E enjte, 25.04.2024, 01:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristianët e Kosovës

E shtune, 13.06.2009, 02:34 PM


Nga Suela Furriku

“Mbretëria Dardane” – historia e shkurtër e shtetit 2400-vjeçar vjen në një botim studimor, përgatitur nga prof. as. dr. Luan Përzhita. Pas hartës arkeologjike, që cilësohet si një lloj identiteti për Kosovën, libri “Mbretëria Dardane” është i dyti që hyn në bibliotekën arkeologjike të shtetit më të ri. Kur deri më tani historiografia jugosllave nuk ka lejuar që të njihet e vërteta mbi këtë vend, lashtësinë e tij tani specialistë të Kosovës, por të shumtë dhe shqiptarë në këtë bashkëpunim kanë nisur punën intensive për të zbuluar të dhëna shkencore për Kosovën 2400-vjeçare

Dardanët shndërrohen në arbër që në shekullin IV, pasi ndjekin hap pas hapi rrugën e ilirëve të bregdetit. Ashtu si një prej fiseve të shumta ilire të asaj kohe, ata kanë lënë shumë gjurmë, si evidencë e ekzistencës dhe historisë së tyre 2400-vjeçare. Bashkë me shumë të dhëna të tjera, edhe të panjohura, vijnë më në detaje në librin “Mbretëria Dardane”, me autor prof. Luan Përzhita. Ky libër, i cili mbështetet në burime historike, arkeologjike të kohëve të fundit u promovua në panairin e Prishtinës javës që kaloi.

Në të paraqitet historia e lashtë e shtetit më të ri në Evropë, e Kosovës, si dhe pasqyrimi i të dhënave të grumbulluara prej hulumtimeve dhe kërkimeve në këtë territor që prej vitit 2000. Përzhita na thotë se libri është përpjekja e parë që bëhet në këtë fushë me qëllim njohjen sa më të plotë të historisë mijëravjeçare të Kosovës së sotme, e cila në antikitet njihej nga emri i fisit ilir, Dardan. Pas hartës arkeologjike, që cilësohet si një lloj identiteti për Kosovën, libri “Mbretëria Dardane” është i dyti që hyn në bibliotekën arkeologjike të shtetit më të ri. Kur deri më tani historiografia jugosllave nuk ka lejuar që të njihet e vërteta mbi këtë vend, lashtësinë e tij tani specialistë të Kosovës, por të shumtë dhe shqiptarë në këtë bashkëpunim kanë nisur punën intensive për të zbuluar të dhëna shkencore Kosovën 2400-vjeçare.

Kultura materiale e përftuar nga gërmimet arkeologjike ka treguar se banorët dardanë kishin krijuar tashmë një njësi etnografike dhe kulturore, e cila ishte e njëjtë me atë ilire në përgjithësi.

Mohimi i origjinës nga ana e studiuesve jugosllavë dhe mungesa e studimeve nga studiues shqiptarë e kanë nxitur Përzhitën të finalizojë këtë botim. “Është një përpjekje për të cilën nuk e di sa kemi pasqyruar në mënyrë sintetike evoluimin e historisë së lashtë të Kosovës, duke filluar që nga lindja e shoqërisë njerëzore, 6 mijë vjet para Krishtit, duke e sjellë deri në prag të pushtimit osman, në shekullin e 14-të. Është përpjekja e parë pasi deri më tani kemi pasur studime që janë bërë nga studiues të huaj, kryesisht nga ata jugosllavë. Madje, brenda këtij blloku të madh që ata kishin krijuar në historiografinë e fushës albanologjike me teori të ndryshme devijonin herë pas here, shpesh edhe origjinën e vetë popullatës shqiptare të Kosovës”. Veç kësaj ai shton edhe faktin që tashmë kemi të bëjmë me shtetin më të ri të Evropës, i cili për nga lashtësia ka rrënjët më të thella në krahasim me kombe të tjera, të cilat aktualisht mund të jenë edhe pjesë e organizatave të mëdha ndërkombëtare. “Tashmë është kurorëzuar shteti më i ri në botë, Kosova. Është një shtet që ka një histori 2400-vjeçare, në kohën kur shumë kombe që sot janë pjesë e Bashkimit Evropian nuk ekzistonin. Në atë kohë ilirët kishin krijuar shtetin e tyre. Kështu që shteti më i ri i Evropës mund të ketë rrënjët më të thella të po këtij kontinenti”, - thotë ai. Në përgatitje të këtij libri, Luan Përzhita thotë se është mbështetur në shumë burime historike që vijnë nga autorë që kanë shkruar për historinë e asaj kohe, që sipas tij, janë mjaft të rëndësishme. Në një prej kapitujve, është trajtuar provinca e re e Dardanisë, por e parë në këndvështrim tjetër në krahasim me atë që njihej. “Në këtë provincë gjithçka infiltrohet herë pas here përveç burimeve historike, e për këtë e kam parë në një tjetër prizëm. Aty gjenden kërkimet arkeologjike, hulumtimet e fundit që bëhen në shumë kështjella, qytete, të provincave dardane, në kishat paleokristiane që është një burim mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e qytetërimit të Dardanisë”, - thotë Përzhita, duke treguar se mes tyre trajtohen edhe marrëdhëniet midis të ardhurve dhe vendasve dardanë, të krishterë. “Natyrisht, ky ishte një konflikt i nivelit të zhvillimit të qytetërimit të tyre, me mjaft diferenca të mëdha. Ky është një zbulim që ka ardhur si pasojë e një sërë kërkimesh arkeologjike”, - vijon ai. Autori veçon në këtë rast tri prej zonave ku janë kryer ndërhyrjet arkeologjike, si në Banjë të Malishevës, në Graboc të Fushë-Kosovës si dhe në varrezat antike, pra tumave.

Si pjesë e procesit të kësaj pune është edhe krahasimi i gjetjeve të ndryshme me të dhënat aktuale. “Në këtë rast bëhet një krahasim me kulturën e Komanit në Shqipëri të datuar në shek 6, 7, 8 deri në shek e 11-të. Midis tyre do të përmendim disa unaza, të cilat kanë mbishkrime në gjuhën latine që përkthehen me frazën “Ruajna Zot Anën”, që është fjala për Ana Marian e Jezu Krishtit. Natyrisht kjo vërteton se popullata ishte krejtësisht e krishterë, ndërsa në periudhën që ne po flasim, sllavët ishin paganë, pasi ata u kthyen në kristianë në shek. e 9-të”, - thotë Përzhita, duke na vërtetuar se popullsia jetonte në trojet e veta. Në botimin “Mbretëria Dardane” ka edhe disa të dhëna të tjera gjuhësore, trashëgimia e saj, të cilat janë gjetur në mbishkrime të ndryshme. Ndër zbulimet më interesante lidhur me këtë botim, autori veçon fortifikimet e arkitekturave në Dardani, që sipas tij, janë shumë interesante si dhe kulturën arbërore të periudhës së shekujve 6, 8 9 dhe 11, ku shqiptarët e hershëm të Kosovës kanë ndjekur rrugën e Ilirëve të bregdetit për t’u transformuar më pas në shekujt e mesjetës në popullsinë arbërore e më pas në shqiptarët e sotshëm. Për të sjellë këtë libër sa më të kuptueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve, specialisti i arkeologjisë, Përzhita, ka përdorur një stil divulgativ, që do të thotë një stil midis popullores dhe shkencores, pa dashur të ulë vlerat e kësaj të fundit. Ai e shikon këtë botim si një detyrim moral, atribut i një pune kërkimore prej shumë vitesh në Kosovë dhe zona të tjera rreth saj.

Shteti dardan shfaqet në historinë e lashtë në shekullin IV para Krishtit, i cili së bashku me mbretërinë ilire të Agronit pësoi një rritje, gjë e cila shprehet në rolin specifik që kjo mbretëri filloi në luajë në ngjarjet ndërkombëtare të asaj kohe. Mbretëria Dardane arrinte në veri deri tek lumenjtë Vardar dhe Ibër me qytetin Nais (Nishin e sotëm), në jug kufiri shkonte deri tek lumi Vardar, ndërsa në perëndim kufizohej me shtetin ilir. Dardanët arritën që të bëheshin një fuqi e madhe ushtarake gjatë sundimit të mbretit Bato dhe Monun. Në të gjitha aleancat dardanët shfaqen si forcë kryesore në Ballkan. Në të gjithë territorin e Dardanisë kishte filluar që të zhvillohej programi i mbrojtjes së kufijve nëpërmjet ndërtimit të një sërë kështjellash si në luginat e lumenjve ashtu edhe përgjatë rrugëve të kalimit tregtar. Programe të tilla në antikitet organizoheshin vetëm nga mbretëri të cilat ishin të administruara mirë.

Pothuajse e gjithë historia e lashtë e dardanëve paraqitet si histori luftërash të pandërprera. Dardania luftoi gjatë kësaj periudhe me disa shtete të asaj kohe, siç ishte Maqedonia, Roma etj. Ushtria dardane ishte nga më të mirorganizuarat e asaj periudhe. Kjo u trashëgua dhe më vonë kur një sërë perandorësh të Perandorisë Romake dhe më pas të Bizantit ishin ushtarakë me origjinë nga Dardania ku mund të veçojmë Perandorin Justinian. Dardanët mbijetuan sundimit të gjatë 400-vjeçar të Romës, për të krijuar në shekullin IV mbas Krishtit, Provincën e Dardanisë, një njësi administrative e organizuar në kuadrin e Ilirikumit. Lumë dyndjesh barbarësh do të kalojnë në tokat e Dardanëve duke filluar që nga shekulli IV e deri në shekullin IX.

Ja si përshkruhen masakrat e barbarëve në Dardani:

“… Më rrëqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë. Në vazhdim të njëzet vjetëve… goti, sarmati, kuadi, huni, vandalët dhe markomanët shkretojnë, plaçkitin dhe grabisin… Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë… Kudo zi, kudo ofshe dhe hija e madhe e vdekjes”.

Sllavëve, përballë një kulture të konsoliduar kristiane të dardanëve iu deshën gati 300 vjet që të mbaronin procesin e gjatë të kristianizimit të tyre. Ndërkohë, Dardania është e pranishme në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të botës bizantine.

Shumë mbretëri të asaj kohe, siç janë trakët, maqedonët, dakët etj. u zhdukën. Perandoria Romake, Bizantine dhe më pas dyndjet sllave ndryshuan përbërjen etnike të Ballkanit. Studimet kanë treguar se popullata e lashtë dardane mbijetoi për t’u shfaqur në shekujt e mesjetës me emrin shqiptarë. Po ashtu analizat gjuhësore kanë përcaktuar se territoret e Dardanisë, pra Kosova e sotme e më gjerë, ka qenë pjesë e trevës gjuhësore të kryehershme të shqipes. Gjurmimet arkeologjike kanë treguar se popullsia dardane e ruajti më fort se gjetiu individualitetin dhe ndërgjegjen e saj etnike. 



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora