Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anita Take

| E merkure, 01.03.2006, 11:23 PM |


Anita Take
Anita Take është ngjitur në skenë para 50-vjetësh, por akoma vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur atë. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Kjo tregon se këngëtarja e madhe Anita Take me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.
E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Ajo ka mbi 50 vjet, që ka kënduar dhe vazhdon të këndojë edhe sot, sa herë që e thërrasin. Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”, ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallëngjyen pa masë. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Por, ndonëse ajo është shumë e gëzuar për profesionin e saj, pengu i vetëm për të, është se nuk ka arritur të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira. Ndër çastet më të bukura të jetës së saj, ajo veçon ditën kur u bë për herë të parë nënë, si dhe çastin kur bashkëshorti i saj, Agim Prodani i tha: “Të dua”. Ajo ka vendosur të mos ndahet kurrë nga kënga, ndaj krahas debutimeve në skenë gjatë përgjatë tre viteve të fundit dhe tek “Këngët e Shekullit”, po përgatit edhe albumin e saj të dytë me këngët më të mira. Albumin e parë e ka publikuar para një viti, i cili është pritur shumë mirë në publik.

Znj. Take, tashmë emri juaj është gdhendur në librin e historisë së muzikës shqiptare, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me arritjet e tua artistike në këtë fushë?
Arritjet e mia artistike mund t’i përmbledh vetëm me tre fjalë. Punë, punë dhe vetëm punë. Mendoj se nuk mjafton vetëm pasioni dhe talenti për të bërë diçka në një fushë të caktuar, por natyrisht në lidhje me suksesin, ka të bëjë këmbëngulja, serioziteti dhe qëllimi që i ke vënë vetes. Gjithashtu, ka të bëjë edhe kontrolli ndaj vetes. Kur them kontroll, kam parasysh spektatorin, i cili të kontrollon në çdo hap që hedh në këtë drejtim. Nisur nga kjo, unë këtë e kam pasur si pikëvëmendje në jetën time skenike, muzikore dhe familjare.

Ndonëse jeni një zë i fuqishëm i muzikës shqiptare, ju keni marrë pjesë shumë pak në festivalet, që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, përse ka ndodhur kjo me ju?
Është shumë e vërtetë kjo që thoni ju, por ndonëse nuk kam marrë pjesë në festivale të këtij lloji, aktiviteti im në fushën e muzikës ka qenë tepër i dendur. Kjo më ka penguar të marr pjesë në aktivitete të tilla. Megjithatë, mendoj se festivalet që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, kanë qenë evenimente shumë të bukura kulturore, me shumë emocione dhe me një lloj konkurrence. Por, ndonëse këtë konkurrencë unë e kam dashur, qëllimi i misionit tim ka qenë të dal në skenë dhe të këndoj bukur për publikun, si dhe të them atë çka dua të them nëpërmjet këngës dhe nëpërmjet vargjeve. Gjithashtu, kam preferuar të kem korrektesën time profesionale dhe qytetare përballë spektatorit, pasi të dyja janë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Nisur nga kjo, edhe pse unë kam marrë pjesë shumë pak në festivalet e organizuara nga Radio-Televizioni Shqiptar, gjithmonë e kam ndjerë veten shumë mirë edhe jashtë tyre, pasi kam marrë pjesë në aktivitete të tjera, po aq të rëndësishme dhe më pranë publikut.

Sa vjet keni që këndoni në skenë?
Jeta ime në skenë përmbledh një epokë 50-vjeçare. Në këtë këtë periudhë të gjatë unë kam jetuar si këngëtare dhe vazhdoj të jetoj akoma duke kënduar.

Cilat nga këngët më të dashura për ju?
Unë kam shumë këngë të dashura, ndaj nuk mund të veçoj ndonjërën prej tyre. Për mua, si këngë më të dashura, janë këngët me tematikë shoqërore dhe ato me tematikë të dashurisë intime. Pra, këngë që kanë pasur melodi të thjeshta. Kënaqësia dhe arritja ime ka qenë se, këto këngë, ndonëse kanë kaluar 50 vjet, vazhdojnë të këndohen edhe sot nëpër festat familjare nga brezat e rinj dhe të moshuar. Duke parë rezistencën e këtyre këngëve dhe interesimin e njerëzve për t’i kënduar ato, mendoj se kjo është arritja më e madhe për mua dhe krijuesit e këtyre këngëve.

Të ka rastisur të dëgjosh ndonjë nga këngët e tua dhe si të është dukur intrepretimi nga këngëtarët e tjerë?
Ka pasur shumë raste, kur unë kam dëgjuar këngët e mia të kënduar nga këngëtarë të tjerë. Kjo nuk më kanë lënë ndonjë shije të veçantë, përveçse kënaqësisë që kënga ime jeton. Unë gëzohem jashtëzakonisht shumë, kur dëgjoj këngët e mia të këndohen nga të tjerët dhe nuk rrëmbehem nga i mendimi, që ata i kënduan, i kënduan më mirë, ose më keq se unë. Për mua nuk ka rëndësi kush i këndon, por ka rëndësi të jetojë kënga dhe ajo të përcillet ndër breza. Kjo mendoj unë është arritja më e madhe për një këngëtar, apo krijues. Këtu unë nuk kam parasysh çmimet e marra nëpër festivale, por çmimin e madh që të jep publiku, duke i duartrokitur dhe i kujtuar ato këngë. Pra, unë mendoj se kënqësinë më të madhe nuk ta japin çmimet, por ta jep publiku dhe jetëgjatësia e këngës, duke u transmetuar brez pas brezi.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Këto janë momente që natyrisht nuk harrohen. Kam qenë shumë e re kur jam ngjitur në skenë. Ka qenë viti 1949. Në atë kohë, kam qenë si amatore në Shtëpinë e Oficerave, pasi atëherë nuk kishte festivale, nuk kishte as skena, ku ne mund të dilnim lirshëm, siç dalin sot këngëtarët, nuk kishte as televizione për të shpalosur talentin tone.

Si ju lindi pasioni për këngën?
Kënga ishte një ndjenjë që lindi siç duket bashkë me qenien time. Në këtë rrugë më ka përkrahur shumë edhe mamaja ime, e cila e donte shumë artin. Më pas, nga kënga në këngë, nga debutimi në debutim, arrita deri në skenën profesioniste, kohë kjo kur mblidheshin talentet.

Çfarë të kujtohet nga periudha, kur ju hodhët hapat e para në rrugën e muzikës?
Në kohën kur unë nisa rrugën e këngës, kishte pak këngëtarë dhe kompozitorë në Shqipëri. Në atë kohë ishte një bërthamë e vogël këngëtarësh dhe kompozitorësh, që kishin studiuar jashtë Shqipërisë, si në Austri dhe në Itali. Unë i përkas atij brezi, që dolëm si luledelet, që dalin pas një shiu në pranverë. Ashtu filluam të dalim edhe ne katër, apo pesë këngëtarë, ku më pas vitet bënë që të dalin qindra e qindra këngëtarë, të cilët debutuan dhe vazhdojnë të debutojnë me shumë dinjtet brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga familja juaj ka pasur ndonjë që merrej me art?
Prindërit e mi kanë qenë shumë artdashës, por nuk e kanë ushtruar në jetë këtë profesion. Babai im ka pasur një vegël frymore, që i binte në shoqërinë “Vatra” në Amerikë, ku ai kishte emigruar. Edhe nëna këndonte bukur. Pra, ka qenë edhe ambienti familjar, që më ka ndihmuar.

Ruani ndonjë moment, kur jeni mallëngjyer në skenë?
Po. Ky çast prekës më kujtohet edhe tani dhe lidhet me periudhën kur më kishte vdekur nëna ime. Për ta larguar dhimbjen dhe për të qëndruar larg zakoneve, unë isha larguar posaçërisht nga Shqipëria për një turne në Evropë. Pasi qëndrova më shumë se tre javë larg Shqipërisë, më bëjnë një telefon dhe më ftojnë për të marr pjesë në Festivalin e Pranverës. Në këtë festival unë do të merrja pjesë si e ftuar. Erdha dhe këndova pikërisht këngën e nënës, ngaqë në atë kohë ne ishim në prag të festës së 8-Marsit. Teksa këndoja këtë këngë, befas mu kujtua nëna ime, që kishte dy javë që kishte vdekur. Nisur nga kjo, unë u mallëngjeva shumë, saqë shpërtheva në lot. Mu trash edhe zëri dhe nisur nga kjo i kërkova falje spektatorit, që kishte mbushur sallën. Më pas mora frymë thellë, e përsërita këngën dhe papritur pashë që edhe spektatori i prekur thellë dhe i emocionuar nga ajo që më ndodhi mua, shpërtheu në duartrokitje të zjarrta. Në ato momente mua mu duk sikur e pata të gjallë nënën time.

Si kanë qenë marrëdhëniet e Anita Takes me kolegët dhe, a takoheni tani shpesh për të kujtuar dhe hequr mallin e atyre viteve?
Marrëdhëniet e mia me kolegët kanë qenë shumë të mira, madje do të thoja më shumë se të mira. Në atë kohë, duke qenë se ishim shumë pak këngëtarë dhe krijues, qëndronim shumë më afër njëri-tjetrit. Unë kam pasur partnere dhe partnerë në skenë, me të cilët ruaj kujtime shumë të bukura. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më, por unë i kujtoj akoma me respekt. Kujtoj me respekt edhe ata që jetojnë dhe kur mblidhemi nëpër festa të ndryshme, kujtojmë me shumë nostalgji periudhën që kemi kaluar bashkë, si dhe arritjet dhe zhgënjimet në fushën e muzikës.

Krahas arritjeve në këngë, një moment i rëndësishëm për çdo artist është edhe periudha bashkëshortore, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me këtë, kur dihet që bashkëshorti juaj, Agim Prodani është një ndër themeluesit e muzikës së lehtë shqiptare?
Me bashkëshortin tim, Agim Prodani, jam njohur nëpërmjet këngës, meqë ai ishte kompozitor. Ndoshta, zëri më bëri që unë të njihem me një personalitet të muzikës shqiptare, që natyrisht në atë kohë ai ishte i ri dhe nuk e kishte krijuar atë imazh aq të bukur që ka sot. Këtë njeri unë e kam vlerësuar shumë. Ai më kishte piketuar mua si një këngëtare, si një kolege, që më respektonte dhe unë pronto në çdo moment. Me kalimin e viteve, ne u njohëm më shumë me njëri-tjetrin, nga ku më pas na lindi edhe ajo e shkretë dashuri si i thonë, pasi kjo ndjenjë njerëzore nuk ka asnjë recetë dhe vjen në një moment, kur ti ndoshta dhe nuk e pret. Jeta ime në familje ka qenë shumë e ngrohtë dhe me një mirëkuptim, të cilin ia uroj çdo njeriu.

Cila ka qenë pika juaj kyçe në këtë lidhje bashkëshortore?
Pika jonë kyçe ka qenë, që ne e njohëm shumë mirë njëri-tjetrin para se të binim në dashuri. Mendoj se kjo ka qenë një arritje madhe në jetën tonë bashkëshortore. Nga kjo martesë na kanë lindur dy djem.

Fëmijët tuaj, a kanë marrë profesionin e prindërve të tyre?
Po. Ata janë shumë të talentuar. Më i madhi, Kujtim Prodani, është kompozitor dhe kantautor. Djali i dytë, Florian Prodani ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë, në degën inxhinieri ndërtimi, por nuk e ka ushtruar fare këtë profesion. Më pas ka studiuar për informatikë. Edhe atij i pëlqen shumë muzika dhe për këtë vazhdon të punojë në piano, në shtëpinë e tij.

Tani që jeni në një moshë të thyer, a do të këndoni, nëse nga publiku do t’ju vijë një ftesë?
Patjetër që do të këndoja. Unë publikut shqiptar i kam shumë borxhe, ndaj sa të kem frymë do të këndoj për të, pasi ka qenë pikërisht ky publik, që gjithmonë më ka përkrahur, më ka mbështetur dhe duartrokitur, sa herë që kam dalë në skenë. Në këto tre vjetët e fundit, unë kam kënduar dhe nuk jam ndarë nga kënga, megjithë moshën time të madhe. Nisur nga kjo, mendoj se unë po jetoj për të kënduar.

Kur keni kënduar për herë të fundit?
Për herë të fundit kam kënduar tek “Këngët e Shekullit”.

Si t’u duk ajo natë?
Ajo natë për mua ka qenë një mrekulli. Ndaj uroj të mos e kem natën e fundit. Unë u befasova, që ato këngë të vjetra dhe me një tekst, që ndoshta nuk janë dhe aq të përshtatshme me realitetin e kohës, akoma pëlqehen dhe duartrokiten nga publiku.

Aktualisht, a keni ndonjë dëshirë, që mendoni ta realizoni së shpejti?
Aktualisht po mendoj të realizoj albumin tim të dytë, me këngët e mia më të zgjedhura.

Po ndonjë peng të parealizuar?
Më vjen shumë keq, që nuk pata fatin të filmohem në jetën time si këngëtare.

Cilat mendoni se janë çastet më të bukura në jetën tuaj?
Si çaste më të bukura në jetën time, mund të veçoj çastin kur unë u bëra nënë për të parën herë. U gëzova shumë kur më thane: “Të ka lindur djalë”. Gjithashtu, çast tjetër i bukur për mua, është edhe çasti kur bashkëshorti im, Agim Prodani më tha: “Të dua”. U gëzova shumë, pasi kjo fjalë u shqiptua fort nga ai dhe jo sa për të kaluar radhën. (Qesh).

Njohja me kompozitorin Agim Prodani, sa të ka ndihmuar në jetë?
Më ka ndihmuar shumë. Ndaj, për këtë unë falenderoj shumë profesionin tim, i cili më njohu me njeriun, që më ka ndihmuar dhe më ka përkrahur pa masë në rrugën time artistike. Ai gjatë gjithë jetës sime mbeti për mua, jo vetëm një bashkëshort i mirë, por edhe një shok dhe koleg shumë i mirë.

Bashkëshorti juaj ka qenë një kompozitor dhe kompozues i shumë prej këngëve të tua, të gjitha këngët e dashurisë, Agimi t’i ka kushtuar ty?
Jo, të gjitha këngët e mia, që flasin për dashurinë janë kompozime të bashkëshortit tim, por disa nga këngët më intime, të cilat unë i ruaj akoma, janë kompozuar nga ai. Tematika e këngëve të tij ka qenë shumë e larmishme, por disa nga më pikantet, kur ka qenë temperatura 40 gradë, mi ka kushtuar mua, ndërsa të tjerat jo.

Mentor Hoxha - Sot