E premte, 19.04.2024, 01:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Ta ndava ujin!

E hene, 15.06.2009, 06:13 PM


Ta ndava ujin!

Nga Agron Tufa

Kishte perënduar dielli kur sahatçiu i lajmëroi për radhën e ujit. Sufa po ndizte fenerin e dorës, ndërsa Beklia, e shoqja, po i fliste me pëshpërimë vajzës së madhe të ketë kujdes vëllezërit dhe motrat që i kishte zënë gjumi. Kur Beklia doli përjashtë, i shoqi e priste me fenerin e ndezur, të varur në rripin e pantallonave dhe me dy shatinj të mëdhenj. Hakiku, sahatçiu, i priste pak përpara; në errësirë fekste këmisha e tij e bardhë dhe dukej e zhdukej si xixëllonjë cigarja e tij e ndezur.
- Tani ndajeni vetë ujin, or Sufë e ju vaftë mbarë! Me dy brazhdë ujë, or i bekuem, ia del përtej, pa zbardhë drita. Unë punën time do ta shof; po ruaj vijën mos ua ndaj kush në katund.
- Faleminderëz, Hakik, - i tha Sufa, - po na e ndanë, s’do t’ia dalim dot... atëherë duhet me na e shty sahatin pak ma gjatë.

- Nuk ua prek kush ujin, sa t’jem unë... veç me të ra më qafë ndoj beterr i madh...
Hakiku u tret në errësirë, duke u ngjitur anës vijës, deri në kanalin e madh, ndërsa Sufa me Beklien morën poshtë ku kishin pesëmbëdhjetë dynym tokë, me misër e fasule, jonxhë, kopshtiet me fruta e perime gjithëfarëlloj, etj., - të gjitha me gjethe thuajse të vyshkura nga zhegu dhe mungesa e ujit.

Sufa preu cfratin e madh dhe uji ra me një pjerrësi të fortë, si katarakt, tërë shushurimë, përmes një porendi të lartë. Gruaja i rrinte disa krahas, në shmang, duke i ndriçuar me fener, ndërsa ai priste një pas një cfratet e përgatitura që më parë me vllaja, me një shkathtësi e zell të madh. Uji përhapej duke marrë me ngritur nëpër dheun e zhuritur një si cijatje dhe fërshëllimë, si tingulli i gëlqeres kur shuhet apo si uji i gazuar në gotë. Ishte një ndjenjë e posaçme, të cilën e përjetojnë vetëm ata që janë të lidhur me tokën. Përtëritja dhe freskimi i bimëve projektohej dhe shkaktonte të njëjtin efekt përshkues, thuajse qelizor, duke i bërë të fërgëllonin nga kënaqësia kurmet e dy bashkëshortëve. Kishin vaditur tre-katër dynimët e parë dhe sa prenë cfratin dhe e kthyen ujin në parcelat e perimeve, uji u pre.

- Na e prenë! - ofshau gruaja.
- Ah! - fshau dhe i shoqi, me pamjen e të prerit në besë, dhe ia këputi një të share vençe.
- Si t’ia bëjmë? - pyeti Beklia. Pastaj, si nuk mori përgjigje, shtoi: - Bjeri prapa ujit mor njeri, se si duket, Hakiku ia ka këputë gjumit.
Të dy, burrë e grua, dolën nga arat në udhën e ngushtë të fshatit dhe morën lart. Buzë shtëpisë së tyre dykatëshe, Beklia u ndal dhe i tha:
- Deri sa të vish ti, unë po pres këtu në kopsht, para dere. Nuk po hyj brenda.

Sufa nuk foli, por ashtu siç ishte, shtatmesatar, i hajthëm e i shkathët, ndoqi vijën e ujit dhe, pasi kishte kapërcyer shtëpitë e fundit të lagjes së katundit, e gjeti ujin të devijuar. E ndoqi dhe vija gurgulluese e shpuri mu në arën e beterrit më të madh të fshatit, Pervizit. Sufa iu avit ngadalë figurës skarragjate të Pervizit, diku nga kreu i parcelës, dhe i tha: “Puna e mbarë, Perviz beg!” Po Pervizi as nuk i ktheu përgjigje.

- Or Perviz, po pse ma ke nda ujin, mor dashamir?
Pervizi ndau një cfrat tjetër, drejtoi shtatin dhe i foli Sufës me të vrazhdë:
- Rueju mos afrohesh dhe nji hap ma shumë, e kam frikë se do të marrësh veten më qafë... Po m’u hulle ma afër, kam me t’u hap m’kët tu shati veshëve!
- Po më ke pre ujin, mor Perviz!
- Ik or shty b... andej, se nuk t’ap ty llogori unë! Teveqel...!
- Jo, jo, jo, or Perviz... s’e ke mirë. Unë s’erdha me u xanë a me u kap fytas me ty. Ti vazhdo punën or i bekuem; unë po të pres kur të mbarosh ti, ndër hijen e asaj arrës, në jeshillëk. Kam sabër unë or Perviz!
- Bëj çar të duash! - ia ktheu me shpërfillje tjetri.
Sufa u ul këmbëkryq në barin përnën arrë dhe po priste. Kaloi do kohë dhe i bzani me zë të lartë Pervizit:
- O Perviz beg! Po hajde more e na qit ndoj cigare duhan! Lshoje ujin, se në rrafsh e ke, e merr vetë e i bie në fund.

Pervizi nuk vonoi shumë dhe u kthye. U ul përballë, nxori kutinë dhe filloi me dredhë. Sufës nuk i pushonte goja tue e lëvdu fort Pervizin, forcën e tij, mençurinë, bujarinë, taktin e marifetin; i foli për namin që i paskësh dalë në katund e krahinë. Edhe pse Pervizi e kuptonte, se ato që thoshte Sufa s’ishin të vërteta, prapë i pëlqeu dhe vazhdonte të dëgjonte me kërshëri.

Herë pas herë çehrja e tij nurësëze përshkoj nga buzëqeshje të shkurtra ngërdheshëse. Sufa arriti me e ngjallë muhabetin, se dhe Pervizit, zu t’i zdriste në tru konturi i ndonjë ndodhie. Nisi dhe ai të tregojë ndonjë gjë, por ishte e pamundur t’i bije në të, se ia plaste një të qeshure mbytëse, sikur po hiqte shpirt, aq sa ishte e pamundur ta kuptoje për çfarë bëhej fjalë. Megjithatë më fort qeshte Sufa.
- I zoti, për besë! Skile e madhe je or Perviz! S’ta ha qeni shkopin, vallah. Po si ia del mor Perviz, si të jepet, a?

Përvizi qesh, ndez cigaren e dytë, nxjerr sahatin e xhepit dhe këqyrën fushën e tij, nën shkrepjen e çakmakut. Të njëjtën gjë bën dhe Sufa. Kanë kaluar vetëm 20 minuta. Sufa e di se Pervizi do të ngrihet pas ujit. Tani në qiell ka dalë dhe një hënë treçerekëshe dhe konturet e objekteve shquhen pa vështirësi. Sufa pa e kuptuar as vetë, në vend që të shfryjë gjithë mërzinë e maskuar, krejt papritmas i thotë tjetrit:
- Or Perviz, a po më del një herë bre burrë?
- Si, a po të dal? Kujt? Unë? Ty a?!– u habit Pervizi.
- A po më del, të kapemi fytas, kush ta rrëzojë tjetrin?
- Rri mor Sufë, - bëri me një gjest shpërfillës Pervizi.
- Jo po ta thashë me gjithë mend! – ngulmoi Sufa.
- Rri mor kec, se Perviz Grremi ty t’ha e t’dhie!... E prapë s’e merr vesh.
- Hajde, hajde, tani, leri llafet... e di se më mund, por hajde të kapemi njëherë gjelas.

- Hajde, - i tha Pervizi dhe u ngrit i pari.
U vunë ballas. Mashat e forta të krahëve të Pervizit kërkonin të mbërthenin Sufën, por ky i rrëshqiste sa hap e mbyll sytë me një shkathtësi që e çorodiste tjetrin. Më në fund Sufa e mbërtheu Pervizin krah e shpatull dhe e përplasi përtokë.
- Tuç, or Perviz, dhe thuaj: një!
- Kapemi prapë, kjo ishte, ashtu... paj, një vaki rasti... – tha i nxehur Pervizi.
- Kapemi, - tha Sufa.
Kësaj radhe as vetë Pervizi nuk e mori vesh si u gjend i plasur me shpatulla përtokë. Si duket, Sufa i ditka mirë hilet e mundjes, - mendoi Pervizi, ndërkohë që tjetri përsipër i briti:
- Tu[, or Perviz dhe thuaj: dy!
- Edhe një herë! – u lut Pervizi.
- Jo, s’ka më! Mjaftojnë dy.
- Edhe njëherë ore... E treta, e vërteta! – tha mu si një kalama i lënduar Pervizi.
- Mirë, - tha Sufa. – E treta, e vërteta! Dhe jo më shumë...

Sërish nisi vërvitja. Sytë e Pervizit ishin më të vëmendshëm, duke mos e lënë tjetrin t’ia merrte krahun, ndërkohë që vetë shpresonte sall t’ia ngjiste njëherë dorën Sufës. Aq, dhe dinte vetë mandej... E zgjati dhe iu duk se e kapi, por tjetri i shkau dhe ai përsëri kuptoi me hidhërim, se Sufa po i jepte një krahqafë, dhe se kësaj përplasja përtokë, e ndihmuar edhe nga stërkëmbëshi, do të ishte shumë e fortë.

Kur ra prapë tuç, atij pa dashje iu shkep njëfarë rënkimi a gogësime. E dinte me siguri se fytyra e Sufës përsipri do t’i thoshte: “Tuç or Perviz, dhe thuaj: tre!”, por ai pa vetëm kokën e tij që e tundte në mënyrë domethënëse, duke i thënë nënkuptueshëm diçka krejt tjetër:
-Ta ndava ujin, or Perviz!
Mandej qetë-qetë Sufa u ngrit, hodhi setrën krahëve, ktheu cfratin, i bindur se nuk do të kthehej më prapë për të njëjtë punë.


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora