E marte, 23.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Mendime

Elidor Mëhilli: 25 vjet heshtje

E hene, 08.06.2009, 06:40 PM


25 vjet heshtje

Nga Elidor Mëhilli

Arkivat e komunizmit janë hapur pothuajse kudo, por jo në Shqipëri. Edhe në këtë sferë, ku nuk do të kushtonte shumë që të ishim në një hap me vendet e tjera ish-komuniste, mbetemi shumë mbrapa. Si shpjegohet?

Pse flitet pa pushim (dhe përgjithësisht përçart) për të kaluarën, por nuk bëhet asgjë konkrete për të mundësuar hulumtimin e saj? Ç'kuptim kanë kacafytjet publike për data e mite, kur institucionet shqiptare jo vetëm që nuk ndihmojnë, por pengojnë studiuesit e rinj?

Diskutimet e ethshme për dosjet famëkeqe të Sigurimit, për shembull, kanë lënë në harresë me mijëra dosje të tjera të shtetit e partisë që mbeten ende të klasifikuara. Edhe ato që janë deklasifikuar formalisht, "mbrohen" nëpërmjet praktikash bizantine e pengesash informale nëpër institucionet e kujtesës.

Nga frika se mos gazetat gjurmojnë e botojnë dokumente kompromentuese, ndodh që arkivat mbyllen edhe ndaj studiuesve. Si rrjedhojë, Shqipëria mbetet nga vendet e pakta në ish-hapësirën komuniste, ku, për t'u marrë me historinë të duhet mik.

(Nuk mund të të bëjë krenar as rreshtimi në të njëjtën linjë me Rusinë, Kinën, dhe Korenë e Veriut, ku deficiti demokratik është në përpjesëtim të drejtë me mbylljen e arkivave.)

Ku qëndron konkretisht problemi? Problemi fillon që tek ligji Nr. 9154, dt. 6.11.2003, që lejon dhënien e dokumenteve për përdorim jo më parë se 25 vjet pas krijimit të tyre. Si rregull i përgjithshëm, ky mund të mos duket edhe aq i paarsyeshëm, por ligji në fjalë nuk bën fare dallim midis dokumenteve të prodhuara para vitit 1991 e më pas. Thjesht, asnjë dokument i krijuar pas vitit 1982/83 nuk mund të konsultohet.

Përjashtim nga ky rregull mund të bëjnë drejtorët e arkivave (njëshi gëzon edhe me ligj ekskluzivitetin e përjashtimit nga ligji). Ç'është e vërteta, ndonjë drejtues edhe tregohet bujar, por nuk është normale që studiuesit të mbeten në mëshirën e titullarëve për të bërë punën e tyre.

Çuditë nuk sosin këtu. Edhe sikur titullari zemërgjerë të firmosë leje të veçantë për të konsultuar dosjet e komunizmit, pengesë e radhës bëhet ligji Nr. 8457 i vitit 1999.

Ky mbron "sekretet shtetërore", por as ky nuk bën dallim mes "sekreteve" të komunizmit dhe "sekreteve" të paskomunizmit. Për të mos folur pastaj për "mbrojtjen e të dhënave personale" të personave që kanë dekada që kanë vdekur.

Ose mund të ndodhë edhe që e njëjta dosje të hapet sipas një ligji dhe të mbyllet sipas tjetrit. Një simbiozë perfekte e përtacisë mendore, papërgjegjshmërisë institucionale dhe ligjeve të këqija. Me fjalë të tjera: një mikrokozmos i paskomunizmit shqiptar.

Absurditetin e këtyre praktikave e ka vënë re edhe një ekip amerikan ardhur në Shqipëri nëpërmjet organizatës "Cold War International History Project".

"Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, - thuhej në raportin përfundimtar, - në Shqipëri nuk bëhet dallim midis dokumenteve komuniste (që janë deklasifikuar për gjithë periudhën komuniste në shumicën e vendeve) dhe dokumenteve të tjera zyrtare (që deklasifikohen pas 25/30 vjetësh).

Madje, edhe inventarët e fondit të ish-Partisë Komuniste (duke përfshirë fondin e Enver Hoxhës) në Arkivin Qendror janë sekret". Ish-arkivi i PPSH-së ruhet ende me të njëjtin zell e paranojë të hatashme siç ruhej dikur. Gjendja e arkivave shqiptare të kujton Poloninë në fillim të viteve '90-të, ku institucionet ishin ende në duar të aparatçikëve, edhe pse sistemi ishte shkërmoqur.

Është shumë e trishtueshme të ndihmohesh pa kursim në arkivat gjermane për të parë çdo dokument e material të periudhës komuniste (duke përfshirë edhe materialet e ish-policisë sekrete e survejime personale shqiptarësh e gjermanësh nga Stasi) dhe të pengohesh po aq pa kursim në arkivat e vendit tënd.
Pse kjo mbyllje? Mungesë fondesh? Mungesë vullneti? Moskokëçarje?

Ka mundësi që ligjvënësit e atëhershëm të kenë kopjuar fshatçe ndonjë ligj të huaj pa e vrarë mendjen se kështu po mbajnë kyçur një pjesë të mirë të historisë komuniste. Cinikët, nga ana tjetër, mund të mendojnë se ligjvënësit shqiptarë - të ndërgjegjshëm për fillin e trashë që i lidh me të kaluarën komuniste - i mbajnë të mbyllura qëllimisht.

Edhe këshilltarët qeveritarë për hulumtimin shkencor janë zhdukur në drejtime të paditura. Edhe organizatat e panumërta të "studimeve" e të "kërkimeve" në vend, kryejnë pothuajse ekskluzivisht funksionin e letrës thithëse ndaj fondeve të huaja, por nuk merren me arkivat. Ironike duken, pastaj, pohimet (zakonisht të atyre që më tepër ligjërojnë nëpër televizione se sa hulumtojnë nëpër arkiva) se studiuesit shqiptarë nuk duan të merren seriozisht me periudhën e komunizmit.

Ka ardhur koha (madje koha ka kaluar), kur arkivat tona duhen hapur përfundimisht. Rastet kur dokumentet klasifikohen për një kohë të gjatë duhet të jenë përjashtim, jo rregull.

Përveçse një personel i kualifikuar, për fondet e ish-shtetit dhe Partisë Komuniste duhen rregulla të veçanta, jo vetëm sepse janë materiale që i ka prodhuar një realitet i caktuar ideologjik, por edhe si shenjë e vullnetit të mirë për të kuptuar të kaluarën tonë të vështirë.

Kjo mund të duket si një çështje fare e vogël në Shqipërinë me probleme të mëdha. Dhe, në një farë mënyre, është pikërisht kështu. Por problemet e së kaluarës tek ne janë ngushtësisht të lidhura me praktika të së tashmes. Debatin për historinë vazhdojmë ta ripërjetojmë si traumë të pazgjidhur.

Ankth, sherr e nervozizëm ka me tepricë, por hapësirë për reflektim ka fatkeqësisht pak. Mirëpo spektakli shqiptar për historinë, monologët për mitet e piruetat historiografike do kishin vërtet më tepër vlerë nëse, paralel me to, do të bëhej edhe ndonjë përpjekje për të hapur përfundimisht arkivat.

Çdo vit në Shqipëri vijnë dhjetëra studiues të huaj e shqiptarë që përpiqen të hulumtojnë historinë tonë, e cila mbetet ende në kufijtë e hamendësimeve apo reportazhit banal. Ndonjë ndihmë konkrete ndaj studiuesve që vijnë këtu nuk kërkohet.

Tani për tani, mjafton të hapen arkivat e të largohen njëherë e mirë ata që privatizojnë institucionet e kulturës dhe kujtesës. Ka ardhur koha që retorika e politikëbërësve për njohjen e së kaluarës të prodhojë nisma konkrete. Madje, koha ka kaluar.

*Departamenti i Historisë, Princeton University, USA



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora