E marte, 23.04.2024, 09:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Aforizma për aktualitetin e kohës

E merkure, 10.06.2009, 06:42 PM


AFORIZMA PËR AKTUALITETIN E KOHËS

Rrustem Binakaj “Fjalë të arts e të flakta”.- Botoi “Vatra”,- Prishtinë 2009

Nga Ali D. Jasiqi

Libri më i rinj i Rrustem Binakajt me titull “Fjalë të arta e të flakta” është përmbledhje fjalësh të urta, përkatësisht aforizmash, sosh, që me pak fjalë thonë shumë, shprehin një ide, një mendim apo edhe një frazë të plotë, që do të thotë se në vete përmbajnë përvojën jetësore të mishëruar në shprehjet artistike. Si të këtilla ato, në realitet janë "thënie a fjali e shkurtër e me fuqi shprehëse, që përmban një mendim të përgjithësuar, a një mësim të nxjerrë nga jeta". I bindur se “Në fjalë të urta ka mendime dhe ide të thuktë” Rrustem Binakaj përpiqet të sjelli sa më shumë shembuj që e dëshmojnë një konstatim të tillë. Duke e ndjekur rrugën e disa krijuesve të dalluar në kësaj lëmi, në mesin e të cilëve duhet veçuar Sami Frashrin me veprën e tij të njohur “Fjalë të urta”( e shkruar më parë turqisht e përkthyer në gjuhën shqipe), mandej aforizmat e Besim Bokshit, Zeki Bejtullahut e të ndonjë tjetri, Binakaj ka hartuar një libër që lexohet me endje, që të bënë për vete, që nga fjalia e parë, për të shijuar bukurinë, mendimin dhe porosinë e autorit nga njëra fjalë e urtë te tjetra, nga njëri aforizëm në tjetrin.
Në realitet kjo është përmbledhja e tij e tretë e kësaj natyre, në lëmin e krijimtarisë specifike, çfarë janë aforizmat, përkatësisht fjalët e urta, të këtij autori, që vjen pas botimit të përmbledhjes së parë me titull “Aforizma dhe urti” , botuar më 2007 dhe të dytës “ 555 aforizma dhe urti”, të botuar në vitin 2008. Në të gjitha këto vepra, Rrustem Binakaj është treguar i kujdesshëm, i matur dhe mbi të gjitha gjurmues i fjalëve, fjalive dhe mendimeve që shprehin ide, mendime dhe pikëpamje të nduarnduarta.
Të radhitura sipas alfabetit të gjuhës shqipe  aforizmat, përkatësisht fjalët e urta të këtij libri, janë nxjerr nga jeta dhe realiteti ynë, prandaj ato sa janë të ndryshme aq janë edhe të llojllojshme. Kjo flet se interesimi i autorit është mjaft i gjerë dhe i gjithëpërfshirës. Kështu, bie fjala, nën shkronjën e parë të alfabetit, pra nën shkronjën A,  autori Binakaj do të sjelli aforizma që flasin për atdheun, si: “Edhe nëse je larg atdheut, mendjen mbaje gjithmonë tek atdheu” ; për sakrificën që duhet ta jep njeriu për të mirën e vendlindjes, për të konstatuar se “Ai që vritet në luftë ngjallet në libra, në këngë dhe në kuvend”, sepse “Ai që i dhimbset popullit nuk vdes kurrë”.  Ose “Asnjë popull s’ka të holla të mjaftueshme për ta blerë lirinë”. Me një fjalë liria nuk mund të blihet me asgjë, pra nuk ka çmim liria e njeriut, liria e popullit, liria e kombit, përkatësisht liria e atdheu, por ajo fitohet me sakrifica, me gjakun e derdhur të dëshmorëve e të heronjve që kanë rënë në altarin e lirisë. Ata do të behën të pavdekshëm sepse “Gjaku që derdhet për liri nuk duron lot as vajtim”. Ndërkaq, në një aforizëm tjetër autori pohon se fëmijët e dëshmorëve dhe të rënëve nuk janë jetimë, edhe pse nuk kanë prindër, sepse ata janë bij të popullit dhe kanë shumë prindër, të cilët do të duhej që të kujdeseshin për rritjen dhe edukimin e tyre, që fëmijërinë ta kalojnë pa brenga, por në një jetë normale e të begatë dhe që në të njëjtën kohë të pajisen me dije dhe me kulturë të lartë. 
Në vazhdim të veprës rrahiten aforizmat, përkatësisht fjalët e urta, të ndara sipas objekteve siç janë: fjalët, forca, gabimet, gocat, gëzimi, gratë, lavdia, liria, lumturia, llafazanet, martesat, mençuria, miku, por edhe frika, sëmundja, tradhtia, tradhtari, e të tjera. Për këtë të fundit autori i përmbledhjes “Fjalë të arta e të flakta” konstaton se “Kishte pas thënë njëherë i pari: në vallen e okupatorit luan vetëm tradhtari”, mandej ato për trimërinë, politikën, poetin, për të cilin thuhet se “Poeti me vargjet e veta duhet ta ndriçojë anën e errësuar të zemrës së lexuesit “,  e kështu më radhë. Përmes tyre, Rrustem Binakaj, sjell mendimet e tij për të gjitha këto dukuri, duke  e shfrytëzuar herë-herë edhe urtinë popullore, begatinë dhe pasurinë e saj me këso shprehjesh. Kjo nuk do të thotë se ai nga goja e popullit i ka marrë “të gatshme” aforizmat. Krijimet popullore atij i shërbejnë vetëm si pikënisje për përsosjen dhe zbukurimin e fjalëve, përkatësisht të aforizmave, që të tingëllojnë shqip, kuptueshëm, rrjedhshëm, gjë që këtij qëllimi ia ka arritur artistikisht e me sukses.
Këto aforizma i karakterizon edhe një element tjetër. Fjala është për  angazhimin e  autorit që të formojë aforizma, sosh që flasin për aktualitetin e kohës, për sakrificat e njerëzve të këtij nënqielli përballë armikut shumë herë më të fortë. “Kush do të di se si fitohet liria lë të vijnë në Kosovë se ia dëftojnë varrezat”- do të shkruaj Rrustem Binakaj në aforizmin e tij për qëndresën e popullit shqiptar ndaj rrebeshit serb mbi banorët shqiptarë të pambrojtur, të cilët u bënë pre e shfrenimeve barbare serbe në luftën e fundit në Kosovë. Dhe në vazhdim do të pohojë se “Vendet e shenjta të lirisë dhe lavdisë për Kosovë janë Prekazi dhe Gllogjani”, këto dy lokalitete që hyn në historinë më të re të shqiptarëve si granite të pathyeshëm. Ai poashtu do të krijojë edhe aforizma për UÇK-ën, për djelmoshat sypatrembur që i dolën ballë për ballë armikut, si shprehet në këtë aforizëm: “Dëshmorët e UÇK-së hynë në jetën që s’ka vdekje”. Nis nga ky pohim  nuk është vështirë të nxjerrët konstatimi se të vdesësh për atdhe do të thotë të mbetesh i pavdekshëm përgjithmonë. Është kjo një dhunti e rrallë e njerëzve fisnikë, të atyre që janë të gatshëm të vdesin për të mirën e atdheut, që të vdesin për të jetuar të tjerët të lirë dhe pa brenga.
Të gjitha këto i bëjnë aforizma e veprës “Fjalë të arta e të flakta” të lexueshëm, i bëjnë tërheqës për lexuesit, i cili do të nxjerri nga ato shumë mendime, ide e besa edhe këshilla që duhet respektuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora