Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Roberto Saviano: Të shkruash për të mos u dorëzuar

| E diele, 14.06.2009, 09:31 AM |


Të shkruash për të mos u dorëzuar

Nga Roberto Saviano

Të shkruarit, gjatë këtyre viteve, më ka dhënë mundësinë të ekzistojë. E, nëse ndokush ka shpresuar se të jetuarit në një situatë shumë të vështirë do të mund të më detyronte t‘i fsheh fjalët e mia, ka gabuar. Kam shkruar në nja dhjetë shtëpi të ndryshme. Që të gjitha shumë të vogla e të errëta. Do të kisha dëshirë që ato të kishin më shumë hapësirë, të ndritshme, ama askush nuk m‘i jepte me qira. Nuk mund të dilja t‘i kërkoja dhe as të vendosja vetë ku të banoja. Nëse merrej vesh se unë qëndroja në "x" rrugë, detyrohesha menjëherë të ndërroja banesën. Këtë situatë e përjetojnë shumë të tillë, si unë, që kanë të njëjtat kushte si unë. Paraqitesh ta shikosh apartamentin, të cilin karabinierët e kanë zgjedhur me mund, por i zoti i shtëpisë të njeh e i jep të njëjtin avaz: "Ju çmoj shumë, doktor, ama edhe kështu kam goxha probleme. E kuptoni, njerëzit këtu kanë frikë". Megjithatë, bashkë me këtë frikë, mbulojë e pistë për të mos mbajtur anë - anën time - ka pasur edhe veprime të shumë prej atyre që nuk i njihja, të cilët më kanë ofruar një strehë, një dhomë, miqësi e ngrohtësi. Edhe pse shpesh nuk kam mundur t‘i pranoj propozimet e tyre, gjithsesi kam shkruar në ato vende mikpritëse dhe plot me dashuri.

Shumë nga faqet e rilidhura në këtë libër nuk i kam shkruar në ndonjë shtëpi, por në dhomë hoteli. Të errëta, pa dritare që do të mund t‘i hapja, pa ajër. Jashtë bile më ka bërë vaki të mos shihja gjë tjetër pos atyre dhomave dhe profilit të qytetit pas xhamave të errët të një makine të blinduar. Nuk mund të më linin të dal jashtë e shpesh as të më linin në të njëjtin hotel më shumë se një natë. Sa më shumë që kriminaliteti dhe mafia duken larg, aq më shumë të trajtojnë si diçka që do të mund t‘ju eksplodonte para syve. Me dorëza që ti nuk e di nëse janë dorëza ceremonie apo arteficiesh. E ti nuk e kupton në je më tepër një paketë dhurate apo një pako-bombë. Edhe më shpesh kam shkruar në kazermë. Në barkun pothuaj bosh e të palëvizshëm të një balene të madhe të moçme të bërë për operim. Ndërsa jashtë e nuhat lëvizjen, ka diell, është tashmë verë. E di se po të mund të dilje, për dy minuta do të kaloje para shtëpisë tënde të vjetër, e para ku të thanë: "Më në fund po ia mbath!", e pas pesë minutash të tjera do të mbërrije në det. Ama nuk mund ta bësh. Mirëpo, mund të shkruash. Duhet e dëshiron të vazhdosh. Cinizmi që i veçon shumë nga specialistët lë të ndërshihet përherë një lloj mosbesimi ndaj tërë asaj që nuk ka një qëllim të caktuar. Apo shkëputjen e atij që dëshiron të shkruajë një libër të mirë, t‘i lëmojë fjalët derisa ta arrijë një stil të bukur dhe të njohshëm. Kjo qenka ajo që duhet të bëjë një shkrimtar? Kjo qenka letërsia? Atëherë, sa më përket mua, do të parapëlqeja të mos shkruaj fare.

Nevoja për të shkatërruar tërë atë që mund të jetë dëshirë dhe voli: ky është cinizmi. Është armatura e të dëshpëruarve që s‘e dinë se janë të tillë. Që shohin gjithçka si një manovër dhelparake për t‘u pasuruar, pretekstin për të ndryshuar si një dëlirësi prej çirakësh shtriganë dhe të shkruarit që mëton të arrijë te të shumtit si një formë marke agjentësh tregtarë. Asgjë s‘mund t‘iu hiqet këtyre zotërinjve mosbesues, që bartin në fytyrë atë zgërdhimjen e përhershme të atyre që e dinë që gjithçka do të përfundojë keq, ngase s‘kanë më asgjë për të cilën do t‘ia vlente barra qiranë të luftohet. Ama në privilegjin e jetëve të tyre të zhgënjyera e të mbrojtura, s‘kanë ide se çka përnjëmend do të thotë të shkruash. Të shkruarit është e kundërta e tërë asaj. Është t‘ia dalësh mbanë ta regjistrosh një fjalë në botë, t‘ia kalosh dikujt si një biletë me një informacion klandestin, një nga ato që duhet ta lexosh, ta mësosh përmendësh pastaj ta shkatërrosh: ta bësh fishekë, duke e përzier me pështymën tënde, duke e bërë të tretet në stomakun tënd. Të shkruash është të rezistosh. Ngjarja ime e këtyre viteve më ka mundësuar të takoj shumë persona që s‘do të mund t‘i harroj kurrë. Më ka dhënë mundësinë të takohem me Enzo Biagi, të kuptoj se ky njeri i moshuar ende kishte aq shumë dëshirë të kuptonte botën. Pastaj Miriam Makeba-n, të madhen "Mama Afrika", zërin që i këndonte lirisë së një kontinenti, ndërsa ka vdekur në Castel Volturno, pas një koncerti për t‘i rikujtuar gjashtë vëllezërit e vrarë nga Camorra dhe për ta shprehur afërsinë e saj me mua që kurrë s‘më kishte takuar kurrë, shënjestër e një armiku emrin e të cilit ajo as që e dinte.

Në stadiumin e Barcelonës isha i mbrojtur nga Mossos-et, trupat speciale të policisë që donin të më dërgonin ta shikoj lojën i rrethuar nga një kub xhami antiprojektil dhe që pastaj, të mallëngjyer, më kanë kursyer nga ai lloj i ri i burgut grotesk. Aty e kam takuar Lionel Mesin, sulmuesin argjentinas të Barçës, që ka arritur ta rishënojë, identik, golin më të bukur se ai i Maradonës. Fytyrë fëmije që nuk thotë asgjë për vuajtjet që ka pësuar, kurat e dhimbshme që i kanë mundësuar të rritet dhe të bëhet lojtari më i madh i ditëve tona. Megjithatë, nganjëherë kthehem të shikoj pas. Atëherë e di se kujt nuk i drejtohet ky libër. Nuk u drejtohet të gjithë atyre me të cilët jam rritur, që janë kënaqur të pluskojnë, të zvarriten e të rrojnë nga dita në ditë. Nuk është për të nënshtruarit... Unë nuk shkruaj duke dërguar letra drejt një të kaluare që nuk mund as nuk dua ta arrij më. Ngase po qe se shikoj pas, e di se rrezikoj të përfundoj si gruaja e Lot-it, e shndërruar në një statujë kripe derisa shikonte shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorrës. Këtë e bën dhimbja kur s‘ka nga të derdhet: të nguros... Ky libër i drejtohet atij që ka bërë të mundshme që Gomorra të bëhet një tekst i rrezikshëm për disa pushtete që kanë nevojë për heshtje dhe hije. Atij që i ka asimiluar fjalët e tij, atij që është gjendur në sheshe për t‘i lexuar faqet e atij romani, duke dëshmuar se ndodhia ime dhe fjalët e mia ishin bërë të të gjithëve. Pa ta s‘do t‘ia kisha dalë mbanë të vazhdoj të ekzistoj duke menduar në një të ardhme. Duke e ditur se jeta ime e blinduar ishte sidoqoftë një jetë. Pa lexuesit e mi nuk do t‘i kisha pasur kurrë faqet e para të gazetave, telekamerat në lajmet e mbrëmjes. Ua kam borxh atyre nëse e kam kuptuar rëndësinë e ballafaqimit me median. Kur mbara nuk gjendet boshllëku, tema e fiksioneve që s‘bëjnë tjetër pos që trullosin dhe ngushëllojnë, por gjendet volia dhe dëshira e të shumtëve për të ditur dhe për të ndryshuar, pse atëherë nuk mund të përdoren të gjitha mjetet e mundshme të komunikimit për t‘i bashkuar forcat? Pse të ketë aq shumë frikë dhe dyshim? Frikë.

Në të gjitha intervistat, në të gjitha vendet ku libri im është botuar, më pyesin gjithmonë a kam frikë mos më vrasin. "Jo" përgjigjem menjëherë dhe ndalem me aq. Mandej më rastis të mendoj se sa nga ata s‘do të më besojnë. Ama, kështu është. Ngase më e keqja e frikave të mia, ajo që më dërrmon pandërprerë, është t‘ia dalin të më njollosin, ta shkatërrojnë besueshmërinë time, ta përbaltin atë për të cilën jam munduar dhe kam paguar. Ia kanë bërë secilit që ka treguar dhe denoncuar. Është një frazë e Truman Capote, e vërtetë dhe e tmerrshme: "Derdhen më shumë lot për lutje të plotësuara sesa për ato të papranuara". Nëse kam pasur një ëndërr, ajo ëndërr ka qenë ajo që të tregoj se fjala letrare ende mund të ketë fuqi ta ndryshojë realitetin. "Lutja" ime, falë lexuesve të mi, është plotësuar, po edhe jam bërë tjetër nga ai që kisha imagjinuar. E këtë ka qenë e vështirë ta pranoj, derisa e kam kuptuar se askush s‘e zgjedh fatin e vet. Porse, mund ta zgjedhë përherë mënyrën se si të qëndrojë brenda. E për aq sa të mundem, dua ta provoj ta bëj punën time në mënyrën më të mirë, pa kamatë dhe thjeshtëzime, ngase kjo është ajo që ndiej se ua kam borxh atyre që më kanë mbështetur. Titulli i këtij libri mëton të rikujtojë se nga njëra anë ekzistojnë liria dhe bukuria, të nevojshme për atë që shkruan dhe për atë që jeton; nga ana tjetër ekziston negacioni i tyre: ferri që duket se mbizotëron vazhdimisht. Albert Kamysë i përket një frazë e vockël në dukje e papeshë. Ndërsa për mua ka shumë peshë, ngase ma kujton atë që Xhovani Falkone thoshte në lidhje me mafien dhe të qenit e saj një fenomen njerëzor dhe si të gjitha fenomenet njerëzore i delimituar nga një zanafillë dhe nga një fund. Ja ajo që shkruan Kamy: "Ferri e ka vetëm një kohë, jeta një ditë rifillon". Kjo është ajo që besoj, shpresoj, dua dhe dëshiroj edhe unë.