E marte, 23.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha?: Poezia satirike e Hasan Hasanit

E enjte, 11.06.2009, 06:27 PM


(Rilexime me shkas)

POEZIA SATIRIKE E HASAN HASANIT

Nga Prof. Skënder R. Hoxha?
    
     Hasan Hasani ka bërë emër pothuajse në të gjitha zhanret e gjinitë letrare, që dëshmojnë për aftësinë e talendin e tij si krijues.
      Mirëpo, për të vënë në thumb të kritikës sjelljet, tiparet, veset, e disa tipave karakteristikë, shkroi edhe poezinë satirike.
     Këtë lloj poezie Hasani kishte zënë shumë herët e që, kohëpaskohe e kishte botuar në gazetat dhe revistat e kohës: “Thumbi”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë” dhe “Bujku” – shumica të nënshkruara me emrin e vërtetë të autorit, por edhe me pseudonimet: Mal Dushkaja, Leopard Leopardi, Bardhyl Kaprolli, gjatë viteve 1970 – 1990. Kohë më vonë, këto vjersha Hasani i kishte përmbledhur në librin me poezi satirike “Haxhiu i fshatit Pykë”, botuar nga shtëpia botuese  “Vatra”, Prishtinë, 2005. Në ndërtim strukturor libri ka qerthujt: Fëshfëshe, Haxhiu i fshatit Pykë, Rapsodi fshatare.       
     Veprimet e njerëzve nën maska
Në vjersha të këtij libri Hasani kishte marrë në shënjestër kryesisht drejtorë, shefa, nëpunës, sjelljet e të cilëve e pengojnë poetin. Ishin këto personazhe karakteristike të mjedisit dhe përditëshmërisë, ndonjë prej të cilëve ishin të po atij kolektivi gazetaresk me të cilët punonte vetë autori. Pra, këto personazhe ishin të kryeqendës, ku poeti i kishte parë për së afërmi dhe i njihte mirë sjelljet, veset e karakteret e tyre. Ndër sjellje e veprime të tyre, që poeti i vë në spikamë ishin sjelljet burokrate të individëve – të dëgjueshmit e partisë dhe pushtetit, njerëzit e pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, pranimet në punë pa konkurse, etj., me konsultime e sipas direktivave nga lart. Poeti këto i kishte satirizuar në vjershën “Monologu i Dashit” (f. 13): “Dhe t’gjitha këto s’i mora në kokën time/ Ani pse konkurse asnjëherë nuk shpallëm,/ Me shokët atje lart kam bërë konsultime” . Këto fjalë, gjoja, drejtori e flet në një mbledhje, por që i kishte menduar në imagjinatën e tij në shtëpi. E për kulltuqet e për drejtorin dembel vargjet: “Një kolltuk t’butë me pupla”…, “I kishte futur veshët n’lesh”…, “Drejtorit tim dembel!”, te vjersha me titull “Drejtori bashkëkohor” (f. 15), vargje që thumbojnë njerëzit që kanë vepruar si vegla, si instrumente të të tjerëve dhe kanë keqpërdorur vendin e punës. Kjo është edhe esenca e qëllimit të këtyrë vjershave, ngase pikërisht satira është ajo që godet karakteret e tilla, të dobëta, veset e sjelljet e tyre…, apo si ata ndërrojnë “gëzofin”, servilohen, kujdestarojnë për të parë keq, merren me përfolje e intriga, bëhen përfolës te shefat e tyre…
      Një tip i përgjuesit e përfolësit, që mjerisht kishte (dhe ka) shumë ndër ne, është “Fëshfëshi” i Hasanit, i portretizuar në vjershën me po këtë titull (f. 19). Ai fuste hundët kudo, nga zyra në zyrë, për të parë se kush çka bën e për t’i përcjellë ato te eprorët apo shefat e tij. Ja si e kishte përshkruar poeti atë marroç: “Përvidhet si hije kudo…, Duke përgjuar heshtas çkado…, Fëshfësh njërit i pëshpëritë… Fëshfësh këtu … aty fëshfësh…, gjithnjë ngreh gracka për shokë” etj., vargje në të cilat satirizon sjelljet e një burri të moshuar të një kolektivi të vogël. Ky personazh ishte edhe student në pleqëri, studionte drejtësinë. Në vjershën “Hallet e studentit plak” (f. 21), atë e quan edhe “kryetuli”, ku nga paaftësitë e tij edhe ai kolektiv i vogël shënonte humbje, sepse ai: “Vendin e juristit e mban kryetuli/ Me një shkollë nate me dëshmitarë” (vj. “Kryetuli”, f. 22). Atij edhe “shumë honorare i rrjedhin në xhep” dhe “Besa kungulli mbi ujë ende po i shkon”, (po aty). Për “Kryetulin” të tjerët jepnin provimet në fakultet, të cilët ai i paguante, siç thotë poeti: “Kush për një “kalë” t’kuq/ Kush për një të verdhë/ Për mua dhanë provime – unë djersën pa e derdhë”, (f. 24, vj. “Pse t’shkyej opingat”). Në këtë poezi tregohen variacione të intrigave, të individit dhe rrethit të caktuar të njerëzve midis të cilit lëshojnë shtat ato. Me këtë, poeti realizon pasqyrimin e atij realiteti të keq e specifik dhe pasuron këtë zhanër me një karakter tipik dhe personazhi mbetet prototip individualitetesh të asaj klase “njerëzish” …
    Për kolektivin në kryeqytet, një komision, veç të tjerash, kishte konstatuar se: “Përveç ca e ca fakteve/ Ja një sa për ilustrim/ Drejtori brenda vitit/ Bëri 400 ditë udhëtim”, (vj. “Rrënjë e fortë”, f. 38). Këtu preket drejtori, i cili në bazë të lidhjeve të forta, mund të bënte këtë soj luksi të tepëruar. Të tillëve, poeti Hasani ua kishte hequr mskat edhe në vjershat “Shoku im shef” (46) dhe”Loja e foteleve” (49).
 Kryepersonazhet e vjershave satirike të Hasanit janë njerëz që në mënyrë artificiale tentojnë t’i përshtaten kohës…, ku del në pah disproporcioni në mes aftësive profesionale dhe mundësive të tyre… Të tillë ka edhe sot. Në një shkrim të tij, përkitazi me përmbledhjen me vjersha satirike “Haxhiu i fshatit Pykë” të H. Hasanit, Prend Buzhala thotë: “Edhe sot, jo pak veta ndër ta, janë të përdorshëm, të manipulueshëm, të përshtatshëm “ideopolitikisht”, që ngriten gjithnjë e më lart në karriget pushtetore; ashtu, si dje, edhe sot, nëpërmes dorës së fortë të pushtetit, i kërcënojnë të tjerët, i urrejnë ata që thonë të vërtetën, kurse vetë e përhapin mostolerancën, gënjeshtrën dhe urrejtjen.”*) 
    Nga ambienti i fshatit poeti kishte marrë në shënjestër ndërtimin e një xhamie…, si dhe përcjelljen për në pelegrinazh (haxh) të një Haxhi Murriz Hibridit, nga fshati Pykë. Poeti, si në shpoti, kishte thurur vargje satirike për mënyrën e kryerjes së detyrimeve të pelegrinëve në Mekë, por ajo që vë poeti në spikamë është tregtia që bëjnë haxhinjtë atje, të cilët, thuajse harrojnë edhe pse kane shkuar në  Çabe. Këtë dukuri poeti e kishte thënë: “Harruan Zot e Pejgamer dhe Kurban-Bajramin/ Asnjë e dhjeta e tyre s’e fali më akshamin” (vj. “Haxhiu i fshatit Pykë”, kënga X, f. 79), dhe: “U mbushën hotelet plot shtofra, halia, sexhade/ Orë dore, bylyzykë, qafore, vathë e rruza/ Thasë, strajca, valigje grumbull”, (po aty). Kjo dukuri, mjerisht, është evidente edhe në kohë të sotme! 
Mashtrimet “në emër të Zotit e të haxhillëkut”
     Poeti sikur do t’ia nxjerr bojën atij lloj haxhillëku, si ai i Haxhiut të fshatit Pykë, kur nis t’ia numërojë të zezat, filluar nga mashtrimi që iu kishte bërë njerëzve, kur ai në Çabe nuk i kishte kryer detyrimet – nuk kishte kryer punën e tri “bedeleve” dhe paratë i kishte ndalur në xhep të vet: “Tre bedela n’xhep bënin disa milionë”, para këto që nuk i kishte lënë atje, sipas destinimit! Kurse pas ardhjes në shtëpi, si haxhi, ai kishte planifikuar mënyrën e një lloj mashtrimi të popullit, gjoja se, si njeri i “mrrishëm”, do t’iu ndihmonte të sëmurëve, grave, e dertlinjve të tjerë. Për këtë, ai, paraprakisht bën një bisedë me gruan e tij, e cila do ta reklamonte burrin e saj për këto “aftësi” të jashtëzakonshme, duke i thënë se: “Jemi larg qendrave…secili që më parë/ Do mësyjë shtëpinë tonë në fshatin Pykë/ T’u ndihmojmë t’sëmurëve, besa edhe grave/ E skajin, mori nuse, s’do t’ua dimë parave!” (f. 82). Propagandën që bënte gruaja e haxhiut nëpër gra e çika të fshatit, poeti e kishte përshkruar me vargjet: “Sa t’mira ka sjellë haxhiburri moj Zykë/ Ilaçe që s’i kanë doktorët, he u raftë pika;/ Ujë Zemzemi që shëron nga sëmundje t’rënda”… dhe vazhdonte: “Ah, moj gra … moj gra ç’paska kjo jetë/ Me një hajmali, ujët po e kthen përpjetë!...”, (f. 84); “Po edhe njëfarë gruri për mësush e fate/ Për gratë që s’bëjnë fëmijë ilaq mbi ilaqe/ Për çikat që djemtë i mashtrojnë pas nate”… si dhe: “Mos t’dalin nga ju këto fjalë moj gojë/ Tinëz unë u ndihmoj kur t’keni nevojë!...” (po aty), vargje me të cilat Hasani edhe gruan e Haxhiut e kishte vijëzuar si një figurë mashtruese, e cila do t’i vë në lajthitje shumë gra që “kanë nevojë” për Haxhiun e për të, natyrisht, për të përfituar. Tashmë, sipas vargjeve, ishte hapur lajmi në të katër anët për njeriun e “mbërrimë” të fshatit Pykë dhe njerëzit vërshonin së shkuari në kasollën e haxhiut të mbuluar me kashtë: gra, burra, të reja, për nevoja të ndryshme… Për këtë poeti kishte në vargje se aty shiheshin “Njerëzit  turra-turra si bletë në zgjua”, të cilët “Nga xhepi nuk kursenin paratë e xhevahiret”, (f. 86). Nga përfitimet mashtruese: “Haxhiu mbaroi shtëpi trikatëshe me tulla” dhe përveç kësaj, ai: “Arkat mbushi plot siç mbush bleta hojet/ Nga t’gjitha anët seç po i rridhnin krojet!”.
      Me vargjet satirike të vjershës “Haxhiu i fshatit Pykë”, poeti Hasani, përveç që ua kishte nxjerr bojën haxhinjve që bëjnë “marifetllëqe” të tilla, përqesh edhe atë masë të popullit që është e ngarkuar me ideologji të gabuar dhe bie pre bestytnive të kota. Sendërtimi i kësaj fare të poezisë, ku lexuesi observon karakteret, mban me vete, veç anatomisë psikologjike të individualitetit të shkallës së ulët, pasqyrën dhe porosinë mbi bazë të së cilës lexuesi do t’i pështyejë ata. Në anë tjetër, kjo poezi edhe qet në pah edhe kritikon sjelljet e mëkatet personale të individëve (shih edhe Haxhiu i fshatit…, kur shkon ne Çabe…), vargjet janë një kumbim, që troket në “ndërgjegje “ të njerëzve…, e autori duke marrë rolin e kritikut, heq maskën e tyre… Poeti, duke vënë në qendër njerëzit e tillë, fut edhe pikëpamjet e veta emotive karshi atyre tipave
dhe  duke i shprehur në mënyrë qesharake e satirike veset e tyre, ndonjëherë përkojnë si një humor i çiltër e nganjëherë ato anojnë në parodi e pamflete të këtij lloji.
     Ndërsa, marrë në përgjithësi, në këtë libër Hasani kishte thumbuar prototipa karakteristikë nga ambientet urbane (drejtorë ndërmarrjesh, nëpunës të ndryshëm, përfolës, oportunistë, ata që mbanin vende pune pa pasur ngritje profesionale etj.) dhe ato rurale (aksionet për ndërtimin e xhamisë, njerëzit dyfytyrësha, servilët, hoxhët, haxhinjtë, bujqit, aksionet rreth punëve bujqësore etj.), me sjellje e veprime të mbrapshta të tyre, që kishin prekur vrojtimet dhe inspirimet e poetit Hasani. Poeti, në këtë poezi satirike, bëri personazhe që për lexuesin të merren si shembuj të mjerueshëm të kohës. Ndonëse, për nga vlerat artistike poezia satirike e H. Hasanit qëndron më poshtë sesa poezia tjetër e tij, me përmasat e përshkrimeve që ka bërë, me mesazhin evident, kujtojmë se në vjershat e këtij libri poeti ka realizuar objektivat e tij dhe poezisë satirike shqipe iu ka shtuar një vepër e këtij zhanri.
     _________________                                                
     *) Prend B u z h a l a, Zëri i shumëfishuar i triptikut letrar, gazeta “Kosova sot”, 2005
                                 (Mars 2009)
        



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora