Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Henri Çili: “Evropa blu”, zgjidhjet e krizës tek e djathta

| E enjte, 11.06.2009, 06:19 PM |


“Evropa blu”, zgjidhjet e krizës tek e djathta

Nga Henri Çili

Një fakt ka kthyer përmbys të gjitha pandehmat rreth shpjegimit të krizës aktuale ekonomike që ka perëndimi sot: fitorja thuajse unanime e zgjedhjeve për në Parlamentin evropian nga e djathta. 25 nga 27 vendet e BE-së kanë votuar për partitë e djathta.  Në kulmin e krizës ekonomike, që sikurse proklamohet vjen nga “liberalizmi i tepruar”, populli evropian e kërkon zgjidhjen e kësaj krize te forcat e djathta politike. Në një babel vendesh, kulturash dhe gjuhësh apo kontekstesh shoqërore, ku një vend nuk i ngjan tjetrit dhe ku një situatë nuk është si tjetra, megjithatë ka diçka të përbashkët: Zgjedhjet janë fituar nga e djathta. Kërkimi i zgjidhjes së krizës ekonomike tek e djathta demonstron së paku dy dukuri në gjirin e perëndimit mbarë evropian, i cili ndodhet në një moment të madh reflektimi për shkak të krizës, për shkak të debateve mbi modelin ekonomiko shoqëror dhe për perspektivat e një modeli ekonomik post-krizë.

Dukuria e parë, është fakti që zgjedhësi evropian, i cili me këtë sens unanim të votimit në mbarë gjeografinë evropiane, mund të thuhet se ka lindur për herë të parë me këtë zgjedhje për parlamentin evropian, ka treguar me këtë votim që nuk e gjen shkakun e krizës te “liberalizmi i tepërt” por te mënyra se si liberalizmi ekonomik është aplikuar, te deformimet e tij rrugës. Për elektoratin evropian kriza nuk është te tregu por mënyra e aplikimit të tij, është te tregjet e mbyllura, te ndërhyrjet populiste kundër logjikës së tregut, te ndërhyrjet elektoraliste mbi tregun sipas nevojës së ditës që qeverive të ndryshme.
Logjika e donte që kjo kohë krize të ishte triumfi i së majtës mbi bilancin e tregut të lirë. Kjo nuk ndodhi. Megjithë epërsinë e momentit të atyre që gjejnë rastin të flasin dhe argumentojnë kundër tregut të lirë, pikërisht në këtë kohë krize, kjo nuk gjen konsensus te publiku i gjerë, i cili ka analizën e vet për këtë krizë. E majta nuk u duk bindëse në kritikën e saj ndaj kundërshtarit dhe sistemit të tregut të lirë, “teprimi” me të cilin sipas saj ka sjellë këtë krizë.
Dukuria e dytë, është jo thjesht fakti që e djathta evropiane nuk u penalizua nga kriza, por tek ajo u investua besimi mazhoritar i elektoratit evropian për rrugët e nxjerrjes nga kriza. E djathta propozon sot që të mos hedhim “bashkë më ujin e ndotur edhe foshnjën”. E djathta propozon sot ato rregullime në treg që nuk e prekin thelbin e tij, por që i vënë fre lakmisë, ndërhyrjeve klienteliste të shtetit në treg. E djathta propozon atë prani rregullatore dhe garantuese të shtetit në treg, që përfill interesin publik brenda logjikës së tregut të lirë, që garanton prosperitetin e të gjithë individëve sipas rezultatit të tyre në treg pa lënë mënjanë inkurajimin për ata që përkohësisht janë në fund, ata që kanë mbetur në anë të rrugës.
Në këtë kuptim zgjidhjet brenda tregut të lirë, zgjidhjet që përfillin thelbin e tregut të lirë, që garantojnë konkurrencën, që garantojnë rikthimin te principet e shëndosha të tregut të lirë, pas ndërhyrjeve të përkohshme për të përballuar efektet e krizës, duket se janë zgjidhjet më të mira. Këto zgjidhje ka preferuar elektorati evropian në një moment të veçantë. Në një moment krize, ku logjika e thjeshtë dhe e gënjeshtërt do të donte ta ndëshkonte të djathtën, elektorati evropian i besoi të djathtës fatin e vet. I besoi tregut të lirë dhe lirisë edhe një herë në mënyrë unanime.

Panorama