Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Kerni/Në Zagreb, fizikisht, në Tiranë, shpirtërisht...

| E shtune, 06.06.2009, 12:45 PM |


Mjeshtër i Madh i Punës, balerini i parë në Teatrin Kombëtar të Kroacisë, përfaqësues i denjë i artit shqiptar në skenat botërore

Nga Agron SEJAMINI

Kur takon Ilir Kernin, nuk mund ta pyesësh se pas sa vitesh ktheheni në Shqipëri, pasi ai mezi shtyn muajt që të vijë në Tiranë. Fjala vjen, hera e fundit ka qenë dhjetori, ndërsa pritet të vijë në korrik. Nga viti 1994 e këtej, kështu i kanë ikur vitet, mes Zagrebit dhe Tiranës. Natyrisht, kohën më të madhe e kalon jashtë vendlindjes. Por, shpirtërisht ai është këtu. Jo thjesht dëshirë, por edhe detyrim për familjen, miqtë dhe shokët. Sepse ashtu ndjehet edhe Iliri te ata. Në gjithë atë kohë që bashkëbiseduam me prindërit e tij, Rustemin dhe Nafijen, prezencën e tij e ndjemë në çdo çast. E ndjemë në gjendjen e tyre shpirtërore dhe fizike që vetëm kur i pyet, beson se vërtetë janë 80 e kusur vite. E ndjemë në komoditetin dhe rehatin që ata gëzonin. E ndjemë në çdo fjalë që ata nxirrnin për djalin e tyre... Veçanërisht, nëna e cila ka një dashuri të veçantë... Nuk "u tremb" as kur i thamë se këto fjalë do i shkruanim në gazetë dhe do i hapnin telashe te katër fëmijët e tjerë të saj. Ia kanë pranuar me kohë këtë ndjesi se edhe vetë mes tyre të tillë e ndjejnë vëllanë e tyre, si më të mirin. Qysh i vogël, tregon Nafija, më është bërë i dashur ai djalë. Duke qenë familje e madhe, kishim nevojë edhe ne prindërit për ndihmë. Nuk mbaj mend që t'i kem thirrur dy herë Ilirit, kur e kam shkëputur nga loja për të bërë pazaret. Por, ajo që u ka ngelur ende e këndshme dhe e freskët nga fëmijëria e tyre është kur e shkëputën nga shkolla 8-vjeçare "Sabahudin Gabrani". Ishte në klasën e katërt, me të gjitha notat dhjeta. Por nuk mund ta vazhdonte më. Krejt rastësisht te ai vogëlush i ndrojtur u zbulua e ardhmja e tij dhe faqet e arta ku do të shkruheshin një pjesë e historisë së baletit shqiptar. Dhe kjo meritë i takon, "Artistit të Merituar", Miltiadh Papa. Ishte bërë metodë pune në atë kohë, që talentet i zgjidhnin nëpërmjet testimeve që organizoheshin nëpër shkolla. Një i tillë ishte edhe ai që u bë për të zbuluar talente për baletin. Jo vetëm mosha nuk i ngjalli kuriozitet, atë çast Ilirit por edhe natyra e tij shumë e ndrojtur. Në fund fare, mësuesi kujdestar tek e shikon në fund të klasës, e pyet nëse kishte kaluar në provë apo jo. Me gjysëm zëri lëshoi një "jo". I thanë të bënte urën... Realizoi një tërheqje të fortë të muskujve, aq sa iu mor fryma. Deshte të ishte sa më i bindur në atë që iu kërkua pa i shkuar ndër mendje se atë sekond i kishin dalluar fatin e jetës. Edhe kur i thanë që "sot pasdite, bashkë me prindërit të vish te shkolla e baletit, në rrugën e Elbasanit" nuk arriti të kuptonte saktësisht mrekullinë që kishte ndodhur. Iku në shtëpi dhe ua tha këtë ndodhi si lajm të zakonshëm. Me mendimin se do e rregjistronin në ndonjë kurs, iu bind edhe i ati shoqërimit të tij atë pasdite. Por, muhabeti u bë krejt ndryshe... Fëmija juaj do të fillojë klasën e pestë në shkollën tonë në degën e baletit. Kaq u tha i ndjeri, Miltiadh Papa, atyre se kolegëve shpesh herë u pëshpëriste në vesh: Fiksojeni këtë djalosh se ka për t'u bërë i famshëm...! Falë përkushtimit dhe bindjes, e nisi me dëshirë atë shkollë... Gjithë kohën paradite dhe pasdite e kalonte aty. Në jo pak raste, e ëma edhe vinte merak që i biri, jo dhe aq i shëndetshëm lodhej aq shumë, pa patur mundësi të pushonte apo të luante si gjithë shokët e tjerë të lagjes... Ky merak deri sa një ditë Iliri i tha që do iki me trupën e baletit në Kinë. Vetëm kur u kthye nga ai turne i suksesshëm në Lindjen e Largët, kuptuan prindërit se udha e të ardhmes së Ilirit do të ishte e mbarë. Në atë kohë ishte 13 vjeç dhe kishte një episod me grupin e fëmijëve në baletin "Cuca e maleve". Fëmijë, por mbresat te spektatorët, i la si për të madh... Në Lindjen e Largët pa dhe të ardhmen e afërt që shposej te opinionet e mësuesve dhe të pedagogëve në shkollën e mesme të baletit dhe, sidomos në Akademnë e Arteve. As që bëhej fjalë për të qenë njëshi i belerinëve shqiptare në Teatrin e Operas dhe Baletit, sapo la auditorin e shkollës së lartë... Në jo pak raste edhe autorët ndjeheshin të surprizuar nga rolet që interpretonte Iliri. Personazhet e tyre ishin më madhështorë dhe jepnin më shumë mesazhe në skenë se sa në veprat e tyre letrare... Thamë që ky balerin i jashtëzakonshëm u zbulua si talent në një klasë filloreje, por për të kapur lartësitë nuk mjaftonte kaq. Doemos që duhej edhe puna. Dhe kur këto të dyjave, Iliri u falte edhe pasionin dhe vullnetin, të gjitha bastet mund t'i fitonte. Me veten dhe të tjerët. Para 20 vjetësh në një gazetë shqiptare, për Ilir Kernin, shkruhej:

"Në sallën e përgatitjes të Teatrit te Operas dhe Baletit vjen zëri i fortë ritmik i baletmaestrit, dëgjohen dhe zhurmat e parketit nën hapat e balerinëve që stërviten. I pari në radhë është Ilir Kerni me shikimin e mprehtë dhe serioz. Eshtë 28 vjeç, mosha më e përshtatshme për një kërcimtar të shpejtë, me një prirje të natyrshme për këtë lloj arti. Prej 10 vjetësh që kur Iliri mbaroi shkollën e lartë, punon këtu në trupën e baletit si balerin i parë. Në të gjitha shfaqjet e dhëna ka patur rolet kryesore dhe disa herë ka luajtur pa dublant. Pra, prej 10 vjetësh ky përgatitet 2 herë në ditë me orar të zgjatur, duke patur gjithnjë të njëjtin qëllim, të ekzekutojë rolet më të vështira. Gjatë stërvitjes duket pak i lodhur e megjithatë thotë me bindje se do ta, ruajë këtë gjendje e do ta përmirësojë më tej dhe për 10 vjet të tjera. Por si? Me të njëjtën stërvitje, ngulmuese e duke ruajtur trupin nga pesha e tepërt, por mbi të gjitha shpirtin..." . Hajde po deshe dhe mos i beso djersës së derdhur! Një jetë kërcimtari e gërshetuar me lodhje dhe kënaqësi. Ndërkohë nuk humbi edhe shansin tjetër. Demokracia i krijoi mundësinë që aftësitë e tija t'i shprehte edhe jashtë Shqipërisë. Një bursë e UNESKO-s i krijoi mundësinë e prekjes së bashkëkohores. Iku i pjekur artistikisht në Paris, por ndjeu edhe hendekun e madh...

-Jo hendek, thotë Iliri, por oqean. Të mos harrojmë se mësuesit tanë të baletit, kishin studiuar jashtë Shqipërisë, pa marrë dot asnjë eksperiencë tjetër veç shkollës. Vajtja ime në Francë ishte një shok total, që fillonte që nga tempi i punës, krejtësisht e pakonceptueshme. Mënyra se si punohej aty ishte diçka tjetër. Ne jemi të talentuar, por na mungon kultura e kërcimit. Kisha talentin, por më duhej shumë punë për të ecur edhe më përpara. Mënyra se si ushtroheshin ishin shumë larg asaj që kishim mësuar. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. Për të ardhur ai çast kur i madhi Panajot Kanaçi, e fton të jetë pjesë e trupës artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një turne që do bënin në Kroaci. I pëlqeu shumë salla e Teatrit Nacional të Zagrebit sapo e pa. Por, akoma edhe më shumë e pëlqeu balerinin shqiptar, drejtori i këtij teatri, Milko Shparemblek. "Nëse dëshiron të punosh me trupën tonë, eja kur të duash. Derën e ke të hapur..." E mirëpritën, duke mos ia hapur më derën për të dalë... Për të ardhur te ajo që ka thënë për Ilirin, drejtori më i fundit i Teatrit Kombëtar të Operës në Kroaci "padyshim balerini më i mirë që ka pasur ndonjëherë kjo kompani".

Ndoshta duket e pabesueshme, por Ilir Kerni ka mbi 34 vjet në skenë. Një hark të tillë kohor kanë mundur ta prekin vetëm balerinë të mëdhenj si Nurejevi. Ashtu sikurse thamë edhe më lart sekreti i kësaj jetëgjatësie qëndron te talenti, puna, por dhe gjendja e qëndrueshme psiko-fizike. Për të ndërtuar një karrierë të tillë, duhet të jesh i aftë të përballesh me çdo lloj ballafaqimi me brezat e rinj të balerinëve që çajnë udhën e konkurencës. Dalja për të në skenë ka qenë diçka e shenjtë. Ndaj përgatitja për çdo rol ka qenë maksimale. Gati 24 orë balet. Gjithçka, puna, mendimi, dhimbja, gëzimi e çojnë aty. Interesantja qëndron në faktin se sa më shumë djersë që derdh për të, aq më i dashur të bëhet. Duke u ndjerë kështu në një dhimbje të bukur....Në repertorin e tij numërohet një pafundësi rolesh, të cilët as ai vetë nuk i kujton dot... Aq sa atij nuk i ka ngelur asnjë peng në rrafshin profesional. Sepse i ka interpretuar të gjitha veprat klasike, por edhe shumë pjesë bashkëkohore, të cilat tashmë janë programet e konkurseve ndërkombëtare të baletit.

Dje, patëm një bisedë telefonike me Zagrebin. Për t'u përshëndetur me Ilirin, por për t'i kërkuar edhe ndjesë që këtë suplement, nuk mundëm ta përgatisnim pak ditë më parë, kur ai kishte 50- vjetorin e lindjes. Diçka më shumë, mund të ishte bërë edhe nga institucionet përkatëse, për këtë mjeshtër të madh. Mbase edhe Iliri nuk e ka pretenduar një gjë të tillë, por të vjen keq që edhe në këtë rast, Kroacia "të bën me turp"... Më 30 maj, kryetari i Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç, i dorëzoi mirënjohjen e lartë "Plaketa e Zagrebit". Vlerësim që u bëhet një herë në katër vjet, personaliteteve më të shquara të vendit. Këtë radhë u nderuan ekipi i hendbollit që është nënkampion i botës, Ivica Kostelici, një nga skiatorët më të mirë në botë... Në fushën e artit ishte vetëm Iliri ynë, i respektuar dhe i vlerësuar maksimalisht nga një komb tjetër.

U lind në Tiranë më 18 maj 1959.

1967. Rregjistrohet në shkollën e Baletit me pedagog, Artistin e Merituar, Miltiadh Papa.

1977. Kryen Akademinë e Baletit në Tiranë.

1978. Emërohet balerin, solist i parë në trupën e baletit pranë TOB-it.

1980. "Lola"-KAPITENI

1981. "Cuca e maleve"-PALI

1982. "Para stuhisë"- ADILI

1982. "Shota dhe Azem Galica"-AZEMI

1983. "Halili dhe Hajrija"-HALILI

1985. Vlerësohet me Çmimin e Republikës, Klasi I, për rolin e Halilit.

1984. "Joniada"- SHPENDI

1986. "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë"

1987. "Arrëthyesi"-FRICI

1988. "Zhizel"-ALBERTI

1989. "Vajza e qytetit të gurtë"-NAMIKU

1990. "Don Kishoti"-BAZILO

1990. I jepet Titulli "Artist i Merituar"

1991. Kryen një kurs specializimi të akorduar nga UNESCO në Teatrin e Operas së Parisit dhe më pas në atë të Strasburgut.

1991 -1993. U angazhua në trupën e baletit të Rhin-it.

1994. Balerin i parë në Teatrin Kombëtar të Zagrebit. Ka bashkëpunuar me disa nga emrat më të mëdhenj të koreografisë bashkëkohore, si Claude Bromorcho, Ivo Cramer, Oscar Araize, Milko Shparemblek, Bertrand d'Al, Vasco Wellenkamp, etj.

- Ka realizuar shfaqje në këto skena të huaja: Slloveni, Bosnjë-Hercegovinë, Greqi, Turqi, Çeki, Hungari, Francë, Gjermani, Holandë, Finlandë, Suedi, Kinë, Britani e Madhe, Belgjikë, Spanjë, Portugali, Itali, Meksikë, Japoni, Hong Kong.

- Ka marrë dy herë çmimin e Teatrit Kombëtar të Zagrebit "Oskar Harmos". - Është nderuar me çmimin e aktorit më të mirë kroat për vitin 2002, për rolin e Mefistofelit në baletin "Pasioni i Faustit".

- Është vlerësuar me urdhërin "Mjeshtër i Madh" me motivacionin: "Artist i talentuar, që ka përfaqësuar me dinjitet vlerat e shkollës shqiptare të baletit, jashtë vendit"

Dori, shqipëruesja jonë e denjë në Kroaci

Gjatë vizitës së Presidentit Topi në Kroaci, në krah të zonjës së parë të Shqipërisë, si përkthyese ishte bukuroshja tjetër e familjes Koka, Dorotea. Është bashkëshortja e Ilirit. Ka shoqëruar gati të gjitha delegacionet zyrtare që kanë ardhur nga Shqipëria. Por ka shqipëruar edhe libra. Më i fundit, "Kali i egër", botim i suksesshëm i një shtëpie botuese në Tiranë. Ndryshe nga e motra, Nertila një këngëtare e njohur për publikun shqiptar, e cila tani jeton në Suedi, Dori është dashuruar me gjuhën mëmë. Për të qenë akoma edhe më e aftë në atë mision fisnik që kryen në Zagreb tek drejton bibliotekën, ajo përfundoi aty edhe studimet e larta për bibliotekare.

Me siguri që edhe Iliri nuk do e ndjente veten mirë, nëse nuk do të shkruanim diçka për Dorin, vajzën tiranase aq të sjellshme, aq të edukuar... Jo thjesht, për atë që fati i bëri bashkëshort të denjë, por, sepse ajo është pjesë e padiskutueshme e suksesit të tij. "Është dhe mbetet e vetmja kritike e besuar e imja. Pa pikën e dyshimit i besoj asaj. Ajo ka një sensibilitet fin dhe është zor ta kundërshtosh nëse ajo ka parë se diçka nuk shkon. Është absolutisht edhe brenda zanatit dhe çdo gjë që thotë ia marr si aksiomë..." - thotë për Dorin, Iliri. Nuk është thjesht një kompliment. Me shijen e hollë artistike dhe mendimin profesional, ajo është baza kryesore nga ku ai përcakton bindjen përfundimtare për çdo rol. Niveli i bashkëpunimit dhe imtësia e diskutimit për çdo detaj, përcjell te Iliri lehtësi, frymëzim dhe forcë. Ja pse dhe Dori ka fituar statusin e shoqërueses, vlerësueses dhe kritikes në të gjitha skenat e botës ku ai interpreton. Dhe kur ky vlerësim maksimal vjen nga vetë Iliri, të ngjan sikur ndjehemi borxhli edhe ndaj Dorit në mirënjohje dhe falenderim. Borxhli për sa i përket kontributit në karrierën e bashkëshortit, pasi edhe ajo është një lloj ambasadoreje në Zagreb për artin dhe kulturën shqiptare. Duke qenë prej vitesh, drejtoreshë e Bibliotekës Qendrore Shqiptare në kryeqytetin kroat, ajo e ka shndërruar këtë institucion në një Shqipëri të vogël. Janë me dhjetra lexuesit. Nuk ka shqiptar që ajo të mos i sugjerojë anëtarësimin. Dhe të gjithë në arkivin e kësaj biblioteke shtojnë krenarinë dhe shuajnë mallin për vendlindjen. Por jo pak janë edhe studiues të letërsisë, kulturës dhe muzikës shqiptare. Në këtë vështrim edhe Dori është jo pak e njohur për komunitetin shqiptar që jeton në Kroaci. Ndërsa të dy, shërbejnë si një pikë referimi për kroatët dhe më gjerë, që edhe shqiptarët të respektohen dhe vlerësohen ashtu siç e meritojnë...

RD