E shtune, 20.04.2024, 10:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilirjan Sadikaj: Dashuria e Besarës (II)

E hene, 15.06.2009, 05:57 PM


Ilirjan Sadikaj

Dashuria e Besarës

Dalani ndezi makinën dhe u nis drejt skelës, për të takuar Besarën. Njihej prej vitesh me Besarën, para se ajo dhe e motra të bëheshin shoqe të ngushta.

Ishte në vitin e fundit të universitetit. Një mbrëmje nëntori erdhi e takoi në konvikt, Estrefi, shoku i tij i fëmijërisë dhe i rinisë, student edhe ai në vitin e fundit  të Fakultetit të Inxhinierisë, dega Hidrologji.
-Dalà, do të shkojmë në kinema sot,- i tha ai plot entuziazëm, duke tundur në njërën dorë biletat e kinemasë.
-Jo, Esf. Kam një detyrë kursi që dua ta dorëzoj medoemos nesër. Do të shkruaj deri vonë.
Estrefi u befasua.
-Ç’thua more?! Gjithë Tirana po çmendet për filmin, ndërsa ti je kaq indiferent.
Kishte disa javë që në kinemanë “17 Nëntori” po shfaqej filmi çek “Një jashtëtokësore në shtëpinë time” dhe biletat i gjeje nën dorë me çmime disa herë më të larta.
Dalani nguroi.
-Po sikur të shkojmë nesër?
Estrefi u ngërdhesh.
-Nesër? Ore gdhë, e di çdo të thotë ta shtyjmë për nesër? Kam një javë që përpiqem dhe biletat i gjeta për sot, ora tetë me dhjetë, me trefishin e çmimit. Dhe lekët e biletave do t’i paguash ti.
Dalani e pa shokun, i pashpresë.
-Kaq shtrenjtë?
Estrefi qeshi.
-Është shtrenjtë thua?! Dëgjo tani surprizën. Ti do të paguash dy bileta, por edhe unë do të paguaj dy bileta, sepse janë katër bileta. Ne jemi dy shokë, që do të kemi edhe dy shoqe. Më kupton tani, o trupeshk?
Dalani u dorëzua plotësisht.
-Dakort,- tha. -Damat asnjëherë nuk paguajnë. Po nga i gjete këto shoqe?
-Janë studente të vitit të parë për anglisht. Vlonjate, t’i pish në kupë, aq të mira janë. Njëra është kushërira ime, atë do ta kesh ti në krah, tjetra është shoqja e saj e ngushtë, që do të jetë pranë meje. Por kujdes me kushërirën, - u bë gjoja serioz Estrefi. -Jo direkt lojën e duarve me të.
Dhe shpërtheu në një kukurizmë të shkurtër.
Dalani e pa me dyshim.
-Vërtet është kushërira jote ajo që po qesh apo përqesh?
Estrefi u bë serioz.
-Sigurisht që është kushërira ime. Nënat tona janë kushërira të dyta. Ne jemi kushërinj të tretë. Dhe është kushërira më e veçantë që njoh dhe e respektoj shumë. Por kjo s’do të thotë se sa herë flas për një kushëri apo kushërirë të jem medoemos solemn, o moralist. Tani vishu, se po vete ora shtatë dhe duhet të shkojmë t’i marrim në konvikt.
Te konvikti i vajzave pritën vetëm pak. Vajzat ishin përgatitur që më parë. Mjaftoi një fërshëllimë e Estrefit nën dritaren e dhomës së tyre dhe ato dolën menjëherë. Erdhën gjithë ndrojë, me sytë gati përtokë. Nëpër dhëmbë mezi shqiptuan një “mirëmbrëma”.
-Mirëmbrëma! - ia ktheu i pari Estrefi.
-Mirëmbrëma! - shtoi edhe Dalani.
Estrefi mori situatën në dorë.
- Vajza, ky është shoku im i ngushtë, Dalani. Pastaj iu drejtua Dalanit.
- Dalà, këto janë Fatmira dhe Besara.
U panë për një çast të katërt në sy dhe sikur morën frymë të lehtësuar. Vajzat kishin veshur funde që u venin deri nën gju dhe bluza me mëngë të gjata. Drita e zbehtë e neonëve të rrugës së konvikteve dhe era e lehtë që frynte dhe fëshfërinte cohat e holla të bluzave i tregonin më të brishta dhe më të gjata. Djemtë kishin veshur mbi këmishat me jaka të hapura xhaketa sportive.
I futën vajzat në mes. Dalani kishte përkrah Fatmirën. “Kjo është  kushërira e Estrefit”,- mendoi. Tamam, në atë çast Estrefi mbajti hapat. Ndaluan të katërt.
- Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor,- tha Estrefi. -Dalà, Besara është kushërira ime. Të lutem, dili në krah. Unë ..
- S’ka problem!,- thanë Besara dhe Dalani pothuajse njëkohësisht.
- Joo! Lëviz matanë Dalà! Ja unë po rri pranë Fatmirës. Për këtë gabim, penalizoj veten. Sot qeras vetëm unë!
Vajzat qeshën të lehtësuara së bashku me Estrefin. Dalani heshti, sikur të mos ishte me ta.
- Dalà,- vërejti Estrefi, për qëndrimin e rëndë të tij,- këtu jemi në grup ndaj duhet reaguar si grup. Qesh njëri, qeshin të gjithë, qan njëri përlotemi të tërë.
Pastaj iu drejtua vajzave sikur Dalani të mos ishte aty:
-Dalà, është shoku im më i ngushtë. E njoh si veten time, por ndonjëherë nuk e njoh fare. Ka shumë sekrete dhe unë di disa prej tyre. Sot do t’ju zbuloj një sekret të vogël. Është mjeshtër  për shkurtimin e emrave. Në gjimnaz e thërritnin të gjithë Lani. Një ditë të bukur me diell, e quajti veten Dalà dhe na detyroi të gjithëve t’i thërritnim Dalà. Kështu e thërret gjithë Fieri. Mua më thërret Esf, herë me një s dhe herë me dy s. Kështu më njohin të gjithë. Ndaj mos u habitni kur t’ju thërrasë me ndonjë shortname  befasues.
-Pa hë? - vajzat panë nga Dalani.
-Ju i keni emrat vetë të shkurtuara,- u tha Dalani vajzave. -Mira dhe Sara. Me ju s’mund të ndryshohet asgjë.
-Ju sapo bëtë ndryshimin e parë,- u hodh Besara,- mua të gjithë më thërrasin Besa.
-Unë do të të thërras gjithmonë Sara,- tha Dalani.
Një drithërimë e lehtë e përshkoi Besarën. Zemra po i rrihte fort. U ep drejt tij në mënyrë të pavullnetshme dhe disa hapa ecën duke cikur duart dhe supet e njëri-tjetrit.
“Unë do të të thërras gjithmonë Sara”, kujtoi Dalani, ndërsa kaloi rotondon e Skelës dhe parkoi makinën pranë hotel Bolonjës.

Qëndroi nën hijen e një palme dhe hodhi sytë përreth për të pikasur Besarën. E dalloi përtej rrugës, që po ia bënte me dorë dhe po vinte drejt tij. Kishte veshur një fund të bardhë pak mbi gju dhe një bluzë të hollë, pa mëngë, të kaltër. Kishte mbathur një palë sandale me një rrip të verdhë aq të hollë sa Dalani priste nga momenti në moment t’i këputeshin. Me një çadër të vogël mbrohej nga dielli. Syzet e diellit, ngjyrë gri të lehtë të xhamave, nuk e pengonin Dalanin t’i dallonte irisin e kaftë të syve. Ishte e bardhë si shkumësi në dërrasën e zezë, thua se sot ishte një nga ditët e rralla që shihte diell me sy. Kur iu afrua pranë vuri re tualetin e lehtë erëndjellës të saj dhe në flokët e krehura me kujdes që i vareshin deri në supe, dukeshin qartë thinjat, që ajo nuk ishte përpjekur t’i fshihte.
-Tungjatatjeta Dalà,- i tha buzagaz, e ndërsa mbylli çadrën i zgjati dorën me një delikatesë që ai e njihte prej kohësh.
-Tungjatjeta! - ia ktheu Dalani, pa guxuar t’i fliste në emër e ta shihte drejt e në sy, por dorën ia mbajti në pëllëmbën e tij të madhe, më shumë se çasti i takimit. Sapo shkëputën duart, Besara me një veprim të natyrshëm, i hodhi  një krah përreth qafës së tij dhe e puthi në faqe.

Atë natë nëntori të largët të takimit të parë, ata i përcollën vajzat deri te hyrja e konviktit. Ndërsa po ndaheshin, Besara i hodhi krahun në qafë Estrefit dhe e puthi në faqe, pastaj pa në sy Dalanin, e përqafoi dhe e puthi edhe atë në faqe. Nxitoi pas Fatmirës, që para saj, kishte guxuar vetëm t’u jepte dorën djemve dhe të shqiptonte “natën e mirë”. Dy shokët ngelën një çast të habitur nga veprimi i Besarës. Estrefi donte t’i thoshte Dalanit se gjesti i përqafimit dhe i puthjes në faqe në Vlorë dhe rrethinat e saj ishte i zakonshëm midis të afërmve. Por e kuptoi, që ky shpjegim nuk do të funksiononte. Ai e mori me mend se ishte Dalani shkaku i këtij përqafimi, kurse ai ishte vetëm mburoja e veprimit të Besarës. Dhe për ta ngacmuar disi, i tha:
-Në Vlorë, të afërmit dhe miqtë përqafohen dhe puthen në faqe nga femrat pas ndonjë ceremonie të përmotshme, zakonisht mbasi përcjellin për në banesën e fundit të vdekurin. Po ta transkriptosh fjalë për fjalë gjestin pantomim të Besarës, do të dilte pak a shumë kështu: “Ju faleminderit çuna që morët pjesë në ceremoninë tonë të zisë.”
Dalani nuk e mbajti dot të qeshurën e vetme të asaj mbrëmjeje.
-Megjithatë është fisnike, edhe pse për mort, - ia ktheu Dalani.
-Ore gdhë,- i tha prapë Estrefi, - Besara me këtë veprim na la të kuptonim, se kjo mbrëmje ishte për të, por edhe për Fatmirën, besoj, më se e mërzitshme. Dhe kjo tërësisht për fajin tënd. Ti nuk fole asnjë fjalë, nuk reagove fare në asnjë nga batutat e mia, madje, nuk fute njëherë dorën në xhep për të qerasur qoftë edhe veten. Imagjino të ishe vetëm me këto gocat sot. Do të të kishin braktisur në rastin më të parë dhe ti do të kishe ngelur si hu gardhi në mes të Tiranës.
Dalani qëndronte para Estrefit, me një buzëqeshje të lehtë.
-Zbardh edhe dhëmbët sepse xhepat e mi u shkundën në fund të fundit.

Dalani po qëndronte pa lëvizur përballë Besarës, duke i buzëqeshur lehtë. Instiktivisht futi dorën në xhep dhe preku kartmonedhën njëqind euro, që i kishte dhuruar Vjollca.
-Shkojmë nga Uji i Ftohtë,- tha Dalani,- ulemi në ndonjë bar dhe pimë diçka. Atje flasim edhe për apartamentin, edhe për qeranë.
Besara i hodhi një sy Fordit të vjetër dhe mblodhi buzët.
-Nga përshkrimet e Vjollcës kjo duhet të jetë vetura jote, hë?
-Po. Ky është Fordi im.
-Jam kureshtare të di në i ke sajuar donjë shkurtesë.
-Jo pa shkurtim. I kam dhënë jetë. E kam quajtur Buçi.
Besara qeshi me gjithë shpirt, e befasuar.
-Sa emër i këndshëm. Tani edhe mua makina më duket më e mirë.
Ajo mbështeti pëllëmbën në llamarinën e pluhurosur, si të përkëdhelte ndonjë qenie të gjallë. Pastaj fare natyrshëm i futi krahun Dalanit.
-Nga do të shkojmë?
-Unë mendova tek Uji i Ftohtë. Por po të duash ti vemi edhe në Radhimë. Apo do në Gus-Baba?
-Unë dua të vemi në shtëpinë e prindërve të mi, te Vilat. Atje është freskët. Rrimë në kopsht. Edhe prindërve do t’u bëhej qejfi, po të të takonin. Ata e dinë që je vëllai i Vjollcës dhe i Nikos.

Nikoja ishtë vëllai i Dalanit, më i vogli i fëmijëve. Ai kishte banuar vite më parë në Vlorë. Tashmë ishte në Amerikë.
Dalani e refuzoi ftesën e Besarës.
-A nuk ndahemi këtu më mirë, Sara? Jemi të martuar e me fëmijë, e sikur nuk shkon të hyj e të dal në shtëpinë tënde. Sa për apartamentin bisedoje gjithçka me Vjollcën. Unë do të vij me familjen në pesëmbëdhjetëditëshin e fundit të korrikut.
-Unë këmbëngul të shkojmë te Vilat. Mamaja po përgatit drekën. Do t’i mbetet hatri po të mos vish. Nuk do të ndodhë asgjë jashtë normave, si u shprehe ti. Pastaj edhe unë po të lutem. Për hir të shoqërisë sonë të hershme duhet të pranosh. Pas drekës, dalim e pimë kafe, shohim edhe apartamentin.
-Epo, mirë,- u koll Dalani.- Shkojmë me Buçin.
-Më mirë ecim në këmbë. Makinën nuk e prek kush.
Ata lëvizën nga vendi dhe ajo u mbështet aq pranë tij, sa ai ndjeu të rrahurat e zemrës së saj. U ndje në siklet. Kështu i kishte ndodhur edhe atë ditë që doli për herë të parë vetëm më Besarën.

Ai po hynte në bibliotekën që ndodhej në katin e parë të pallatit të kulturës “Studenti”, kur u përball me Besarën.

Qëndruan për një çast aq pranë, sa dëgjonin të rrahurat e zemrës së njëri-tjetrit.
-S’po më fton për një kafe?,- e theu heshtjen Besara.
-Sa do e bëja,- tha Dalani. - Të dorëzoj librin dhe erdha.
Një minutë më pas, erdhi tek Besara.
-Ku do e pimë kafen?
-Ku të duash ti.
-Vemi në Tiranë ?
-Ok,- tha Besara dhe e kapi prej krahu duke u mbështetur lehtë mbas tij.
Dalani u ndie në siklet. Megjithatë, kryqëzoi duart nga pas që Besara të ishte më e lirshme. Ngadalësoi disi hapat, që të mbante ritmin e saj.
-Atë natë në kinema, më the se studioje për anglisht,- tha Dalani. -Por sepse m’u krijua ideja, që ishte më shumë se anglisht.
-Anglishtja më duhet për të pasur një diplomë. Kjo është, si të thuash ana zyrtare. Njëkohësisht unë studioj gjuhët e vjetra greke dhe egjiptiane. Gjuhët dhe kultura antike janë hobi im.
Dalani u befasua.
-Nuk e dija që në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja studiohen edhe gjuhët e vdekura.
-Ke të drejtë. Leksionet i marr në Institutin e Gjuhës e të Albanologjisë. Do të jap provime për këto gjuhë dhe do të diplomohem.
-Si të lejuan studimin e tyre, sepse e mendoj si diçka tepër të rezervuar dhe për njerëz të privilegjuar?
-Jo dhe aq të privilegjuar por pak veta hyjnë në këto nivele. Im atë i rregulloi këto gjëra. Ka shumë miq midis profesorëve këtu në Tiranë.
-Babai yt është albanolog?
-Jo, është agronom, por i apasionuar mbas lashtësisë. Ne jemi kaniniotë. Gjyshërit e mi banonin në Kaninë. Kur im atë ishte ende fëmijë, në Kaninë erdhi një grup albanologësh austriakë, për zbulime. Dhe e merr me mend ç’ndodhi? Shtëpia jonë dhe dyqanet tona, ishin ndërtuar mbi themelet e një pallati mbretëror ilir të dymijë e ca vjetëve më parë. Qeveria e Zogut, e zhvendosi familjen e babait nga Kanina në Vlorë. Që nga ajo kohë, im atë u apasionua mbas antikitetit dhe këtë pasion të tij e trashëgova edhe unë. Im vëlla as do t’ia dijë fare për këto “vjetërsira”, siç i quan ai.
-E çfarë ka pasion ai?
-Paratë,- ia ktheu thjesht Besara. “I kam ngjarë gjyshit” thotë, që ka qenë tregtar i madh në Vlorë. Po ti Dalà çfarë ke pasion?
-Përveç matematikës dhe fizikës, më pëlqejnë sportet e forcës, si mundja, peshëngritja, boksi, badibillding, të gjitha nga pak, sa për të mbajtur trupin në formë.
Besara e pa me admirim.
-Gratë, i duan burrat e fortë.
-Edhe burrat i duan gratë e bukura dhe të ditura, si puna jote, për shembull. Më trego diçka për Egjiptin e faraonëve.
-Po të them një kuriozitet të vogël. Kur njerëzit vdisnin, i murosnin dhe u hiqnin organet e brendshme madje edhe trurin.

Vetëm zemrën ua linin. Egjiptianët e vjetër besonin se zemra ishte organi i dashurisë dhe se dashuria vazhdonte edhe pas vdekjes. Pra, dashuria ishte diçka më shumë se trupore, ishte hyjnore.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora