Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Andrea Nikaj: Një keqkuptim i z. Withers

| E marte, 09.06.2009, 07:19 PM |


Një keqkuptim i z. Withers

Nga Andrea Nikaj

Përpara se të futem në argumentin që ka të bëjë direkt me titullin e këtij shkrimi, do të doja të theksoja faktin se, për z. Withers kam një konsideratë mjaft të lartë, qoftë për pasionin që ka treguar e vazhdon të dëshmojë si një ambasador që e do realisht Shqipërinë, qoftë për njohuritë e thella kulturore dhe politike që më së miri i dëshmon karriera e tij diplomatike, qoftë për faktin që përfaqëson një vend, të cilin personalisht e adhuroj.

Madje, edhe arsyeja bazike e këtij shkrimi qëndron në dëshirën time për të dhënë një kontribut që puna e tij të jetë sa më e efektshme në Shqipëri.

Kjo për faktin se, sado i përgatitur të jetë një ambasador, një shtet i ri paraqet për të kurdoherë një terren të ri dhe që nuk njihet lehtë në të gjitha shpalosjet e tij kulturore.
Para disa ditësh, në Durrës është organizuar një aktivitet mjaft pozitiv e kuptimplotë me pjesëmarrjen e z. Withers dhe është theksuar me mjaft të drejtë dobia e dialogut fetar dhe e mirëkuptimit midis feve të ndryshme.

Madje edhe mbështetja që Ambasada Amerikane jep në këtë drejtim, është me të vërtetë për t'u përshëndetur.
Ajo që ka të bëjë me atë që unë e quaj "keqkuptim", është fakti se z. Withers mendon se ndodhet në një vend islamik.

Dje, thelbi i fjalës së tij mund të përqendrohet në shprehjen: "ëndrra e botës islame, këtu është realitet" dhe më tej, "Presidenti Obama ka aftësi shumë të mira komunikimi dhe fjalimi i tij padyshim do të jetë i shkëlqyer, por ai fjalim do të kishte qenë akoma dhe më i arrirë nëse Obama do të kishte ardhur në Shqipëri, këtu në Durrës, para shkuarjes në Egjipt.

Ato që ai i sheh si shpresë në jetën e Egjiptit dhe më tutje, janë realitet këtu". (gazeta Shqip. dt. 04 qershor. 2009).

Këtë shprehje unë e gjej të pakuptimtë e të pavend në kontekstin shqiptar. Si mund të bëhen realitet në Shqipëri ëndrrat e botës islame! Ndoshta z. Withers akoma nuk e ka vënë re, por Shqipëria, për Kushtetutë, nuk është vend as islamik, as katolik, as ortodoks e as bektashian.

Në Kushtetutën e Shqipërisë është shkruar në mënyrë të qartë, pa asnjë ekuivok dhe nuk lihet vend për asnjë lloj interpretimi tjetër, se Shqipëria është vend laik dhe nuk ka fe zyrtare. (Art. 10 i Kushtetutës Shqiptare).

E them këtë, pasi ai bën një paralelizëm ndërmjet Shqipërisë dhe Egjiptit e botës islame në përgjithësi, dhe në fjalën e tij e përfshin në mënyrë të qartë Shqipërinë në botën islame.

Kjo që them provohet edhe nga paralelizmi që ai ka gjetur për të mbajtur fjalimin e tij në të njëjtën kohë kur Presidenti Obama po mbante fjalimin e tij në Kajro dhe, nga ana tjetër, thotë se ajo që Presidenti Obama uron në Egjipt, është bërë realitet në Shqipëri!

Mendoj se ambasadori Withers i është përshtatur, nuk e di nëse në mënyrë të pavetëdijshme apo jo, përqasjes së ish-Presidentit Bush, i cili para se të vizitonte Shqipërinë, në një intervistë thoshte se, sa herë dëgjonte diçka mbi Shqipërinë, i vinte mendja tek një vend ku kishte myslimanë paqësorë!

Në favor të argumentit tim do të doja të sillja në vëmendje edhe dy artikuj të Kushtetutës së Egjiptit. Në artikullin 2 të kësaj Kushtetute, thuhet tekstualisht: "Islam is the religion of the state and Arabic its official language. Islamic jurisprudence is the principal source of legislation.- Islami është fe shtetërore dhe arabishtja është gjuhë zyrtare.

Drejtësia islamike është burimi kryesor i legjislacionit", ndërkohë që në artikullin19 thuhet: "Religious education shall be a principal subject in the courses of general education. - Shkollimi fetar duhet të jetë subjekt parësor në kurset e shkollimit të përgjithshëm".

Pra Egjipti është një vend islamik dhe zgjedhja e Presidentit Obama është perfekte, pasi ai në fjalimin e tij shtjellon gjashtë argumente tejet të rëndësishme për marrëdhëniet e SHBA-së me botën islame dhe Egjipti e përfaqëson një partner të vërtetë për një diskutim në këtë optikë, por paralelizmi i z. Withers me Shqipërinë, mjerisht nuk është i goditur.

Ndërkohë, për të bërë një dallim të qartë të dy realiteteve, theksoj se në artikullin 57 të Kushtetutës shqiptare, ku bëhet fjalë për shkollimin, asgjëkund nuk përmendet fjala "religjion".

Çfarë dua të them me këtë? Që Egjipti dhe Shqipëria, pa patur asnjë paragjykim, as mbi njërin as mbi tjetrin shtet, janë dy realitete kulturore fetare të ndryshme dhe çdo analogji, duke ju referuar termave fetarë, do ishte jo e saktë. E përfundoj këtë shkrim me bindje se artikulli do të lexohet me përqasjen e duhur dhe me qëllimin e mirë që dëshiron të përçojë.

* Masterë Shkenca Politike / Univ. La Sapienza, Romë - Italia

Shekulli