E marte, 19.01.2021, 07:48 AM (GMT)

Mendime

Rexhep Shahu: Në Martaneshin e 22 të pushkatuarve nga Mehmet Shehu

E premte, 12.06.2009, 07:27 PM


Në Martaneshin e 22 të pushkatuarve nga Mehmet Shehu

Nga Rexhep Shahu

Me 3 mars 1944 (ky marsi, sa i tmerrshem e i lig ka qenë gjithmonë për ne shqiptaret, veç 22 marsit të demokracisë me 1992), në Martanesh, në këtë krahinë shumë të njohur shqiptare, të rrethit të Matit, që sot është pjesë e Bulqizës, brigada e parë partizane e Mehmet Shehut, pushkatoi pa gjygj, pa vendim, 22 djem e burra të Martaneshit, për të cilët është ngritur një memorial në fshatin Peshk. I nxori dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe i vrau barbarisht. Ja emrat e tyre me radhe: 1. Abaz Gurra, 2. Destan Sollaku, 3. Ali Gjoka, 4. Musa Balla, 5. Qerim Gjoka, 6. Liman Hasballa, 7. Sul Balla, 8. Sul Peshku, 9. Hasan Cela, 10. Muharrem Cela, 11. Fejzulla Grica, 12. Kamber Peshku, 13. Islam Cela, 14. Ibrahim Cela, 15. Qazim Koci, 16. Hysen Peshku, 17. Isa Cela, 18. Hasan Sallaku, 19. Avdyl Grica, 20. Riza Grica. 21. Shaban Grica. 22. Rexhep Grica.

U demonstrua kështu akti më i madh e më i rëndë i mosmirënjohjes. Mosmirënjohja, gjëja më e keqe dhe e rëndë njerzore është zakon i komunistëve, mënyrë sjellje e jetese e komunistëve.

O i ka dhënë Martaneshi luftës çlirimtare o mos ta mundojë e mendojë askush tjetër, asnjë krahinë tjetër. Dhe u shpërblye me mosmirënjohjen komuniste, me vrasjen e 22 djemve e burrave të Martaneshit. I ka mbajtë partizanët e komunistët me bukë, me ujë, me strehë, i ka rrethuar me dashuri e ngrohtësi, u ka dhënë besë, i ka veshë e mbathë. Dhe u shpërblye me mosmirënjohje e me dhunë, me vrasje e pushkatim të 22 burrave e djemve.

Partizanët e Mehmet Shehut, me 3 mars 1944, ia shpërblyen besën e bujarinë, bukën e dhënë Martaneshit duke ia vrarë 22 djem e burra dhe u mallkuan nga populli i Martaneshit si mosmirënjohësit më të mëdhenj, si bukëshkalët më të mëdhenj,

I vranë e nuk i lanë martaneshasit t’i qajnë.

I vrau Mehmet Shehu, ai që ishte trim se pati vrarë në fshatin e tij mushkat e kojshisë se shkeli një mushkë vijën e ujit dhe u nda vija e ujit nga gjurma e mushkës. Ai trimi që vriste mushkat e kojshisë me tregue trimërinë, ai e vrau Martaneshin. Ai u tregua mosmirënjohësi dhe besëpreri më i madh.

Dhe nga urrejtja për Martaneshin, komunizmi nuk u mjaftua me 22 djemtë e burrat që ia vrau me 3 mars 1944, por në vitet e para të diktaturës pas ’44, ia vranë Martaneshit edhe 13 djem e burra të tjerë. Por këto 13 ia vranë një nga një, tek e tek e jo në grup e brenda pak castesh sic ia vranë 22 të parët me 3 mars 1944. Megjithëse me 35 djem e burra të vrarë, përsëri komunizmi e mori peng Martaneshin…

Dhe e mbajti peng gjatë, shumë gjatë. Ia mori Martaneshit gjithë pasuritë e pafundme mbitokësore e nëntokësore, e poshtroi, e nënshtroi me dhunë, me vrasje, me terror. Dhe e talli, e përqeshi, e zhvlerësoi.

Për dekada me radhë skllavëroi mbi gjashtë mijë punëtorë të minierave të kromit. I skllavëroi në kuptimin më klasik të fjalës.

Ia mori pyjet Martaneshit dhe e la tokë të djegur e të shkretë deri në frikë. Ia mori erzin Martaneshit duke e tallë, duke mos e vlerësuar kurrë. Duke e konsideruar pa të drejtë bastion të komunizmit, ndonëse 35 djem e burra ia vrau. I bëri martaneshasit të harrojnë të vrarët e tyre, djemtë e bijtë e tyre. I bëri martaneshasit të duan vrasësit e djemve e burrave të tyre, të votojnë bijtë e vrasësve të bijve e burrave të tyre, të mbajnë në pushtet 50 vite vrasësit e djemve e bijve të tyre, të votojnë edhe kur janë në demokraci e liri për bijtë e vrasesve të tyre, ndonëse socialistët e komunistët vetëm përbuzje e përqeshje i kanë dhuruar Martaneshit. Dhe s’e kanë lënë kurrë Martaneshin të jetë i lirë, të kujtojë bijtë e djemtë e tij të pushkatuar, të votojë kundër vrasësve e bijve të vrasësve të 22 a 35 martaneshasve, të marrë hak me votë kundër vrasësve të bijve e burrave të Martaneshit.

Rri e mendoj i trishtuar. Si është e mundur që viktima ende të nderojë xhelatin, të ketë frikë xhelatin. Si është e mundur që të durojnë ende ata njerëz dhunimin e xhelateve te tyre. Ju drejtohem intelektualëve të Martaneshit duke folur me veten time, si është e mundur që ju që e njihni historinë, që e dini mirë masakrën që i është bërë zonës tuaj, si është e mundur të lini ende peng të komunizmit zonën tuaj...

Kujt më shumë se Martaneshit i takon të marrë hak me votë kundër bijve të vrasësve të grupit të 22-ve, u drejtohet një grupi njerzish të zonës ministri Gjana.

Teksa udhëtojmë drejt Martaneshit dhe shoh tokë pa bar e pa shpresë të mbijë bar, si të djegur nga ndonjë bombë atomike, shpate të shkretuara se lisat ia kanë prerë, flasim për 22 të vrarët e një dite të Martaneshit me 3 mars 1944. 22 të vrarë në Martanesh nga komunistët brenda një dite, flet gati me vete ministri Jemin Gjana që po shkon për takim elektoral me martaneshasit. 22 të vrarë në Lumë të Kukësit në fshatin Buzëmadhe po brenda një dite, pasi hëngrën e pinë e bujtën partizanët në atë fshat. 22 të vrarë në Macukull të Matit po brenda një dite, 22 të vrarë në Myzeqe po kësisoj…

A thua ç’të jetë ky numri 22 pyet ai, s’di kë, vetën a mua.

Para se të shkojmë në Krastë në qendër, vizitojmë një minierë apo më saktë një galeri të re. Hamë bukë në atë sektor. Takojmë shumë njerëz që punonin në atë galeri me kushte e standarte të kohës.

Lind menjëherë biseda për pensionet e minatorëve. Po, të drejtë keni, thotë ministri Gjana, por cfarë të bëjë shteti kur listat e minatorëve janë aq shumë të fryra sa na del se në Shqipëri thuajse të gjithë paskan qenë minatorë. Çfarë të bëjë shteti kur për tetë vitet që qeverisi Partia Socialiste dolën në pensione fallco mijëra njerëz që janë nën moshën 50 vjec. Por ju siguroj se do të bëhet më e mira, do të analizohet me përgjegjësinë më të madhe dhe do të vendoset në favor të pensionistëve edhe mosha e daljes në pension dhe statusi i minatorëve. Del biseda vetiu tek galeritë e vdekjes. Tek përdorimi i vdekjes nga Partia Socialiste. Nëse shkon në galeri të braktisura i pushtuar nga “ethet e arit”, nga ethet e fitimit, nisur nga cmimi i larte i kromit këto dy vite, rreziku është evident. Nëse shkon në galeri normale dhe zbaton kushtet e sigurimit teknik, rreziku është më i vogël.

Kam punuar vetë në galeri në Gjegjan të Kukësit dhe e di ç’është galeria…

Kujtoj tani përdorimin e turpshëm e skandaloz të vdekjes së minatorëve në galeritë e braktisura. Kujtoj se opozita hedh valle kur vdes ndonjë minator. E bëri zakon të dalëboje këtë zakon kriminal. Del drejtuesi i opozitës dhe këndon këngë në galeri, kobe - këngë që ndjellin vdekje. Se opozita është lumtur e lutet që të ketë vdekje nëpër galeritë private e të braktisura që të akuzojë shtetin e qeverinë se po vret minatorët, kur minierat e shtetit janë mbyllur me kohë. Por opozita është në atë kohë, në kohën e saj…

Kujtoj se si edhe kolegët e mi të mediave nuk kanë venë përballë asnjëherë galeritë ku lejohet të punohet e ku nuk vdiset kollaj me galeritë e braktisura që ndjellin e sjellin vdekje. Të dyja këto lloj galerish i pashë në Martanesh e në Burrel.

Mbërrijmë në qendër në Krastë. Pallate gjysmë bosh, gjysmë të rrënuara e shkretuara. Njerëz plot. Klubet plot njerëz, tavolinat plot me birra e freskuese. Njerëz të plotë, të bëshëm, të bukur, të drejtë jo të rrudhur. Mendoj për shumë fjalë e histori që mësova kur ministri vendosi të shkojë në Martanesh për takim. Dikush më tha se shkoni kot atje se nuk voton Martaneshi për Partinë Demokratike. Do të shkojmë tha z.Gjana se nëse ka kush arsye madhore të votojë Partinë Demokratike është i pari Martaneshi.

Por Martaneshin edhe e kanë paragjykuar. Martaneshin edhe e kanë lënë pas dore politikanët e vegjël që kujtojnë se bëjnë punë të mëdha e merren me politika të mëdha. Martaneshit nuk ia kanë thënë shkoqur e hapur të vertetat në sy. Nuk i kanë thënë qoftë edhe mijëra herë Martaneshit se nuk është e drejtë që voton për bijtë e vrasësve të 22 apo 35 martaneshasve.

Ministri Gjana me Selami Xhepën, këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe kandidat për deputet në qarkun e Dibres hyjnë në një kafe të madhe plot njerëz. Përshëndeten nga të gjithë e me të gjithë. Të pranishmit treguan rrespekt. Martaneshi diti dhe e respektoi ministrin Gjana si anëtar i kabinetit qeveritar, por krykomunari ishte fshehur dhe nuk e priti ministrin e ketij shteti ta takonte e jo t’i vinte ne takimin elektoral. Ndërkohë jashtë gjëmtonte kënga Shqipëria po ndryshon. Na thonë duhet të dilni ende pa porositur kafe se njerzit janë mbledhur në shesh.

Për çudinë edhe të vendasve, ishte hera e parë që bëhej mbledhje apo miting elektoral jashtë, në shesh, në atë shesh që s’kishte parë kurrë kaq njerëz të tubuar për mbledhje. Kurrë, thanë aty, nuk është bërë mbledhje apo miting në shesh në Krastë të Martaneshit nga anjë forcë politike. Edhe Partia Socialiste që e ka marrë zvarrë Martaneshin nuk ka mundur të bëjë miting kurrë në shesh, por futet e fshihet në salla të mbyllura. Ishte hera e parë e një mitingu në shesh që e bëntë Partia Demokratike. Ishte hera e parë që në shesh në Krastë të Martaneshit ishin mbledhur aq shumë njerëz. Mbi 200 veta. Në kafenetë rreth sheshit rrinin plot njerëz. Në fillim u shfaqen indiferentë ndaj folësve të mitingut si Roland Keta kryetar i PD Bulqizë, Selami Xhepa kandidat i PD. Ndryshoi më pas ngadalë.

E mori fjalën ministri Gjana. U kujtoi që në krye se vij këtu në Martanesh në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të Kryeministrit Sali Berisha së pari për të nderuar 22 të pushkatuarit e Martaneshit nga komunistët. Vij këtu për ti bërë thirrje ndërgjegjës së Martaneshit, që të mundeni t’i thoni mjaft më komunizmit e Partisë Socialiste që është e bijve të atyre që ju kanë vrarë 22 djemtë e burrat tuaj me 3 mars 1944 apo edhe 13 të tjerët në vitin 1945. T’ju bëj thirrje të këpusni prangat e komunizmit që jua mbajnë të lidhura vrasësit e bijtë e vrasësve tuaj. Dalëngadalë ato që rrinin indiferentë nëpër kafenetë përrreth apo bënin indiferentin me dashje sepse fjalët e ministrit Gjana i dëgjonin qartë, filluan të ngrihen nga klubet dhe t’i bashkohen mitingut. Po ndodhte diçka, po e shihja e lexoja në sytë e shumëkujt. Nga mosbesues e dyshues totalë, nga indiferentë e të zhgënjyer plotësisht, filluan të dëgjojnë me vemendje fjalët e ministrit.

Së paku ato njerëz filluan të mendojnë. E pashë vetë.

Fillova të dyshoj unë tek ato që thonin mos shkoni në Martanesh se nuk merrni vota. Edhe nëse s’merr vota Partia Demokratike atje, së paku ato njerëz filluan të zgjohen, të mendojnë vetë, të mos jenë më kavie të komunizmit e të Partisë Socialiste. Edhe kjo është një fitore që arrin Partia Demokratike që lufton që njerzit të jenë të lirë, të mendojnë lirisht, të vendosin pastaj lirisht për fatin e tyre e të mos jenë pengje të askujt.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora