E merkure, 24.04.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Ditët i ka të numëruara

E premte, 05.06.2009, 06:59 PM


Ejup Ceraja  

Ditët i ka të numëruara

(Tregim)

- Merre djalin – i kishte thënë në gjuhën e huaj, të cilën fatbardhësisht djali s’e kishte  kuptuar – çoje në shtëpi e plotësoja çdo dëshirë e çdo kërkesë se ky nuk mund të jetojë më gjatë se tri javë e shumta një muaj. Atij i kishin shkuar mornica nëpër trup, të cilat e kishin dridhur sikur ta kishte zënë rryma elektrike e një tensioni ca më të ulët. Nëpër bebëza të syve kishin filluar t’i endeshin pikla vese si të një shelgu lotues. Kishte bërë përpjekje që të mos i formoheshin sumbulla se pastaj nuk do të kishte mundur që ta ndalte rrëshqitjen e tyre mollëzave të rreshkura e rrudha-rrudha, që iu kishin bërë palë-palë si oshaf kumbullash të terur në diell fund vere. Më shumë nga pesha e mendimeve prej se djali ia kishte marrë tatëpjetën se nga vitet që i kishte mbajtur mbi supe. Kishte heshtur, duke ia kthyer shpinën të birit, që vishej me shpejtësinë e një fëmije trevjeçar. Nuk kishte mundur të tubonte forcë të mjaftueshme për ta ndihmuar të birin në veshje. “Eh, biri im!... – kishte  ofsha thellë në vete. - Vetëm tetëmbëdhjetë pranvera i paska rezervuar Krijuesi për ty!... Ah botë hileqare!...” Seç i kishte  ardhur nga dikah një zë i brendshëm, që e kishte  këndellur ca. “Ç’po  mendon kaq zymtë?... Kohëzgjatjen e jetës unë jam ai që e caktoj, jo mjeku. Ai mund të supozojë sipas hamendjes, po rrjedhën vetëm unë e di - vetëm unë e caktoj...” E kishte çliruar këmishën, duke e shkopsitur se iu kishte  bërë sikur po ia zinte frymën.

Djali, edhe ai gjatë veshjes, kishte menduar gjëra nga më të ndryshmet, që iu kishin mbështjellë në kokën e tij të njomë si retë në një furtunë. Më në fund, në mendje, kishte sajuar një pyetje ca më radhitëse: “A thua çka i tha doktori babës?..., që as të vishem nuk po mundet të më ndihmoj. Sigurisht diçka të keqe i paska thanë. Po unë do të qëndroj si deri tash pa u dhënë në sy të prindërve. Ajo që ka thanë Zoti të bëhet do të bëhet... Mbahu babë e mos trego ligshti përpara doktorit...”  - i kishte përfunduar mendimet, duke i mbathur opingat e gomës.

- Gati jam babë. U vesha. – i kishte thënë.

- Ani, mirë – të pastë baba. – ia kishte kthyer i ati, po me ato pikla vese në bebëza. Ia kishte zgjatur monedhat mjekut, i cili i kishte marrë si me rrëmbim. Kishte bluar mendime të liga rreth pagesës. Sado që çmimin ia kishte thënë në fillim.

- Rruga e mbarë! – u kishte thënë ai. – Përmbaju porosisë. Ndërsa në mendje kishte sajuar: “Në daç përmbaju, në daç jo, është çështje jotja, që duhet të takojë vetëm ty...” Dhe, derisa i kishte vënë të hollat në portofol, sikur i kishte ardhur në vesh nga paanësitë e Universit kjo maksimë: “- Po paratë nuk janë çdo gjë në jetë, zotëri mjek!... Ku t’u tretë betimi i Hipokratit?... ”  - që i kishte tingëlluar në vesh si fishkëllimë e një lokomotive treni me avull. Kishte ndjerë një si rrëqethje dhe ishte ngritur nga karrigia.

- Do të përpiqem, zotëri mjek... Ditën e mirë! Kishte harruar t’ia shtrijë dorën nga hutia. Vetëm pasi kishte dalë dhe e kishte mbyllur derën e kishte hetuar mangësinë. “Besoj se do të më ketë kuptuar mjeku...” –  kishte thënë më vete, duke shkuar kalamendës pas djalit. 

                                       *   *   *

Ata i kishin prerë biletat për vagonin e klasës së tretë. Aq ia kishin mundësuar paratë e kursyera nga rroga e arsimtarit. I kishin tepruar aq para sa ta blinte një bukë, një gjysmë kilogrami domate, dy jogurt dhe një “zdenkë”  sa për ta shuar urinë gjatë rrugës që u zgjaste më shumë se dymbëdhjetë orë me tren, të cilin, atëherë, e kishte tërhequr lokomotiva me avull.

Kishin zënë vend me të hyrë në vagonin e parë në anën e djathtë me fytyrë drejt lokomotivës. E kishte zët të bënte udhëtim me shpinë të kthyer nga lokomotiva se i dukej sikur ecte së prapthi. Pasi ishin rehatuar ca dhe pasi ishin çlodhur pakëz, djali iu kishte drejtuar babait:

- Babë!... – Çka tha doktori se asnjë fjalë s’e kuptova?...

- ?!...

Babën që me ankth e kishte pritur një pyetje të tillë, e kishin tradhtuar lotët e zëri përnjëherë.  Ishte bërë sikur s’e kishte dëgjuar pyetjen, derisa t’i largoheshin disi shqetësimet. Po kot. Lëmshi sikur iu kishte bymyer  mu në arëz të fytit. Më në fund, pas përsëritjes së njëjtës pyetje nga i biri, kishte tubuar aq fuqi sa për t’i thënë:

- Do të bëhet mirë, bir.  Mjeku tha se duhesh të dalësh e të qëndrosh sa më shumë dhe sa më gjatë në natyrë. Të hash frute të freskëta nga natyra. Dhe, pas dy-tri javësh e shumta një muaji ti do të shërohesh plotësisht. Ndërsa më vete kishte shtuar: “Kurse baba do të shkrihet tërësisht si qiriri naimjan...”

- ?!...

- Haje do bukë të pastë baba. Mbështete kryet në prehrin tim e flejë se kemi rrugë bukur të gjatë. – i kishte thënë pasi e kishte marrë vetën pakëz. 

- Jo, babë. Njëherë do të flejë pak. E kur të çohem hamë bukë bashkë. – ia kishte kthyer i biri.

- Ani, bir. Si të thuash e të duash ti ashtu le të bëhet. – kishte përfunduar babai.

S’kishte vonuar shumë e kishte filluar ta lëshojë një gërhitje të lehtë, të cilën babai e kishte  kuptuar dyzash: zemra ia donte që ajo të ishte gërhitje gjumi, mendja ia thoshte se ajo ishte gërhitje sëmurje. Nuk e kishte trazuar për t’u vërtetuar... Atij diç iu kishte fanitur. Pas pakëz kishte shtuar si vetë më vete:

- ?!...

“- Po ti kush je që po më përcjell si hija trupin në ditë me diell... Ç’kërkon nga unë?!...

- Po shtiresh kinse s’po më njeh, a?... - A s’po më ndjell si klloçka zogjtë nga ambulanca e mjekut e këndej?...

- Si po të ndjell?...  – S’po të kuptoj asgjë?...

- Kupton, kupton... Jam ajo që s’po të shqitet nga mendja për asnjë çik.

- Unë s’kam ndjell asgjë...

- Kot po mundohesh ta mashtrosh vetën. Ti edhe tash, kur po flasim, po e josh të njëjtin mendim. T’u ka qepur në tru si mizë kali e s’po gjen fuqi që ta flakësh...

- Kush m’u ka qepur?...

- Mendohu pakëz e do ta gjesh vetë.

- Aha!... – E kuptova tash.... – Po ka kohë edhe tri javë apo një muaj

- Ha, ha, ha!... – Ligjin mbi... Nuk e bëjmë as unë, as ti, po as ai që ta caktojë datën. Atë e bën tjetërkush – Krijuesi. 

- Do të thotë se ti qenke morti...

- Unë nuk thash gjë. Kuptoje vetë... Ti tërë kohën po më fton me ato mendimet tua çoroditëse. Thua se ti me atë mjekun e bëni ligjin e jetës. Unë erdha të të shoqëroj sipas ndjelljes së mendimeve tua...

- Por unë...

- Të thash. Ligjin për vazhdimin a përfundimin e jetës s’e bëni ju njerëzit, duke e përfshirë edhe atë mjekun dhe as unë që jam e krijuar prej fryme, por e bën Ai që e ka krijuar Universin... - Si nuk po gjen forcë për të menduar diçka në të mirë të jetës, po vetëm zymtësi po bluan në kokë? Tubo forcë që ta dëbosh të keqën nga uni yt që ta shijosh jetën me të gjitha bukuritë që i ofron... Orientohu në jetë sipas ditës e dritës, e jo sipas natës e errësirës... Kush e ndjell të ligën e të keqën patjetër se, më në fund, do t’i vijë...

- A bën të shkosh e të më lesh të qetë?... Mjaft po më del brenga ime. Lërmë rehat, të lutem!

- Për këtë vetë e ke fajin. Vetë më ke ftuar që sa e sa kohë, po sot e mbushe kupën. Andaj tash do ta bëjmë rrugën së bashku.

- Udhëtojmë bashkë sa e si të duash, ama djalin s’ta japi...

- Për këtë nuk vendos ti. Tjetër kush vendos...  Mua s’ka ndodhur kush të më mundi deri më sot e kjo nuk do të ndodh  as pas sotit.

- Në njërin nga Librat e Shenjtë shkruan pakëz më ndryshe...

- E si shkruan në atë Libër të Shenjtë?...

- Shkruan se Ai vdiq. U varros në një shpellë... Ama pas tri ditësh u ringjall.

- Si po mendon “u ringjall”?... U bë ashtu siç ishte përpara vdekjes njeri prej gjaku, ashti e mishi?... Apo?...

- Ashtu si shkruan në Libra të Shenjtë... - Në Libra të Shenjtë shkruan për ringjallje...”

Djali u lëkund dhe e lëkundi edhe atë. E zgjoi nga kllapia me sy të hapur, që iu kishin përqendruar në një pikë të vetme. “Falënderimi i qoftë Zotit!... – Paskam qenë në kllapi me sy çelë...” – tha më vete.

*   *   *

Gjashtë muaj më vonë ata udhëtonin të hareshëm në kahe të kundërt me të njëjtin tren, por jo në vagonin e klasës së tretë, po në vagon të klasës së parë. Ishin të dytët shend e verë. Babë Agimi ishte përtëri. Rrudhat e dikurshme, që e tregonin shumë më të moçëm se sa vërtet ishte, iu kishin fanitur pothuaj se krejt. Fytyra i kishte marrë një pamje purpuri. Ashtu krejt instinktivisht i erdhi në mendje ajo biseda imagjinare e para gjashtë muajve që sikur ia turbulloi harenë disi. U lëkund nga vendi, duke thënë më vete: “Falënderimi i qoftë Zotit që s’u përmbush ajo prognoza ogurzezë e mjekut dhe ajo imagjinata çoroditëse imja, atëherë... Sa të padurueshëm jemi ne njerëzit shpeshherë!...” Besforti e shfletonte një revistë humoriste dhe hera-herës shkrihej në gaz. Kthehej nga i ati, Agimi, dhe i tregonte pjesë të tëra humori, që i bënin babë e bir të shkriheshin së qeshuri...

- ?!...

- Pse e ke pru në kontroll këtë djalë, kur ky qenka më i shëndosh shumëfish se ne të dy të marrë së bashku. Shpeshherë përpara studentëve marrë si shembull kësi organizmash dhe ua shpjegoj rëndësinë e një organizmi të shëndetshëm si ky se si duket dhe si duhet të jetë ai. Agimit i shkoi buza në gaz. Priti edhe ca dhe i tha mjekut:

- Ky është ai që i kishte “ditët e numëruara” përpara gjashtë muajve.

- Tallje po bën me mua a ku e ke hallin. Ai tani duhet të jetë kalbur nën dhe. Është e pashpjegueshme nga ana mjekësore që një organizëm i atillë ta mbijetonte muajin.

- Ndoshta është e pashpjegueshme, zotëri mjek, po ja që jo edhe e pamundshme.

- Ti je duke bërë shaka me mua. Ma ke sjell vëllain e tij binjak...

- I ke shënimet e tij shikoj dhe shikoje edhe letër njoftimin e këtij e do të bindesh vetë se a është fjala për binjak, a jo.

- Tash u binda. Po më thuaj, të lutem, si u arrit ajo që nuk është e shpjegueshme nga pikëpamja e mjekësisë?...

- Kur rrugës më pyeti atëherë djali se ç’më kishit thënë ju për shëndetin e tij, unë i bëra bisht pyetjes, duke sajuar nga imagjinata ime një thënie tuajën se ju më kishit porositur që djalin ta mbaja sa më shumë në natyrë dhe t’i jepja të hante sa më shumë fruta nga natyra e virgjër. Djali e tumiri një ide të tillë dhe më tha se do të shkonte ditë për ditë nga mëngjesi në mbrëmje pranë Lumit të Bardhë, që kalon mes për mes qytetit tonë, nëpër të cilin bartën lëndë të ndryshme për një fabrikë druri në daljen e poshtme të qytetit. Ashtu si tha ashtu edhe veproi. Për çdo ditë qëndronte nga mëngjesi në mbrëmje në ujin e atij lumi... Fatbardhësisht vera qe mjaft me vapë e ai pjesën më të shumtë të kohës e kalonte brenda në ujë. Filloi t’i vijë oreksi. Hante ushqime me kalori natyrore, pa përzierje me pesticide. Në fillim këndellej më ngadalë, po me rëndësi ishte që filloi të këndellej. Dikur filloi këndellja si me shek, siç thotë populli ynë. Dhe ja më në fund ky është rezultati i krejt asaj...

- E pabesueshme, po megjithatë qenka e mundur...

- Sa të detyrohem?...

- Asgjë. Sonte jeni mysafirë në shtëpinë time...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora