Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Luz Vegas

| E hene, 15.06.2009, 06:05 PM |


Luz Vegas
 
Nga Edison Ypi

Nga Vora drejt Fush’ Krujës. Pak pasi kalon kthesën e Rinasit. Mu aty; një pas një, dy të tërthortë, njëri i drejtpërdrejtë, tre kumte të forta; Polic që përshëndet; Lopë në mes të rrugës; Harabel që përplaset mbi xham Harabeli, nga goditja, nga frika, apo thjesht sepse aty i erdhi, la mbi xham një glas. La glasën dhe u zhduk në çast qiellori, duke zhdukur, bashkë me veten, edhe ç’do dyshim se, pas pak diçka e jashtëzakonëshme nuk mund të mos ndodhte. Dhe çudia j’a behu; Pak përtej Urës së Gjoles, nga e majta, në formën e një rruge dytësore të asfaltuar që humbet mes gjelbërimeve.
Sulem drejt asaj rruge si qëni pas erës së mishit.
Dy përrenj të thellë që takohen tutje. Drurë të lartë buzë përrenjve. Muret e drurëve të përrenjve me fushat e mbjella në mes, formojnë një luginë të gjelbër. Rruga kalon rrëzë njërit përrua në Lindje. Rrëzë tjetrit përrua në Perëndim, plot vila të reja. Vilat, një këtu një atje, me vetrata që përthyejnë dritën e diellit, duken si brilantë. të ketë dorë Perëndia në këtë mrekulli ?! Po. Të lumtë. E gjete. Kur Perëndia, Ajo që këtë vend e ka bërë me dorën e vet, por prej disa kohësh e kishte harruar, kur kaloi këndej dhe aq u mahnit, si vet-ndëshkim për harresën, vendosi të lërë një dhuratë; Shkuli nga qafa gjerdanin. Dhe perlat i flaku mbi fushë.
Ngastra të ndrequra me kujdes, fusha të mbjella, lëndina të blerta. Lugina e margaritarëve të Perëndisë, kjo bukuri që mund të krahasohet vetëm me veten, është tamam kryevepër e një piktori të shkalluar. Piktori, marrosur nga Bukuria, llaftarisur nga dashuria, përpirë nga magjia, në konkurrencë të hapur me Zotin, duke bashkuar kaosin e natyrës me perfeksionin e fiksionit, spontanitetin njerëzor me fatalitetin e ekzistencës, këtu në këtë copë tokë, j’a ka arritur ta dekodifikojë një fragment Qiell.
Buzë përroit një plakë rreth të 70-ave po ruan dhëntë. Plaka, që në dorë mban një shkop, në gojë, mes dhëmbësh, përkëdhel bishtin e një gjetheje. Ç’tha plaka, shkurt, ishin këto; Nuk jam bareshë. Nuk më duhet të ruaj dhën. Kam djem në emigracion. Kam, shyqyr Zotit. Për të ngrënë e për të pirë. Shtëpi të madhe. Fëmijë, djem, vajza, nuse, nipa, mbesa, të gjitha. Por kam të lartë tensionin e zemrës ! Për këtë doktori më ka këshillluar të lëviz në ajër të pastër. Prandaj dal e ruaj dhën. Fshati quhet Luz. Ky këtu është Luz i Poshtëm. Jemi katolikë. Kemi Kishë. Kemi ngritur shtëpi. E kam plakun afër 80. Është qefli i madh. S’ja heq syt’ femrave. Tani më fort se kur ishte i ri. Gocave të reja sidomos.
Jo, nuk është kjo koha për të ardhur këtu. Nuk është kjo mënyra për të parë këtë. Këtu s’mund të vihet tani. Këtu s’mund të hyhet kështu. Këtu duhet ardhur si meriton. Këtu duhen bërë disa pyetje, duhen marrë disa përgjigje, duhen qartësuar disa gjëra.
Kthehem. Lë makinën tek rruga e madhe. Ulem pak diku për të marrë veten. Ngrihem. Zhgërryej xhaketën mbi ca plisa. Shkep pak pantallonat. Gris pak këmishën. Dhe nisem përsëri. Ku sapo isha. Tek një fshat në Fush’ Krujë, mes Veriut dhe Jugut, ku takohen tosq e geg’, ku janë kristianë, ku venë në Kishë, ku ka shqiptarë të ringjallur bukur që kanë nisur të jetojnë si njerëz. Këtë herë, jo me makinë, më këmbë. Si atëhere kur këtu, jo makina e furgona e fuoristrada, por as qerre s’ka pasur. Pra nga një kohë tjetër - që ishte e ligë. Nga një vakt tjetër - kur ishte mesnatë, nga viti 1976.
Ku më solle o Zot ?! Shqipëri është kjo ?! Të jetë film ?! Apo roman ?! Apo vegim ?! Ku janë fshatarët fytyrë-nxirë nga frika ?! Ku janë shqiptarët e uritur ?! Po fëmijët e tyre, skilipecat e zbathur dhe të leckosur me vrraga qurresh të zeza nëpër turinj ?! Ku janë ato fushat me atë prodhimin e mjerë që të uriturit e vidhnin për të mbajtur frymën ?! Ku është gruri shkurtabiq ?! Po misri ngordhalaq ?! Ku janë lopët brinjë-dala ?! Traktoristi llafazan ?! Mësuesja e fshatit, ajo jetë-sterrosura që këtyre anëve mes rënkimesh treste rininë ?! Pse s’paskan ardhur sot vullnetarët të mbledhin kallëza fushave ?! Zyrat e Kooperativës, ç’u bënë ?! Gratë e kërrusura në fushë, ku janë fshehur ?! Brigadieri, magazinieri, kryetari ?! Po kujt t’ja thuash këto ?! Kush të dëgjon këtu ?! Plaka me bisht gjetheje në gojë ka ikur. Nëpër oborret e vilave s’ka njeri’. Cicërrojnë ca zoq mbi degë, njëri prej të cilëve ndoshta është ai qiellori që më la glasën mbi xham. Por zogjtë s’i kuptojnë pyetjet. Hiqmu sysh pamje gënjeshtare !
Kthehem ngadalë tek makina buzë rrugës. Gris përsëri rrobat, shqyej përsëri këpucët, dhe nisem. Këtë herë si në 1981.
Ore, ka a s’ka shtet të diktaturës proletare këtu ?! A jetoni me situatën ?! A e dini ç’po na punojnë armiqtë e brëndshëm ?! Ku është këtu ai surrat sqepi, operativi i zonës ?! Po turi miu, spiuni i katundit, denonciatori që kallxonte bashkëfshatarët për një llaf tepër a një vezë për Pashkë ?! Ku është majmuni që nëpër fusha u lexonte fshatarëve Zërin e Popullit ?! Ku vajti inteligjenca fshatare, ajo që, në aleancë me klasën punëtore, udhëhiqte vendin drejt fjetoreve ?! Ç’janë gjithata gardhe, ato ngastra, këta puse, këto pompa ?! Ku është kolektivizimi ?! A ka këtu organizatë partie, organizatë gruaje, front demokratik ?! Askush s’përgjigjet.
Kthehem edhe një herë i dërrmuar. Zhgërryej edhe më rrobat e shqyera. Shpartalloj këpucët. Si më 1987. Futem i ndërkryer në luginën e gjelbër dhe ulëras;
Ku i keni dollapët bosh ku s’kishte as bukë as kripë ?! Si i ndjeni stomakët e sëmurë nga ngrënia e lëtyrave ?! Me se ngroheshit në dimër ?! Kishit minj nëpër shtëpi ? Sa të mëdhenj ishin ? A i hidhnit vaj tërhanasë ? Ç’u bë me lotët që j’u ikin rrëke’ ?! A j’u janë tharë ? Si j’a bëtë asaj frikës në bark ?! E harruat kafenë e çikores ?! J’u kujtohet se si Tiranën atëhere e kishit po aq larg sa Amerikën sot ?!
Po kujt t’i flasësh ?! Kë të pyesësh ?! Zogjtë që cicërrinin tani heshtin. Ngrohësat diellorë që ndriçojnë vëngërr janë krejt të shurdhët. Disa lopë në fushë s’dinë Shqip.
Kthehem përsëri. Këtë herë në shtëpi.
Të nesërmen, përsëri atje. Jo si në ’76. As si në ’81-shin, as si në ’87-ën. Si tani !
Sillem i fandaksur nëpër fusha.
Vilat e reja janë të lyera me ngjyra të ndezura. Makina nëpër oborre. Papafingo të shumta. Dritare me perde të holla që i merr era. Oxhakë, ngrohësa diellorë, qilima nderë nëpër ballkone. Rreth vilave, koshere bletësh. Puse, pompa, tuba, motorra, kangjella, kudo. Gjithandej themele të reja për ndërtime të tjera.
Lugina e gjebër pritet tërthor nga disa rrugë të ngushta të drejta të ngjeshura të pa asfaltuara që të çojnë tek vilat. Këto rrugë, në disa vende, janë nga dy, paralele, pranë e pranë. Pra secila vilë rrugën e vet ! Priti kur të ndërtojnë secila shtëpi autostradën e vet, hekurudhën e vet, aeroportin e vet.
Ja një ëngjëll i kësaj Parajse. 65-vjeçari ka padurim të spjegojë;
- Kemi jetuar të mjerë mes baltash. Kurrkush s’kujtohej për ne. S’ta rrëfej të tërë fukarallëkun e asaj kohe kriminale, se po ta bëj më duket sikur e ndjell. Kemi rritur fëmijë, pa qumësht, pa vezë, pa mish, pa kurrgjë. Kam pesë djem. Të pestë në emigracion. Ikin e vijnë. Ja, thotë, duke treguar mes fushës një gjigand shpatullgjërë nja 30 vjeç me cfurk në dorë, ja njëri nga djemtë e gruas. Dhe qesh e qesh me gjith’ shpirt. Pesë djem, pesë shtëpi ! Tek e madhja shtëpi, ajo e blerta me tre kate atje tej, jetoj vet’ me gruan. Të ther me kosore po s’erdhe ta shohësh ! Shtëpitë e djemve janë gati. Por unë ende nuk u a kam ndarë shtëpitë; kjo e jotja, ajo e atij, kjo e këtij, ajo e atij. Hehehe, jam dinak i madh ! Jemi pesë fise në fshat. Të gjithë kanë ndërtuar shtëpi të reja. Rreth pesëdhjetë shtëpi. Tokën e kemi ndarë pa problem, pa grindje. Kemi celularë. Ujin për të vaditur e marrim nga përrenjtë, Gjolja dhe Zeza. Dasmat dhe sebepet i bëjmë nëpër shtëpira. Blerjet i porosisim me celular, na vijnë menjëherë. Djemtë në emigracion bëjnë punë krahu. Nga fshati ynë nuk ka dalë asnjë i famshëm. Nuk kemi asnjë të ikur dhe zhdukur. Hamë mish, fasule, makarona, patate, sallatra. Pijmë kafe, verë, raki, birrë.
Vete t’ja shoh vilën.
O nëne o nëne !
Dy kate gjigande. Papafingo më e lartë se katet. Në secilin kat; Korridor i madh, kuzhinë e gjërë e paisur me të gjitha, dhomë ndënjeje që s’i mungon kurgjë, dhomë fjetjeje madhështore, banjë moderne me të gjitha. Sistem i brëndshëm shpërndarje energjie elektrike me automat sigurues. Në korridoret e të dy kateve, si dhe në papafingo - citofon ! Kaldaja dhe kaloriferët do instalohen së shpejti. Rrëzë mureve tuba avulli presin të ngrohin në dimër mërdhacakët e dikurshëm. Nga ballkonet e papafingos kqyret këndshëm krejt parajsa.
Tre pranë e pranë, njëra paksa veç. Rrethuar me arra dhe kumbulla, koshere bletësh, ngastra të mbjella me zarzavate dhe perime, shtëpitë e bijve më të vogla se të etërve.
Godas mbi sup kot për qef një buçko-nipçe nja pesë vjeç.
Dhe largohem.
Nga vendi mbi të cilin fluturojnë pa rreshtur aeroplanë, që është krejt i ri, që, paçka’ se pa ura, lumenj nuk ka 1 të devijuar por 2 natyralë, dhe ku, me siguri, nëpër zgëqe luhet edhe kumar, kumar ku s’tikin paret por koka.
Në makinë, mbi xhamin që ende s’e kam fshirë, si splash nxin glasa e fatit të mirë.

edisonypi@gmail.com