Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatos Tarifa: Ledia, Erilinda dhe Europa sektare

| E merkure, 10.06.2009, 06:52 PM |


Ledia, Erilinda dhe Europa sektare

Nga Fatos Tarifa, PhD *

I may be wrong, but six of your students will not get their visa” (Mund ta kem unë gabim, por gjashtë prej studentëve tuaj nuk do u jepet vizë”. Këto ishin fjalët që punonjësi i një konsullate të huaj në Tiranë, i cili i shërben një shteti të madh europian, anëtar i BE-së qysh nga krijimi i këtij unioni, i tha autorit të këtyre radhëve tri javë më parë, më 22 maj 2009. Atë ditë, disa studentëve të Universitetit Europian të Tiranës kjo konsullatë refuzoi t’u jepte viza Schengen për të marrë pjesë, së bashku me studentë të tjerë dhe pedagogë të universitetit të tyre, në një udhëtim mësimor në disa prej vendeve të BE-së. Viza iu refuzua gjashtë studentëve, njërit prej çdo katër studentëve që aplikuan për vizë pranë asaj konsullate. Dy prej tyre ishin Ledia Meta dhe Erilinda Lala, të dyja studente të vitit të parë në degën e drejtësisë në UET, të dyja studente të cilave unë u kam dhënë mësim dhe i kam vlerësuar me notën dhjetë, të dyja studente ndër më të mirat që kam njohur në afro 30 vjet eksperiencë pedagogjike në disa universitete shqiptare dhe të huaja. Ashtu si edhe studentët e tjerë të atij grupi, Ledia dhe Erilinda kishin dëshirë të vizitonin disa prej institucioneve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare me qendër në disa qytete europiane, si Strasburgu, Brukseli, Gjeneva dhe Haga. Qëllimi i një udhëtimi të tillë ishte sa argëtues, aq edhe mësimor, instruktiv, njohës, edukativ. Ai organizohej në kuadër të formimit të studentëve të UET-it si juristë, specialistë të së drejtës ndërkombëtare, studiues të politikave të krahasuara dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatë etj. Udhëtimi mësimor në fjalë ishte i pari që ky universitet ka organizuar, duke krijuar kështu një traditë të re në arsimin e lartë shqiptar, përmes së cilës, studentët shqiptarë do të mund të njihen nga afër me institucionet politike e juridike të BE-së dhe ato ndërkombëtare në një kohë kur vendi ynë, tashmë anëtar i NATO-s, ka aplikuar të fitojë statusin e një “vendi kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Duke punuar vetë në shërbimin diplomatik për shumë vjet, autori i këtyre radhëve e di se dhënia apo refuzimi i vizës një shtetasi të huaj është prerogativë ekskluzive e konsullatës së vendit që kërkohet të vizitohet. Në këtë kuptim, refuzimi i vizës Schengen një qytetari të Republikës së Shqipërisë, apo të çdo vendi tjetër, nga cilado konsullatë e një vendi anëtar të BE-së nuk përbën ndonjë çudi të madhe, apo ndonjë precedent të rrallë. Çudia, në këtë rast, ishin dhe mbeten fjalët e punonjësit të asaj konsullate të huaj: “I may be wrong”. Ditën që ajo konsullatë do të bënte të njohur dhënien apo jo të vizave Schengen për studentët e UET-it, Ledia Meta dhe Erilinda Lala prisnin të qeta në hyrje të konsullatës. Asnjë pasiguri apo shqetësim nuk dallohej në fytyrat e tyre, ndërsa bisedonin me mua për udhëtimin e ardhshëm. Pak minuta më vonë, ato mësuan se ajo konsullatë u kishte refuzuar atyre të drejtën t’i bashkoheshin grupit të studentëve të tjerë të UET-it që do të merrnin pjesë në atë udhëtim mësimor. Ajo konsullatë e huaj, e cila në një kuptim shumë real të fjalës ishte porta përmes së cilës këto dy studente shqiptare do të mund të hynin në Europë në mënyrë të ligjshme dhe miqësore, u mbyll për to. Kjo portë e Europës, për studentët e universiteteve tona dhe për çdo shqiptar tjetër, do të ishte dashur të hapej 18 vjet më parë, në kohën kur Shqipëria doli nga vetizolimi gjysmëshekullor dhe nisi procesin e transformimit të saj demokratik, pra pikërisht vitin që Ledia, Erilinda dhe bashkëmoshatarët e tyre u lindën. Kërkesat për vizë Schengen që këto dy studente të drejtësisë të vizitonin (në mënyrë të organizuar dhe nën drejtimin e pedagogëve të tyre) disa nga institucionet e BE-së ishin të parat trokitje të tyre në një portë që për to, natyrshëm duhej të ishte sot e hapur, apo të hapej miqësisht, duke i përshëndetur këto vajza të reja dhe shokët e tyre studentë me një accueil chaleureux. Ajo që ndodhi, në fakt, ishte një përplasje e portës së Europës në fytyrat e paqta, të sinqerta dhe të qeshura të këtyre studenteve të shkëlqyera pikërisht nga ajo Europë, pas shëmbëlltyrës të së cilës prindërit e tyre, 18 vjet më parë, ëndërronin të bëhej edhe Shqipëria. Karta e Bolonjës, në të cilën aderon edhe vendi ynë, më vjen instinktivisht ndër mend. Ajo e vë theksin, ndër të tjera, në mobilitetin e studentëve dhe të stafeve akademikë të vendeve anëtare kudo në Europë. Duke parë habinë dhe dëshpërimin në fytyrat e Ledias dhe të Erilindës atë ditë, pasi morën lajmin e refuzimit të vizave nga kjo konsullatë, nuk mund veçse të dëshpërohesha edhe unë bashkë me to. Refuzimi i vizës pa asnjë shpjegim (përpos fjalëve “I may be wrong”), ishte një fyerje e rëndë dhe krejtësisht e pamerituar për këto dy studente dhe për çdo student tjetër shqiptar që ndjek rregullisht studimet në cilindo prej universiteteve tona. Në kontaktin e saj të parë me këta studentë të shkëlqyer shqiptarë, Europa, përmes konsullatës së një prej shteteve anëtare të saj, demonstroi jo miqësi dhe mikpritje, por një qëndrim jomiqësor, sektar dhe injorues ndaj tyre. Ajo tregoi, kush e di për të satën herë, se nuk është e hapur për një vend, një popull dhe një rini që, në fund të fundit, janë europianë dhe që kaq shumë kanë ëndërruar, dëshiruar dhe punuar për t’u kthyer sërish në familjen e përbashkët europiane. Në vend që këtyre studentëve shqiptarë Europa t’u hapë portën, madje t’i përgëzojë dhe inkurajojë që me kursimet e tyre modeste dhe të familjeve të tyre ata zgjedhin të vizitojnë institucionet e BE-së dhe të mësojnë për to, të cilat nesër do të jenë institucionet e tyre, kjo Europë sektare u refuzoi atyre hyrjen qysh në trokitjen e parë në portën e saj. Po aq të zhgënjyer dhe të dëshpëruar sa Ledia dhe Erilinda prej trajtimit shpërfillës dhe fyes që u bëri kjo konsullatë, ishin dhe vazhdojnë të jenë edhe studentët e tjerë, të cilët në mënyrë të pajustifikuar u trajtuan njëlloj si ato. Po kaq të dëshpëruar sa ata ishin atë ditë (dhe janë edhe sot) të gjithë studentët e UET-it që morën pjesë në atë udhëtim mësimor. Çdo njëri apo çdo njëra prej tyre mundet eventualisht të kish qenë Ledia apo Erilinda. Çdo njërit prej tyre kjo mund t’i ndodhë një muaj më pas, apo një vit më vonë. Dhe pastaj themi se po shkojmë në Europë, se regjimi i vizave po liberalizohet, në një kohë kur Europa vazhdon të mbajë ngritur murin e saj ndarës, jo më atë të Berlinit, por Murin Schengen, kur ajo vazhdon t’i mbajë të mbyllura portat e saj për rininë shqiptare, madje për më të mirën, më të mençurën, më të edukuarën, më europianen pjesë të saj: studentët e universiteteve tona. Në mbrëmjen e datës 24 maj 2009, pikërisht atë ditë që grupi i studentëve të UET-it sapo ishte nisur për udhëtimin e tij në Europë, një zë i ëmbël, i paqtë dhe miqësor u uroi në telefon të gjithë pjesëmarrësve në atë ekskursion mësimor “Udhë të mbarë!”. Ishte zëri i studentes Ledia Meta, e cila i telefononte nga Tirana pedagogut të saj, autor i këtyre radhëve, duke treguar me këtë gjest një moral shumë më të lartë se ai i një teknokrati europian të punësuar në konsullatën e njërit prej vendeve të BE-së në Tiranë. Ky teknokrat e ndau Ledian nga shokët e saj studentë dhe vrau tek ajo, të paktën përkohësisht, ëndrrën e saj të parë europiane. Edhe pse Ledia vetë u pengua padrejtësisht të vizitonte për herë të parë institucionet e BE-së, ajo u uroi shokëve të saj studentë “Udhë të mbarë” në Europë.

*Sociolog dhe diplomat, Universiteti Europian i Tiranës

Panorama