Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Trafiku i organeve, Policia e Kosovës shpall në kërkim të katërtin

| E diele, 14.06.2009, 10:26 AM |


 Policia e Kosovës tha se ata kanë vepruar në bashkëveprim duke iu ofruar shuma deri në 100 mijë euro për personat që do të shprehnin gatishmëri për të dhënë deklarata të rreme për trafikun e organeve. Serbia: Të arrestuarit s'janë spiunët tanë.

PRISHTINE- Policia e Kosovës është vënë në kërkim të një personi të kartat i cili dyshohet të jetë pjesë e atyre personave që kanë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur për të trilluar aferën për gjoja marrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i policisë së Kosovës, Arbër Beka.

Millutin Radanovic, Predrag Zhelkovic shtetas të Serbisë dhe Igor Juçinac shtetas i Kosovës, njëherit edhe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, janë tre personat e arrestuar në afërsi të Çagllavicës, nën dyshimin se kanë kryer aktivitete kriminale.

Ata akuzohen gjithashtu se kanë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur për të bërë dëshmi të rrejshme me qëllim të aferës për gjoja trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

“Personat e arrestuar dyshohen se kanë kryer aktivitete kriminale dhe atë duke përdorur të holla e të mira materiale së paku një personi, që i njëjti të deklarojë dhe të dëshmojë rrejshëm se kanë qenë viktima të transplantimit të organeve gjatë kohës së luftës në Kosovë. Që të tre të arrestuarit ( si dhe i katërti i cili gjendet në arrati dhe është në kërkim nga hetuesit policorë ) kanë vepruar në bashkëveprim duke iu ofruar shuma deri në 100 mijë euro për personat që do të shprehnin gatishmëri për të dhënë deklarata të tilla, si dhe premtime të tjera siç është: banesë, punësim, veturë etj.”, ka sqaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka.

Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar nëse personat e arrestuar kanë qenë pjesëtar të shërbimit të inteligjencës serbe.
Zëdhënësi Beka ka thënë për median kosovare se procesi hetimor do të tregojë më shumë rreth detajeve të rastit, ndërkohë që vazhdojnë operacionet për kapjen e personit të katërt - në arrati dhe të involvuarve të tjerë të mundshëm në këtë rast.  Zyrtarët serbë mohojnë faktin që dy prej tyre të jenë anëtarë të Shërbimit të Inteligjencës Serbe.
Dërgon për Zemrën Shqiptare Asllan dibrani - marrë nga Albanien Today