Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besi Bekteshi: “Duhan, kafe, alkool dhe politikë për ti bërë mirë shëndetit”!!!?

| E diele, 07.06.2009, 12:11 PM |


“Duhan, kafe, alkool dhe politikë për ti bërë mirë shëndetit”!!!? 

Nga Besi BEKTESHI

Statistikat e vërteta për pirjen e duhanit dhe kafes në Shqipëri, por mbas tyre edhe alkoolit janë të trishtueshme. Jo vetëm në ditët e caktuara kundra duhanit të trishtojnë këtë statistika. Ka shumë organizata që e çojnë Shqipërinë në vendet e para në Europë, për konsum të duhanit dhe sidomos atij të pa kontrolluar, por dhe të kafes e alkoolit. Jemi të parët, sepse duke qënë edhe më abuzivët dhe më informalët që fillon me ligjin e pa zbatueshëm të parlamentit shqiptar, i cili është mësuar të prodhojë ligje që nuk zbatohen. Në fakt në Francë, Belgjikë, Rumani dhe Britaninë e Madhe do të fillojë me ligj përdorimi në paketa duhani, të fotove të frikshme të njerëzve që duke prirë duhan, transformohen nga tumoret e ndryshëm në gojë, dhe mushkëri. Nejse bota e qytetëruar po tregohet e ashpër ndaj duhanit, i cili mbetet vrasësi njerëzor më i madh në histori. Pothuaj gjysma e kancereve vdekjeprurës janë pasojë e duhanit dhe pastaj edhe kafes, e cila shkatërron zëmrën, por së bashku të shoqëruara duhan, kafe dhe alkool janë vrastarët më të mëdhenj të botës moderne. Nuk është një “antireklamë” por një realitet, që njerëzit nuk është se nuk e dinë. Ne kemi statistika të rënda në këtë drejtim në ditën e “antiduhanit”. Kemi mbi 30 për qind të adoleshentëve nën 18-të vjeç që konsumojnë edhe pse jo rregullisht duhan. Nga mosha 18-25-së vjeç janë mbi 40 për qind që janë rregullisht duhanpirës të më tepër se një pakete dhe 60 për qind jo të rregullt.
Patjetër statistikë e keqe është se vajzat nga 18-25-së vjeçe kanë shkuar në masën 35-40 për qind si duhan pirëse edhe pse jo të rregullta. Por edhe përdoruesit e kafes dhe alkoolit janë në rritje dhe duhet thënë se nga mosha 18-të deri në 25-së vjeç janë 40 përqind që konsumojnë rregullisht si duhan, kafe dhe alkool. Kurse nga mosha 25-së deri në në pleqëri janë mbi 60 për qind e shqiptarëve që pijnë rregullisht duhan. Tregu i duhanit dhe paketave është për frymë të popullsisë, më i madhi në Europë dhe më i pasigurti dhe informali edhe pse jemi një shtet i vogël. Jemi popull që më shumë se kushdo në Europë, qëndron me kohë të zgjatura në kafe dhe patjetër që jemi të parët që abuzojmë në një mënyrë tragjike me shëndetin tonë. Natyrisht që po ti shtojmë kësaj tragjedie edhe marrjen masive me politikë, duhet thënë se “jemi me të vërtetë të sëmurë” dhe këtë sëmundje e dimë se po “ja bëjmë si nder vetes tonë”. Patjetër që në këtë vend po e stimulojnë konsumin e të katër llojeve vrastare të shëndetit publik.
Një pakete cigare, katër kafe në ditë dhe dy teke ose më shumë së bashku me të gjitha debatet tre apo katër orëshe për politikë i bëjnë një shumicë shqiptarësh të lëngojnë dhe të sëmurën rëndë dhe dihen edhe prekjet e sëmundjeve tipike të kësaj lloj jete. Dihet numri i madh i kardiakëve dhe të sëmurëve rëndë në mushkëri dhe kancere të ndryshëm. Dihen të gjitha, dhe dihet edhe se sa e zonja është shëndetësia jonë, ti përballë të tillë të sëmurë.
Patjetër që është me fat ai që ka një vizë dhe disa mijëra euro për tu kuruar jashtë shtetit, sidomos në perëndim. Një nga të dhënat e nëndheshme është se janë gjysma e operacioneve të një farë risku që bëhen jashtë shtetit dhe përballohen si nga individët dhe ndonjë shtet perëndimor në humanizëm e sipër për shqiptarët në përgjithësi. Sepse mungon ashpër edhe diagnostikimi dhe kurimi. Mungojnë terapitë dhe mungojnë edhe medikamentet e duhura dhe të përparuara dhe cilësore.
Me ilaçe të prodhuara nëpër skuta të botës të pazhvilluar, shpesh herë shqiptarët paguajnë për të mos u kuruar. Dakord, por çfarë ndodh me njerëzit që nuk kanë asnjë lloj kriteri e mundësie për tu kuruar jashtë sepse e para nuk kanë viza, pra çfarë ndodh me to...? Mund të ndodhë çdo gjë që shkon deri të vdekje e ndoshta kot fare. Patjetër që jemi të papërgjegjshëm si popull dhe kemi si pasojë edhe qeverisjen cilado qoftë ajo si krah të tillë. Sepse mirë që kemi të gjitha këto budallallëqe me duhan dhe cigare apo alkool, por kemi edhe një dozë të madhe ngarkese me politikë dhe fushatë që i vendos kapakun stërmundimit njerzor. E kjo është akoma më keq.
Në këtë drejtim së paku të mos kishin duhanin dhe kafen ose alkoolin, sepse politika nuk mund të ndalet në asnjë mënyrë pasi është gjëja që vetë si qytetarë nuk mund ta kontrollojmë. Ajo është sëmundja më infektive, më e përhapur dhe më e rrezikshme, për nga virusi që paraqet. Dikur ndërgjegjësohesh dhe e lë duhanin dhe ai nuk të ngacmon, por arrin të lësh edhe kafen dhe ajo nuk të ngacmon më, por mund të lësh dhe alkoolin dhe ai nuk vjen me zor të ti. Por politika është tepër e vështirë për tu shëruar, sepse vjen dashje pa dashje, vjen me zor dhe është akoma më keq se sa “gripi i derrave” i cili rezultoi jo kaq i keq, sa u pretendua. Politika ja kalon edhe duhanit, sepse prish trurin dhe pastaj edhe zemrën, por edhe mushkëritë dhe stomakun. Ajo është më  keqa sëmundje në të cilën pastaj duhet të jetosh dhe jetosh gjithmonë në hall. Por ka që politikën e duan, sepse është një sëmundje që i bën të pasur. Tepër të pasur në raport me ato që nuk duan të “pijnë politikë” dhe që pijnë duhan dhe alkool. Megjithatë ne kemi dy liderët kryesorë të politikës shqiptare që nuk pijnë duhan. Po, me sa dihet mirë as Berisha dhe as Rama nuk pijnë duhan dhe për të tjerat si kafe dhe alkool, duken të përmbajtur sidomos Berisha që është “bio” krejtësisht.
Me sa duket nuk duan të bëjnë “mishelën” e duhur “duhan-kafe, alkool dhe politikë” e cila të çon drejt largqoftit. Por populli jo...!! Ai është më sëmurë në këtë rast, sepse mishelën e rëndë e përdor dhe sidomos tani në fushatë elektorale. Ndoshta jemi më të sëmurët në botë në këtë drejtim, dhe akoma nuk po e kuptojmë.... akoma... Në Gjermani në një prej landeve që quhet Rheinland Pfalz me qendër Mainz-in, dhe që përmblidhte disa qytete të mrekullueshëm afër lumit Rhein që shkonte deri në afërsi të Frankufurt, kishte zgjedhje lokale. Një anëtar bashkiak i moshuar i Mainz-it pyetjes time pse kishte kaq pak postera kandidatësh, mu përgjigj se: Edhe këto që kemi vendosur e ndyjnë së tepërmi qytetin, o miku im. E të kuptosh më mirë shprehjen, duhet ditur se posterat e kandidatëve për pushtetin lokal të SPD dhe CDU-së apo edhe republikanëve ishin të vendosur poshtë në tokë dhe jo më tepër se 1 metër me 60 cm sipërfaqe. Anëtari i vjetër i  dikurshëm i pushtetit lokal të Mainz-it kishte një cilësi se të pyeste për “mishelën” e duhanit kafes dhe alkoolit me politikën. I ashpër në vërejtjet e tij dhe si një mjek i vjetër kardiolog pyeste: Ju pini duhan...? E kur ti i përgjigjesh po, ai të thoshte.. Do të vdesësh.
Por ai të pyeste sërish: Po kafe pi shpesh... dhe kur ti i përgjigjesh po.... përsëri ai të deklaron se “vdekjen nuk e ke larg”. Por kur i tregon se pi edhe alkool ai të thotë se ....vdekja jote është më afër se sa ti kujton zotëri!!! Megjithatë kur i thua se përveç këtyre më sipër, merresh dhe jepesh mbas politikës... profesori plak të deklaronte ashpër se: Ti tashmë, po shkon me shpejtësi drejt vdekjes së sigurtë, duke treguar se je një njeri i papërgjegjshëm.
I ashpër ëëëë..... Jo, vetëm realist, dhe i drejtpërdrejtë.

G. Sot