E shtune, 20.04.2024, 02:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Fëmijëria ime

E merkure, 10.06.2009, 07:21 PM


Fëmijëria ime

Nga Luan Çipi

Sipas shënimit të nënës sime, me dorën e sajë, në kapakun e sepetit të nusërisë, unë kam lindur në datën 14 Korrik të vitit 1934, në orët e para të mëngjesit të një dite të mërkurë. Lindja u bë në shtëpi lehtazi dhe pa komplikacione, me asistencën e një mamie me përvojë.
             Atëherë ne, familjarisht, banonim në një shtëpi me qira, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës, në dy dhoma e një kuzhinë të katit të dytë të një ndërtese të madhe katër katshe, në rrugën “Tomson”. Në katin e parë të po kësaj ndërtese ishte “Axhensia e Autoveturave të linjës Vlorë-Gjirokastër” dhe një magazi mallrash. Axhensia si dhe një shesh i madh para shtëpisë, që përdoresh si parking automjetesh, administrohej nga babai ynë. Aty afër, në krah të Parkingut ishte “Grand Hotel Korça”, që administrohej nga xhaxhai ynë, Ilmi Çipi, më tej ishte një distributor benzine, që administrohej nga Servet Sharra, djali i hallës së madhe,  për karshi magazinat edhe shtëpia e gjirokastritit Resul Reso (Hoxha) e pak më tej farmacia e Fadil Kotonit. Dukej që ajo zonë ishte si e pushtuar nga gjirokastritët dhe në gjuhë, zakone e rregull, të ishte si një Gjirokastër e vogël. Komshinj të tjerë, për rreth, kishim Vangjel e Kiço Dhimitrin, Viron, Pavllo e Aliqi Azdurjanin, Sulejman  e  Makbule Çukun ( fëmijët e Sali Dibrës ), Safet Demirin dhe vajzat e Koço Takos. Aty ndenjtëm katër vjet. Për këtë periudhë kam vizion të turbullt, por komshinjtë e atyshëm, të rinjohur në vitet e mëvonshme, veçanërisht Sulua, Kiçua, Pavllua, Aliqi dhe Bulja më duket se, për këtë shkak, mu bënë më të dashur dhe të paharruar, për gjithë jetën.

                Në vitin 1937 shpërngulemi, familjarisht dhe banojmë në shtëpinë tonë të re, të sapo ndërtuar, në rrugën Vlorë Skelë, afër detit. Ajo ishte një vilë e vërtetë komode. E ndërtuar me gurrë të gdhendur nga usta Nuredini, ndërtues dibran në zë për kohën. Kishte 2 kate dhe tetë ndarje të brendshme. Ne banonim në katin e dytë, me dhoma të bollshme, me dysheme drase të zgjedhur dhe me korridore e banja të shtruara me pllaka dhe të kompletuara me pajisje hidrosanitare, të ardhura nga Italia. Në katin e parë kishte depozita uji (“stera” tip Gjirokastre), kuzhina dhe depo të mëdha mallrash dhe bereqeti. Çatia ishte gjysmë soletë dhe pjesa tjetër me tjegulla Marsejeze dhe sisteme tubacionesh, për grumbullimin e ujit të shiut. Për rreth shtëpisë kishim stallë për lopë e kuaj, garazh automjetesh, depo dhe pus uji me e instalim pompash. Uji gjendej afër sipërfaqes dhe ishte i ftohtë dhe i pijshëm. Më tej shtrihej një sipërfaqe e gjerë toke, që mbillej me zarzavate, drithëra e haslla. Ne shtriheshim deri ne “Kume” e “Çole”. Kufi me pronën tonë, përfund Çairit të madh, kalonte një rrugë e ngushtë hekurudhore, ku, një dekovil  transportonte për në Port, kripë, të sjellë nga Kriporja e Nartës
              Aty ndenjtëm, pak më shumë se dy vjet. Prej asaj kohe e kam njohjen dhe shoqërinë e pa ndërprerë, për gjithë jetën, me tre nga shokët e mi më të mirë: Harilla Papajorgjin, Minella Kostandinin dhe Llambi Konën.
                Në prillin e vitit 1939 Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste. Ata shumë shpejt, për karshi shtëpisë sonë, matanë rrugës Vlorë-Skelë, ndërtuan kazerma dhe vendosën forca të shumta ushtarake. Pas një viti, duke e përfshirë në zonë ushtarake, na detyruan t’ua lëshonim shtëpinë me qira dhe ata e bënë atë Ambulancë Ushtarake.

Deri ne vitin 1941, në kohën kur babai ynë po ndërtonte një shtëpi të re në lagjen Muradie Vlorë, ne banuam në lagjen Karabash, në shtëpinë e vjetër të inxhinierit gjirokastrit të punëve botore të Bashkisë së Vlorës, Daut Koqemeli. Më kujtohen nga kjo kohë të dy djemtë shumë studios e të zgjuar të tij, sidomos, Skënderi, që gjithë ditën e kalonin duke lexuar libra, si dhe motra e tyre e vogël, Fatmira. Inxhinieri plak, që bariste me një bastun të bukur në dorë, ishte njeri shumë i dashur dhe gazmor dhe mua, për shaka me thërriste Lejmon, më përkëdhelte me dashuri dhe më sillte “zariko”, siç thoshte ai për ca lloj karamelesh të vogla që bënin “gegët” me sheqer dhe i shisnin duke shëtitur rrugëve, me tabakatë e tyre të rrumbullakëta ndër duar. Veç sheqerkave ata tregtonin dhe mollë, të lyera me sheqer të djegur, dhe forma të tjera gjithfarëshe me sheqer të karamelizuar si zogj, kaposhë e shkopinje. Ne kënaqeshim, se ëmbëlsoheshim me to, duke i lëpirë gjithë ditën. Kish edhe shitës ambulantë të tjerë që tregtonin ujë, bozë, salep, qiqra, kikirikë, gështenja, mana, manaferra, xinxife, cigare duke i ardhur rrotull rrugëve të kalldrëmta të qytetit me tabakatë, apo duke qëndruar, paksa më gjatë, me tezga e karro të posaçme, në qoshkat  dhe udhëkryqet dhe duke i ndjellur myshterinjtë me britmat e tyre: “Erdhi gega me amëlsina”, ”Salep i ngroftë, salep i ftoftë, urdhnoni myshterinj” Tregtarë ambulantë kishte dhe me karro me kuaj dhe direkt me kuaj e gomarë, si ata që shisnin dru zjarri e kucka, kryesisht kalinjotë, apo çertexhinjë me gjithfarë vogëlimash e basmash. Por tregtia më madhe bëhej në rrugën kryesore të qytetit në tregtoret grosiste, cikrimtarët, matrapazët dhe kafenetë e pijetoret,  që ishin vendosur në të dy krahët e rrugës nga Xhamia e Madhe, afër Bashkisë e deri te Prefektura. Prapa kësaj Xhamie e deri në Llonxhë, përfund mureve të “Kalasë” bëhej tregtimi i gjësë së gjallë, ardhur nga fshatrat për rreth. Frutat dhe zarzavatet shiteshin te Merkatua e Sahatit, në qendër të qytetit. Në qytet kishte dhe disa furra buke, punishte dhe fabrika vaji, hotele dhe restorante, bulmetore si dhe dhjetëra dyqane artizanësh si rrobaqepës, marangozë, teneqepunues e kallajxhi, farmaci e librari, këpucarë, opingarë e ballomatarë.
               Qyteti Vlorës, i vendosur si në një gropë, në pllajën përfund kodrave të “Koçiut”, ”Mesovunit”, ”Budakut” dhe “Kuzbabasë” nga njëra anë dhe detit, nga ana tjetër, duke qenë pa sisteme kanalizimesh dhe derdhje shtytëse ujërash, që me rënien e shirave të parë, inondohej dhe gjithë pjesa jugore e perëndimore e qytetit kthehej ne një liqen të madh e të pafund të lidhur me kënetën e Nartës dhe me detin. Këto pellgje ujërash, jo vetëm kufizonin shtrirjen dhe zgjerimin e qytetit ne zonën më të përshtatshme fushore bregdetare, por ishin burim mushkonjash malarike. Ishte kjo zonë vend gjuetie për rosat dhe patat e egra, që atëherë ishin me shumicë, në disa muaj të vitit. Disa lejlekë, këmbëgjatë, na tërhiqnin vëmendjen dhe fantazinë tonë fëmijnore, kur vinin, çdo vit, në të njëjtat fole, majë pemëve më të larta, ushqenin të vegjlit e tyre dhe kërcisnin, hera herës, me zhurmë, sqepin tyre të verdhë e tejet të gjatë.
             “Sheshi Flamurit”, “Lulebahçeja” me “Monumentin e Ushtarit të panjohur”, si dhe Shtëpia e Beut dhe Pallati i gurtë i Sharrajve, Merkatua me Sahatin, Godina e Prefekturës, e Bashkisë, e Bankës, katër Xhami dhe dy Kisha Ortodokse e mje Katolike si dhe një duzinë godinash komode, të ngritura vitet e fundit, janë mbresat e mija për këtë periudhë kohe.
                      Edhe në ato pak muaj që ne banonim në lagjen Karabash babai ynë vazhdonte të administronte Axhensinë e Automjeteve, me qendër ne lagjen Muradie Vlorë dhe degët e saj ne Gjirokastër dhe Fier. Ishte kjo periudha kur aktiviteti tregtar u zgjerua, u shtuan automjete të tonazhit të madh, për transport mallrash dhe një autobus, për transport pasagjerësh, duke krijuar shoqërinë tregtare PEGUÇI     

Ndërkohë qyteti i Vlorës, i militarizuar, qendër e flotës dhe e aviacionit ushtarak italian, u bë i pa sigurt. Me fillimin e luftës italo-greke edhe brenda në qytet filluan mitralimet e aviacionit anglez. Siç thuhej, brenda ushtrisë italiane vepronin informatorë anglez, të cilët, duket se njoftonin sa herë bëheshin gati dhe nisnin për fluturim, drejt frontit, avionët italian. Një vapor i madh italian me shenja të Kryqit të Kuq, “Spitaljera”, siç u tha, u qëllua, u godit dhe u fundos, po aty, në bregdetin e Vlorës. Thanë se me të udhëtonte dhe Eda, vajza e Duçes. Në qytet filloi shpejt dhe lëvizja antifashiste dhe njësitet guerilje ndërmorën atentatet e para. Kjo situate krijoi frikë, thashetheme dhe pasiguri. Qyteti nisi të boshatiset nga popullata. Shumë prej tyre u larguar në fshatrat për rreth, apo në qytetet e afërta, ndër miq e kushrinjë.

                     Ishte fillimi i vitit 1942 kur ne u shpërngulëm, familjarisht, nga Vlora dhe u vendosëm, pranë dajove, në qytetin e Fierit. Fillimisht banuam në lagjen Bishanak, Liri, siç u quajt më vonë, afër Shkollës së Mesme “Bab Dud Karbunara”, në një shtëpi tip Elbasani, siç kishte shumë në Fier, qytet, pothuajse i ri. Kjo ishte pronë e kosovarit Nebi Gjata dhe për rreth kishte shumë familje të tjera kosovare, siç ishte Jonuz Kosova me Fetiun dhe djemtë, të gjithë këta të larguar me  dhunë nga reprezaljet serbe dhe të ndihmuar e përkrahur deri materialisht nga mbreti Zog. Aty pranë ne kishim tre dajot e kamur: Ganiun, Qaniun dhe Fejziun me fëmijët e tyre dhe pak me tej familjen e tragjasiotit Hodo Muço. Të gjithë na pritën të gëzuar, duke treguar mirëkuptim e dashuri. 

Klasën e parë të shkollës fillore e nisa me dy muaj vonesë. Me ndihmën e nënës sime, mjaftë të interesuar e të kujdesshme, i arrita shpejt shokët, duke u vënë në ballë të tyre. Ndër shokët e klasës më kujtohen Behar Kasimati, Indrik Ikonomi, Nazire Dizdari, dhe kushrijtë e mi Astrit dhe Hazbije Peshkëpia. Astriti, djali i dajko Fejziut ishte, njëkohësisht, shoku im më i afërt dhe më i dashur. Me të nuk ndaheshim, jo vetëm në të njëjtën bankë brenda klasës, por dhe jashtë shkolle duke mësuar apo duke luajtur, në shëtitje në fushat e pafundme, për rreth, apo maj pemëve të shumta të baçes së madhe, duke shkundur kumbulla, arra, ftonjë e dardha, apo duke vjelë lajthi e zarzavate gjithfarëshe. Një kënaqësi të veçantë na jepte loja “kukufshehtazi”, kur futeshim në bimsat e pafundme të shtëpisë së dajallarëve. Preokupime të tjera ishin loja me dragaçe apo me cingla e deri kaladibrançja. Në shkollë më kujtohet mësuesi mjaftë rigoroz, por i moshuar, Izet Vasjari, me rigën prej druri, që i skuqte duart nxënësve mëkatarë, si dhe mësuese Emireja, edhe kjo mjafte kërkuese dhe që si “qeshte buza” kurrë. Ishin shumë ekzigjent dhe të rreptë mësuesit e Fierit dhe siç ishte në modë dhe kriter i përgjithshëm, të dhunshëm: godisnin me rigë e deri me pëllëmbë, të shkulnin veshët dhe të linin pranë drasës së zezë të rrije gjatë me një këmbë mbledhur, ose të mbyllnin në klasë disa orë, pas shkolle. Është e kuptueshme këto ishin masa disiplinore “edukative” dhe merreshin ndaj fajtorëve, apo nxënësve të prapambetur, ndërsa mua nuk më kishte ndodhur ti provoja.
 
Afër shkollës sonë ishte dislokuar një repart ushtarak italian me topa fushor dhe me kuaj… Ne na grishnin shpesh ata dhe na afronin, na përkëdhelnin e na jepnin makarona e ushqime gjithfarësh si dhe verë me gavetat dhe gotat prej alumini, që pas kësaj i lanin te lekanet prej betoni, të ndërtuara pranë kazermave dhe pastaj i mbanin ato, të varura në brez. Më vonë italianët u zëvendësuan nga gjermanë, po ata as që na afronin dhe tepricat e bukës dhe ushqimeve i hidhnin, të shpërndara në ujin e pistë të hendeqeve të rrugës. Gjermanët, thuajse gjithë natën e ndriçonin territorin për rreth me prozhektorë drite të fuqishme. Isha prezent në një mbas dite kur, nga pjesa perëndimore e qiellit, erdhën dy avionë anglezë dhe mitraluan kazermat ushtarake. Më bëri përshtypje se, ndërsa ne dhe gjithë kalimtarët u shtrim barkas dhe zumë hendeqet ata, “gjermanët e liq”, nxorrën automatikët dhe ashtu, si ishin, më këmbë i qëllonin, deri sa avionët u larguan, për mos    t’ u kthyer më
                   Sa kishim mbëritur në qytetin e Fierit babai im nisi rikonstruksionin dhe ndërtimin e një shtëpie të vetën, në lagjen Liri, afër lumit Gjanica. Shtëpia e re me tulla dhe blloqe çimentoje dhe e mbuluar me tjegulla Marsejeze, u ndërtua shpejt dhe ne u strehuam në fillimin e vitit 1944, pa e përfunduar plotësisht atë. Në punimet e rifiniturës, pas kapitullimit të Ushtrisë Italiane, morrën pjesë dhe katër ish ushtarë italianë, të cilët u strehuan, u ruajtën dhe punuan bashkë me ne. Ata ishin mjeshtra politeknikë e deri piktorë që sajuan detaje dhe fragmente mozaike interesante. Po te ne banonte, i ardhur nga Gjirokastra dhe Dritori, djali i xha Hasanit, që vuante dhe rënkonte i sëmurë nga një gangrenë në gjurin e këmbës, e cila, pas disa operimeve dhe heqjen e gjithë këmbës, më von, i shkaktoj vdekjen. Periudha që ndenjëm në këtë shtëpi ishte mjaft e trazuar, kohë lufte. Vendin e pushtuesve italianë e zunë gjermanët dhe rezistenca e goditjet ndaj pushtuesve të rinj ishte më e organizuar dhe intensive. Filloi vëllavrasja dhe krismat e armëve, shpesh, gjëmonin deri brenda qytetit, ku vepronte banda e krimineli Isa Toska, i lidhur me komandën gjermane. Vëllai im Enveri, që vepronte si klandestin, doli në ilegalitet.
                 Unë, mbasditeve, ditëve të diela dhe në pushimet shkollore dilja në tregun fshatar të qytetit dhe shisja baketa cigaresh, zaharina dhe kikirikë. Babai im, emigrant amerike, na kish mësuar mos ta harxhonim kohën kot, por ta ndienim nga afër tërheqjen dhe magjinë e parasë. Në një nga këto ditë, në pranverën e vitit 1944, më kujtohet një ngjarje, që, çuditërisht, më la gjurmë dhe e ruaj të freskët: Ishte një ditë pazari, kur tregu fshatar ishte mbushur plotë me njerëz. Isha mbështetur, i ulur në një stol druri, me tezgën e mallrave para syve, kur dëgjoj tellallin të thosh “Ej, milet dëgjoni me kujdes!  Te ballkoni i katit të dytë do dali të flasë një ish partizan i Brigadës së parë. E quajnë Vllas Arapi, nga Vlora. E pash Vllas Arapin, të mbështetur te parmakët e ballkonit, në atë prag maji dhe e dëgjova të flas. Ishte një djalë i ri, me flokë gështenje të shtrira, shtat mesatar, veshur me rroba angleze: xhakavento e qillota. Ai me një zë të lart e tingëllues dha shpjegime për situatën politike të vendit tonë, duke qortuar komunizmin shqiptar, ndërhyrjen dhe nënshtrimin te komunistet jugosllavë, tradhtinë dhe shitjen e shqiptareve te Rusia. Ai dënoj vëllavrasjen, amoralitetin, si dhe ngjarjet e shkurtit në Tiranë. Të nesërmen u dëgjuan krisma armësh dhe bombash në rrugët e qytetit të Fierit. Thanë se Pehlivani, siç i thërrisnin Vllas Arapit, ishte ndeshur me trimëri dhe u kishte bërë ballë kriminelëve të bandës famëkeqe të Isa Toskës, në përgjigje të tentativës së tyre për ta ofenduar dhe poshtëruar dhe pas kësaj, ishte larguar i futur në një autoblindë gjermane.
               Për t’u larguar përfundimisht nga Vllas Arapi, kujtimi i te cilit me ka interesuar, më së shumti, nga qe ai ishte djali tezes i shokut tim më të afërt të fëmijërisë, Harilla Papajorgjit, do të përshkruaj këtu, duke kapërcyer rrjedhshmërinë e ngjarjeve, ashtu siç ma ka paraqitur, 5 vjet pas vdekjes enigmatike të tij, një shoku im, bashkë ushtar, Fadil Toci. “Unë, më ka shpjeguar kapter Fadili, e di shumë mirë se si është vrarë vlonjaku Vllas Arapi. Jam nga nja fshat i Kavajës, afër Habilajve dhe e kam dëgjuar ngjarjen prej tyre. Rreth nesh, në krahinë, deri katër- pesë vjet përpara, ka vepruar ajo që u quajt “Banda e Ram Habilit”, me aktivitet antikomunist në gjithë Shqipërinë e  Mesme nga rrethet e Tiranës e deri në Kavajë, Peqin dhe Elbasan, duke u lidhur dhe me grupe të tjera antikomuniste si atë të Alush Leshanjakut, në Elbasan. Pikërisht në këtë grup atentator e luftarak të armatosur, deri në dhëmbë dhe te vendosur, deri në vdekje, ishte inkluduar tosku trim Vllas Arapi. Rama me djemtë e shumtë të tij dhe, sidomos, kur u bashkua me “Pehlivanin”, trim dhe gueriles me përvojë disa vjeçare, bënte gjëmën në gjithë atë zonë, ku kishte shumë simpatizantë, përkrahës, miq dhe të afërt, me veprimtari aktive antikomuniste, në pritje të shpejtë të aleateve anglo-amerikane Ata strehoheshin dhe lëviznin në një shtrirje të gjerë dhe ishin të pa kapshëm nga forcat e sigurimit të Komandës së Mbrojtjes së vendit. Në këto kushte u përdor dinakëria: Një agjent i forcave të mbrojtjes u inkludua në Çetën e Ram Habilit dhe fshehtazi, i vrau një nga djemtë e Ramës, duke hapur fjalë se atë e vrau “kauri” Kështu u mboll përçarja.” Ndofta ky është versioni më i pranueshëm, për vrasjen e Vllas Arapit.
                 
Për të ardhur normalisht te kronollogjija e jetës sime duhet të them se në pushimet verore mua më ka pëlqyer te largohem prej familjes dhe të shkoj te të afërmit e mi. Më së shumti kam shkuar e kam pushuar në Gjirokastër, te tezja, xhaxhallarët dhe halla e vogël. Shumë mbresëlënëse kanë qenë pushimet verore qershor-shtator 1944.
                  Tezja ime e vetme quhej, në të vërtetë, Myslyme, po, të gjithë, gjithë jetën i folën Çime. Edhe në Gjendjen Civile kështu ishte riregjistruar.  Ajo ishte e datëlindjes 1910. Tezja ishte e shkurtër dhe e shëndetshme, shumë e pastër dhe punëtore, aqsa asnjë herë nuk e gjeje të rinte pa bërë një punë të dobishme dhe fitim prurse, duke përfshirë qëndisjet me grep dhe gjilpërë, trikot dhe qepjet me makinë. Ajo ishte e dashur dhe mikpritëse.
                  Burri i tezes ishte Maliq Hajroja, nga lagia Pllakë e Gjirokastrës. Ai gjithë jetën punoi pranë Bashkisë së qytetit në punët  Botore Komunale, qysh nga koha kur Kryetar Bashkie ishte Bajo Topulli. Xha Maliqi, që ishte i datëlindjes 1900, mori pjesë në ndërtimin e ujsjellsave të Gjirokastrës dhe të shumë fshatrave dhe njihte, si asnjë tjetër gjithë rrjetin e ujsjellsave dhe kanalizimeve. Ai ishte një burrë i paraqitshëm, i gjatë dhe i drejtë, si qiri dhe mbahej me sqimë. Ai kish marë pjesë aktive në tre luftëra: në atë të vitit 1920, për çlirimin e Vlorës dhe hedhjen në det të okupatorëve italianë, në revulicionin demokratiko borgjez të vitit 1924 dhe në luftën Nacional Çlirimtare, si anëtar i Këshillit Nac.Çl. për qytetin. Sidomos kishte shumë për zëmër Luftën e Vlorës, për të cilën kishte shkruar dhe kujtime të posaçme.                
                  Tezja banonte në një shtëpi të madhe trekatëshe tipike gjirokastrite me sterë dhe muslluk, si dhe me musandara dhe mindere tradicionale dhe, natyrisht, me çati të mbuluar me pllaka gurri...Një dhomë e madhe, pati, kishte tavan shumë të bukur me kombinime  figurash interesante të gdhendura në dru. Shtëpia mbi 200 vjeçare ishte e ndarë midis trashgimtarve të shumtë dhe xha Maliqit i kishte rënë në pjesë një dhomë në katin e dytë. Dhoma e lart dhe e madhe në pjesën fundore ishte e ndarë dy pesëshe në lartësi, duke përfituar kështu një sipërfaqe, ku ishin vendosur dyshekë për fjetjen e miqve, që nuk mungonin të vinin shpesh, në këtë shtëpi bujare e mikpritëse, nga Vlora, Fieri e Tirana. Te kjo qoshk e ngrohtë kisha kënaqësinë të rija, gjatë dhe unë.
              Po aty, në lagjen Pllakë ishte rezidenca e hershme e dajove të mi. Pasi zbritje  e largoheshe nga Sheshi Çerçizit dhe bëje 500 metro rrugë kryesore automobilistike, ngjiteshe në Pashallarë, një rrugicë e  pjerrët me kalldrëm e çakëll dhe pikërisht, në krye të sajë, sa merrje kthesën, më të majtë ishte pirgu i shtëpive të Peshkëpinjotëve, dajove të mi, shumica të shpërngulur prej dhjetëra vjetësh për në Fier. Tani aty, në njërën prej shtëpive banonte kushëriri ynë, Vesim Peshkepia, 3-4 vjeç më i madh se unë. Nga dritaret e shtëpisë së tij poshtë shikoje rrugën kryesore, me tej një prua dhe pas tij lagjen Hazmurat, ku ishte dhe Spitali i qytetit. Në thellësi të horizontit, në të djathtë dalloje lumin Drinos dhe urën e madhe dhe para, Gërhotin. Mua më takoj të isha aty, kur, pikërisht nga Kazermat e Ushtrisë Italiane në Gërhot u godit me bateri artilerie dhe u mitralua Gjirokastra, e ndriçuar nga prozhektorë të fuqishëm. Unë dhe Vesimi, kushëriri im, shihnim njerëz të plagosur e të vrarë dhe në rrezik e sipër jemi larguar dhe strehuar në trinçenë e Shtëpisë së Madhe te dajove Pas kësaj filloi evakuimi i popullatës dhe ne, për disa ditë kaluam në thellësi, në lagjen Dunavat. Ishte periudha e gramëve të fundit të Ushtrisë Italiane, kur ajo kapitulloj dhe Gërhoti, pas një lufte dhe masakre të vërtetë, iu dorëzua forcave partizane. Ishte pikërisht koha kur, sic u tha, ndodhi pabesia e madhe dhe në lufte me italianët u vranë 23 antifashistë nacionalistë me në krye komandantin e tyre trim, Hysni Lepenica.
                Mua më tërhoqi halla në Çifligun e vetë në fshatin Mashkullorë. Halla ime, Sanua, ishte martuar me Bastri Çiçon, vëllain e çpiksit Dino Çiços, të famshëm për dervidaimin, që krijoi me aq mundim, por që nuk e bëri dot të vetlëvizte, as me ndihmën e Bismarkut të Gjermanisë. Unë ndodha në Mashkullorë, kur forcat e armatosura gjermane pushtuan Shqipërinë. Partizanët i pritën me luftë, pikërisht në afërsi të Mashkullorës, në vendin e quajtur Manastiri Cepos. Djali i hallës, Qemali, që ish partizan i brigadës së gjashtë, na porositi që ta braktisnim vendbanimin nga rreziku i reprezaljeve të nazistëve, sipas përvojës së ndodhur në fshatin Borovë. Ne shkuam, fillimisht, në Prongji dhe pastaj me pak plaçka, kryesisht ushqime, të ngarkuar mbi kuaj, iu ngjitëm malit përpjetë, në Kardhiq, në Ujë të Dhive e në Skotini. Nga lart dukej lufta dhe rezistenca e shkurtër e partizanëve, kryesisht, për ti dhënë kohë evakuimit të popullatës. Ne shihnim nga lart kur gjermanët, me forca krejtësisht të motorizuara, ishte e pa mundur të ndaleshin, dhe digjnin me flakëhedhëse shtëpitë e fshatit Plesat dhe Manastirin e Cepos, ndërsa blegtorët, të zënë në befasi, largonin të shqetësuar, bagëtitë e çoroditura.
               Vite më vonë këtë ngjarje e kam përjetuar kështu:    
                                    
Dhëntë e dhitë blegërima
tutje, tëhu: be,be,be.
Më pas dëgjohen ca krisma:
Pamë e pume tëhe, t’he.

Pushkë, mitrolozë e murtaja:
Tiu, tiu, tëër e bumb.
Ne ngjiteshim lart, në maja.
Mos na zinte ndonjë plumb.

Manastiri i Cepos digjej.
Në Mashkullor e Prongji
Gjermani!. Ai s’tërhiqej:
Zjarr e flakë në çdo shtëpi.

Po, pse vriten kafshë e njerëz,
kisha, fshatra, bëhen hi?
Ç’gjynahe ka bërë ky brez
Ç’kërkon Nemcja në Shqipëri?

                                                                  
                Kur u ktheva pranë familjes, në Fier nuk gjeta njeri. Lufta ishte ndjerë dhe këtu. Njerëzit e mi ishin paqësor dhe kishin ikur më tej, ishin futur më thellë, larg krismave të pushkëve, në Çifligun e Alibejasit, në thellësi të fushës së madhe të Myzeqesë, pronë e Hoxhatve, kushrijve të babait tim. E zonja e shtëpisë, kushërira ime Ablla Shefkua, burri i saj Sherifi dhe djemtë e çupat e tyre, bashkëmoshatarë me mua, si dhe njerëzit e familjes sime, më pritën me mall e dashuri, duke më uruar që kisha shpëtuar paq nga peripecitë e luftës. Jeta në fshat, midis bagëtive të shumta e të shumëllojta, qenve e maceve, pulave, rosave, patave e gjelave të detit, të bimësisë së kultivuar dhe pyllit të dendur e të pa fund, si dhe buzë lumit Seman, të gjerë e ujë shumë, më krijonin një gëzim e kënaqësi të pa ndjerë ndonjëherë. Tataj, siç i thërrisnim ne Sherif Hoxhës, pronarit të çifligut, rendte gjithë ditës maj kalit dori, lara, lara, që deri ngrihej e ulej në gjunjë, sipas urdhrit të të zot. Sherifi, kryeagaj i fshatit, mbante me vete një automatik në krah dhe një revolver ne brez dhe shëtiste ndër bujqit, që ishin duke punuar, sipas vendeve  dhe detyrave të caktuara, i kontrollonte dhe u jepte udhëzime e detyra të reja. Në dispozicion, kryesisht, të punëve të mekanikës bujqësore dhe të ndërtimit në Fermë punonin dhe 5-6 italianë, ish pjesëtarë të ushtrisë italiane të kapitulluar.     
              Ndërkohë lufta ishte drejt fundit dhe ne, familjarisht, u kthyem, fillimisht në Fier dhe më pas, në Vlorë.
      
              Rikthimi në shtëpinë tonë të Skelës, në Vlorë, në fundin e vitit 1944, u bë, duke kaluar me trap lumin Vjosë në afërsi të ish Urës së Mifolit. Disa këmbë të urës ishin minuar dhe hedhur në erë nga ushtria gjermane në ikje. Edhe shtëpia jonë ishte mjaft e dëmtuar, por u restaurua më së miri edhe me ndihmën e ish ushtarëve italianë, që i morëm me vete, si të ishin pjesëtarë të familjes sonë. Pas kësaj ata nisën të ndihmonin në punët bujqësore, në sipërfaqen e madhe që dispononim për rreth shtëpisë. Midis italianëve nuk do më harrohet, më i riu prej tyre, që quhej Gorri Otelo. Ai ishte, njëkohësisht, më i dashuri dhe që tregonte interes e ishte ngarkuar të merrej më shumë me mua. Kur pas gati dy vjetësh e përcolla për në atdhe u përlotëm të dy dhe unë ndjeva dhembjen e ndarjes si të një vëllai të madh. Ne me shokët e vjetër, të rigjetur në Skelë, me Harilla Papajorgjin, LLambi Konën, Minella Kostandinin, Guri Sejdinin, Sezai Hoxhën, Ferik Muhametin, etj. luanim çdo ditë me topa lecke, të mbushur me qime kali. Gorri çuditej dhe i vinte keq për varfërinë tonë, ndaj, kur të kthehej në Firence, nga thoshte se ishte, premtoi se do më dërgonte topa të vërtetë futbolli, volejbolli dhe tenisi. Unë për këtë besoja, si një fëmijë dhe prita me muaj e vite, duke i mbajtur me shpresë dhe të gjithë shokët e mi.
              Në vitin 1945 erdhën për të banuar te ne, në pjesën e mbrapme të shtëpisë dhe në hauret tona, dy familje çame. Me këto familje, thuhej se, kishim miqësi të vjetër. Ishin ish banorë të rajonit të Gumenicës. Familja me më shumë pjesëtarë ishte ajo e Bido Hamitit, nga fshati i Arvenicës. Xha Bidua, një burrë plak e trup madh, me qylaf të gjatë labi në kokë, kish dy gra, singra, katër djem: Mustafain, Abdulin, Hamitin dhe Nustretin dhe dy vajza, të gjithë të rritur. Familja tjetër drejtohej nga Mamo Habibi dhe ishte nga Skopjona. Kishte dy djem: Shefqetin dhe Gazaliun. Ata, që të gjithë ishin njerëz shumë të mirë, punëtorë dhe të ndershëm. Të dy familjet kishin lënë pasuri të shumta në Greqi, që i kujtonin me mall e nostalgji. Ata e flisnin në mënyrë të theksuar dialektin çam, aq sa unë, i shkrirë me ta, shumë shpejt as që dallohesha në të folmen çamçe. Ishte kjo e vërtetë që më vendosi edhe në një pozicion aktoresk, kur në Orën Gazmore të Radios se Qytetit bashkë me Qirjako Savën, qe me von u be aktor profesionist, interpretonim role unë si çam dhe ai si gegë.

                  Klasën a katërt e kryejta në Shkollën Fillore të lagjes Skelë me drejtor Ymer Luçin, nga Kuçi i Vlorës dhe mësuese kujdestare Marika Bezhanin. Shkolla ishte improvizuar në katin e dytë të një godinë, afër Portit Detar. Atje, pasi rreshtoheshim me klasa në një shesh të gjerë para shkolle, ngjiteshim me shkallë jashtë godine, nga të dy krahët. Këto shkallë formonin, në katin e parë, porta të mëdha me qemer. Në klasën tonë u rimblodhën shokët e vjetër dhe takimi me ta ishte një gëzim i madh, thuajse, rinjohje. Secili tregonte mbresa dhe ndodhi të vendeve ku ishin strehuar, për të evituar pasojat e luftës.
              Klasën e pestë të fillores e nisëm në shkollën e re, të sapo inauguruar. Ishte një godinë e bollshme, me klasa dhe orendi të përshtatshme dhe me një kënd sportive, para saj. Mësues kujdestar kishim Zenel Dervishin, nga Tragjazi i Vlorës, të cilin e kujtoj me respekt dhe dashuri, për bagazhin metodik dhe kulturor që dispononte, elokuencën dhe gjerësinë e paraqitjes dhe kontrollit të dijenive si dhe për aktivizimin e diferencuar të   nxënësve, brenda dhe jashtë klase. Nga ai kam dëgjuar së pari për Bet’hovenin dhe Xhuzepe Verdin. Ai këndonte bukur, i binte mandolinës dhe tregonte aftësi regjisoriale. Mua më aktivizoi dhe më vendosi në ballë të të gjitha aktiviteteve të shumta artistike, kulturore e sportive. Atje luajta, se pari, rolin kryesor në një dramë patriotike që titullohej “Karemani dhe Lulja”, ku unë kisha rolin e Karemanit dhe Bubulina Tol Arapi rolin e Lules, dy veprimtarë dhe heronjë të luftës për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke. Në bankë rrija, sërish me Harillën dhe qëndronim, të pandarë me Minon dhe Llambin. Shokë të tjerë te afërt ishin Irfan Habilaj, që e kisha dhe afër shtëpisë, Xhemal Sinanin, nga Brataj, ( Babai i piktorit te shquar Agim Sulaj), që strehohej në Teqen e Kuzbabasë, Bubulina Arapin, Antigoni Rexhepin, Areti Taton dhe Kanerina Sharrën, kushërirën time, Guri Sejdinin, Mete Sinanin, Neim Numanin, Vllasi Baben, Sherif Thanasin, nga Tragjazi, Ferik Muhametin, etj.
                Në vitin 1945, në baçen e Shtëpisë në Skelë, duke bërë pastrimin e stallës së lopëve, duke qenë zbathur dhe me pantallona të shkurtra, në momentin që do godisja me shat për të ndarë plehrishtet e përziera me bar, mendova se tehu i shatës do binte mbi llumin e ujshëm të plehut që do me ndotët dhe spërkaste të tërin. Për të evituar pisllëkun e lash bishtin e shatit dhe vrullshëm, ashtu i lehtë dhe i shpejtë, siç isha, pa menduar më tej, u hodha mbi një tufë bari të njomë, aty pranë. Por, fshehur në barin e njomë të harlisur, ishte, për dreq, maja e mprehte e një shisheje të thyer, që, sikur ishte hedhur, pa kujdes, për të më prerë thellë, deri ne kockë, pulpën e këmbës së djathtë, duke më hapur një plagë aq të thellë, sa u desh disa muaj të mbyllej dhe që me ka lënë një shenjë të dukshme, për gjithë jetën.
              Shkollën Fillore, që asokohe ishte me pesë klasë, e përfundova në lagjen Skelë të Vlorës në muajin korrik 1945, me mesataren maksimale dhe i mbushur me fletë lavdërimi e fletë nderi për përparimin në mësime dhe pjesmarjen e dalluar në veprimtaritë artistike, kulturore e sportive jashtëshkollore.
              Pushimet verore ne i kalonim këndshëm, në bregdet dhe në lagjen Kume, ku banonte Sezai Hoxha, që kishte një baçe të madhe me pemë dhe mana të mëdhenjë e të shijshëm, si dhe Minella Kostandini, Harilla Papajorgji, Llambi Kona dhe shumë shokë të tjerë me të cilët notonim ose loznim me top lecke. Rrugës, për ti rënë shkurt, duhet të kalonim kanalin e gjerë të ujërave të zeza, gjë që, rregullisht e bënim nëpërmjet “Urës së Taq Kuqit”, por shpesh, tentonim ta hidhnim me vrull dhe ndonjëherë nuk arrinim ta kapërcenim po, pasi latërzhyheshim keqas, shkonim e shpëlaheshim në detin e kaltërt, mikun tonë më të dashur.
            Aty, në detin e magjishëm dhe në rërën, buzë tij, në komandë vihej Minella Kostandini. Minoja ishte djali i xha Vangjelit, emigrantit plak të riatdhesuar, që nuk kish lënë minierë franceze pa punuar, por që e kish pasion dhe shenjtor detin çudibërës, ndaj i kish lënë mademet me metalet e rrallë atje, ku ishin, në thellësitë e tokës së frankve, duke mos u tërhequr as prej tyre, as prej amazonave parisianë, për të cilat tregonte ngjarje interesante dhe, kish ardhur këtu, buzë detit Adriatik, te gjiri i Vlorës,” më i bukuri në botë”, siç thosh ai, dhe nuk i ndahej ditë e natë detit të tij jetëdhënës. Minella, djali me i vogël i tij kishte trashëguar pasionin e babait të vetë dhe e tërhiqte mrekullia e detit. Këtë ndikim e transmetonte edhe te ne, shokët dhe shoqet e tij, duke na mësuar me entuziazëm, çdo të mirë të trashëguar. Mua më kanë frymëzuar vazhdimisht këto kujtime të bukura fëmijnore, kur, të shkujdesur dhe pa asnjë preokupim loznim, këndonim e kërcenim, notonim, apo peshkonim. Me ato ndjesi pranë kam lëvizur kudo dhe kurdoherë, duke qenë të pa ndara, nga qenia, veprimtaria, jeta dhe ndërgjegjja ime.

I pari hidhej Minella,
Që dallohej nga kapela.
Ja kish qepur Vitoria
Me dok, ardhur nga Rusia.

Orientimi: Drejtë te moli
Sot, perfeksionohet kroli.
Kokën mbani pak të zhytur
Plasi krahët, këmbët ngjitur!

Merr frymë thellë, ujin e nxirrni,
Trupin lëre lirë, të shkasë
Mendo: Si rrëshqet delfini.
Mos të ngelet asnjë pas!

Edhe peshk, sot, do të zihet
Me pezevoll dhe me grep.
Shiko qefullin, si hidhet?
Lum si ne, që kemi det!

                                                                    
            Në shtatorin e vitit 1945 nisa klasën e parë të “Unikes” në Shkollën e Mesme Tregtare të Vlorës. Kjo shkollë me tradita të lashta e të lavdishme, sidomos si qendër  e të rinjve revulicionarë, shumë prej të cilëve u bënë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të luftës antifashiste dhe dëshmorë e heronj legjendar, tani ish shpërngulur nga qendra e hershme, Uji Ftohtë dhe ishte vendosur, më së miri, në disa godina dy katëshe, që kishin qenë në dispozicion të ushtrisë dhe të hipodromit të qytetit  Ajo pozicionohej në krahun e majtë të rrugës Vlorë- Skelë, pasi kaloje varrezat ortodokse të qytetit, në një sipërfaqe të konsiderueshme toke, me mjedise sportive, klasa dhe salla të bollshme. Shkolla Tregtare e Vlorës ishte me tetë vjet. Tre vitet e para ishin ato që quheshin unike dhe pas përfundimit të tyre merrje semimaturën. Drejtor shkolle u caktua Harilla Kuçuli, një bregas simpatik e patriot, me aftësi të shquara pedagogjike dhe administrative. Gjuhën shqipe dhe letërsinë e jepte nartjoti pasionant, studjusi i thelluar i gramatikës shqipe, Jorgo Ceko; mësues matematike kishim fterjotin Xhevdet Kofina, metodist i mirë dhe filozof popullor; në frëngjisht ishin Jorgo Pilika dhe Jani Ziguri; në gjeografi shkodrani Kel Gashi dhe korçari Kostaq Balldadori; në biologji Marika Bezhani. Ishin tre paralele të klasave të para. Veç shokëve të vjetër na u shtuan dhe shumë shokë të rijnë dhe midis tyre Qirjako Sava, Minushe Lamaj, Apostol Dede, Faruk Mezini, Astrit Isaraj, Tajar Bonjaku, Engjëll Isaraj,Yzeir Nona, Aristidh Sopiqoti, Kudret Arapi, Luan Gorishti,Vasfi Duka, Fatos Cekodhima, Parashqevi Bitri, Leonora Gjika, Ana Papakosta, Petraq Doko, Nimet Muço, Zaim Hoxha, Ibrahim Zejno, Bukuroshe Shtino,Vojsava Minxalli, Namik Shakaj, Neim Numani, Feride Shakaj, Fejzie Haxhiu, Ferzilet Veizaj, Mirka Bezhani, Minella Konomi, Liri Mita, Afroviti Babe, Pëllumb Beleri, Xhevdet Xhuveli, Hysnie Hoxha, Milto Shuka, Miltjadh Shkurti, Enver Zeneli, Xhelo Ormëni, Xhemal Sulaj, Shaze Xhindi, Zije Xhindi, Hito Xhyheri, Skënder Dano, Mjaftina Mustafaj, Serie Tushi, etj.
               Në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit dhe unë u përfshiva aktivisht në veprimtaritë e shumta të sajë.
               Klasën e dytë dhe të tretë të Shkollës Unike, që tani u riformua dhe u shkëput nga Shkolla Tregtare, në kuadër të Shkollës Shtatëvjeçare, e kreva në Shkollën “Naim Frashri” Nr.2, në një godinë dy katëshe, me dysheme druri, afër Xhamisë se Pashait të lagjes Muradie. Drejtor kishim Kiço Ruçin. Përveç mësuesve të mëparshëm na u shtuan dhe shkodrani simpatik shumëprofilësh Tish Daija, shoqja e tij, bukuroshja Karmelina Gurakuqi, Gani Shehi dhe Shykri Zylja, po shkodranë, Remzi Shtylla,  nga Korça dhe Reiz Poshi, nga Gjirokastra. Semimaturën e mbarova në qershor të vitit 1949 dhe në dëftesë kisha vetëm notat maksimale.( të gjitha pesa).
                Ndërkohë ne, në fillimin e vitit 1947, familjarisht, u mbartmë në shtëpinë e Muradies. Shtëpinë e Skelës e mori në dorëzim Ushtria. Fillimisht e ribëri Ambulancë Ushtarake e më pas, u strehuan në të familje ushtarakësh, të ardhur nga fshatrat e Vlorës, Mallakastrës dhe Skraparit. Ajo, çuditërisht, strehoj 6 familje. Ne, në shtëpinë e Muradies. zumë plotësisht katin e dytë, duke banuar, të vetëm në 5 ndarjet e saj, por shpejt aty na detyruan të strehonim dhe familje të tjera nevojtare, duke na marë dy dhoma. Në ketë lagje të vjetër, fare afër shtëpisë ku kisha lindur, unë rigjeta shokët dhe shoqet e fëmijërisë së hershme, u integrova shpejtë midis tyre dhe, bashkë me ta, duke qenë në qendër të Vlorës, u aktivizova më intensivisht në jetën kulturore dhe sportive të qytetit…Në teatër  luajta në rolin kryesor në pjesën teatrale ruse “Biri i Regjimentit” si dhe në “Timuri dhe Skuadra e tij” të Arkadi Gaidarit, si dhe spiker, në dialektin çam te “Ora Gazmore”, që jepej me megafon, mbi Bankë, te Sheshi Flamurit.
               Kështu, duke qenë pjesmarës aktiv i Teatrit dhe Korit të Shtëpisë së Pionierit, organizuam disa çfaqie si në qytetin e Vlorës dhe në shumë fshatra të Himarës, Topalltisë, Myzeqesë, Selenicës e deri jashtë rrethit. Më kujtohen dy evenimente të spikatura:
           -Fshatarët, gëzonin, se thyenin monotoninë e punës së rëndë të përditshme, por rëndoheshin, sado pak me përballimin e ushqimit dhe të fjetjes sonë, sidomos, fshatrat e largët, kur detyroheshim të flinim atje dhe kur ne na shpërndanin në familjet e tyre, ku dy e ku tre pionierë. Diku na pritnin mirë. Kështu, në Palasë mua dhe Qirjako Savën, me të cilin nuk ndaheshim asnjëherë, na trajtuan shumë mirë, me ushqim, duke therur dhe një pulë dhe me fjetje të pastër e të ngrohtë.  Në Dhërmi me zi na nxorrën një kafshitë bukë, shoqëruar me një lugë sheqer, të hedhur në një gotë ujë. Plaku i shtëpisë kur na pyeti dhe mesoi se nga dhe të kujt ishim u ngrit i befasuar dhe i shqetësuar dhe porositi trajtim princëror. Kish takuar të qe mik i baballarëve tanë dhe kish dhënë e marrë në punë transporti e tregtie me ta. Ky duket se qe fati ynë, por gjithë të tjerët, siç na thanë, bukë dhe ujë me sheqer kishin ngrënë. Duket se këtij trajtimi në Dhërmi e Himarë i jepnin dhe ngjyrim politik. Kjo ishte manifestuar edhe në votimet e dhjetorit te vitit 1945 dhe ne ishim atje vetëm pak muaj më pas.               
             -Në një kthim me autobus të mbushur me pionierë, pjesëtarë të grupeve artistike të shkollave të qytetit, fëmijët, të entuziazmuar, këndonin, gëzonin  dhe brohorisnin, duke parë mbrijtjen, më së fundi, në Vlorën e tyre të bukur, disa duke nxjerrë dhe kokat jashtë dritareve të autobuzve, fare të shkujdesur. Kjo shkaktoi një tragjedi të rëndë, me vrasje e plagosje, gjë që na shqetësoi e na dëshpëroi pa masë, duke lënë gjurmë për gjithë jetën.
              Kjo veprimtari  artistike e kulturore për mua kish vlera të jashtëzakonshme, se veç zgjerimit të njohurive për muzikën, artin dramatik dhe sportin, me të cilin u morra kudo më pas,  na mësoi dhe edukoi me një jetë kolektive, duke na hequr nga veset e këqija dhe duke njohur shokë dhe miq të shumtë dhe cilësor. Aty në grupet e Shtëpisë së Pionierit unë u njoha më nga afër dhe u miqësova shumë me Niko Vangjelin (Gjyzari), një nga miqtë e mi më të mire, për gjithë jetën si dhe me Qirjako Savën dhe Agron Çuçin, shokë që ngelën, deri në fund ashtu siç ishim fëmijë, shumë të dashur, të talentuar, të virtytshëm dhe të pa vdekshëm. Atje u njoha dhe me mësuesin tim të muzikës, të pa harruarin Tish Daija, shkodranin- vlonjatin e madh, që më pas shkëlqeu me gjenialitein e tij si muzikant, dirigjent dhe kompozitor, anëtar i dy akademive: shqiptare dhe kosovare.
             Ndërkohë, vitet kalonin dhe ne po e kapërcenim fëmijërinë dhe po hynim në vështiresitë, bukuritë  dhe peripetitë e adoleshencës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora