E enjte, 25.04.2024, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

E diele, 14.06.2009, 12:34 PM


Burhanedin Xhemaili, lindi më 28.02.1962 në fsh. Rramanli. Shkollën e mesme e kreu në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filologjik Dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Shkup. Ka punuar profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike në Kumanovë. Ndërsa tani është pranuar si Këshilltar në Qeveri, dhe pritet të transferohet në Ministrinë e Kulturës. Ka kryer detyrën e Kryeredaktorit të Revistës për Letërsi‚ Shkencë dhe Kulturë DORUNTINA. Tani është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë‚ dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Maqedoni.

Deri më tani ka botuar:

“DRITA E VONUAR’’ poezi 1993
“FRIKË NGA LIRIA” tregime 1994
“PORTRETE TË DJEGURA” dramë 1999
“TINGUJT E JETËS” tregime 2001
“KAMBANAT E LIRISË” poezi 2003
“MAGJIA MODERNE’’ tregime dhe novela  2005
“RRUGA E NDJENJAVE” roman 2006
Ka botuar edhe ese, recensione, shkrime publicistike, ndërsa në dorëshkrim ka librin me tregime ”Në fund të tunelit”.

ËNDRRA E FËMIJËRISË

Yjet vallëzojnë magjishëm
në natën e qetë...
dhe sikur dëshirojnë t’më kthejnë
në ëndrrën e fëmijërisë
vetëm për një çast
e mua më duket ëndërr e harruar
në këtë kohë sirenash të zhurmshme
që të ngjallin tmerrin
mbrëmjeve të përgjumta
e agimeve të bardha...
por mbamendja po më bartë
në delirium magjepsës
në arenën moderne të pasigurisë
ku vend të merituar zë lemeria
dhe nuk frymon humanizmi
se bota e vogël është
tepër e vogël bota për lakmitarët
e leverdisë personale…

* * *
një natë ëndërr pashë
shiun e madh pranveror
që barti me vete bërlloqet
dhe përmbyti kohën e krimit…

MALLI

dëgjoj
rënkimet e zjarrta
të shpirtit të saj

në rrugën e errët
sytë e kallur më bëjnë dritë

duart e zjarrta
mbi parzmën time
m’i zgjojnë ndjenjat e thella
si shkëmbi i harruar nga valët e detit
                                         në trazim…

malli i përjetësisë mbetet peng kujtimi
për sytë që lotojnë si shiu në pranverë
dhe kënga…

kënga e zogut tim që mbaja
në duart e përgjakura
e zjarrin nën këmbë nuk e ndija
tani më djeg në shpirtë
e s’mund të harroj…

KUJTOJ

tingujt e këngës në harrim
kambanat e lirisë
dhe shiun e ëndërruar me bubullimë

kujtoj trupin e saj që vallëzonte
në gotën e mbushur me verë khajami
dhe qirinjtë e ndezur flakë mbi sofrën time
të pashtruar…

kujtoj kujtimet e hidhura
dhe gëzimet e fjetura
në gjumin vjeshtak
deri në agimet e reja
që do ta përcjellin terrin e tmerrit
me këngën e zgjimit
dhe me dritën e diellit
në lindje…

TEATRI NË PASQYRË

rrëshqasin
në akullin rrëshqitës
bien si gjethet
e zverdhura në vjeshtë
kur sytë të terrohen gjatë shikimit
e koka të sillet si rrotë
shikon teatrin në pasqyrë
aktorët lozin rolet e demonëve
që burojnë nga shpirtërat e vdekur
të njerëzve aktual...
perëndia do t’i shpërblejë
për mëkatet
në ditën e triumfit të njerëzisë
ku do të vetëtojë pa ndërprerë

gjarpërinjtë do të kthehen bythëprapë
që t’ua shohim këmbët e fshehura

BOTA ...

Nuk do ta harroj kurrë  
këngën e bilbilit
dhe magjinë e dallëndyshes
në vallzim...

Xhamin e thyer të dritares
e sodis magjishëm
me të vetmin gjakim…
Bota e shëmtuar në profil
kërkon  pasaportën time të harruar për udhëtim...

Unë mbeta  ëndërrimtar i harruar
në kozmosin tim...
U tmerrova duke i fshirë ëndrrat kaotike
dhe iluzionet e rrejshme në përfundim...

Deri në agimet e reja
mikpritje më bën
vetëm heshtja ime e vetmuar në vetmi
dhe kënga ime e pagjumësisë
që më thotë...
“më mirë vuaj në  rini
  për të jetuar pleqërisht në pleqëri
  pastaj pa u hamendur
  kërkoje  botën e shpëtuar
  në sytë e hënës plakë
  dhe në zjarrin e yjeve
  të dashuruar... “


(Vota: 37 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora