E shtune, 20.04.2024, 12:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Fëmija i shtypur nga plehrat, një invalid që punonte për ilaçet

E shtune, 06.06.2009, 03:49 PM


Babai i Besmirit: Mjerimi, vuajtjet dhe hallet ma vranë djalin

Nga Ardi Hoti, Kamber Velaj

Ajo kartëmonedhë dyqindlekëshe që i mori jetën, i duhej për të blerë ilaçe. Vuante nga distrofia, një sëmundje që shkaktohet nga kequshqyerja dhe dobëson muskujt. Me paratë që merrte si invalid nuk mund të siguronte dot as ushqimin, ndaj i duhej ta vinte në punë atë pak forcë të muskujve të tij të brishtë, për të shpresuar se me mjekime do të mund të bëhej njeri normal.

Dëshira për ta kapur dyqindlekëshen që i fluturoi para syve ishte aq e madhe sa nuk e mori parasysh se, për shkak të sëmundjes nuk ishte i shkathët si fëmijët e tjerë dhe do të përfundonte nën plehra, i shtypur derisa t‘i dilte shpirti.

Sot, Besmir Ujka do t‘i vërë shpatullat dheut, duke shuar përfundimisht shpresat e familjes së tij për një jetë më të mirë. Ata u shpërngulën përpara dhjetë vjetësh nga Nikaj Mërturi i Tropojës. Atje kishte shumë male, pak diell dhe pak shpresë. U vendosën pranë Shkodrës, në fshatin Bardhaj, në terren fushor. Por fëmijët nuk e shijonin dot diellin as këtu. Fusha ku ata duhet të nxirrnin bukën është e mbuluar me tym të dendur.

Për të shkuar nga Shkodra në fshatin Bardhaj duhet të kalosh patjetër nëpër këtë fushë të tymosur, që mban ngrohtë edhe dëshmorët e kombit, të cilëve u është bashkuar tashmë edhe monumenti i bronztë i Pesë Heronjve të Vigut.

Mes tymit duken fëmijë që gërmojnë nëpër plehra, ashtu siç bënte edhe Besmiri deri dy ditë më parë. Ajo që ndodhi nuk ua ka prerë hovin. "Kemi familjet për të mbajtur", thonë. Nuk janë më fëmijë...

Në shtëpinë e Besmirit

Edhe pse nuk është më shumë se 10 kilometra larg nga kryeqendra e Veriut, Shkodra, fshati Bardhaj nuk ka një rrugë për të qenë.

Pasi kaluam varrezat dhe fushën e plehrave, një banor i zonës na sqaroi se me makinë është e vështirë për të shkuar deri në fshat. Zbritëm dhe vazhduam në këmbë. Pas tridhjetë minutash arritëm.

Në fshat ka rënë një qetësi që flet shumë. Gra me të zeza, që ecin pas burrave me kokën poshtë kuptohet fare lehtë se për ku janë nisur. Në hyrje të shtëpisë së Besmirit janë burrat ata që presin, ndërsa gratë qëndrojnë sipas zakonit brenda, duke vajtuar.

Burrat shtrëngojnë duart, belbëzojnë frazat standarde që përdoren në të tilla raste dhe pastaj qëndrojnë të heshtur, duke thithur fort cigaret. E dinë se s‘mund të thonë asgjë që mund ta ngushëllojë babanë e Besmirit, Agronin, i cili ka ardhur nga Greqia, ku jeton prej pesë vjetësh, por nuk arrin të gjejë punë sa për të mposhtur skamjen.

Gjendja e mjerueshme e shtëpisë tregon qartë se vetëm beteja për mbijetesë e ka detyruar adoleshentin Besmir Ujka të mos e mendonte gjatë kur u hodh për të kapur atë kartëmonedhë dyqindlekëshe.

Babai

Agron Ujka, kishte pak që ishte kthyer nga Greqia. Ishte i dërrmuar fizikisht e shpirtërisht, por e gjeti forcën të fliste:

"Më njoftuan dje pasdite më telefon dhe mora rrugën nga Greqia ku punoj prej pesë vitesh. Kam udhëtuar gjithë natën dhe sapo mbërrita. E kam të vështirë ta besoj, por di të them se mjerimi, vuajtjet dhe hallet ma vranë djalin. Në shtëpi kam lënë nusen me katër fëmijët, dy djem e dy vajza. Besmiri ishte fëmija i tretë dhe së bashku me motrën e tij të vogël dilnin çdo ditë për të mbledhur kanoçe dhe sende të ndryshme, që më pas i shisnin.

Di të them se nuk fitonin më shumë se njëmijë lekë të vjetra në ditë dhe gjithçka bëhej për të jetuar, pasi jemi në kushte tepër të vështira ekonomike. Për më tepër, djali që vdiq ka qenë invalid dhe me paratë që fitonte blinte ilaçet. Unë, në Greqi kam qenë më shumë pa punë se me punë dhe kjo ka ndikuar shumë tek ekonomia e familjes. Fëmijët u detyruan të sakrifikojnë jetën".

Ndërsa duart i dridhen dhe sytë i janë mbushur me lot, Agron Ujka i bën apel shtetit dhe strukturave vendore: "Dua t‘i bej thirrje shtetit që të krijojë kushte për punësim dhe një politikë për të rritur mirëqenien. Kemi dëgjuar vetëm premtime prej të gjitha partive në vite, ndërsa ne vazhdojmë të luftojmë me vdekjen për bukën e gojës..."

Ndërsa largohemi nga fshati Bardhaj, lëmë pas njerëz të veshur në zi që vajtojnë, mbeturina që ende digjen dhe fëmijë që ende gërmojnë për bukë aty. Historia e Besmir Ujkajt nuk është mbyllur me vdekjen e tij. Beteja vazhdon!

Apeli i Babait

Dua t‘i bej thirrje shtetit që të krijojë kushte për punësim dhe një politikë për të rritur mirëqenien. Kemi dëgjuar vetëm premtime prej të gjitha partive në vite, ndërsa ne vazhdojmë të luftojmë me vdekjen për bukën e gojës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora