Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Diaspora humane që investon për Kombin

| E hene, 08.06.2009, 09:00 PM |


Diaspora humane që investon për Kombin

Nga Alfred Papuçiu

Për t’i shërbyer Atdheut, qoftë në diasporë apo në vendin amë, kanë qënë të shumtë ata njerëz që janë njohur me emrin e tyre të vërtetë apo pseudonime, apo edhe kanë mbetur si heronj të heshtur dhe vetëm vepra e tyre dihet. Pseudonimet janë përdorur shpesh në mjedisin artistik, kulturor, të kinemasë, të këngës, shkencor, si për shembull me Jean-Baptiste Poquelin, i quajtur Molière ( Molier) (1622-1673), François Marie Arouet, i quajtur Voltaire (Volter), Milosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Andon Zako i quajtur Cajupi, Aleks Stavre Drenova i quajtur Asdreni. Dihet gjithashtu data e botimit të veprave të njerëzve të mëdhenj që i kanë shërbyer kombit të tyre si Gjon Buzuku me « Mesharin », i 1555, i pari botim i hartuar në gjuhën shqipe. Por nuk dihet data e lindjes dhe e vdekjes së tij. Gjithashtu dihet qysh prej disa mijra vitesh që njerëzimi është mësuar të datojë historinë e vet nga figurat e tij më të shquara, Jezu Krishtin ose Muhametin. Këto janë të qarta për ne. Por pas disa dhjetra shekujsh, civilizimi njerëzor do të mbajë mend veprën e tyre, vendin nga kanë ardhur Shqipëri apo Francë, Amerikë apo Greqi, Itali apo Australi , Britani e Madhe apo Austri, por ndoshta nuk do të kujtojë ditën e lindjes dhe të vdekjes së tyre. Njerëzimi do të mbajë mend për mirë këto figura të shquara, siç do të mbajë për keq anonimë apo me mbiemra të vërtetë « qoftëlargë », qofshin edhe këta një minoritet, midis atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë me nder dhe kanë fituar emër të mirë tek popullsia dhe autoritetet vendase ku janë vendosur. Këta « qoftëlargë » që numërohen me gishta, vegjetojnë akoma edhe pak, edhe në shekullin tonë në diasporë apo në vendin amë, duke njollosur emrin e mirë të shqiptarëve,  e popujve të kombeve të tjerë. Le t’i lëmë ata të reflektojnë…

Perëndimi i diellit në Liqenin Leman (Zvicër
Perëndimi i diellit në Liqenin Leman (Zvicër
Shqiptarët e diasporës që kanë investuar për Atdheun

 Njerëzimi do të kujtohet edhe për ata shqiptarë në diasporë që në shekullin e 20-të, megjithëse larg Atdheut të tyre, kane dhënë diçka për tokën amë, paçka se ndonjë keqdashsës i fyen duke u thënë se nuk kanë pse merren me atdheun dhe problemet e vendit mëmë, pasi janë larg tij ?!!!. Paçka se ata nuk janë, për një arsye apo një tjetër (të paspjegueshme ?!), në listat e njerëzve që ftohen në pritjet e festës së Flamurit në ambasada apo misione diplomatike të Shqipërisë. Paçka se gjatë terrorit fashist të Milosheviçit ndaj Kosovës ata dhanë qindra franga për Kosovën por nuk morën asnjë letër falenderimi (?!) Ata vazhdojnë rrugën e tyre edhe pse duan të rrijnë anonimë…
I tillë është dhe një miku im që e takova së fundi diku në një qytet të bukur të shtetit mik, Zvicrës që ka ndihmuar dhe ndihmon gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Zvicër, por edhe shqiptarët që jetojnë në vendin amë, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Ashtu, në moshë të thyer, me flokë të thinjura, fjalëpakë, por me shpirtin e tij të pastër, modest si gjithmonë, qëndronte para asaj gote « kirshi », pije karakteristike zvicerane, si rakija jonë e kulluar. Mbi supe i rëndojnë vitet e migracionit, si gjithë diaspora shqiptare që ka ikur sidomos pas viteve 90-të, pas ardhjes së demokracisë së brishtë, për të parë një jetë ndoshta edhe më të mirë për fëmijët, megjithëse realiteti edhe jashtë shtetit mbetet i ashpër, duhet punë, djersë, maturi dhe shkollim, për të mundur të jetosh denjësisht, por edhe të bësh diçka për të afërmit në Shqipëri, si edhe për bashkëkombasit në përgjithësi…
Bëmë një digresion për t’u kthyer tek tema kryesore e këtij shkrimi. Pra e takova mikun tim dhe i thashë se dua të shkruaj për të. M’u përgjigj shkurt : « Unë nuk kam bërë gjë, punoj e jetoj me nder, si gjithë shqiptarët e tjerë këtu, dhe kur mundem ndihmoj edhe njerëzit e mij atje. Mbi të gjitha, kam një ëndërr, para se të iki nga kjo botë, pasi nuk i dihet jetës. Vitet që kam kaluar, kanë qënë të mundimshme, por kam pasur edhe gëzime, kënaqësi ; shpesh pas brengave, halleve, kënaqësia më e madhe e imja është se mjekët e vendit mik që më kanë strehuar prej vitesh familjarisht, janë treguar shumë humanistë, kanë shpëtuar jetën e fëmijës tim. Hap pas hapi, shkenca edhe në mjekësi ka ecur shumë dhe sidomos këtu, ku çdo e re që ndodh në këtë botë, transmetohet menjëherë. Jam shumë i lumtur, pasi kam mbështetjen e fuqishme të miqve dhe dashamirësve të shumtë, bashkëkombas, por edhe të vendit mik, Zvicrës, që më ka dhënë nënshtetësinë, por edhe mundësinë të ruaj përkatësinë time si shqiptar. Kam marrë disa mesazhe nga ish profesori që kuronte fëmijën tim. Ai është vendosur, për shkak të fëmijëve të tij që vazhdojnë studimet, përsëri në SHBA. Është profesor i njohur në këtë fushë dhe shpesh më dërgon e-mail apo më shkruan për të rejat në fushën e mjekësisë. Një mjek i shkëlqyer zviceran, që megjithëse i moshuar, nuk mungonte të ulej me ne, me fëmijën tim, duke i dhënë kurajo. Dhe unë i jam mirënjohës atij, si edhe të gjithë mjekëve humanistë zviceranë, asaj mjekes që tani nuk jeton më. Atij mjekut që kuron  edhe vajzën e mikut tim që punon në një organizatë ndërkombëtare në Gjenevë… U mallëngjye së fundi, ajo mjekja e urtë, kur i thashë se pacienti që kuronte vitet më parë, ka mbaruar studimet dhe temën e diplomës e ka zgjedhur nga fusha e mjekësisë ku është kuruar »…

Mjekët shqiptarë meritojnë disa radhë më tepër

E shihja mikun tim, që fliste ashtu ngadalë. Në tavolinë mbante një çantë të vogël, prej nga nxorri një shkrim të një gazete shqiptare. «  Shihe, më tha, se ç’është botuar në gazetë para disa kohësh. Shumë pak për një figurë të madhe të mjekësisë shqiptare“. «  Nuk dua të kritikoj, vazhdoi ai, por më duket se ky njeri meritonte më tepër se këto 20 rreshta në gazetë, ku flitet më tepër për vrasje, prostitucion e ku ta di unë. E kam fjalën për profesor Selaudin Bekteshin, i cili njihet si themelues i pediatrisë shqiptare. Për dekada të tëra ka drejtuar, fillimisht shërbimin e pediatrisë në spitalin e Tiranës, ndërsa me krijimin e Fakultetit të Mjekësisë u emërua shef i katedrës dhe i klinikës së pediatrisë. Ka qënë një kohë dhe drejtor i spitalit klinik të fëmijëve. Ishte profesor Selaudin Bekteshi që themeloi hematologjinë në vendin tonë, ishte ai që gjithë jetën kuroi mijra fëmijë që sot janë rritur e jetojnë, apo kanë krijuar familje ; profesori ka lënë qindra artikuj shkencorë, tekste, monografi, duke përdorur dhe një gjuhë të thjeshtë për pacientët e tij dhe famijet e tyre ; ishte ai që futi në rrugën e hematologjisë, profesor Enis Boletini që ka qënë nga të parët që përdori diagnozën prenatale aq të domosdoshme në sëmundjet që prekin zonat mesdhetare, duke përfshirë Shqipërinë, Italinë, Greqinë, Qipron, por edhe Francën, SHBA –ku ka shumë migrantë e vende të tjera. Profesor Bekteshi si dhe mjekë të tjerë të aftë në fushën e hematologjisë e pediatrisë në përgjithësi, që i përkasin brezit të vjetër e të ri, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një ndihmesë të çmuar, duke shpëtuar jetë njerëzish. Për ta flitet pak, ashtu siç nuk pamë më tepër se dhjetë rreshta edhe për profesorin e nderuar Boletini ».
Vështroja mikun tim, ashtu të mallëngjyer, me lotë në sy për dhembjen që i kish shkaktuar shkrimi i shkurtër për jetën e profesor Bekteshit dhe e kuptoja, pasi kisha pasur rast edhe më parë të bisedoja me të, për fushën e hematologjisë që e njeh si një mjek, se nuk gjente fjalë të shprehte mirënjohjen për ata mjekë të zotë të Shqipërisë, që edhe në kushte ndoshta më të vështira se kolegët e tyre në Perëndim, vazhdojnë të kontribuojnë në profesionin e tyre fisnik e human, të mjekut pediatër, apo për të rritur.
Miku im në vazhdim më tha kishte marrë kohët e fundit disa mesazhe inkurajuese nga profesorë të dëgjuar në botë, si profesori amerikan Alan Cohen, nga drejtoresha e Cooley’s Anemia Fondation në Nju Jork, Gina Cioffi, e cila e njoftonte për mundësinë e një terapie të re. Gjithashtu kishte marrë një mesazh urimi nga profesori zviceran që jeton në Amerikë, James Humbert. Dhe nga profesoresha britanike Bernadette Model. Kjo e fundit i jepte disa këshilla tepër të vlefshme për terapinë e re, si dhe për mundësinë e detektimit adekuat të ferritinës në Itali ose Gjermani. Pra vende që janë të zhvilluar, në Evropë, larg SHBA, që njihet si djepi i mjekësisë botërore, dhe që kanë bërë një hap galopant në hematologji. Më foli për të nderuarin Daniel Vasella, drejtorin e firmës të njohur botërisht, Novartis dhe që bën shumë në fushën e mjekësisë dhe ka arritur rezultate shumë të mira për « shelatorët » e eliminimit të hekurit.
Më foli me respekt për profesorin hematolog Photis Belis që është i shquar në këtë fushë. Më foli për atë doktoreshën hematogole në një spital të Athinës, për profesor Guido Lucarelin,  për profesorin Kalangos, shef i kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Gjenevës që ka ndihmuar Shqipërinë dhe përgatitet me fondacionin e tij të fuqishëm të shpjerë pajisje dhe të realizojë operacionet me zemër të hapur. Më foli për atë vajzën me origjinë turke nga Hollanda e cila në sajë të transplantimit të palcës së kurrizit, nuk ka nevojë më për transfuzione gjaku. Më foli për një ilaç të ri që eksperimentohet dhe që rrit hemoglobinën në mënyrë të ndjeshme. Më foli për terapinë gjenike, e cila ndoshta pas pak vitesh do të kthehet në rutinë për të shpëtuar jetën e pacientëve që janë të detyruar të marrin transfuzione gjaku apo të përdorin ilaçe për të eliminuar hekurin. Më foli për mesazhin që kishte marrë nga kordinatorja shkencore e Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë, doktoreshës së shquar Androulla Eleftheriou. Ashtu i emocinouar më foli për ata shqiptarë që jetojnë dhe nderojnë Shqipërinë në Francë, por që edhe kanë krijuar marrëdhënie tepër miqësore me profesorin e shquar francez, me famë botërore, Robert Girot, që kuron vajzën e tyre. Sytë ju mbushën me lotë, kur kujtoi që ajo artiste shqiptare i kishte thënë në telefon se fëmija i tij e kishte një dhomë të veçantë, sa herë që do vinte edhe në Paris për konsulta. Kujtonte të afërmit e tij atje diku në Amerikë, Toronto, Greqi, të afërmit në Florida që janë gati të japin palcën e tyre të kockës, nëse realizohet transplantimi i palcës së kurrizit një ditë për fëmijën e tij…Kujtonte me respekt profesor Karlo Imperato dhe Guido Sinjoreti, të Institutit të Klinikës Pediatrike të Romës që e kishin kthyer në jetë fëmijën e tij…Kujtonte se si këta profesorë kishin marrë përsipër shumë vite më parë sjelljen e gjakut nga Italia, në një kohë që në Shqipëri nuk kishte centrifugë për ndarjen e gjakut në rruaza të kuqe, të bardha, plaketa etj. Kujtonte edhe të gjithë ata miq e dashamirës të shëndetësisë shqiptare, që sëbashku kishin bërë të mundur ardhjen e centrifugës së parë nga Gjermania, në ato vitet 80-të…M’i përmendi emrat e të gjithëve, të shkruar me kujdes në një libërth të tij, tamam sikur po linte një testament për brezat e ardhëshëm, për të shprehur mirënjohjen e thellë për ata shqiptarë që rrojnë apo kanë vdekur, por që kanë dhe kanë pasur shpirtin human, jo si « qoftëlargët » që pengonin dhe pengojnë ecjen e shoqërisë përpara, e deri diku edhe të shkencës, kulturës dhe teknikës shqiptare…Kujtonte atë djalë të bukur nga Myzeqea, Randon, me ata prindër të mirë e të dhimsur, si edhe atë vajzë të zgjuar nga Tirana, që nuk patën mundësi të gëzonin më tepër se fëmijëria e tyre…Foli me admirim për atë shoqatë të talasemikëve që është krijuar prej disa vitesh në Shqipëri dhe që bën shumë, bashkë me mjekët shqiptarë për t’u dhënë buzëqeshje dhe shpresa për të ardhmen, atyre mijra fëmijëve të mirë, të urtë shqiptarë që jo për faj të prindërve, por për arsye gjenetike, kanë trashëguar sëmundjen e Talasemisë. Kësaj sëmundjeje që nëse në vitet 80-të ishte vdekjeprurëse, tanimë me krijimin e kushteve për transfuzione të rregullta, me një terapi për eliminimin e hekurit, si dhe me parandalimin e problemeve kardiake, hepatike, diabetit dhe komplikacioneve endokrinologjike, është kthyer në një sëmundje që kurohet mirë, jetëgjatësia e të prekurve nga kjo sëmundje është rritur dhe në bazë të të dhënave shkencore, mendohet që pas pak vitesh, të arrihet një kurë. Pra idealja do të jetë terapia gjenike, shpresa më  e madhe e këtij shekulli jo vetëm për këtë sëmundje që prek sidomos zonat mesdhetare, por edhe për sëmundje të tjera në botë.
Miku im më tha edhe diçka tjetër, që është akoma projekt, pra një dëshirë që së shpejti mendon ta realizojë me ndihmën e një fondacioni të vendit mik, Zvicrës,  për të ndihmuar, edhe ai sadopak, fëmijët në Shqipëri dhe familjet e tyre, me kontributin edhe të miqve dhe dashamirësve të shumtë, duke përfshirë edhe biznesmenët në Shqipëri, shoqatën e talasemikëve, të Albanian Children Fondation, apo edhe shqiptarët në diasporë. Shumë prej tyre janë treguar të gatshëm të japin ndihmesën e tyre, qoftë edhe modeste.
U larguan nga njeri tjetri, duke u përshëndetur miqësisht, pasi kishte rënë muzgu aty pranë liqenit, në qytetin e bukur të vendit mik…