Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Mahmuti: Maqedonia e “Sëmura e re e Ballkanit“

| E shtune, 13.06.2009, 02:14 PM |


Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës nga thundra e totalitarizmit Millosheviqian

Në vend të telegramit

Maqedonia e “Sëmura e re e Ballkanit“

Nga Bardhyl Mahmuti

Dekada e fundit e shekullit të XX u karakterizua me një luftë të pakompromis në mes dy sistemeve politike dominante në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas pesë dekadave të “Luftës së Ftohtë”, që karakterizoi politikën ndërkombëtare, filloi “Lufta e Nxehtë”. Jugosllavia do të jetë njëra nga arenat më të përgjakshme të kësaj lufte.

Totalitarizmi, dhuna dhe diskriminimi i vazhdueshëm i popujve bënë që ky shtet të merr epitetin e  të “Sëmurit të Ballkanit “, epitet që kishte pasur Perandoria Otomane para shpartallimit të saj.

Jugosllavia, si e “Sëmura e Ballkanit”, përjetoi fatin e Perandorisë Otomane: shpartallim me pasoja tragjike në njerëz dhe me krijimin e shteteve të lira dhe të pavarura.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe orientimi demokratik dhe properëndimor i Drejtorisë së saj Politike krijuan kontekstin e ri historik për popullin shqiptar në veçanti dhe për gjithë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Në këtë kontekst të ri historik lufta në mes demokracisë dhe totalitarizmit mori përmasa ndërkombëtare. Intervenimi i demokracive perëndimore përmes Aleancës Veriatlantike për të gjunjëzuar njërin nga bastionet e totalitarizmit në Ballkan krijoi besimin e patundur se lufta për liri dhe demokraci do të ngadhënjejë në përmasa globale.

Shpartallimi i regjimit Millosheviqian në Beograd dhe ngadhënjimi i aspiratave liridashëse në Kosovë është njëra nga të arriturat më të mëdha që historinë e shekullit të ri e shënon me një frymë të re.

Por, fryma e re që u shfaq në Ballkanin perëndimor nuk do të thotë përfundim definitiv i logjikës së vjetër. Fatkeqësisht, mbeturinat e logjikës totalitare në këtë pjesë të Ballkanit janë ende të fuqishme dhe tepër prezente, sidomos në Beograd dhe Shkup.

Beogradi është duke bërë përpëlitjet e fundit për të ndalur rrjedhën e historisë ndërsa Maqedonia, në vend që të nxjerrë konkluzione nga pasojat e të tjerëve që aplikuan diskriminim ndaj popujve, e ka shndërruar diskriminimin racial kundër shqiptarëve në formë dominante të funksionimit të institucioneve shtetërore. Me dhunën sistematike të të gjitha formave, me aplikimin e të gjitha formave të diskriminimit racial kundër shqiptarëve, Maqedonia me plotë të drejtë duhet të merr epitetin  e “Sëmura e re e Ballkanit”

Një sintezë të shkaqeve të shpërbërjes me pasoja tragjike të Jugosllavisë, si e “Sëmura e Ballkanit”, ngërthehet në konkluzionin e autorit J-Ph. Mélchior. Ai, në analizën e titulluar „Réflexions sur la crise yougoslave“ (Les Temps Modernes, Nr.545-546), konkludon se “Sikur autoritetet jugosllave të kishin dëgjuar me kujdes kërkesat e shqiptarëve për të fituar statusin e republikës dhe sikur të kishin kundërshtuar që në fillim cungimin e të drejtave të kombit shqiptar, Jugosllavia ndoshta do ta kishte evituar shpartallimin”.

Nëse nuk ndryshohet logjika që dominon në Maqedoni dhe nëse nuk i jepet fund diskriminimit të shqiptarëve, konkluzioni i J.-Ph. Mélchior në të ardhmen me plotë të drejtë mund të vlejë edhe për të “Sëmurën e re të Ballkanit - Maqedoninë”

 

Bardhyl Mahmuti

Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar

12 Qershor 2009

Tetovë

Për ZSH: Baki Ymeri