E premte, 29.03.2024, 03:40 PM (GMT)

Kulturë

Besimi dhe kombësia në një vepër të pabotuar të Atë Gjergj Fishtës

E enjte, 11.06.2009, 07:13 PM


Nga Shaban Sinani

Vetëdija kombëtare dhe vetëdija fetare, lidhjet e kushtëzimet midis tyre, kanë qenë një shqetësim parësor gjatë dy shekujve të fundmë në historinë e lëvizjeve të mendimit shqiptar. Gjatë Rilindjes Kombëtare për herë të parë u krijua një ideologji homogjene, një zhvillim historik-kulturor konvergjent, me një program kombëtar përbashkues. Pikërisht kjo bënte që cilësitë heterogjene të botës shqiptare, midis të cilave besimi, të fitonin vëmendje kritike vetëm pas themelimit të shtetit shqiptar. Prej fillimit të shekullit të 20-të slogani i Pashko Vasës “Feja e shqiptarit është shqiptaria” vazhdoi të jetë i ngulitur, por jo gjithaq i pushtetshëm dhe i padiskutueshëm sa në periudhën romantike. I pari që pati shprehur pikëpamjen se shqiptarët mund t’i bashkoheshin mënyrës evropiane të të menduarit dhe të jetesës duke u kthyer në fenë e të parëve ishte Faik Konica. Së njëjtës ide i qe përmbajtur edhe G. Schiro-i. Për këto ide të dy u qortuan nga një kohë historike në tjetrën dhe madje edhe sot vazhdojnë të qortohen.
Françeskanët shqiptarë, duke pasur një mjedis kulturor të përbashkët, një kryeqendër veprimi (Shkodrën), një tribunë shprehjeje (“Hyllin e Dritës”), një mjeshtër përmes të cilit mund të identifikoheshin (Atë Gjergj Fishtën), dhe një slogan që u shërbente si devizë (“Fe e Atme”), arritën deri tek krijimi i një lëvizjeje dhe shkolle mendimi dhe u bënë faktor verifikues i raporteve besim - vetëdije kombëtare në kushtet e reja.

Dorëshkrimi në AQSH

Përveçse në vepra letrare, slogani i françeskanëve është shprehur në formën e një traktati ideologjik, filozofik dhe teologjik prej Atë Gjergj Fishtës. Dokumenti titullohet në origjinal “Questione nazionale e questione catholica” dhe ruhet në AQSH. Autori nisi ta shkruante në vitin 1914 dhe duket se e ka quajtur një vepër të mbaruar në vitin 1924. Dorëshkrimi përmban rreth 30 faqe tekst autograf, mbi të cilin vetë autori herë pas here ka bërë ndryshime dhe saktësime. Teksti bazë është shkruar me sa duket brenda një kohe të shkurtër, brenda të njëjtit kontekst historik-kulturor. Është shkruar tërësisht me një kaligrafi mjeshtërore, shprehje e qetësisë, maturisë dhe e bindjes së autorit në çka po shkruante. Asnjë shenjë shqetësimi psikologjik nuk vërehet në sizmografinë e shkrimit. Mbiteksti, që është i së njëjtës dorë, është në formën e anëshkrimeve, shtesave dhe rrallë edhe të qortimeve. Mbiteksti duket se është ndërkohor, çka mund të merret si provë se Atë Gjergj Fishta e ka rimarrë disa herë në duar studimin e tij. Sa i takon mbitekstit, ky shpreh një gjendje psikologjike më pak të qetë.
Dorëshkrimi është i një formati më të madh se letra e përmasave zyrtare, me fletë të numërtuara recto e verso nga vetë autori. Eshtë letër e vijëzuar dhe e mbushur me tekst edhe në bardhësitë e lëna si të tilla në fillim prej tij. Përveçse nga autori i kësaj trajtese, dorëshkrimi është përmendur edhe nga prof. Ali Xhiku, në studimin e tij “Letërsia shqipe si polifoni”, për aq sa ka qenë në interesin e atij studimi, kryesisht për verifikimin e përmbajtjes së besojmës (kredos) poetike të Fishtës, të shprehur në sintagmën e pandashme “Fe e Atme”.
Në të vërtetë dëshmohet se teksti është këshilluar edhe nga studiues të tjerë, vendës dhe të huaj, por ndaj tij është mbajtur heshtje, heshtje në tri periudha historike: para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe në dy dekadat e fundme. Dorëshkrimi ruhet në AQSH dhe ka signaturën: Fondi 17, dosja 18, pa vit; që i përgjigjet fondit nominal të Gjergj Fishtës. Në përpunimin arkivistik është cilësuar “veprimtari krijuese” dhe ruhet bashkë me dorëshkrimet e krijimtarisë.

Relacion për Pontifikatin
 
Duke u nisur prej gjuhës në të cilën është shkruar, italishtes, mund të mendohet se Atë Gjergj Fishta e shkroi këtë tekst si një relacion për Pontifikatin, për të bërë të njohur gjendjen demofetare në Shqipëri menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar. Në fakt, dorëshkrimi i përmban të gjitha cilësitë e një relacioni: përshkrimin realist të gjendjes, parashikimin e asaj që mund të ndodhë me shqiptarët pas ndarjes nga ish-perandoria osmane dhe disa këshillime se si mund të faktorizohet katolicizmi për të rikthyer autoritetin e vet në Ballkan si në periudhën paraosmane e njëherësh si mund t’u vlejë shqiptarëve kjo situatë e re për të evropeizuar mendimin, orientimin dhe kulturën e tyre.
Mirëpo nuk është e sigurt nëse Atë Gjergj Fishta e nisi këtë punë me konceptin e një relacioni. Prof. Ali Xhiku, në studimin e tij, e quan “memorandum”, dhe nuk përjashtohet të ketë qenë vërtet i tillë, një kujtesë për Lidhjen e Kombeve, e cila çështjen shqiptare ia delegoi Konferencës së Ambasadorëve dhe kjo e fundit i njohu disa të drejta protektorati Italisë mbi Shqipërinë, të shenjuara mbi një dokument pikash tashmë të botuar nga studiuesit e historisë, sipas të cilave Italia do të ishte garante e sigurisë së jashtme të Shqipërisë, mbrojtëse e sovranitetit të brendshëm të saj, kontrolluese e sigurisë së qeverisjes - çka shkaktoi një refuzim kategorik të vendeve ballkanike, deri në atë shkallë sa Shqipëria të shpallej një territor ekstraballkanik dhe të mos ftohej në konferencat e federimit të rajonit. Ka një lidhje logjike mes dy fakteve: përderisa Roma e kishte këtë paketë privilegjesh ndërkombëtare mbi Shqipërinë, nuk ishte e tepërt që t’i bëhej një përkujtesë që edhe faktori fetar mund të mbahej në konsderatë në gjithë veprimin e saj.
Përpjekjes sonë për të provuar nëse ky dokument iu përcoll ndonjë instance apo zyre: Selisë së Shenjtë si relacion apo Lidhjes së Kombeve si memorandum, nuk i janë përgjigjur fakte dëshmuese bindëse. Por ngurrimi i autorit për ta botuar shqip, duke i pasur të gjitha mundësitë, shkon kundër këtij arsyetimi: duket se ai nuk i drejtohej njeriut shqiptar. Fishta ishte klerik, ndryshe nga Konitza dhe Schiro, që si njerëz laikë mund të futeshin më me vështirësi në rrethin e keqkuptimit të qëllimshëm, nëse i referohemi asaj shkalle tolerance që shpërfaqej në atë kohë në vijim të romantizmit homogjenizues. E vërteta është se 7-8 dekada më vonë, në truallin e një popullsie të ardhur prej ateizmit, idetë e rikrishtërimit vunë në qendër të goditjes edhe shkrimtarin I. Kadare.

Një traktat?

Për të gjitha këto arsye jemi të prirur ta trajtojmë këtë dorëshkrim si një traktat historik-filozofik për raportin midis kombësisë dhe besimit tek shqiptarët.
Përse është një traktat? Para së gjithash sepse problemet shtrohen në mënyrë parimore dhe zgjidhjet propozohen në mënyrë paradigmatike. Në studimin e tij Fishta në krye përshkruan ndërkohësisht dhe bashkëkohësisht gjendjen demofetare në Shqipëri, më saktë në gjithë hapësirën shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovën. Ai e sheh ardhjen e besimeve alternative në Ballkan si një dukuri historike, gjë që i përgjigjet së vërtetës. Jo vetëm si një dukuri historike, por edhe si një kushtëzim politik e gjeopolitik. Megjithëse në Librin e Shenjtë të besimtarëve islamë një prej nyjave themelore është se “në fe nuk ka me zor”, përvoja historike provon se perandoritë e mëdha, sidomos perandoritë teokratike, sikurse ishte dhe ish-perandoria osmane, përmes sistemit të privilegjeve dhe të pragmatizmit fiskal (që e shpreh shumë qartë sintagma “dy për një” për të krishterët) gjithnjë kanë dashur ta homogjenizojnë popullatën shumëgjuhëshe, shumëkombëshe dhe shumëracëshe me anë të fesë dhe besimit.
Pikëpamja e Fishtës është se besimi i ri ndër shqiptarët me traditë krishterimi prej kohërave apostolike është i cekët dhe se shkëputja e lidhjeve të faltoreve myslimane me kalifatin, apo pavarësia e xhamisë së besimtarëve shqiptarë, e shpallur në vitin 1923, do të favorizojë rikrishterimin masiv të popullatës. Sipas parashikimit të Fishtës, kjo do të ndodhë “brenda dy, të shumtën tre brezave”, sepse bashkatdhetarët e tij “nuk mund të qëndrojnë të patundur” edhe më tej. Pavarësia e Shqipërisë, sipas mendimit të Fishtës, e favorizon veprimin katolik në vend, dhe kjo do të mundësojë jo vetëm një shpërfaqje të vetëdijes zanafillëse evropiane të popullit shqiptar, por edhe homogjenizimin e tij tërësor, sepse të njëjtin proces do ta ndjekin edhe rreth 800 mijë shqiptarë myslimanë në Jugosllavi, të cilët, të shkëputur prej kalifatit dhe të papajtueshëm me skizmatikët serbë, me siguri dhe “me ndihmën e Zotit”, do të gjejnë si rrugën më të mençme bashkimin me rrjedhat besimtare të vëllezërve të tyre në Shqipërinë e pavarur. Mendimi i Fishtës shkon edhe më tej. Ai parasheh edhe riungjillizimin e boshnjakëve dhe nuk e përjashton një veprim katolik me karakter strategjik që përshkon gjithë Ballkanin, deri në qendrën e krishterimit të ritualit bizantin. Në vijë logjike kjo pajtohet me qëndrimin që mbajti Selia e Shenjtë në vendimmarrjen ndërkombëtare për caktimin e kufijve të Turqisë kemaliste-republikane, duke luajtur një rol përcaktues, për shumëkënd të pakuptueshëm, që Konstantinopoja dhe rrethinat, bashkë me Selinë e Patrikanës së Stambollit, t’i mbeteshin asaj si territor. Në dorëshkrimin e Fishtës, në mënyrë traktative, këshillohet se si duhet të jetë veprimi katolik jo vetëm midis popullsive myslimane në Shqipëri e në Ballkan, por edhe midis të krishterëve të “vijës së gabuar”, duke përthirrur një ndërmarrje me karakter gjeofetar, gjeostrategjik dhe gjeopolitik, si pikënisje e së cilës mund të shërbente Shqipëria, si vendi i besimeve të mbishtresuara. Fishta madje nuk mungon të evokojë aksione të ngjashme në rrjedhat e historisë që kanë ndjekur drejtimin prej Evropës drejt Lindjes, duke përfshirë bëmat e Aleksandrit të Madh dhe ekspeditat e tij deri ne Lindjen e Largme, si një inkurajim për veprime të ngjashme bashkëkohore.
Por a ishte ky traktat, i njohur edhe me titullin “I cattolici e la questione albanese”, në mënyrë të thjeshtuar, shprehje e një ëndrre besimtare të At Gjergj Fishtës? Shumë argumente të çojnë drejt përfundimit se brenda frymës së dorëshkrimit gjendet jo vetëm prelati i një rendi kishtar, por edhe mendimtari laik shqiptar.

Rikrishterimi

Përkufizimi terminologjik si traktat ka të bëjë me vlerësimin përmbajtësor të tekstit dhe nuk e përjashton funksionin e relacionit dhe të memorandumit. Fryma e përgjithshme e këshillimit apo porosisë së autorit është gati-gati si një “provokim politik” drejtuar Selisë së Shenjtë, për të rritur vëmendjen e saj ndaj Shqipërisë si e tërë, pavarësisht prej përbërjes heterogjene fetare (dhe jo vetëm për pjesën e të krishterëve romanë). Në themel të këtij traktati qëndron ideja se Shqipëria, shtetet e Ballkanit dhe popujt e tyre, duke qenë historikisht të krishteruar shumë herët, mund të rikthehen në rrugën e zhvillimit evropian përmes një veprimi fetar rikrishterues. Kjo mund të lexohet si një thirrje drejtuar Pontifikatit që të mos mjaftohet me dërgimin e vizitatorëve apostolikë dhe të misionarëve të tjerë në atë pjesë të vogël të Shqipërisë që kishte popullsi të krishterimit roman, por ta shihte gjithë popullatën shqiptare si potencialisht të krishterë dhe të rriste interesimin e saj për gjithë territorin shqiptar. Nuk ishte vetëm Fishta që mendonte se Shqipëria e viteve dhe dekadave të para të pavarësisë nuk mund të bënte përpara pa mbështetjen e një fuqie të madhe. Qysh në vitin 1892 Crispi pati përgatitur një dossier në formën e platformës politike dhe gjeopolitike për të bindur shtetin italian që të merrte përsipër protektoratin mbi një Shqipëri të ardhme të pavarur, duke llogaritur jo vetëm kundërveprimin osman, por edhe ambiciet dhe xhelozinë austro-hungareze, platformë që edhe sot e kësaj dite gjendet në kushte rezervimi. Disa prej nyjave themelore të këtij traktati janë aktualizuar në debatet e dy dekadave të fundme për identitetin e shqiptarëve (I. Kadare, R. Qosje, K. Frashëri e të tjerë).

Teza themelore

Teza themelore e këtij traktati është se krishterimi roman ka qenë besimi autokton i ilirëve dhe shqiptarëve, i bullgarëve dhe i një pjese të madhe të sllavëve. Me shembjen e ish-perandorisë osmane Ballkanet duhej të ndaheshin jo vetëm politikisht, por edhe nga ana fetare, prej “dukurisë së ardhur”. Autori mendon një aksion rikrishterimi jo vetëm të myslimanëve, por edhe të skizmatikëve, duke iu referuar “fesë së parë”, “atdheut të parë”. Traktati në thelb është vijim i mitit të prejardhjes, që u formua qysh gjatë Rilindjes Kombëtare. Sipas Fishtës, duhet të ketë një veprim katolik në vijë horizontale, mes për mes Ballkanit, për të rivendosur ekuilibret tradicionalë të historisë, në emër të besimit autokton, si pjesë e mitit të autoktonisë që qe shqiptuar qysh në periudhën rilindëse. Ai mendon se krishterimi perëndimor dhe në radhë të parë Roma e Selia e Shenjtë nuk duhet të kenë dy shkallë vëmendjeje për shqiptarët: një për të krishterët romanë dhe një për të tjerët, por vetëm një shkallë të përgjithshme e të njësuar, sepse shqiptarët potencialisht janë që të gjithë të krishterë, ose...



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora