E marte, 19.03.2024, 07:37 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Moskë, mars 1999

E diele, 07.06.2009, 02:05 PM


Moskë, mars 1999

Nga Agron Tufa

I

Rusia që nga shekulli IX iu paraqit për herë të parë hartës politike të botës si një krijesë e Bizantit. Konvertimi i paganëve rusë të shtetit të parë të Kiut (Kiev), pra marrja e fesë, e shkrimit, e modeleve qeverisëse – fillon nga ky shekull dhe vazhdon deri në rënien e Bizantit – të gjitha dijet, zejet, ligjet, hierarkitë shoqërore, fetare e kulturore diktoheshin prej Bizantit, me përjashtim të ndërprerjeve dhe stakimeve që i bënë tartaro-mongolët, duke e fragmentarizuar jo pak këtë vasalitet të vijueshëm historik.

Gjithsesi, me rënien e Bizantit, e vetmja trashëgimtare e tij mbeti Rusia, duke vazhduar ajo tashmë të luajë ç‘prej asaj kohe të mugët e deri sot, rolin e Bizantit, sidomos me traditën e pandërprerë të shtypjes, bujkrobërisë, despotizmit lindor në thelb, e perëndimor në formë. Ngjarjet dhe përvoja e shekullit XX, me luftërat dhe revolucionet, me diktaturën e tejzgjatur komuniste, veçse ia shtuan sharmin bizantin Rusisë, edhe në kohën kur ajo mbahej si superfuqi.

Tash që superfuqi nuk është, trashëgimtarja e Bizantit kërkon të hiqet si e tillë dhe di ta vërtisë mirë shantazhin dhe solidaritetin, duke maskuar me sa mundet inferioritetin e ‘zonjës së rënë nga vakti’ dhe xhelozinë e thellë ndaj BE dhe SHBA.

Prej kohësh rrah një hipotezë në lidhje me materien ruse. Populli rus nga njëra anë, përbën një kategori më vete, me njerëzit e thjeshtë e të talentuar, prej të cilit kanë dalë figura përmasash botërore, si në art e letërsi, ashtu dhe në shkencë, por ama, një kategori inerte e amorfe, duke u modeluar nën presionin e knjazit, feudalit, carit apo pushtetit vertikal “të masave”.

Njeriu rus i shfaq vetitë e tij në mënyrë spontane, sipas rasteve kur ka një grimë lirie e liberalizmi, sepse në thelb, ai është një qenie e frikësuar, e shtypur, e manipuluar. Presioni i shekujve e ka bërë atë një skllav të bindur e të nënshtruar, të terrorizuar para pushtetit absolut e të pakufijshëm të despotëve të tij.

Nga ana tjetër kemi kastën, elitën, aristokracinë ruse, e cila pushtetet e saj ka arritur t’i absolutizojë në mënyrë homogjene përballë vegjëlisë, duke i krijuar popullit të vet përralla me moral solidar, duke i krijuar alibitë e “misionit botëror”, “idesë ruse”, “shpirtit rus”, një kokteil demagogjik misionarizmi. Kur ka qenë rasti e nevoja prijësit e pushteteve socio-religjioze e politike ia kanë kallur datën popullit, duke e terrorizuar me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme, duke ushtruar mbi ta një makinë represioni dhe tmerri okult.

Ku qëndron hipoteza ime? Në shtrimin e një pyetje të thjeshtë: mos vallë thellimi dhe predikimi i tjetërsisë së rusëve në raport me popujt e tjerë europerëndimorë është, nga njëra anë, mbajtja gjallë e frymës pansllaviste dhe, nga ana tjetër, kasta që ka bërë politikën shtetërore, ka përftuar me kohë te shtetasit e vet një qenie historike të lodhur? Sepse rezultati i fundmë i këtij procesi zombizimi i shndërroi ata në zombie të bindura e të dorëzuara tek ideja: “gjithçka e di Knjazi, Cari, Udhëheqësi.

Ne duhet t’u shkojmë pas atyre!”. U deshën mbi 500 vjet që kjo masë e nënshtruar të ngrihej, më tepër falë rrethanave të jashtme e të brendshme, që nën udhëheqjen e Iliçit dhe Trockit, të përmbysë një herë të vetme sistemin absolut 500-vjeçar të Romanovëve, për t’iu nënshtruar mandej me përunjësi e skllavëri më të madhe zotërve të rinj të diktaturës së proletariatit. Raportet e polarizuara skajshëm të masës dhe pushtetit, në fakt janë raporte të një nënshtrimi të thellë nën një presion akoma më të thellë.

Mbijetesa e të vërtetave u ruajt me vështirësi vetëm në masën e mbijetesës fizike, e fort më të rrallë, në mbijetesën social-kulturore, pa arritur të dominojë të vërtetat e lirisë së vetëdijshme morale.

II

Viti 1999 ishte i pesti në radhë, që më gjeti ende student në Institutin e Letërsisë “A.M.Gorki” në Moskë. Gjatë këtyre viteve isha kredhur shkallë-shkallshëm në realitetet kulturore, artistike e letrare të Rusisë, duke u përpjekur ta njihja shumëanshëm si traditën, ashtu dhe modernizmin dhe bashkëkohësinë kulturore ruse.

Ndjehesha mirë, i shpërblyer bujarisht me njohjen time të letërsisë, pikturës, muzikës, shkencave filologjike e filozofike dhe, në një farë mase, edhe të mendimit shoqëror e politik rus. Ishin vitete e liberalizmës së B. Jelcinit, disi të rrëmujshme, kaotike paksa, por, përgjithësisht – vite liberalizmi dhe lirie.

Dhe ja, mjaftuan ngjarjet e tendosura të vitit 1999, që unë të njihja fytyrën e një realiteti tjetër rus, atë të politikës dhe ideologjisë pansllaviste – një dimension jashtëzakonisht primitiv, i dhunshëm e arbitrar. Gjithnjë e më tepër, ditë pas dite, në mediat qendrore vizive, pikërisht në orët që kapnin pikun e shikueshmërisë publike, zuri të shfaqet “djallushi nacionalist i perversionit” sllavo-ortodoks, shpirti intrigant, i mllefosur dhe i pamëshirë bizantin.

Gjenealogjia e rrënjëve kishte përsosur një kod mijëvjeçar llagëmesh, që vjellin vrer: ëndrra delirante e megallomane të tërhequra zharg nëpër mizoritë e shekujve – të gjitha këto – të shpërfaqura gjoja naivisht, si didaktikë e padyshimtë, e lehtë, informative, si të thuash ‘sa për të sqaruar’ të paditurit.

Edicionet e lajmeve qendrore të mbrëmjes (sidomos pas “rënies së Rambujesë” dhe me fillimin e masakrave serbe në Kosovë, dëbimin masiv të kosovarëve), i hapte, për dhjetë minutat e para, ambasadori i Jugosllavisë, Borisllav Millosheviçi – vëllau halis i Sllobodan Millosheviçit. Kosova paraqitej si një “zembrek” nacional, “zemra” dhe djepi i Serbisë, që fatkeqësisht, ishte zaptuar mbi 90% nga shqiptarët e Shqipërisë, fill pas luftës së dytë Botërore. Këta shqiptarë, sipas propagandës pansllaviste ruse kishin një cilësi natyrore: shtoheshin si minj.

Ishin agresivë, dhunues, primitivë, prandaj “toka e shenjtë serbe”, sipas autoriteteve të larta të Kishës Ortodokse Ruse, “duhej pastruar nga minjtë-shqiptarë”. Gazetat dhe revistat botonin gjëra të marra, shpifje acaruese për shqiptarët, si bashkëpunëtorë dhe shtypës të lirive të popujve ballkanikë, si vegla të perandorisë Otomane, si shkaktarë të fatkeqësive historike të popullit “trim, të lavdishëm e liridashës serb”.

Nëpër konferenca që zienin nga pathosi pansllavist ku merrnin pjesë autoritete kishtare, deputetë nacionalistë e lëvizje radikale politike lëshoheshin thirrje për rekrutime vullnetare për t’u nisur me mision të “shpëtojnë” Kosovën. Mercenarë e killera të stërvitur, ish-pjesëmarrës të luftrave rajonale që nga konfliktet me Afganistanin e deri tek përvoja e freskët çeçene, gatiteshin për t’u ardhur në ndihmë “vëllezërve të tyre serbë”. Nëpër sheshe tellallët grishnin regjistrimin e vullnetarëve për në Kosovë, ende pa hyrë Nato dhe aleatët.

Në këto kushte, nga mediat ruse ishte e pamundur të merrje vesh mbi ngjarjet: ato ishin aq të njëanshme e aq të deformuara, sa vetëm rusët e rrafshët e dyztabanë, me vetëdijen e topitur se “vetë e vërteta rrjedh nga propaganda shtetërore ruse”, pra, vetëm ata mund ta besonin, pa e marrë mundimin të shqetësoheshin. Një ditë marsi bleva një antenë “Kozmos” dhe vetëm kur pashë lajmet e “BBC” dhe “Euronews” u qetësova.

Përgjatë asaj jave u mora intensivisht me shkrimin e një artikulli, duke shfrytëzuar gjithë literaturën historike në Bibliotekën Kombëtare ruse. Mblodha gjithçka që kishte të bënte me gjenezën e dy popujve serbë dhe shqiptarë, të shfaqjes së tyre të parë në Ballkan, të betejave të para të përbashkëta kundër ushtrive osmane – nga beteja në Nikopolje, Maricë (1371) dhe Fushë-Kosovë (1389), seri tek makina ushtarake dhe paramilitarët e Sllobodan Millosheviçit.

Artikulli prej 18 faqesh kompjuterike sillte një dendësi e koherencë të atillë faktesh, vetëm me burime serbe e ruse, pa asnjë referencë të burimit shqiptar, sa të kishte aftësinë, që edhe rusi më i indoktrinuar të kishte mundësinë të shihte se me çfarë hipokrizie po e mashtronin, duke u servirur faktografinë e pasur të historianëve të tyre. Kështu fajësia historike mbi shqiptarët për tradhëti provohej se, paradoksalisht, ballafaqonte rrënjësisht një situatë krejt në disfavor të serbëve.

Madje dëshmohej se, figura qendrore e eposit serb, Krajleviq Marko, kishte tradhëtuar koalicionin ballkanik dhe mbretin Lazar, duke u rreshtuar në ushtrinë e Sulltanit, të cilit i kishte dhënë motrën për haremin e tij. Të titulluar “Falsifikimi i historisë – shkas për spastrime etnike”, artikullin ua çova me radhë redaksive të gazetave të njohura “Pravda”, “Izvjestia”, “Sevodnja”, “Komsomolskaja pravda”, Moskovskij komsomoljec”, “Komersant Daly”; redaktorët përgjegjes e lexonin artikullin dhe thonin: “Po, zotëri, tabloja historike që dëshmoni rigorozisht ju, është e trishtueshme dhe, fatkeqësisht, krejt e panjohur.

Na lini numrin tuaj, që t'ju lajmërojmë nëse do të botohet apo jo, pasi këtë gjë e vendos vetëm mbledhja e kolegjiumit”. Zakonisht merrnin dhe, në të gjitha herët, pandryshueshëm, shprehnin keqardhjen për vendimin e mosbotimit.
Një ditë, kur pas mësimit në Institut qemë ulur në një kafe në “Mallaja Bronaja” me një mikun tim të kursit, një prozator i ri dhe, njëkohësisht, redaktor në revistën “Novoje vremja”, nuk durova dhe tërë mllefin e mbledhur gjatë atyre javëve ia zbraza atij:

- Ju rusët jeni përfundimisht një rracë e nënshtruar. Jeni po ato bujkrobër pa ndjenjën e njeriut të lirë, me kujtesë e vetëdije të skllavëruar, ashtu siç iu kanë mbajtur Carët e bardhe dhe Carët e kuq, raja. Juve nuk iu intereson më e vërteta, nuk merrni mundimin, sepse pranoni për të vërtetë atë çfarë ju kanë thënë Carët, Partia e tash, çfarë ju thotë qeveria e Primakovi. Thjesht ju jeni të gjymtuar në shpirt, s’bëheni më!

Nuk di sa fola me këtë ton, duke shfryrë gjithë lëmshin e mbledhur, duke i thënë se skllavëria ka mbërritur deri aty, sa të keni frikë të botoni një artikull me të vërtetat që i keni shkruar vetë, etj, etj., por në një moment, miku im shkrimtar u çua nga tavolina dhe më tha ta ndjek pas.

Redaksia e revistës së njohur, të përdyjavshme - “Novoje vremja” nuk ishte as 15 minuta larg. Më kërkoi disketën, të cilën e futi dhe e shkarkoi artikullin tim. Shkroi dhe vetë një parathënie dhe bashkë me dy djem të tjerë e faqosën. Mandej skanuan disa foto etnografike të Marubit nga një revistë spanjolle (Quimera), të cilën e kisha me vete, ngase aty qe botuar një fashikull i tërë me artin shqiptar dhe, kur kishin mbaruar, i thashë:
- Nuk të lejojnë ta botosh shkrimin tim.

- Është mbasditja e fundit, tha, teksa formulonte titullin tematik në kopertinë: “Lufta në Kosovë: i pari dhe i vetmi vështrim nga pala shqiptare”.
- Nuk do ta botojnë, - ia përsërita.
- Kjo shkon në shtypshkronjë pas një ore more mik: hoqa një speciale timen, nëse e vure re. Më shumë se kaq, Agron, nuk kam ç‘bëj! Nesër tirazhi prej qindra mijërash përhapet nga Kamçatka në Smolensk, tejpërtej Rusisë.

Dhe vërtet. Të nesërmen, me 19 mars 1999, mora kopjet taze. Isha i mbushur me një triumf të mprehtë që rrallëherë e kisha ndjerë në jetë. Me pas, në mbrëmjen e 24 marsit, me telefonon në banesën ku rrija: ishte Igori, miku që bëri të mundur botimin e artikullit. Zëri i vinte ankestar dhe i lodhur.

- E more vesh, Agron?
- Për çfarë e ke fjalën?
- Nuk më lanë të hyj në redaksi...
- Kur kështu?
- Sot pasdite... Më shanë, më thanë “të ka blerë UÇK-ja” ore! S’më lanë të shpjegohesha... madje s’më lanë as të merrja sendet e mia.
- Më vjen keq, mik i dashur... e trishtueshme... Po unë ta kam thënë sa herë: ata nuk të meritojnë ty!
- E, po s’kam atë hall unë tani. Thjesht mbeta pa punë... pa asnjë kopek në xhep. Po nejse, varja kësaj pune... në këtë vend të dh...

Më erdhi vërtet shumë keq dhe m’u ngul qortueshëm në ndërgjegje se shkak për përzënien e tij isha bërë unë me artikullin tim. Por nuk isha i penduar. Bashkë me ngazëllimin e pakufi, një orë më vonë, kur lajmet dhanë goditjën e bombës së parë të NATO-s mbi Beograd, e harrova përfare Igorin e gjorë.

Keqardhja për të dhe revoltimi m’u shtuan pas dy javësh, kur në numrin e ri të “Novoje vremja”, letra e opinione të pafundme lëshoheshin rrebesh mbi shkrimin tim, me sharje, me përpjekje për kundërshtime, replika, por një pjesë të sharjeve, e ndoshta më të egrat e tyre i drejtoheshin Igorit, duke e quajtur “Judë”, të rekrutuar, të mirëpaguar, turpin e Atdheut dhe rracës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora