Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Madhëria e tij, Hopkins

| E diele, 14.06.2009, 08:36 AM |


Muzikant, piktor, aktor. Madhërisë së tij, Anthony Hopkins, ekrani i madh nuk i mjafton më: "Sepse kam një psikologji pionieri për hapësirën dhe natyrën"...

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit të bërë nga teatri historik londinez "Old Vic", Madhëria e tij, Anthony Hopkins, është aktori më i madh britanik i të gjitha kohërave, duke lënë pas edhe Laurence Olivier. Meqenëse është një prej figurave më të famshme të Hollivudit, nuk mund të gjesh një yll si ai që arrin t‘u shpëtojë paparacëve. Artisti 72-vjeçar ka lindur në Uells, në zonën industriale të Port Talbot më 1937-ën. Është biri i Richard dhe Muriel Hopkins, pronarë të një furre buke.

Zakonisht nuk i pëlqen ironia e anglezëve të vjetër, tipike e kolegëve të tij britanikë. Kur e pyesin se cili është mendimi i tij i përgjithshëm për shtresën e mesme amerikane, ai përgjigjet: "Nuk kam opinione. Jetoj në Amerikë dhe nuk kam asnjë opinion për gjërat që më rrethojnë". Duket se nuk ka asgjë ambicioze kundër Hannibal Lecter, psikiatrit që i dha çmimin "Oskar" si aktori më i mirë protagonist dhe e bëri që publiku i madh ta njihte edhe më mirë në filmin "Heshtja e të pafajshmëve". "Për mua nuk ishte gjë tjetër veçse një personazh i rremë në një film me të cilin u zbavita shumë duke e interpretuar", deklaron Madhëria e tij.

Ka të ngjarë që Hopkins të ketë ndjekur shembullin e Stanislavskijt. Ndoshta për këtë arsye ka nga ata që i kanë gjykuar si shumë të ftohta interpretimet e tij, por këtu Hopkins kundërshton: "Nuk është fare e vërtetë. Gjithmonë më ka pëlqyer t‘i interpretoj rolet e mia. Jam një aktor shumë profesional dhe më pëlqen zanati im, kështu që përgatitem me mjaft seriozitet për çdo film. Dita ime kalon në mënyrën më normale të mundshme. Për shembull, gjatë xhirimit të filmave ‘Red Dragon‘ dhe ‘The silence of the lambs‘, zgjohesha herët, përgatisja mëngjesin dhe haja së bashku me producentin De Laurentis, si dhe me të shoqen e më pas fillonim xhirimet deri sa vinte ora për të ngrënë drekë. Së bashku me Jodie Foster dhe Edward Norton hanim ndonjë gjë të vogël, më pas rikthehesha në sheshin e xhirimeve. Kështu, dalëngadalë e mbyllja ditën time të punës".

Hopkins është një njeri normal. I pëlqen të lexojë, të shëtisë, të pikturojë, të luajë në piano. Hobet e tij janë pianoja dhe piktura. Në lidhje me personalitetin e tij muzikor, Hopkins thotë: "Nuk jam një pianist koncertesh dhe nuk kam një begraund akademik për sa u përket studimeve të kompozicionit. Por, pikërisht mungesa e një formimi profesional e ka favorizuar krijimtarinë time të lirë". Hopkins ka qenë dy herë autor i dy kolonave zanore për kinemanë. Ndërsa në lidhje me pikturën, në fillim të muajit gusht do të inaugurojë një ekspozitë të titulluar "Masques". "Në veprat e mia kam dashur të pasqyroj, le të themi kështu, imazhet e ëndrrave. Bota e ëndrrave më magjeps. Gjithmonë kam ëndërruar dhe tani dua t′i gjallëroj imazhet e mbetura në kujtesën time. Më pëlqen të shoh peizazhet e shumta të mbushura me ngjyra. Jam përpjekur shpesh t′i shpreh kujtimet e mia të fëmijërisë, por vetëm përmes pikturës kam arritur të pasqyroj atë që kam në mendje".

Filmi i tij i fundit si regjisor është "Slipstream". "Është një film shumë biografik nga ana intelektuale, një dorëshkrim mbi natyrën e realitetit dhe iluzionit të jetës. Jam i magjepsur prej kohës dhe precizonit të ngjarjeve në vazhdim. Sa më shumë plakem aq më shumë e kujtoj të ardhmen time". Në film ndërthuret ëndrra me realitetin, intriga nuk ekziston, historia duket njësoj sikur e tregon në fazën e montazhit. Cilët janë regjisorët e mëdhenj që ju kanë frymëzuar dhe kanë ndikuar në stilin tuaj? "Nuk e di nëse kam pasur ose jo ndonjë ndikim. Por disa kritikë, spektatorë të përgatitur, kanë cituar filmin ‘Marienbad‘ me regji të Alain Resnais dhe ‘Mullholland Drive‘ i David Lynch".

Fillimisht ishte teatri ai që i dha nismë jetës artistike. Kur ishte i ri nuk fliste shumë dhe rrinte i mbyllur në vetvete. Gjatë viteve të shkollës Tony nuk shkëlqeu. Në moshën 17-vjeçare iu bashkua një grupi aktorësh dhe pas pak kohësh zbuloi se aktrimi do të ishte fati tij. Kështu frekuentoi kurset e "Welsh College of Music and Drama" në Kardif dhe në vitin 1961 fitoi një bursë studimi në "Royal Academy of Dramatic Art" në Londër, ku u diplomua dy vite më vonë. Në vitin 1965, gjatë një audicioni, Hopkins u takua me një prej personaliteteve më të shquara angleze. "Nuk të ndodh gjithmonë të takosh Sir Laurence Olivier", kujton ai, "një model dhe një prej virtuozëve të skenës së shekullit të kaluar". Pikërisht Olivier e ftoi të bëhej pjesë e kompanisë së tij, pasi u magjeps nga interpretimi, kujtesa dhe vendosmëria e madhe e Hopkins.

Debutimi i tij kinematografik erdhi në vitin 1967 me rolin e Richardo Cour në filmin "Luani i dimrit". Suksesi i filmit ishte i jashtëzakonshëm, madje u vlerësua edhe me dy çmime "Oskar". "Të punoja përkrah dy personaliteteve të mëdha si Katherine Hepburn dhe Peter O′Toole e konsideroja veten me shumë fat. Ishte një fillim i mbarë për karrierën time të re", pohon Hopkins. Por, ndërsa në teatër karriera e tij po lulëzonte dita ditës (pavarësisht varësisë ndaj alkoolit, të cilin arriti ta linte në 1975∑ën), për shumë vite në kinema kishte role të dorës së dytë. Vetëm në vitin 1980 arriti të ishte protagonisti kryesor në filmin e regjisorit David Lynch "The Elephant Man". Që nga ai vit e në vazhdim filloi një periudhë brilante dhe që prej 1987∑ës jeta e tij filloi të ndahej mes Anglisë dhe Amerikës, në prodhime kinematografike, teatrale dhe televizive, derisa arriti majën e suksesit me rolin e Hannibal Lecter, psikiatrin vrasës në filmin "Qetësia e të pafajshëmve". Falë këtij filmi, në vitin 1992 fitoi çmimin "Oskar" si aktori më i mirë protagonist.

Ashtu si karriera, edhe jeta private është e mbushur me ulje∑ngritje. Në vitet ‘70 kaloi një periudhë të vështirë, sepse u nda nga bashkëshortja (aktorja Petronela Barker), por mbajti lidhje të ngushta me vajzën Abigail, lindur më 1968∑ën. U martua sërish në vitin 1973 me Jennifer Lyton, nga e cila u divorcua në vitin 2002. Më 1993∑shin mori titullin Sir. Në vitin 2000 mori nënshtetësinë amerikane, ekzaktësisht atë kaliforniane. Më 2003∑in u martua sërish për të tretën herë, me Stella Arroyave, një arkeologe amerikane. Por dashuria më e madhe e jetës së tij do të mbetet e ëma, Muriel, e cila e ndoqi deri në Amerikë.
G. Shqip