Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Rruga e Fijes

| E premte, 05.06.2009, 05:11 PM |


Rruga e Fijes

Nga Edison Ypi

Rruga e Fijes nuk ngjan me asnjë rrugë. Rruga e Fijes nuk është as e bukur, as madhështore, as e gjatë, as e shkurtër, as e gjerë, as e ngushtë. Por Rruga e Fijes, është, në të njëjtën kohë edhe madhështore, edhe e gjatë, edhe e shkurtër, edhe e gjerë, edhe e ngushtë. Nuk ka fjalë për ta përkufizuar Rrugën e Fijes. Në asnjë fjalor. Sepse Rruga e Fijes është e vetme në botë dhe në Histori. Më mirë se kushdo, megjithëse kurrë nuk e thotë, si është Rruga e Fijes, këtë e di dhe e ndjen vetëm Fija vetë.
Rruga e Fijes ndodhet në Lindje të Shqipërisë Perëndimore, përtej disa maleve, në Maqedoni. Ajo rrugë, nga Qaf’ Thana në Kumanovë, nëpërkëron e tëra përmes malesh të blerta, shpatesh shkëmbore, pyjesh të dendur, kodrash të menduara.
Kjo rrugë plot bukurira, dhe ky vend plot mistere nga kalon Rruga e Fijes, nuk mund të mos ndodhej në Lindje. Misteri bën rrugën e diellit. Nuk është e mistershme nata plot me frikëra. Misterioze është dita. Lindja bën pyetje, Perëndimi jep përgjigje. Perëndimi nuk ka mister. Perëndimi ka lodhje dhe dëshpërim. E ç’të presësh nga Perëndimi i trishtë i cili në muzg e shuan diellin mbi det si cigaren mbi tavëll ?! Prandaj pyetjet udhëtojnë nga Lindja në Perëndim, ndërsa përgjigjet nga Perëndimi në Lindje.
Ka miniera koprace, ku, për ta nxjerrë floririn duhet të gërmosh thellë t’u shqyesh barkun shkëmbinjve. Ka dhe miniera bujare, ku ari ndodhet në sipërfaqe dhe mund ta marrësh me një të ngulur të lopatës, një të zgjatur të dorës, madje edhe me një të hedhur të syrit.
E tillë minierë bujare njerëzore është vendi mespërmes të cilit kalon Rruga e Fijes. N’atë vend, floriri i njerëzisë, motorrat e ekzistencës, që janë përrenjtë e kripërave njerëzore, nuk janë të fshehur, nuk gurgullojnë “nën” si gjithkund, por “mbi” si askund. Në këta përrenj bujarë të Rrugës së Fijes mund të pish sa të duash, dhe pasi të pish e të dehesh, të mbetesh njëqind vjet xurxull me në mëndje faunën dhe florën e atyre anëve, historinë dhe gjeografinë, kishat, manastiret, muret e vjetër, vendet e shenjta.
Fija dhe Rruga e tij japin e marrin me njëri - tjetrin në një marrëdhënie që nuk ngjan me asgjë. Fija, mbi atë rrugë, udhëton për të udhëtuar, dhe jo rrallë, por nuk e sheh; e dëgjon për të dëgjuar, por veshët s’ia kapin; e nuhat, por flegrat s’i lëvizin; e njeh por nuk e di.
Megjithse Fija është njeri dhe Rruga send, dhe pavarësisht se fajin, në kushte normale, nuk mund ta ketë kurrë sendi por njeriu, në këtë anormalitetin misterioz që mbështjell Rrugën e Fijes, e pabesueshme por e vërtetë, ndodh e kundërta; S’e ka fajin Fija. E ka fajin Rruga. Sepse Rruga e Fijes ka veti, që asnjë rrugë tjetër nuk i ka; Fjala vjen, Rruga e Fijes, ka edhe fillim, edhe mes, edhe mbarim. Por nuk ka as fillim, as mes, as mbarim. Të gjitha segmentet e Rrugës së Fijes janë në të njëjtën kohë, edhe fillim, edhe mes, edhe mbarim. Kjo është arsyeja që Rruga e Fijes, ky variant i ngurtë i të rrjedhëshmit Drinit të Zi që kalon “mespërmes për Shqipëri”, megjithëse duket sikur nis në Tiranë dhe mbaron në Kumanovë, mund të nisi gjithashtu edhe në Strugë dhe të mbarojë në kryeqytetin e Dardanisë Shkup, apo të nisi në Gostivar dhe të mbarojë në Kumanovë, po aq sa është e vërtetë dhe e sigurtë edhe tjetra, që mund të nisi gjithashtu për bukuri edhe në Kërçovë e të mbarojë po në Kërçovë, mund të nisi në Tetovë e të mbarojë po në Tetovë, po ashtu si mund të nisi si në secilin kilometër dhe të mbarojë po aty, në çdonjërin prej 355 kilometrave nga Vaksinca në Tiranë, të cilat, për t’i kuptuar si duhet nuk mund të përshkohen ndryshe veçse si i përshkova dhe u sfilita unë; me një frymë, pa u ndalur për mbi 16 orë rresht brenda një dite. Sepse Rruga e Fijes nuk është dehëse si rakia, të cilën, për t’ia provuar cilësinë, mjafton të pish vetëm një gllënjkë. Rruga e Fijes është një drogë që nuk bën asnjë efekt po s’u pi me eks e tëra.
Rrugën e Tij nga fshati i tij pranë Kumanovës, deri në Tiranë, dhe kthim, Fija e ka bërë me qindra herë. Por bela me Fijen. Se Fija vjen për të ardhur nga fshati në Tiranë, por s’di nga kalon, shkon nga Tirana në fshat, por s’i vjen në hatër ç’pa; ndodhet diku, por as vetë nuk e di ku ! Sa duket, megjithëse vështirë të shpjegohet, nuk është çudi, që nuk lëviz Fija por lëviz rruga. Pra, nuk është Fija që udhëton nëpër rrugë. Është rruga që ecën nën këmbët e tij. Ose, në fund të fundit, rrezikuar të prekim ndonjë paradoks, po s’qe e vërtetë sa më sipër, jemi të shtrënguar të bëjmë supozimin se e vërteta duhet të jetë njëra nga këto; Fija nuk është njeri por rrugë dhe Rruga nuk është rrugë por njeri, janë që të dy rrugë, që të dy njerëz, ose, në fund të fundit, Fija është rrugë dhe rruga është Fije, por të dy të paisur me aftësinë për t’i këmbyer cilësitë.
Pra, siç shihet, s’është e lehtë të kesh një ide qoftë edhe të përafërt për Rrugën e Fijes. Problemi është se shpjegimet për Rrugën e jashtëzakonshme të Fijes nuk mund të jenë të drejtpërdrejta dhe shteruese, por vetëm të tërthorta dhe të pjesëshme. Sepse Rruga e Fijes, ndaj të gjitha rrugëve të tjera, me gjithë vështirësitë e ndërmjetme për t’u kuptuar, qëndron si Fizika e Ainshtainit dhe Gjeometria e Llobaçevskit, ndaj fizikës dhe gjeometrisë klasike. Prandaj Rruga e Fijes, me gjithë ato bukurira, është aq fluide për t’u rrokur, absolutisht e pa racionalizueshme ta kuptuar. Rruga e Fijes vetëm ndjehet dhe aspak kuptohet. Prandaj edhe Fija këtë rrugë e udhëton, e sheh, e dëgjon, të tërën së brendshmi dhe aspak së jashtmi.
Megjithatë, përderisa jeta dhe bota janë të dja të zhytura në mister, s’është për t’u dëshpëruar dhe aq. Sepse, po ashtu si, kur nuk ke pulën, që të mos vdesësh, detyrohesh të hash sorrën, në pamundësi të shpjegimit të palcës, edhe mund të vlejë t’i hedhësh një sy disa detajeve të Rrugës së Fijes.
Sapo nga Qaf’ Thana rrëzohesh në Strugë, përmes një tabele ku shkruhet; “Shes Arën”, merr vesh se pronari shqiptar thjesht ka vendosur ta shesë arën. Në të njëjtat rrethana, gjithkund në Shqipëri, një bujk i tillë, nxjerr një tabelë ku shkruan; “Shes Tokën”. Strugani jo. Strugani nuk shet “Tokën”. Sepse Toka, me gjithato kontinente dhe oqeane, është tepër e madhe për të qenë pronë e një bujku buzë Liqerit. Bujku strugan, aspak megaloman, shet thjesht dhe vetëm arën, dhe s’ka aspak punë me Tokën dhe kontinentet, madje as mëndja nuk i vete. Prandaj dhe ashtu e ka shkruar; “Shes Arën”. Në të kundërt, shqiptari i shejtanizuar i Shqipërisë së sotme, ai që nëpër tabela shkruan; “Shes Tokën”, e bën këtë në mënyrë që, t’i rezervojë vetes të drejtën që më vonë t’i thotë homologut të vet blerës; “jepma o sylesh arën që ta shita, se unë s’të shita ty arën, dhe ti s’më bleve mua arën, por Tokën që ka brenda dhe Amerikën, e cila nuk është e imja”.
Në Strugë nuk mund të kalohet pa bërë së paku një tentativë për të takuar Agim Poshkën. Poshka fatkeqësisht nuk është ku normalisht pritej të ishte, në kafenenë e famshme. Lidhur me mungesën e Agimit vjen justifikimi i babait. Babai i Agim Poshkës, nuk thotë se Agimi ka vajtur diku të bëjë diçka, për shembull, si pedagog dhe Doktor i Shkencave që është; “ka vajtur në universitet të japë mësim, leksion etj, por “po ligjëron” !. Kuptohet ku, në universitet. Kjo përgjigje më pëlqen tej mase dhe i’a justifikoj mungesën Agimit. Të rroftë palla o Agim Poshka që as flet, as punon, as udhëton, por vetëm këndon nëpër skena dhe ligjëron nëpër aula. Për ty paska qenë jeta o Agim Poshka. Sot paske pas’ kujt t’i thuash të dua.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk përdorin makina të reja dhe të shtrenjta si bëjnë shqiptarët e Shqipërisë për t’u mburrur, por makina të vjetra, të vogla, të rregullta, të pastra, për të kryer punë. Një këtu, tjetra atje, të tilla makina, shpesh të lëna anës rrugës, si dhe mes korijeve të blerta, janë pjesë e një peizazhi karakteristik të Maqedonisë Perëndimore banuar në shumicë dërrmuese nga shqiptarë.
Sllavët e Maqedonisë, historikisht në Shqipëri po se po, por edhe në Maqedoni, praktikojnë një dhunë toponimike të pa shembullt, që t’i ngre nervat dhe të ngritura t’i mban gjithë jetën; Anës rrugës, me drejtim kah perëndimi, ku ka vetëm fshatra dhe vise shqiptare që kur është krijuar Bota, një tabelë e shkruar bullgarisht të njofton me arrogancë se në atë drejtim nuk janë ata që janë, pra Korabi dhe Jabllanica, por, sipas tabelës, hiç më pak se; “Malet Sllave” ! Epo mirë o sllavë kokëderra; Vërjani Uralit emrin Gramoz, quajeni Kamçatkën Karaburun, dhe jemi në rregull.
Peizazhi i gjelbër malor i këtyre anëve, është pafundësisht i bukur. E kam bërë unë, e kanë bërë edhe plot të tjerë udhëtarë në Shqipëri këtë përvojë dekurajuese; Marrin me vete në makinë një batanije me shpresë për ta shtruar batanijen për t’u shtrirë e për t’u çlodhur mbi të diku më ndonjë selishtë anës rrugës. Shqipëria edhe ka lëndina joshëse për një çlodhje të tillë. Por nuk ka absolutisht asnjë zgëq të rehatshëm të blertë ku, pasi ta kesh shtruar batanijen, të mos vijë dikush të të bëjë ndonjë pyetje idiote, apo të sillet kot rrotull teje. Kaq e vërtetë është kjo, saqë pamja e atij dikushit të pa ftuar që të vjen e të rri afër në atë fqinjërinë aq revoltuese, është rregullisht e tillë, që nuk të lë asnjë dyshim se përfaqësuesi i denjë i inteligjencës fshatare apo i klasës punëtore, apo një aleancë e improvizuar mes të dyve, do vinte aty me ç’do kusht, duke lënë çdo punë, sado të rëndësishme, mirëpo edhe tre orë në këmbë nga maja e malit do zbriste sapo të shihte që erdhe. Këtu jo ! Këtu, në këto lëndina me kilometra e kilometra të tëra, mund të shtrosh, jo vetëm batanije, por edhe jorgana po të duash, dhe mund të rrish edhe një mijë vjet pa ta prishur terezinë askush.
Shtëpitë, oborret, arat, rrugët, dyqanet, minimarketet, sjellja e njerëzve, dhe gjithçka tjetër, me lëngje frutash të gazuara me çmim të lira, dhe xhinse që kushtojnë rreth 20 Euro, dëshmojnë se jeta maqedone, ka mbetur e ngrirë në një lloj begatie titiste mikroborgjeze mediokre karakteristike e viteve ’80, aq e lakmueshme prej Shqipërisë Perëndimore aso kohe. Në këtë pikëpamje, sot Shqipëria është disa herë më lart, pa asnjë dyshim.
Nga Shkupi deri në Kumanovë e deri tek fshati i Fijes, peizazhi zbutet, nuk është më malor i ashpër, por me plot kodra të buta të rrudhura si tru.
Kumanova nga larg duket e bukur. Dhe e bukur është. Por nga afër duket paksa e lodhur.
Fshati i Fijes ?!
Fshati i Fijes, që quhet Vaksincë, është fshati më i bukur në Botë.
Për të vajtur në Vaksincë duhet së pari të kalosh mespërmes një vendbanimi të vogël serbësh muhaxhirë.
Tek i afrohesh Vaksincës, fshatit magjik që sheh nga e mistershmja Lindja, nuk të vete mëndja për gjëra të vogla, për shembull: a janë, a s’janë mbjellur arat, apo të shpresosh se ndonjë nga banorët mund të të lumturojnë duke të bërë zile në celular që ti t’a thërresësh mbrapsht, por bëjnë gjëra shumë më të larta. Për shembull bëjnë luftëra. Ose thurin vargje, si bën Fija.
Vaksinca, rrëzë një mali të zhveshur, nga larg duket shumë i madh. Por nuk ka më tepër se 1000 shtëpi. Shtëpitë janë të gjitha të mëdha, me oborre të rrethuara me mure, dhe të rregullta. Xhamia e madhe dhe e bukur, ka dy kazana. Pranë Xhamisë, bibliotekë. Bibliotekën e Vaksincës para disa vitesh e kanë përuruar goxha emra; Kim Mehmeti, Ali Aliu, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu.
Trimat vaksincalinj nuk e durojnë dot zgjedhën. Ata e kanë gjakun flamur të kuq, dhe zemrën shkabë të zezë. Më 2001 në Vaksincë u bë luftë. Atëherë, kur mbi Vaksincë si korba të zinj fluturonin helikopterët e Shkaut, gjithë televizionet e botes folën për Vaksincën. Në sheshin e fshatit ngrihet madhështor monumenti në kujtim të të pa vdekshmit “Tigrit”, Komandantit kosovar Fadil Nimanit, rënë këtu për Liri dhe Atdhe.
Shkolla është rindërtuar me ndihmë japoneze. Në oborrin e shkollës luajnë gëzueshëm moshatarët e urtë vaksincalinj të atyre djajve myzeqarë, që po u erdhe në oborrin e shkollës të turren si maçokër dhe të nxjerrin sytë.
Kroin e fshatit, ku, më  njërën anë freskohen fshatarët, më anën tjetër pijnë bagëtitë, e ka ndrequr një emigrant vaksincali’.
Eh Vaksinca ! Vaksinca rrëzë malit, me përballë misteriozen Lindjen, duket sikur ka përpara krejt mrekullitë e Botës, realet dhe fictionaret; jo shtatë a tetë, as dhjetë a pesëmbëdhjetë, por sa s’numërohen, me qindra e me mijëra. Ja në atë ngushticë ai yrti i shkretë ku Makbethit i dolën magjistricat gënjeshtare. Ja dhe ura nga kalonin ngarkuar karvanët e vjetër drejt Stambollit dhe Venecias. N’ato shtigje në horizont sigurisht janë dyndur kryqtarë mbi kuaj me heshta dhe parzmore. Kodrat atje tej duken si Borodino ku u mund Napoleoni. Ato atje janë lëndinat mbi të cilat nga dritarja flakte trishtimin e menduara Madam Bovaria. Përtej atyre maleve ndodhet Liqeri që frymoi Lasgushin. Ja korijet e mardhura mbi të cilat drejt Dashurisë iku me karrocë Balzaku. Mes atyre grykave rendnin karrocat e Kadaresë që shpinin në Stamboll koka të prera në arka me akull. Mbi arën me grurë, që duket si det i valëzuar të bëhet të hedhësh grepin të zësh peshq. Mbi syprinën e qetë të Liqerit bëhesh gati të shëtisësh. Mes këtyre mahnirave, sipas gjendjes së momentit, mund të vësh veshin të dëgjosh kë të duash; Beethovenin që gjëmon pas grykave, Mozartin kërrusur mbi piano në një breg, Shopenin me pllanga gjaku turbekular mbi tastierë. Këtu, tek sheh e dëgjon të tilla, nuk është çudi të bëhesh dëshmitar edhe i ndonjë bisede mes dyve që llafosen kështu; Nuk e mban mënd atë që ta thashë pasnesër ?! Dhe tjetrin që i’a pret; E mbaj mënd që ç’ke me të, por përgjigjen për këtë do ta jap vjet.
Tek shëtit nëpër fshat, e tek sheh këto shtëpira me këto mure, brenda të cilave jetojnë vaksicalinjtë vigana, për një gjë bindesh përfundimisht; Antikorpet që e ruajnë shqiptarinë nga helmet vdekjeprurëse ekzistojnë !
Fija thotë, se nuk i intereson aspak liberalizimi i vizave për Maqedoninë, nuk i intereson fare udhëtimi lirisht as nëpër Evropë, as nëpër Botë, për sa kohë Rruga e Tij, Rruga e Fijes, Tiranë - Vaksincë, nuk është e tëra Shqipëri.
Tash për tash Rruga e Fijes është Rruga e Hijes së Fijes derisa Shqiptaria të bashkohet. Deri atëherë, ashtu do ta përjetojë Fija rrugën e vet, pa fillim, mes, fund, me fillim, mes, dhe fund, që mund të fillojnë vazhdojnë dhe përfundojnë edhe kudo edhe askund, derisa një ditë shqiptaria të bashkohet e tëra nga Tirana në Vaksincë.
Gjatë kthimit bie një shi i dendur, që mbulon makinën dhe gjithçka. Po udhëtoj unë apo Rruga ?! Ku është fillimi, mesi, fundi i kësaj rruge të magjishme ?! Isha diku apo s’isha kurrkund ?! Mund ta provojë kush të dojë ! Të shkosh nga Tirana në Vaksincë e pamundur mos sëmuresh nga “Sindroma Fija”.
Kthehem për Tiranë. As vet’ s’e se nga. Nga Fija e Fijes, Fija e Hijes, Hija e Fijes, Rruga e Hijes, Hija e Rrugës, apo Rruga e Fijes ?!
Fija, ky Krisht i heshtur, ky Muhamed i duruar i trevave tona, ky pulsim madhështor ndjeshmërie, ky dendësim i skajshëm njerzillëku edhe më i madh se ai i materies në brimat e zeza të Universit, është krijesa më drithëruese që kam njohur. Emrin “Fije” Atij i’a kam vënë unë duke e parë si fërgëllon si fije bari nga dashuria për Shqipërinë. Fija është poeti Hamzi Nevzadi.

edisonypi@gmail.com

Panorama