Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aleksandër Biberaj: Barak Obama dhe Bota Islame

| E diele, 07.06.2009, 10:44 AM |


Barak Obama dhe Bota Islame

Nga Aleksandër Biberaj

Fjalimi që mbajti Presidenti i SHBA-së, Barak Oba-ma, në Universitetin e Kajros përbën një fjalim dhe moment historik për të ardhmen e marrëdhënieve jo vetëm të SHBA-së me Botën Islame, por edhe të Perëndimit  me Botën Islame. Fjalimi Obama përbën një moment kthese, një fillim të ri dhe një epokë e re, në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Perëndimit me Botën Islame , marrëdhënie këto të tensionuara, sidomos pas 11 Shatorit 2001. Adresimi Obama ndaj Botës Islame nga Kajro, si një ndër qendrat kryesore jo vetëm të myslimanizmit si fe, por edhe të dijes, shkencës, artit, kulturës, historisë dhe trashëgimisë islame, përshëndetja e myslimanëve me himnin e tyre “eselemu alejkum” (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju), respektimi i arritjeve, historisë dhe trashëgimisë së qytetërimit islam si dhe citimi gjatë fjalimit i Kuranit, janë mesazhe respekti dhe paqeje që Presidenti paqësor i SHBA-së i përcolli Botës Islame në shtëpinë e tyre. Fjalimi i Kajros ishte mesazhi më i mirë dhe më i qartë që Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i dërgoi miliona e miliona myslimanëve anembanë Botës, përfshirë edhe miliona myslimanëve të SHBA-së, komunitete këto jo pak të paragjykuara pas 11 Shtatorit, por komunitete të integruara në të gjithë botën dhe pjesë përbërëse e bashkëjetesës fetare në të gjitha kontinentet, përfshirë edhe vendet më të zhvilluara. Me fjalimin e Kajros, Presidenti Obama në fakt po realizon ato që ai programoi dhe premtoi gjatë fushatës elektorale për politikën e jashtme të SHBA-së, program që i dha atij fitoren historike në zgjedhjet presidenciale të 4 nëntorit 2008. Premtimet Obama, të cilat dukeshin disi utopike gjatë fushatës elektorale dhe për të cilat kishte jo pak skepticizëm, tashmë po materializohen, dhe nëse ato shndërrohen në realitete, jam i sigurt se do t’i jepnin Barak Obamës jo vetëm vendin e një presidenti të suksesshëm të SHBA-së, por edhe rolin dhe përmasat e një lideri botëror gjerësisht të mirëpritur dhe të respektuar. Pas ardhjes së Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë, politika botërore po përjeton një ç’tensionim të situatës. Është i ndjeshëm dhe i prekshëm një ç’tensionim i marrëdhënieve të SHBA-së me Botën Islame përfshirë vendet arabe, Iranin, Irakun dhe Afganistanin, një ç‘tensionim i marrëdhënieve të SHBA-së, por edhe BE-së me Rusinë, një afrim me Kinën, si dhe një ç’tensionim i marrëdhënieve të SHBA-së me vendet e Amerikës Latine, përfshirë edhe Kubën apo edhe me vende të tjera të Botës me të cilat ishin krijuar divergjenca jo vetëm për arsye politike dhe ideologjike, por edhe strategjike dhe ekonomike. Duke pasur parasysh situatën e sotme në politikën botërore, por edhe krizën ekonomike globale, gjykoj se qëndrim i Presidentit Obama është qëndrimi më i mirë në interes jo vetëm të SHBA-së dhe Botës Islame, por edhe në interes të paqes dhe sigurisë botërore si një domosdoshmëri dhe përpjekje madhore për më shumë drejtësi dhe barazi. Dëshiroj të kujtoj se një ndër faktorët kryesorë të historisë së suksesshme të SHBA-së, është pikërisht diversiteti racore, fetar, nacional, politik dhe kulturor, dhe respekti ndaj këtij diversiteti. Pikërisht në ato momente që fillon dhe cenohet ky diversitet, ruajtja dhe respektimi i të cilit përbën një vlerë të jashtëzakonshme dhe një katalizator për shoqërinë, atëherë mund të fillojë edhe lindja e problemeve. Ruajtja dhe respektimi i këtyre vlerave të krijuara për shekuj dhe dekada, krijon kushte për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Edhe zgjedhja e Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë ishte treguesi më i qartë i diveristetit dhe respektit ndaj tij që ekziston në SHBA. Fjalimi i Barak Obamës në Kajro, që në fakt përbën edhe programin e Presidencës Obama dhe të politikës së jashtme amerikane ndaj Botës Islame, trajtoi probleme të rëndësishme lidhur me promovimin e demokracisë në vendet islame, lirinë e besimit, të drejtat e grave, shëndetin e nënës dhe fëmijës, zhvillimin ekonomik, arsimimin, si dhe zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë. Po ashtu, Presidenti Obama trajtoi me shumë kurajo, sinqeritet dhe në mënyrë të balancuar problemet e Lindjes së Mesme dhe të Gjirit Persik, përfshirë edhe gjetjen e një zgjidhje të drejtë dhe paqësore për konfliktin izraelo-palestinez bazuar në të drejtën që izraelitët dhe palestinezët të kenë shtetet e tyre, si dhe çështjen e armëve bërthamore të Iranit, apo edhe tërheqjen graduale të trupave amerikane nga Iraku dhe Afganistani, në mënyrë që të promovohet demokracia në këto vende dhe të vendosen regjime demokratike. Edhe një herë fjalimi i Barak Obamës tregoi se Bota ka nevojë më shumë se kurrë për lider të rinj, pa paragjykime dhe pa komplekse, lider që kapërcejnë barrierat e ngritura padrejtësisht për shekuj apo dekada, lider që besojnë tek Zoti dhe respektojnë lirinë e besimit të gjithsecilit, lider që punojnë për barazinë njerëzore, pavarësisht diferencave fetare, racore, nacionale, kulturore apo politike, lider që vlerësojnë dhe respektojnë diversitetin e qytetërimeve dhe trashëgimitë e tyre, lider që punojnë me devocion për një të ardhme më të mirë për fëmijët kudo që ata janë, lider që besojnë dhe punojnë jo vetëm për të mirën e vendit të tyre, por edhe të paqes dhe stabilitetit mbarëbotëror. Natyrisht që Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i tolerancës dhe harmonisë fetare, por besoj se mesazhet që përcolli Presidenti Barak Obama nga Kajro, vlejnë shumë edhe për Shqipërinë, dhe jo vetëm për përfaqësuesit fetarë.
a.biberaj@yahoo.com

Panorama