E merkure, 02.12.2020, 10:13 AM (GMT)

Komente

Kostaq Duka: Vlera sociale ''arkaike'' apo vlera e qënësishme?

E shtune, 13.06.2009, 05:55 PM


VLERA SOCIALE “ARKAIKE” APO VLERA TË QËNËSISHME?

Nga Kostaq Duka 

Lexoja para disa kohësh një shkrim, në gazeta “Chicago Tribune” që reflektonte disa dukuri sociale që janë shfaqur në jetën e sotme të shoqërisë amerikane, kur kriza ekonomike sa vjen e po thellohet më shumë. Autori i shkrimit në një artikull të gjatë, shoqëruar me fotografi të shumta tregonte se si në kërkim të rrugëve për të shpenzuar sa më pak, për qiranë e shtëpive, ngrënien, udhëtimin,  kalimin e kohës së lirë, edukimin dhe argëtimin e fëmijve, edhe pse larguar me vite nga shtëpia e prindërve, djemtë e martuar, me femijë nëpër shkolla e me më të vegjël u ribashkuan tek shtëpia e vjetër e prindërve të tyre . Për shumë vite në shtëpinë e madhe me disa dhoma gjumi, siç ndodh rëndom, jetonin vetëm dy prindërit. Ata ishin pensionistë, të shëndetshëm dhe me një gjëndje relativisht të kënaqëshme financiare, krahasuar me shpenzimet modeste të tyre. Ç’u mungonte atyre?! Vetëm pak “zhurmë” jete që vjen nga prania e fëmijve, djemve e vajzave, nuseve dhe dhëndurëve e mbi të gjitha nga lëvizjet gazplotë të nipërve dhe mbesave. Por, motivi ribashkues nuk pati për shtysë kryesore dhe aq këto ndjenja shpirtërore që kurrsesi s’duhen shpërfillur. Jo, siç shpjegonte me detaje gazetari, të dy prindërit e mirë dhe të edukuar, të aftë në kalkulime financiare mbështetën ftesën pikërisht mbi motivin e përballimit të pasojave që po le kriza ekonomike në jetesën e përditëshme, jo vetëm në papunësi por edhe ne koston e jetës. E pse, u thanë ata bijve dhe nuseve të tyre të paguani qira banese kur në shtëpinë tonë dhomat janë bosh, kur ka hapësira për ndenje dhe argëtim të fëmijve ? E përse të shpenzoni para të tepërta në restorante për të ngrënë dreka e darka kur vetë ju të gjithë pranoni se gjellët më të shijshme dalin nga duart e zonjës së shtëpisë? Le të llogaritim.Ç’kosto ka një gatim i përbashkët për shumë vetë në krahasim me paratë e lëna restoranteve dhe le të shohim edhe ç’vlera ushqimore dhe të shëndetëshme ka gatimi shtëpijak.
Për të gjitha këto gazetari sillte fakte mbështetura në kalkulime të sakta financiare.Kursime në qira banese, kursime në energji elektrike, në ujë, në gaz, në gatim….Por mos ndodhi “centralizimi” financiar familjar? Përqëndrimi i gjithë burimeve në dorë të nikoqirit apo nikoqires së shtëpisë? A ishte ky një kthim prapa në rregullat e rrepta të familjes tradicionale, të tipit të fermerëvë të dikurshëm? Jo. Edhe pse pronarë legjitimë ishin të dy prindërit, bujtësit,fëmijë të tyre kishin  detyrime të llogaritura proporcionalisht jo për shtëpinë por për shpenzimet e përditëshme energji, ujë, gatim etj….Tonet e te shkruarit të gazetarit të “Chicago Tribune” ishin entuziaste dhe të dukej se ai vetkënaqej që kish zbuluar diçka tepër, tepër të veçantë kur dihet që të drejtën për të jetuar të pavarur fëmijët amerikanë e gëzojnë që 18-vjeç, kur dihet gjithashtu që në masën dërmuese pleqtë janë të vetmuar në përpjekje të jashtëzakonshme për të përballuar jetesën, jo aq për shkaqe financiare se sa për shkak të moshës së rënduar. Më fatlumët, dhe kjo është kategoria e të moshuarve më në gjëndje  konomike shkojnë në komunitete te pleqve, qendra të të jetuarit në asistencë të shërbimeve mjekesore, shlodhëse, argetuese . Sa përqind? Rreth dy përqind.
Shpjegimi për këtë vetmi pleqsh, të më falni nuk më vjen mirë ta quaj braktisje, gjen justifikimin tek ,liria e individit, natyra e marredhenieve ekonomike, sociale, modernizimi i jetës. Ja disa te dhena . Pyetja që i’u drejtua 1002 te rriturve nga mosha 18 vjeç e lart ishte kjo: Me kë jetoni? Doli që nga mosha 18-49 vjeç me prinderit jetonin vetem 26 per qind ndersa nga mosha 50 e lart vetem 7 perqind. Gazetari gjuajti faktin e ri në dukje kthim prapa dhe u entuziazmua…..

Le te shohim tani dukuritë sociale, mes familjeve tona shqiptare këtu në Amerikë. A nuk e shohim këtë shëmbull si dukuri të ripërsëritur në dhjetra e dhjetra raste për të mos thënë se vazhdon të jete dukuri sociale e qëndrueshme? Mos tregon kjo mos civilizim, mos përshtatje në jetën moderne amerikane? Do të thosha jo. Kjo është një vlerë sociale e cila sigurisht ka trajta të reja, ajo më tepër se nevojë ekonomike, për mbijetesë, shpjegim për “qëndrueshmërinë” e hekurt të familjeve të mëdha në monizëm, këtu ka një motiv të qënësishëm, afërsitë shpirtërore respektin për prindërit, për të moshuarit.

Me tregonte një mik para ca kohe. Që kur ishim të vegjël, pas kursimesh të mëdha, babai dhe nëna vendosën të shesin shtëpinë e vjetër me pak dhoma e të ndërtojnë një të re me perspektivë që të rinin në të tre kurora, nën një çati. Unë do ta ndërtoj, si e kam dëshirën. Ju pastaj bëni si të doni- i’u tha babai. Dhe ja u martua fillimisht miku im e u vendos në një nga mjediset e shtëpisë. Së bashku me të në shtëpi ishin prindërit dhe vëllai më i ri. Edhe pse ai u bë me fëmijë kjo nuk i prishi raportet e ngrohta familjare. Më vonë u martua dhe vëllai më i vogël. Secili prej nesh më shpjegon miku im, i cili vetë është lindur në Amerikë, por falë kujdesit të prindërve trashëgon jo vetëm gjuhën por edhe traditat e mira familjare, ka punë të mirë, e sigurisht mund të jetojë edhe larg prindërve, por kemi dëshirë të bashkohemi bashkë në dreka e darka, në gëzime e hidhërime e ta pijmë një gotë raki e një kafe aty në oborrin e përbashkët….

Lexuesi të më falë se nuk po i them ndonjë gjë të çuditëshme, përsa kohë kjo përsëritet dhe në dhjetra e dhjetra shembuj. Por pikërisht këtij fakti dua ti mëshoj, një gjë e mirë që s’ka pse të mos ruhet…E megjithatë, dikush do të më kthehet…Akoma ne shqiptarët do ecim me mendësi të vjetra, akoma prindërit do t’u bëhen ferrë fëmijve duke i’ua ndrydhur niciativën, privacinë?! Këtë reagim do ta quaja pak të nxituar. Pse? Sepse duke pohuar nje dukuri pozitive të jetesës së traditës shqiptare e përshtatur për bukuri me jetesën e këtushme, me kushtet ekonomike dhe sociale, duke mos e quajtur atë si mbeturinë arkaike por vlerë të vërtetë, nuk bashkohem i me atë kategori njerëzish që shikon vëngër a me keqardhje të sipërfaqëshme ato çifte prindërish që “ s’kanë ditur të edukojnë fëmijët” që duke u lënë liri veprimi pa kufi, tani janë “braktisur prej tyre” jetojnë vetëm etj, etj. Pse? Sepse dinamika e jetës në botën perëndimore ofron dukuri të larmishme sociale, larg uniformitetit. E kam akoma të freskët përgjigjen që më dha një prind kur i thashë: “Ti ke një djalë të vetëm. Edhe shtëpinë e ke të madhe, me dy kate e katër dhoma gjumi. Pse u pajtove me djalin që pas martese të jetojë më vete me nusen , të ndarë prej jush »?
-Në ç’kuptim të ndarë?- më tha. Ata na duan e respektojnë. Por…gëzohem për një gjë më të madhe. Kanë vullnet e dëshirë barrën e jetës ta përballojnë me supet e tyrë. Le ta provojnë. Nuk ka gjë më të mirë që tek te rinjtë tanë të nxitim niciativën, të kuptojnë vlerën e pavarësisë ekonomike por..le të
gëzojnë edhe jetën si çifte të reja. Mos ishte kjo një përgjigje nga “halli” nga fakti i pakthyeshëm që shumë kush e quan braktisje prindërish.? Cili nga miqtë e mij ka më shumë të drejtë? Këtë do të doja ta lija si një çështje të hapur për diskutim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora