E enjte, 23.09.2021, 07:24 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Llojdia: Arka e Edvinit ka marrë ujë, thirren në ndihmë Çirçet e enverizmit

E premte, 05.06.2009, 06:44 PM


Arka e Edvinit ka marrë ujë, thirren në ndihmë Çirçet e enverizmit

Nga Gëzim Llojdia

E pse ne u dashka të mos kemi një udhë që të bashkojë shqiptarët, vetëm pse vijojnë të na ulërasin Çirçet e politikës majtiste...

Rremtari konstatoi se në varkën e mbushur plot me vashëza po hynte ujë. Rremtari hodhi rremat në det dhe tha: “Secili të shpëtojë nga të mundë. Përballë ishte ngushtica dhe ishulli i Çirçeve. Po ju lë amanet, u tha rremtari çirçeve, këto vashëza. Kushdo që të kalojë në këtë ngushticë, t’i përdorin në çdo kohë. Vashëzat u ngulën në breg duke përgjuar anijet, që shkonin asaj ane.

Kur Kryeministri i vendit Sali Berisha, inauguroi një ndër veprat monumentale të kësaj kohe - që për kombin shqiptar përbën urën e bashkimit - zëri i çirçeve filloi të funksionojë non stop. E pikërisht, pse, ne, urat shqiptare na i rrëzuan gjithë herës, armiqtë e këtij kombi. Qemë fqinj të mirë ne shqiptarët! Nuk u binim në qafë fqinjve, opr qenë këta të fundit, që kishin humbur drejtpeshimin dhe kërcënonin padrejtësisht kufijtë, shkrumbëzonin shtëpitë dhe na vrisnin prijësit me pabesitë e tyre.

Në këtë bashkëjetesë me fqinjët, shqiptarët kishin njohur nga fqinjtë, përveçse sulme e pushtime, varre të hapura, morte të rënduar, arkëmorte ndër vite, bashkë me zinë e pushtimit. Për 500 vjet llogaritet guacka e rëndë e Perandorisë Osmane. Me rënien e saj, kur pritej të ndodhte riparimi i kohës, vërshuan fqinjtë. Në veri shkjau, në jug ushtri greke që injektonin vdekje. Shumë ekspedita ndëshkimore në tokat e shqiptareve u vërshuan nëpër kohën turbulluese të viteve ‘14-‘20, kurse në kohën pushtuese të luftës së dytë, fashistët e përtejdetit dhe nazistët e Rajhut të tretë. Në këtë babiloni pushtuesish, pushtimet sillnin kohë të tmerrshme. Ata që janë të pushtuar e dinë se ç’ngjyre ka në të vërtetë ai. Në këto kushte, çdo popull do ta kishte humbur toruan. Dhe e humbën mjaft kombe. Ndërkaq mbijetuam deri në fund ata të Kosovës, përpara këtyre katastrofave, ku riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë, e shtuan qëndresën duke shtuar edhe shumëzimin.

Përse qëndruam? Shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre. Datimet përcjellin një numër të rëndësishëm objekte të kohëve të hershme. Gjurmë: mure rrethues, varre monumentalë, portikë hyrës, tuma, monedha, ngrehina, rrënoja, hambarë, porta, ujësjellësa, depo, stadiume e amfiteatro. Emra të hershëm sa qytetërimi. Njihen fatkeqësitë që kapluan disa kombe. Shtrojera e tyre u bënë greminat, mbi të cilat u ngritën të tjerët. Mbijetuan dhe jemi kombi që po realizon endrren e madhe: Bashkimin. Edhe kjo udhë e madhe është udha jonë nëpër të cilën do të shkojmë e do të vijmë. Kam dëgjuar komunistë fanatikë që kanë thënë: “bravo, se kjo udhë është e shqiptarëve, mirëpo kam dëgjuar Besnik Baren e PS që doli fill pasi lotët tona të gëzimit ende nuk ishin tharë. Një çirçe që filloi të qëllonte me “kallashnikovin partiak”, marrë borxh Edvinit. Kë qëllon o lumëmadh? Udhën tonë, ku do të shkojmë ne, ti, vëllezrit tanë? Kujt i hedh gurë, o mavri, udhës tonë, udhës që e kemi ëndërruar të gjithë bashkë? Kjo paturpësi do të mbahet mend gjatë. Krahasimet që duheshin aq shkolla e kaq spitale janë shqiptarshe “pordhë me rigon”. Sikur vetëm nga kursimet e 15 % të  Edvinit, do të mund të beheshin spitalet dhe shkollat. Përse kjo opozitë tregohet lëtyrë për një çështje kombëtare. Çfarë nuk tha e çfarë nuk bëri për Bollanon, se atë e mbronte Berisha, tanimë lidhi aleancë me partinë dhe vete Bollanon. Qindra flete gazeta, që dilnin me fakse e emaile nga zyrat e Edvinit nëpër të përditshmet shqiptare, për të sharë çdo gjë të mirë që është në dobi të kombit. U tretën e thanë socialistët, me gjuhën e çirçeve nëpër mediume shqiptarësh si rrallëherë, dhe vetëm për të treguar kundërshtinë e tyre për veprat kombëtare. A nuk i dinë këta ekskursionet patriotike të shqiptarëve të Kosovës për në brigjet tona bregdetare? Kemi parë një fluks të panjohur ndonjëherë nga kosovarët ku rrallëherë turizmi njohu rritje, objektet kulturore dhe gjithçka tjetër u mësy dhe vazhdohet të mësyhet nga vëllezërit tanë kosovarë të cilët hyjnë me para kudo dhe kjo e ardhur shkon tek biznesi.

Tanimë që udha përfundoi plazhet tona do të mësyhen më shumë dhe objektet tona do të kenë më tepër vizitorë dhe kjo e ardhur do të hyjë në xhepin e biznesit. Pa folur për turistë të tjerë që do ta përshkojnë më shpejt dhe më komod këtë rrugë, pa folur për bizneset që do të ngrihen buzë saj, pa folur për udhën e hapur që do ta përshkojnë edhe të huajt. Të mirat e një udhe njihen dhe dihen, por nuk kuptohen sot, ulërimat e çirçeve, përse dhe vetëm ju çirçe politike një avaz po mbani?Për sa miliona u bë ura e Bosforit, ajo e Patrës dhe udhët e tjera, që kanë rëndësi vendimtare tek fqinjët tanë pa marrë parasysh koston. Përse ne nuk duhet të kemi një udhë që të bashkojë shqiptarët, vetëm përse ulërasin çirçet. Urimi për ju është gati i thjeshtësuar: “Mbeçi atje, në atë ishull, aty ku s’mund të bëni punë tjetër përveç asaj të çirçeve! U bëfshi çirçe e qafshi punesat tuaja të çirçeve!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora