Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lamtumirë Carradine

| E shtune, 06.06.2009, 12:16 PM |


David Carradine
David Carradine
Divi rebel i Hollivudit

Me një fytyrë të ashpër dhe tipare të theksuara, me një guxim dhe forcë prej të riu, ai ishte gjithmonë i gatshëm të luante role rebelësh, luftëtarësh, apo vrasësish. Themi ishte, sepse David Carradine nuk është më. Aktori 72-vjeçar është gjendur i vdekur në Bangkok në dhomën e hotelit të tij luksoz, ku kishte shkuar për të luajtur filmin e fundit "Stretch". I lidhur me litar pas fytit, ai u gjend i varur në dollapin e dhomës, ku kishte vendosur të qëndronte. Në trup nuk u gjendën shenja dhune dhe sipas autoriteteve tajlandeze kjo mund të jetë një vetëvrasje, edhe pse një zyrtar i policisë vendase kishte hedhur hipotezën se mund të bëhej fjalë edhe për një lojë erotike që kishte përfunduar në mënyrë tragjike, pasi litari që e shtrëngonte në fyt ishte lidhur edhe tek organet gjenitale. Një fund në kundërshtim me jetën e një aktori, që vetëm disa muaj më parë kishte mbajtur një takim në Los Anxhelos, se si spiritualizmi i arritur përmes ushtrimit të arteve marciale kishte influencuar pozitivisht në ekzistencën e tij. Publiku i gjerë e kujton në rolin e murgut endacak, ekspert i arteve marciale në seritë televizive të viteve ‘70 "Kung Fu", dhe në filmat "Kill Bill 1" e "Kill Bill 2" të regjisorit Quentin Tarantino. Në moshën 72-vjeçare, David Carradine ishte në aktivitet të plotë dhe gjendej në Tajlandë për xhirimet e filmit të tij më të ri "Stretch", me regji të Charles de Meaux. Vdekja e tij e dhunshme, për fat të keq duket se përshtatet me personazhet negativë të luajtura gjatë gjithë jetës së tij kinematografike. Megjithatë, pas një personi në dukje të vrazhdë, fshihej një njeri me zemër të butë, që pranonte se "kishte qarë shumë herë kur kishte parë filmin ‘Piter Pan‘". Ai vinte nga një familje që i kishte kushtuar gjithë jetën e saj kinemasë. Babai i tij, John Carradine, përfaqësonte një figurë familjare në filmat uestern. Vëllai Bruce dhe dy gjysmëvëllezërit e tjerë Keith dhe Robert janë gjithashtu aktorë. I lindur në Los Anxhelos në vitin 1936, Carradine pati treguar një intolerancë të vendosur për Hollivudin dhe kishte shëtitur gjithë Amerikën duke iu bashkuar komunitetit hipi, deri sa në fund u bë pjesë e asaj që mund të cilësohej si një fat familjar: botës së spektaklit.

Ai punoi në Broadway përpara se të vinte në Hollivud me filmat e tipit uestern të viteve 1960, si për shembull "Wagon Train" dhe "The Virginian", si dhe duke marrë një rol në filmin më të mirë uestern "Shane". Por rebelizmi i tij e kishte shtyrë drejt shprehjeve artistike eklektike: skulptor, shkrimtar, kompozitor, muzikant, këngëtar dhe mbi të gjitha mjeshtër i kung fu-së, një pasion i fortë sa që e shtyu të xhironte një video për të mësuar këtë art marcial. Ishte i vetmi aktor amerikan që shmangte shakanë dhe qeshjen gjatë interpretimit të një luftëtari lindor në serinë televizive gjatë tre viteve, që i dhanë edhe suksesin e madh. Me 62 seritë e "Kung Fu", David u bë një ikonë e arteve marciale. Në garë për atë rol ishte edhe Bruce Lee, por Carradine u zgjodh për shkak të aftësive të tij prej balerini, shumë të rëndësishme për lirshmërinë e lëvizjeve të këtij lloj "sporti". Roli i Caine në "Kung Fu" i dha atij një nominim për çmimet "Emmy", nderi më i madh i televizionit amerikan.

Në karrierën e tij brilante kinematografike duhet kujtuar medoemos në rolin e Big Billit, sindikalisti i masakruar gjatë përleshjeve sociale në kohën e Depresionit të Madh në "Amerika 1929", drejtuar nga Martin Scorcese në vitin 1972. Nga viti 1976 duhet kujtuar "Kjo tokë është toka ime" i Hal Ashby, ku ringjall Woody Guthrie, një nga baballarët e muzikës popullore amerikane, rol që i dha një nominim për "Oskar". Për Ingmar Bergmanin punoi në vitin 1977 me filmin "Veza e gjarprit". Në vitin 1980 interpretoi me vëllezërit Keith dhe Robert filmin uestern të Walter Hill, "Kavalierët e hijeve të gjata", që flet për jetën dhe vdekjen e banditit legjendar Jesse James. Në përgjithësi, karriera e Carradine ka përfshirë më shumë se 200 role në filma, televizion apo DVD, të përhapura në afro pesë dekada. Kulmin e lavdisë ai do e arrinte me regjisorin Quentin Tarantino, që sipas aktorit "ishte një regjisor për të cilin ai ishte i gatshëm të hidhej nga shkëmbi". Fryt i këtij takimi do të ishin prodhimet e "Kill Bill 1" dhe "Kill Bill 2", përkrah aktores Uma Turma, e cila pasi zgjohet nga një gjendje kome që zgjati katër vjet, zhduk pa mëshirë përbërësit e një bande killer që i kishin varrë burrin ditën e dasmë. Carradine u martua katër herë dhe pati dy vajza. E shoqja e tij e fundit Annie Bierman, u martua me të në vitin 2004. "Ai ishte një person që gjithmonë kishte dëshirë të punonte, pasi kishte energji të papara dhe një formë të jashtëzakonshme fizike", tha agjenti i tij Chuck Binder, pas këtij lajmi shokues.

Kujtimi

Tarantino: Vetëm ai mund ta bënte Billin

Quentin Tarantino është regjisori që punoi me Carradine për filmat "Kill Bill 1" dhe "Kill Bill 2", duke e çuar në majat e lavdisë së tij pas 20 vjet role jo shumë të rëndësishme. "Ishin seritë e ‘Kung Fu‘ në vitet ‘70 që më bënë të mendoja për Billin dhe historinë tij. David, që gjithmonë ka qenë nënvlerësuar në Hollivud, ishte i lumtur, por unë nuk kam pasur kurrë dyshime. Vetëm ai mund ta luante rolin e Billit. Më pëlqeu aq shumë sa kisha menduar të bëja një film me kartonë, me zërin e tij për rininë e Bill. Por nuk patëm kohë. Jemi argëtuar së bashku edhe me ‘Hell ride‘, shkruar dhe drejtuar nga Larry Bishop", kujton regjisori. Edhe Lawrence Bender, ortak i Tarantinos dhe producenti i filmave të tij e kujton kështu Carradine: "Në fillim po mendonte për Warren Beatty për Bill. Pastaj ditën tjetër, Quentin nisi të fliste për David dhe Warren tha se do të ishte fantastike për filmin e tij. Gjatë filmit, kur David stërvitej me vajzat për luftimet, më dukej se shihja sërish shown e tij të vjetër televiziv. Do të na mungojë shumë".

G. Shqip