Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ahmeti: Shqipja do jetë me domosdoshmëri gjuhë zyrtare

| E shtune, 18.08.2007, 10:15 PM |


Ali Ahmeti
Ali Ahmeti, tregon pakënaqësitë nga moszbatimi prej qeverisë aktuale i Marrëveshjes së Ohrit

Kryetari i partisë shqiptare në opozitë në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në përvjetorin e gjashtë të firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, shpreh pakënaqësinë e tij për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje nga qeveria aktuale. Zoti Ahmeti, në një intervistë dhënë korrespondentit tonë në Shkup, Harun Ibrahimi, thotë se qeveria e kaluar nuk ka arritur ta miratojë ligjin për gjuhën shqipe apo ta zgjidhë statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për shkak të kërkesës së faktorit ndërkombëtar.

Zoti Ahmeti, cila është rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj saj?

Marrëveshja paqësore e Ohrit, siguroi që të ndërpritet lufta dhe t'i hapet rrugë paqes. Për fat të keq, autoritetet nuk morën guxim që ta regjistrojnë këtë përvjetor dhe kjo është, e them me shumë keqardhje, një mesazh mjaft i keq për komunitetin ndërkombëtar, për Bashkimin Evropian, për SHBA-të dhe për NATO-n, sepse këta anashkalojnë një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të gjitha mesazhet, gjatë gjashtë viteve të fundit, janë se Maqedonia mund të jetë pjesë e strukturave të NATO-s, mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por rruga për të arritur në NATO dhe në BE, kalon përmes Marrëveshjes së Ohrit.

Sa jeni të kënaqur me atë që po realizon kjo qeveri, drejt implementimit të Marrëveshjes së Ohrit?

Të them të vërtetën, asgjë nuk ka lëvizur që nga 5 korriku i vitit 2006, përveç se llafeve boshe dhe deklaratave pompoze se gjoja bëjnë diçka për Marrëveshjen e Ohrit, mirëpo në të vërtete asgjë nuk është bërë deri më tani. Kështu që, ne i shtruam për zgjidhje problemet e mbetura dhe të rëndësishme nga Marrëveshja e Ohrit, siç është gjuha, statusi legal i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Pse, zoti Ahmeti, nuk arritët që gjatë mandatit tuaj t'i zgjidhni edhe këto dy probleme që po theksoni?

Asokohe u shtrua për zgjidhje një pako jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, duke filluar nga ligji për përdorimin e simboleve kombëtare, ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në pasaportat dhe dokumentet personale, ligji për decentralizimin, ligji për arsimin e lartë sipëror apo legalizimi i Universitetit të Tetovës, si dhe zgjidhja e statusit të personave të cilët nuk kishin nënshtetësi dhe jetonin në Maqedoni. Në kuadër të kësaj pakoje, ka qenë edhe ligji për gjuhën dhe ligji për statusin legal të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në bashkëpunim dhe në bashkëveprim me qendrat ndërkombëtare të vendosjes, si SHBA-të, BE-në dhe NATO-n dhe, në veçanti, nga përfaqësuesit e tyre në Maqedoni, si zoti Batler dhe Zoti Bruns, arritëm në një ujdi, në një marrëveshje që pakoja është tepër e ngarkuar dhe që nga kjo pako të hiqet ligji për gjuhën dhe statusin legal të ushtarëve të UÇK-së e, pasi të mbyllen pesë pikat e para, atëherë do t'i hapim diskutimet edhe për ligjin për përdorimin e gjuhës dhe për statusin legal të ushtarëve të UÇK-së. Mirëpo, zgjedhjet në Maqedoni ndodhën katër apo tre muaj më parë dhe mbeti që në agjendë, pas përfundimit të zgjedhjeve, të jenë këto dy pika kaq të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit. Pas zgjedhjeve, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, si të SHBA-ve ashtu edhe të BE-së, ne arritëm një marrëveshje me zotin Nikolla Gruevski, më 29 Maj, për këto çështje, si për gjuhën, ashtu edhe për statusin legal të UÇK-së.

Por, zoti Ahmeti, këto ditë kryeministri, Nikolla Gruevski, deklaroi se partitë politike shqiptare nuk duhet të shpresojnë se gjuha shqipe në Maqedoni do të jetë gjuhë e dytë zyrtare?

Këto janë deklarata tepër të ngutshme të zotit Nikolla Gruevski dhe është papjekuri politike që ai bën me këto deklarata, sepse statusi i gjuhës shqipe garantohet me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Amendamenti 5 i Kushtetutës së Maqedonisë është mjaft i qartë dhe këto janë obligime kushtetuese, janë obligime që burojnë edhe nga Marrëveshja e Ohrit. Përderisa burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, sigurisht që kemi obligime edhe karshi komunitetit ndërkombëtar, sepse komuniteti ndërkombëtar, SHBA, BE janë goxha të interesuara për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm, si dokument që ne na garanton dhe na hap rrugë drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

BBC