Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dashuritë e doktor Rosit

| E diele, 14.06.2009, 08:39 AM |


Mbreti i MotoGp, Valentino Rosi, rrëfen pasionet për femrat dhe shumë sekrete mbi jetën personale. "ëndrra ime"? Aktorja Megan Fox

Valentino ecën në bokse duke parë plot adhurim "format" e motorit të tij "Yamaha Mission One". "Është e mrekullueshme. Në fillim nuk ishte kështu. Tani ka harmoni. Një motor është thuajse si një vepër arti. Njëlloj si femrat. E kupton menjëherë kur ka diçka më shumë që të lë pa mend". Me këto fjalë nis të flasë Valentino Rosi, mbreti i padiskutueshëm i MotoGp me tetë tituj botërorë mbi supe. Kampioni nga Tavullia duket se ka lindur mbi motor. Ishte vetëm dy vjeç kur i ati e kishte pyetur se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej dhe ai me pafajësinë e një fëmije i ishte përgjigjur: "pilot". Pikërisht babai i mësoi "abc"-në e motorëve, duke e mbajtur gjithmonë pas vetes. Ishte ai që i mësoi se për të ecur më shpejt nga të tjerët në fillim duhej të mësonte të frenonte, i duhej të mësonte se fuqinë dhe dëshirën për të fituar mbi motor nuk ta jep benzina, por ajo çfarë ke në zemër. E kështu dalëngadalë Vale do të bëhej "mbreti i të çmendurve", që do të ecte pa frikë me treqind në orë dhe do të linte pas të gjithë ata që do të donin ta frenonin. Jashtë pistës, në jetën e përditshme, Valentino është gjumash i madh. Ndoshta gjumi i shërben për t‘u çliruar nga i gjithë tensioni para një gare, ndërsa kur është zgjuar i pëlqen të shëtisë me "Porsche" së bashku me miqtë e tij. Nuk ka asnjë asistente apo sekretare. I pëlqen të hajë vonë, të shijojë peshkun e zgarës, apo makaronat me salcë. Asnjë cigare apo gllënjkë alkooli. Nuk i intereson shumë të bëjë shopping, apo të shohë televizor, mjaftojnë xhinset dhe bluzat e thjeshta. I pëlqen deti, të bëjë palestër, të bëjë joga, pastaj të flejë dhe të presë ditën e re. Por, sigurisht, ato që i pëlqejnë më shumë janë vajzat e bukura, mes të cilave Megan Fox, që duket se ia ka hequr mendjen djaloshit 30-vjeçar.

Po flisnim për dashurinë, pasionin, apo ndonjë gjë tjetër?

Për atë proces kur të shpërthen diçka brenda vetes. Jam 30 vjeç, ndoshta kam filluar të kuptoj diçka më shumë për seksin tjetër. Por vetëm diçka, le të jemi të qartë.

Rosi është si një yll roku, gjithmonë në turne?

Edhe mua ndonjëherë më ecën mirë, ndonjëherë jo, tamam si yjet e rokut.

Ju ka ndodhur ndonjëherë t‘i kërkoni ndonjë vajze diçka të tipit: qëndro me mua, sepse unë jam kampioni Vale Rosi, apo thjesht unë jam Vale...

Jo asnjëherë.

Hera e parë?

Brno 1996.

Po nuk po flisnim për garat?

E vërtetë, por e lidh me një garë, sepse brenda pak ditëve kam bërë dashuri për herë të parë, fitova pole-positionin e parë dhe mora fitoren e parë. Ishte fundjava e përkryer.

Po ajo kush ishte?

Një mikja ime. Ishim në të njëjtën moshë dhe kështu, si të gjitha bashkëmoshataret e saja, ajo ishte më e zgjuar se unë.

Ju ndodh të bëni seks para një gare?

Le të themi që edhe ka ndodhur.

Ke takuar ndonjë femër që ta ka ndryshuar ndopak mënyrën e të menduarit?

Ka persona që të ndihmojnë të rriten. Por, nëse do të thosha se një grua më ka ndryshuar krejtësisht jetën do të gënjeja.

Ka bërë ndonjëherë figurë të keqe kampioni më i shpejtë në botë?

Ndonjëherë, por zakonisht përpiqem t‘i bëj gjërat mirë. Jam i zoti.

Valentino Rosi e mban veten për bukurosh, seks simbol, apo një tip të thjeshtë?

Tip të thjeshtë.

Muzikën dhe seksin, si i kombinon bashkë?

Më pëlqen të bëj dashuri nën tingujt e muzikës. Më shijon të dëgjoj Vasko Rosin, apo këngën e Xhovanotit "Mi fido di te".

Eh, një këngë shumë e bukur...

Në fakt jam pak i ndjeshëm, edhe pse eci me 300 kilometra në orë.

Është xheloz Valentino?

Jo, përgjithësisht jo.

Ka filluar mamaja jote të thotë fjali të tipit: Po kur do ta gjesh një vajzë të mirë për vete?

Fatmirësisht Stefania nuk më ka bërë kurrë biseda të tilla.

Ke menduar ndonjëherë për familjen në të ardhmen?

Mendime të tipit: unë që shtyj karrocën dhe bëj shëtitje përgjatë bregdetit? Edhe më ndodh. Shumë rrallë, por ndodh.

Atëherë?

Një ditë do të ndodhë edhe kjo. Por, të them të drejtën nuk është se më pëlqen shumë ajo lloj situate. Në fakt nuk arrij ta imagjinoj veten në pozicionin e atij që duhet të përballet me dikë që mund t‘i tregojë se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë jo. Jam mësuar keq, e pranoj.

Rosi, si funksionon vërtet jeta sociale e një njeriu si ju?

Mund të them se ekzistojnë tre Valentino Rosi: i pari është ai që mund të jetë vërtet vetvetja; kjo ndodh vetëm mes miqve të vërtetë dhe familjarëve maksimumi në një rreth prej jo më shumë se 15 vetash.

Pastaj?

Pastaj është Valentino zyrtar: ai që flet, njeh, tregon, firmos autografe. Pra personazhi publik.

Në fund?

Motoçiklisti. Të gjitha të tjerat s‘kanë rëndësi, përveç atyre që punojnë në bokse.

Sa do të zgjasë Valentino numër tre?

Kam një tjetër vit kontratë me "Yamaha"-n, por kam dëshirë ta rinovoj. Ndoshta deri më 2012-ën. Se di, të shoh...

Po filmi i preferuar?

Më pëlqen "Gladiatori". Në fund kam qarë si një fëmijë. Ishte vërtet i mrekullueshëm, një prodhim i arrirë kinematografik, që nuk do më hiqet kurrë nga mendja.

Cila është gruaja e ëndrrave tuaja?

Megan Fox.

Një aktore amerikane, brune, e re dhe bukuroshe...

Vërtet, nuk po tallem. Shkoni në "Google" për të parë fotot e saja. Është e mrekullueshme. Do të bëja gjithçka që ta njihja.

Gjithçka? Mos më thuaj që pastaj do të martoheni?

Të njihemi njëherë, pastaj të shohim.
G. Shqip