quajmë gazetari profesionale, jo amatore. Çka do të të thotë saktësi gazetarie të zhanrit tonë.

Kjo nënkupton, bie fjala, që puna e parë e të parave t’i urojmë Kampionatit që t’i fiksohet ngjarja, që nuk është askurgjâ tjetër përveçse vetë ndeshja e tij, vetë ndeshjet e tij. Do t’i uronim Kampionatit të 69-të, që ajo që quhet skeda e ndeshjes së tij, e 198 ndeshjeve të tij, skedë e cila vitet e fundit ka humbur shumë nga vlerat e saj, të jetë e saktë. Dhe “abc”-ja e kësaj të sakte qëndron në aatë që kur e boton në gazetë, portjerit t’i thuash portjer, mbrojtësit të majtë t’i thuash mbrojtës i majtë, mesfushorit mbrojtës t’i thuash mesfushor mbrojtës, sulmuesit të krahut t’i thuash sulmues i krahut. Kampionatit të 69-të do t’i uronim që 11-shi i skuadrës që luajti një ditë më parë të vendoset në gazetë, ashtu siç bëjnë të gjitha gazetat e botës: simbas reshtimit dhe roleve në fushë. Sepse, kështu siç vendosen në shtypin shqiptar, mbas shumë vitesh, një studjues i ri i futbollit, që nuk e ka jetuar kohën e sotme, do ta marrë qendërmbrojtësin për qendërsulmues e sulmuesin për mbrojtës.

Kampionatit të 69-të do t’i uronim që të vijë në shtyp krejt i saktë edhe në treguesit e ndeshjeve të tij.

Pa dashur të përimtojmë (analizojmë), Kampionatit të 69-të do t’i uronim një skedë të mbarë në shtyp, ndonëse nuk mund të ketë skedë të çmbarë, e nëse vërtet ka diku një të tillë, ju sigurojmë se kjo do të gjëndet në Shqipëri. Për “skedë të mbarë” ne nënkuptojmë përshembull, atë që nëse një lojtar përjashtohet nga fusha, mbrenda skedës së publikuar në shtyp, mbas emrit të tij duhet hapë kllapa dhe duhet shënuar minuta e përjashtimit të tij me karton të kuq. Sepse kurr vlera dhe historia e një ndeshjeje nuk mund të kuptohet pa ditur se sa minuta skuadra luajti me një lojtar mangut. Madje skedës së Kampionatit i urojmë që në ditën e botimit të saj edhe emrat e lojtarëve që marrin me kartona të verdhë të botohen duke iu vënë pranë minutën kur e kanë marrë këte karton. Sepse edhe me këte shifër të minutës së qortimit (kartonit) në fjalë, që kurr nuk e jep sot shtypi sportiv shqiptar i një masiviteti që papritmas na kujton masivitetin e përhapjes dhe zhvillimit artificial të sporteve të kohës së Partisë, ti kupton se si kanë ndikuar këta kartonë për ecurinë psikologjike të nivelit të lojës së futbollistit të qortuar.

Kampionatit të 69-të Kombëtar dhe skedës së tij - fryt gazetarije, i urojmë që të mos botojë më emrin e vëzhguesit të ndeshjes. Jo vetëm ngaqë nuk e boton asnjë gazetë në botë, por sepse ai nuk gjykon, ai vetëm sheh dhe shkruan për Federatën. E për etikën e futbollit madje, ndonjëherë nuk duhet ditur publikisht emri i tij. Do t’i uronim ndërkaq, Kampionatit të 69-të që t’ia detyrojë skedës së ndeshjeve të tij të publikojë numrin e spektatorëve në ndeshje, madje numrin e saktë, i cili rëndom merret duke pyetur organizatorët se sa bileta janë shitur. Sepse e dini, që i vetmi Kampionat Kombëtar Futbolli në Evropë që nuk jep numrin e pranisë së spektatorëve në ndeshje është Shqipëria. Kosova arrin deri aty sa numrin e spektatorëve në ndeshjet e saj e jep edhe në TV, qysh të dielën në mbrëmje në rubrikën përkatëse sportive! Mirëpo, Shqipëria vazhdon të mos e dijë se sa spektatorë e ndjekin futbollin. E ndoshta më parë se e shtypit, kjo është detyrë e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila është e vetmja Federatë në Evropë që nuk merakoset aspak përse në Shqipëri nuk vijnë as 2000 vetë mesatarisht për ndeshje. E vetmja, në mënyrë absolute e vetmja! Sepse është e vetmja Federatë, së cilës, përveç disa kulturave të tjera, i mungon edhe kultura e asaj që i thonë “audience”.

Do t’i uronim Kampionatit të 69-të, që lojtarëve të huaj që luajnë në Shqipëri, jo vetëm t’iu botohet emri gërmë për gërmë pa asnjë gabim, por mundësisht i njëjti emër, jo të ndryshojë emri nga javë në javë, kur dihet se për të ndërruar ate mbrenda një jave është e pamundur, sepse këto punë, sidomos në vendet jashtë Shqipërisë, bëhen gjithmonë me vendim gjykate. Dhe do t’i urojmë Kampionatitt të 69-të që gjithmonë shtypi t’ia botojë 11 lojtarët e skuadrës, jo 10, apo dhe 9, siç ndodh shpesh. Sepse dihet, futbolli nuk luhet me 9 lojtarë, por me plot 11, vetëm me 11. Dhe po kaq do t’i uronim që tre ndërrimet që bëhen të botohen në skedë të tre, jo vetëm një apo dy, siç ngjet gati për javë në skedat e ndryshme të botuara. Dhe natyrisht minutat e sakta të ndërrimeve. Nëse ke vendosë të bëhesh gazetar i futbollit, duhet të blesh një kronometër, që sot gjinden me lehtësi dhe nuk kushtojnë shumë.

Dhe si fund, Kampionatit të 69-të, do t’i uronim që ta bindë shtypin që merret me te, që të përdorë shpesh ate që në latinisht i thonë “errata corrige”, që do të thotë që të nesërmen të ndreqësh gabimin. Kurr nuk është turp të bësh gabim, turp është të mos e ndreqësh dhe ta përsërisësh gabimin. Siç e thotë proverbi latin: “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum” (“Me gabue është njerëzore, por me ngulë këmbë në gabimin, është djallëzore”).

Kaq do t’i uronim Kampionatit të 69-të që të ndreqë në këte 2007-2008 të tij. Në të vërtetë të gjitha këto nuk mund t’i ndreqë ai vetë, por gazetaria jonë, së cilës për t’i bërë këto ndreqje, që janë “abc”-ja e pasqyrimit të një Kampionatit Kombëtar, i duhet dhe pak ndërgjegje pune, që më pare se te gazetari i thjeshtë, ta do mendja se nis te kryeroja e mosgabimit që quhet drejtor apo kryredaktor i gazetës. Dhe i cili nuk ruan si polici, por përmes skeptrit të rregullores së gazetës e të gazetarisë.

X X X

Tash që mbaruam me skedën, skedën shqiptare të fiksimit statistikoro-historik të një ndeshje të një Kampionati Futbolli, e cila është ndër më të pasaktat në botë. (Kur të botohet një studim i yni për akrobacitë, pasaktësitë dhe amatorizmin e skedës shqiptare, ka për të na mahnitë vërtet, ashtu si dhe gjithë botimet e gabuara të përditshme statistikore dhe historike të shtypit shqiptar, edhe për sportet e tjera).

Kështu, Kampionatit të 69-të Kombëtar të futbollit në Shqipëri do t’i uronim ndërkaq, që t’i funksionojë ai që quhet zëdhënësi i shtypit i klubit të futbollit. Sepse e ka statusi i tij për detyrë që të vëjë pranë çdo gazetari në stadium fletën informative apo të të dhënave të skuadrave që do të luajnë, pra 11-shet, rezervat, gjyqtarët e tjerë. Vetëm kaq, çka mund të bëhet me fotokopjuese. Pra nuk po kërkojmë që për çdo ndeshje të ketë një botim të posaçëm të organizatorit vendas të ndeshjes, e aq më pak një revistë të vogël, siç bëhet përshembull, në kampionatet e futbollit të Anglisë, Gjermanisë, Spanjës, Francës apo Italisë, por dhe në shumë Vende të tjera. E dimë që në Shqipëri nuk kanë lindur ende ato profesionistë të publicitetit sportiv që t’i bëjnë këto punë, madje nuk ka lindur ende as edhe një Federatë që të bëjë “heroizma” kulturore kësisoji. Sidomos kur kujtojmë se kjo Federatë ende nuk ua ka vënë në rregullore stadiumeve shqiptare që të kenë detyrimisht një sallë “të vockël” shtypi për punën e gazetarit, apo dhe një hyrje të veçantë të tyre për te tribuna e shtypit. Por, a kemi vërtet tribuna apo “zonë të shtypit” ne në stadiumet shqiptare, përjashto deri diku këto dy të Tiranës? E shihni se hapësira e përurimeve për Kampionatin e 69-të është e pamatë… .

Duke u bërë edhe më kërkues, profesionalë të një kulture të plotë kombëtare të zhanrit, do t’i uronim gazetarisë së Kampionatit të 69-të të Futbollit në Shqipëri, që të zhdukë nga përdorimi emërtimin tashmâ prej majmunërie gjuhësore, që i thotë “teknik” trajnerit, sepse të gjithë e dimë që qysh në vitet ’20 Shqipëria, dhe jo vetëm Shqipëria, e ka përgjuhësuar një fjalë të huaj për te dhe i thotë “trajner”. E meqë jemi këtu ne do t’i uronim Kampionatit të 69-të që gazetaria që do ta pasqyrojë të fillojë më në fund pastrimin e gjuhës së shkruar e të folur të saj prej përdorimit të fjalëve të huaja, që jo vetëm nuk tregojnë kulturë, por tregojnë padije. Sepse është më shumë se padije (“ignoranza”) kur nuk di gjuhën tënde me të cilën ushtron profesionin e gazetarit çdo ditë. Kujtojmë se këto fjalë të huaja, që botuesit e gazetave i kanë përfshirë me arrogancë vitet e fundit, nuk tregojnë se di gjuhën e huaj, por se e kalon ditën jo duke lexuar ndonjë libër të vlefshëm, por vetëm duke parë ndeshje të huaja futbolli në TV dhe ajo terminologji e shfrenuar joshqipe që përdorin kronistët shqiptarë, papritmas të hyn në gazetë. Kështu, Kampionatit të 69-të do t’i uronim që të paktën njikëto fjalë të huaja t’ia zëvendësonin me ato shqip:

AKSION (Aziòne) - Veprim

ASIST (Assìstere) - Ndihmon (Mbështet)

AVANTAZH (Avantàggio) - Epërsi

DEVIJIM (Deviàre) - Shmangie (Dredhim)

DIFERENCE (Differenza) - Ndryshim

DIREKT (Diretto) - I drejtpërdrejtë

DISFAVOR (Disfavore) - Dëm

DISPOZICION (Disposizione) - Gatishmëri (Pritshmëri)

DISTANCE (Distànza) - Largësi

DOPIETA (Doppiètta) - Çift (Dygolësh)

FAULL (Fàllo) - Gabim

FAVOR (Favòre) – Nderë (Në të mirë të…)

FINALE (Finàle) - Përfundimtar

FRENIM (Frenàre) - Ndalim (Mbajtje)

GRINTA (Grìnta) - Këmbëngulje (Vendosmëri)

IMAZH (Immàgine) - Shëmbëllim (Pamje)

KALIBROI (Calibràre) - Përanësoi (Saktësoj)

KLASIFIKIM (Classifica) - Renditje

KOMPETICION (Competiziòne) - Ndeshje (Garë)

KOMODE (Còmodo) - Lehtësi (Rehati)

KONTESTON (Contestàare) - Kundërshton

KORNE (Corner - angl.) - Kënd

KROSIM (Crossàre) - Tërthore (Përmjedisoj)

KUADRAT (Quadràto) - Katror

MERKATO (Mercàto) - Treg

OFSAJT (Offside - angl.) - Jashtë loje

PANKINA (Panchina) - Stol

PASIM (Passàre) - Kalim

PERFEKT (Perfétto) - I përsosur

PREMIO (Prémio) – Çmim

PRESION (Pressiòne) - Trysni (Shtypje)

PREZENCA (Presénza) - Prania

RIVAL (Rivàle) - Kundërshtar

SINJALIZON (Segnalàre) - Dallon (Shquan)

SPOLJATOJ (Spogliatòio) - Dhomë çveshjeje

STIMULON (Stimolàre) - Nxit

SUPERSFIDA (Supersfida) - Mbiftesë për garë!?

(Përse duhet përdorur në shqip?)

TEKNIKU (Técnico) - Trajneri

TOTALISHT (Totàle) - I plotë (Tërësor)

TRASFERTE (Trasférta) - Fushë e huaj (Ndeshje jashtë)

TRIPLETA (Triplétta) - Tre gola (Tregolësh)

Kampionatit të 69-të Kombëtar i urojmë më tej foto të bukura në shtyp, të përveçme (emrat e të gjithë futbollistëve që duken në foto). I urojmë që të mos ketë shkrime kur rrjedh uji dhe jo fjalët me mend. I urojmë stil dhe histori, kronikë dhe koment, përshkrim dhe gjykim shqip.

Në fund të fundit, do t’i uronim që ai në faqet e shtypit shqiptar të ketë përparësi në shtatë ditët e Javës mbi pasqyrimin e Kampionateve të huaja, Itali, Spanjë, Angli, Francë, Gjermani, me që këto pesë shtete të mëdhenj ende nuk na kanë pushtuar, sa të kenë kaq mbipërparësi. Shkoni në Bibliotekën Kombëtare e lexoni gazetën “Fashizmi” të kohës së pushtimit, për të parë se sa përkujdesje kishte Italia Fashiste për të mos e italianizuar gazetarinë sportive shqiptare, teksa i jipet pëparësi sidomos pasqyrimit të futbollit e sportit modest shqiptar mbi atë italian – mbajtës i Kupës së Botës.

X X X

Po për radiokronikën, pikën tonë të dobët?

Kampionatit të 69-të Kombëtar të Shqipërisë i urojmë radiokronika të mbara, të shpejta, informative sidomos, emra, rezultate, minuta dhe në fund një gjykim të shpejtë. I urojmë edhe më kryesoren: që të mos përmendë më shumë emrat e radiokronistëvese sa të futbollistëve të cilët luajnë në fushë. I urojmë lidhje të shpejta dhe që të mos përfshihen nga shumë “falenderime” dhe përfundime. Ndoshta ky që po botojmë përbën një model jo për t’u imituar për për ta pëimtësuar:

“… Njëzet sekonda kanë mbetur deri në fund, për të mbërritur kështu te festimi i fitores së pestë rrjesht të bardhezinjve, të cilët po e mbajnë topin në gjysmëfushën e tyre me Pessoto-n. Kujtojmë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kampionate qysh kur u vu sistemi i tri pikëve për fitoren. Dëgjohet ndërkaq, vërshëllima e fundit e zotni Pierit, saktësisht në të 49’ e pjesës së dytë. Juventus fiton 2-1 me Parma-n në “Tardini” me në krye Fabbio Capello-n, i cili takon vrullshëm duart me lojtarët dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Kryesoi Parma me Delvecchio-n në të 13’ e pjesës së parë, barazoi Juventus në të 44’ me Camoranesi-n dhe mbërriti te goli fitimtar në të 37’ e pjesës së dytë, vepër kjo e Patrick Viera-s. Kështu, Juventus ia arriti të kthente ndeshjen në çastin kur Fabio Capello ndërroi lojtarë: hyri Emerson, hyri Ibraimoviç, hyri Pavel Nedved dhe ndeshja ndërroi krejtësisht pamje. Juventus merr fitoren e pestë rradhazi, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në një kampionat me sistemin e tri pikëve për fitoren. Juventus fiton 2-1 krejtësisht me zotësi. Eshtë në krye të renditjes me pikë të plota e udhëhequr nga Fabbio Capello, i cili ia arriti ta shndërronte skuadrën në pjesën e dytë, duke e kaluar me sukses edhe këte ndeshje të vështirë të jashtë fushës. Këtu mbaron lidhja jonë me Stadiumin “Tardini” ku u luajt ndeshja e dytë paraprake e kampionatit të futbollit dhe ne falenderojmë Mario Morandi-n për bashkëpunimin teknik dhe i kthejmë linjën studiove të Romës…”

Fragment radiokronik, tipik mbase, nga një ndeshje futbolli. I përket jo Sandro Ciotti-t legjendar, por radiokronistit të brezit të ri të sotëm të RAI-t, Riccardo Cucchi. Thjesht, qartë, informativ, shterrues. Jo një melodi kronike. Se ka edhe melodi, si ajo e Nicolo Carosio-s qysh në vitet ’30, saktësisht 10 qershor 1934, kur ai “këndoi” nga Stadiumi i Romës: "Monti lancia lungo, racoglie Guaita, centro Meazza al volo, palla a Schiavio, gol, la palla é in rete. Italia é campione del mondo!"

Tjetër kjo, përderisa e kanë quajtur një "crescendo rossiniane". Dhe i përket shpikësit të radiokronikës, Carosio, përveç të tjerave një poliglot, dhe që kishte një shpejtësi të mahnitshme transmetimi. Aq sa kur i thanë se më i shpejtë ishte mjeshtri i radiokronikës së futbollit danubian, austriaku Willy Smieger. Shkoi dhe e dëgjoi. Dhe ia kaloi.

Duke iu kthyer Kampionatit tonë të 69-të Kombëtar të Futbollit, i urojmë që të shpëtojë sa të jetë e mundur nga ushtria e “analistëve”, “komentatorëve”, “kritikëve”, “mendimtarë”, “gjykatësve” (“unë gjykoj”), dhe “specialistëve” të futbollit, “trajnerë” dhe “arbitra” – në fund të fundit të gjithë të shndërruar, siç thuhet, në “analistë”, jorrallë një përcaktim mashtrues, një profesion “i ri”, që vetëm në Shqipëri po përjeton “lulëzimin” e tij. Dhe jo vetëm në gazetarinë sportive…

Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit në Shqipëri i urojmë që të shoqërohet në radiokronikat prej atyre të cilët dijnë të tregojnë se kush e ka topin, çka po bën me topin, kujt ia kalon topin, ku ndodhet lojtari, si po gjuan, kah po gjuan, si shënoi, kush shënoi, në ç’minutë shënoi, madje me cilën këmbë shënoi. Dhe mbi të gjitha, i urojmë që të shoqërohet prej një radiokronike që të thotë se cili është rezultati i ndeshjes, çka jo rrallë nuk thuhet as ky.

Ia urojmë edhe këto Kampionatit të 69-të edhe për një fakt jubilar. Në përfundim të këtij Kampionati në 2008, do të shkojmë te 70-vjetori i themelimit të radiokronikës në Shqipëri: Radio Tirana përmes Anton Mazrekut më 1 shtator 1938. Atë ditë SK Tirana shkatërronte 7-0 skuadrën greke Iraklis të Kavallës, në Shallvaren e famshme të Tiranës. Pra jo dhe aq larg nga vera e vitit 1926 kur është transmetuar në Radio Praga, ndeshja e futbollit Praga - Budapesti. Për çudi jemi ndër shtetet e para në Evropë në këte zhanër gazetarie. Dhe është e pafalshme që sot mbas 70 vjetëve të mos bëjmë hapa pëpara.

Do t’i uronim Kampionatit të 69-të që ta shoqërojë një radiokronikë përmes së cilës të paktën të zbatoheshin vetëm këto postulate:

* Për sportdashësin e apasionuar të së dielës, radio është mbretëresha: trego kujdesin më të madh për gjuhën që përdor. Sa më shkurt që të flasësh aq më i dëgjueshëm je.

* Fillo me rezultatin dhe minutën dhe vetëm mandej kalo në të dhënat e kronikës dhe në transmetim. Evito fillimet me "po" ose "këtu".

* Kur goli nuk influencon në rezultat, do ta japësh vetëm kur të të thërrasë studio.

* Kurr mos thuaj "sipas meje" ose fraza analoge me këtë.

* Kurr mos bëj kortezina që nuk të takojnë dhe lëja drejtuesit detyrën e përshëndetjeve dhe të urimeve.

Këto menduam t’i urojmë Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit 2007-2008.

Nuk bëmë asnjë urim televiziv. Ky ka specifikën e vet, e do te mundohemi ta bëjmë një herë tjetër, mbasi të vërejmë se edhe këtu është pakësuar numri i “analistësve”, në të mirë të mendimit racional të gazetarisë së zhanrit tonë.

Urimet më të mira Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, këtij 2007-2008 që fillon këte javë.