E premte, 19.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

Pierre-Pandeli Simsia: Të njohim poetët tanë, Petraq Risto

E enjte, 04.06.2009, 08:13 PM


Të njohim poetët tanë, Petraq Risto
 
Nga
Pierre-Pandeli Simsia
 
Në mesin e viteve 70-të prezantuesit e festivaleve të këngës në radiotelevizion dhe të anketave muzikore të muajit, kur prezantonin titullin e këngës dhe kompozitorin thoshin edhe emrin e autorit të tekstit. Midis atyre autorëve dëgjonim edhe emrin: Petraq Risto.
Emrin e këtij autori të teksteve do ta dëgjonin për disa vite me radhë në aktivitetet e ndryshme artistike. Këngët me tekstet e tij i dëgjonim dhe i këndonim sa e sa herë, por asnjëherë s'na ishte dhënë mundësia e njohjes nga afër, ashtu sikur nuk na ishte dhënë mundësia e njohjes e shumë kompozitorëve dhe poetëve të tjerë të mirënjohur....
.....................................
Para pak vitesh, kur komuniteti shqiptar i Nju Jorkut me shtetet rreth tij do të festonte 70-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në sallë, takova pas 27 vitesh këngëtaren artiste, të mirënjohurën Justina Aliaj.
Sigurisht, vitet kishin bërë të tyren, mosha gjithashtu dhe Justina e kishte pak të vështirë të më kujtonte mua; ashtu e mendova unë takimin me të, të mos i prezantohesha...
Dhe prezantimin ia bëra në këtë mënyrë: Fillova t'i kujtoja disa nga tekstet e këngëve, që Justina i ka kënduar vite më parë (35 vite të kaluara), duke ia shoqëruar edhe me melodinë e tyre.
Ajo, si artiste aktore që është edhe nga emocionet dhe e papritura, mbeti si e hutuar dhe, menjëherë mbushi sytë me lot. Iu drejtua zotërisë që kishte në krah e i thotë: "Petraq, ky njeri po më "çmen"... Disa nga këto tekste edhe unë mund t'i kem harruar, ndërsa ky... " dhe, m'u drejtua mua; u përqafuam. Kur i them se kush isha, gëzimi ishte i papërmbajtur që unë dhe Justina takoheshim pas kaq shumë vitesh...
Kush Petraq, është zotëria? - e pyes unë pastaj Justinën.
 - Jam Petraq Risto, më thotë ai dhe me zgjat dorën.
 - Prit, - i them unë, duke qeshur, - se edhe me ty kam pak "punë"...  Fillova edhe me Petraqin t'i kujtoja disa nga tekstet e këngëve të tija të festivaleve të viteve 70-të.
Ai duke qeshur i drejtohet Justinës. - Ky njeri po më "cmend" edhe mua tani...
Ishin çaste të gëzueshme, të papritura....   Miqësia jonë nga ajo mbrëmje me petraq Riston do të vazhdonte me shkëmbimet e mesazheve me njëri tjetrin.
 
***
 
Pak muaj më parë isha në Shqipëri dhe, duke ecur në një nga bulevardet e Tiranës, nga prapa dëgjoj hapa njerëzish që ishin shumë afër nesh. (Isha me bashkëshorten time). M'u duk se dikush po më ndiqte nga pas; kthej kokën dhe... shoh Petraq Riston, shumë afër meje. U emocionova shumë nga ajo e papritur...
 I dëgjova frymëmarrjen e shpeshtë. "Ti je i gjatë dhe ecën shpejt, mezi sa të kam arritur..." - më tha dhe u përqafuam. "J'u pash nga dritaret e bibliotekës dhe dola menjëherë t'ju takoja..."
... Kur u ndamë, më dhuroi librin e ri të tij: "Lexuesi i buzëve: ar + sy + eja !

***
 
Kush është Petraq Risto:
 
Petraq Risto ka lindur në Durrës më 9 qershor 1952.
Pasi kreu në vendlindje shkollën e mesme, vazhdoi në kryeqytet studimet e larta në Degën e Gazetarisë, si dhe një vit pasuniveristar për kritik teatri pranë Akademisë së Arteve të bukura. Ka punuar si gazetar dhe libretist dhe tani drejton shtëpinë e tij botuese “Globus R.”, po në Tiranë.
Është autor i shumë vëllimeve poetike si “Zgjohu princesha ime”, “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”, etj. si dhe i librave në prozë : “Vdekja e palaços” dhe “Ndalohet vrasja e ujqërve” (tregime) “Avioni “Madam Baterflaj 9/11””, “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”, (romane), etj.
Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe është veçuar nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë si ndër poetët më të mirë europianë dhe amerikanë të vitit 2007.
Ka në proçes botimi librin me poezi "Apo - ka - lypsi"
Këto ditë, sapo ka dal nga shtypi romani: "Nje grua me Urdhrin e Ujkut"
 
Kanë thënë për poetin Petraq Risto:
 
Dr. Moikom Zeqo:

 
"...... Petraq Risto është një talent i vërtetë dhe e pasuron poezinë shqipe jo me retorikë, por me substancë të re.
I spikatur që në vitet 70-të të shekullit të kaluar, kinse u fsheh nën heshtjen e punës dhe të dinjitetit, për të shpërthyer afirmimin e tij në vitin 2000. Por kjo nuk ka aspak një kuptimshmëri thjesht kronologjike. Bëhet fjalë për provën titanike të poezisë: për cilësinë e saj.
Risto është poet luftarak dhe pllenues i modernitetit të poezisë shqipe si pakkush.
Petraq Risto ka një vizionarizëm të një grishjeje të re, këlthitëse. Ai i ka farkëtuar fitoret e tij me përpjekje dhe tendosje të admirueshme. Risto guxon dhe shpërthen, ravizon me lëvizje kozmike, me tema të ekzistencialitetit, tronditës dhe të dyzuar të epokës globale.
Poezia e afishuar shqipe shpesh vuan nga provincializmi, si edhe nga krahinarizmi, ... nuk ka genin aksiletirues dhe revolucionarizues të zhvillimit. petraq Risto kërkon diçka të re, një tematikë universale në bioritmin e vargjeve, në aktualizimin e metaforave të çuditshme, në kriticizmin shoqëror dhe në atë letrar. Është sfidues deri në fund.
Petraq Risto është poet i metaformizmit si proces i pandërprerë, kapërcen kufijtë, jo thjesht konvencionalë, e botëzon Shqipërinë, motivet e botës i shqiptarizon...
 
Luan Rama:

 
   "... Ndër poetët bashkëkohorë shqiptarë, poeti Petraq Risto na vjen me një mision të ri, ashtu siç vinte Rembo në kohën e tij me: "letrat e Profetit" për të bërë një poezi moderne, krejt të re për një kohë tjetër. Dhe për të bërë këtë për të ndjekur shembullin e "letrave të Profetit" Petraq Risto me vargjet e tij trazon oqeanet, zbret dhe ngrihet nga varret, duke pohuar me forcë dhe me zë të lartë atë që kërkonte dikur Rembo: "të jesh modern"...
Poezia e Petraq Ristos është edhe e kuqja e shegës së çarë, e shegës së pjekur për të bërë dashuri. Është shegë vezulluese që të njomë buzët me një nektar poetik: është Shën Valentini tutje në Bagdatin e mbytur në një mjegull morti, ku ushtari i vrarë i kërkon falje të dashurës së tij dhe kërkon t'i dhurojë "zemrën e mbuluar me gjak - llambë Aladini me xhindin e vrarë", është edhe Marsi 97, ku "zogjtë e trembur nga plumbat hyjnë e më fshijnë në damarë"... janë "manaferat - brymë, shartuar me zjet/ gati për të ushqyer Shenjtët". Poezia për të është kjo vorbull njerëzore ku trallisen njerëz dhe engjëj. Kjo vorbull na ka rrëmbyer të gjithëve. Madje, ai shepsh është i zemëruar si te Porta e Ferrit: "Atdheu im është gënjeshtra në pikën e fundit të gjakut". Të ngjan se nga dhimbja , ai do të godasë qiejt.
Poezia e Petraq Ristos flet jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht, spanjisht e gjuhë të tjera...Copëza Shqipërie në gjuhët e botës... Ai pranon madje të jetë edhe banor i Purgatorit nëse arrin të mposhtë krimin, gënjeshtrën, privimin e lirisë... Ai e di si kërkohet poleni për të bërë mjaltin e poezisë...
 
Granit Zela:
 
"... Ka poetë dhe shkrimtarë që vijojnë të shkruajnë për një periudhë të gjatë pa tërhequr vëmendjen e bashkëkohësve dhe lexuesve derisa mbërijnë në një fazë të krijimtarisë së tyre, e cila ndryshon kryekëput nga të gjitha fazat e mëparshme, duke njohur një ngritje katapultuese estetike, ndryshim të të gjitha koordinatave shkrimore, motiveve, zgjerim të hapësirshëm të perceptimit, gjuhës, procedimit, vetë identitetit të tyre. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me poetin Petraq Risto.... E veçanta e lojës së poetit në poezitë e tija bëhet tërheqëse sidomos në lojën me fjalët, e cila shkon te rrënja e tyre, thuajse deri në marrëzi.
Kjo vihet re sidomos në vargje që shërbejnë si refrene ose kumte të përsëritura brenda së njëjtës poezi. veçojmë disa shembuj: "Pellazg do të thotë Pjell në ag ose Pjell Azgan. Zeus për Pellazgët do të thotë Zë-ri por mbase edhe Zjeu. Prometeu për Pellazgët do të thotë premtim, ...
Poezitë e Petraq Ristos e zhvendosin poetin shumë kuadrate përpara në skarierën e poezisë bashkëkohore...
 
Qazim D. Shehu:
 
Poeti Petraq Risto është poet i vërshimit të vargut në një palosje e shpalosje figurash, ku dallon më së miri metafora, paradoksi dhe grotesku. Si e tillë poezia e tij mbetet konceptuale, që në morinë e figurave sjell e risjell gjithnjë ndjesi të ngrohta, përjetime vetanake, shqetësime intelektuale, e, patjetër meditime për ekzistencën e gjërave që lidhen drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt, me njeriun.
I pakufizuar tematikisht, gjithnjë në organizimin e fjalës së bukur në kontekste të gjëra, Risto si poet merr dhe rimerr motive nga vetja e bota, nga bota e kozmosit, duke i dhënë poezisë një frymëmarrje të shtrirë hapsinore.
Duke mos qenë rob i një rrethi të ngushtë temash e motivesh, hetohet se ai kërkon të verë unin e tij në një plan global, duke të befasuar me gjetje universale...
Mençuria poetike, si sjellje drejt refleksionit intelektualist, e bën poezinë e Petraq Ristos të veçantë, aq sa shumë setenca poetike të mbeten në mendje...
Poet i intesitetit të ndjenjës, i vërshimit të imazheve, pa harruar kujdesin e kursimit për të mos arritur në tepri, Petraq Risto tashmë e ka profilizuar stilin e vet të të thënit, është zë imponues në poezinë e sotme shqipe, gjë e rëndësishme kjo për një poet, që vjen me një regjistër të vetin, modern dhe i kuptueshëm, abstrakt dhe i qartë, me vokacion të fortë...
 
Vaid Hyzoti:
 
Petraq Risto, poet kërkues, ambicioz, tepër serioz dhe asnjëherë me poezi të kalkuluar vetëm në laboratorin mendor, por edhe gjithnjë besnik i natyrës së tij me ndjeshmëri lirike. Se gjithshka ai e shkruan me shpirt.
Poezia e Ristos shpreh të përditshmen shqiptare, me realitetin e zymtë dhe me përshkënditjet e ëndrave....
Poezia e Ristos është plotësisht jashtë skemave të të vargëzuarit. E mbështetur tërësisht në vargun e lirë, tepër e reptë në ritmin poetik, ajo me misionin që merr përsipër për të qenë një rrjedhë e shpenguar e mendimit, kurrsesi s'mund të mbetej e kufizuar, e ruajtur nga gardianët e vargjeve të matur...
Petraq Risto shtresëzon metafora pas metaforash, duke e bërë lexuesin tepër të kujdesshëm, që pas kënaqësisë timbrike, t'u rikthehet edhe njëherë të lexuarit, të vështrojë me kujdes arkitekturën e figurshme...
 
Xhevahir Spahiu:

 
"... Petraq Risto ka lëvizur poezinë shqipe nga pika e vdekjes..."
 

Po vetë poeti Petraq Risto, çfarë thotë:
 
"...Kohë të vështira, si të gjitha të mëparshmet, ku mediokritetit bëjnë shumicën, ku hiearkitë, jo vetëm nuk lëvizin, por nuk pranojnë asnjë zhvendosje të vogël, ku mitomanët e grafomanët janë shtuar, ku ndjenja e plagosur mjekohet në kushte primitive: vetëm pas të marrosur pas letërsisë, ku ata, të marrosurit, kapen me njëri-tjetrin, pastaj me veten, ku në buzët e tyre lexohet qartë:
                                          "E tmerrshme kjo gostia e Homerit dhe e Shekspirit!"
     Kohë të vështira: buzët lëvizin dhe unë përpiqem të lexoj romanet dhe poemat e tyre të përçartura, zemërimet që ngjasojnë me sheshe nën breshër, deformimet e vargjeve, ulërimat e prapaskenave, dehjen e suflerëve, tredhjen e alibive, përdhosjen e triumfeve, lavdërimin e marrëzive të vogla, vetëpërkëdheljen proverbiale, që s'pranojnë ta quajnë delir, shkyerjen e drenushës metaforë, përpjekjet për të ndezur zjarre me xixëllonja nate, rrëmbimin e ndonjë fjale, dëshirën për të kthyer gjuhën shqipe në kërthizë të njerëzimit, harakirin e Udhës së Qumështit në sytë e mëshqerave, zhgënjimin për rininë e shkurtër, dhunën e burrave, tradhëtinë e grave po me ndihmën e burrave, pritjen e gjatë te porta kafkiane e ligjit, dashuritë e rëndomta, talljen me Ofelinë dhe Desdemonën, ëndrën për t'u vetëpropozuar për çmimin Nobel e më pakëz barrut nga ai që shpiku Nobeli të hedhin në erë kafazet e tyre me papagaj të plagosur që rrënkojnë "kryevepra"...
Kohë të vështira, si të gjitha të mëparshmet, veç, ngaqë janë shpallje mediatike, zhvleftësohen shpejt, mitet rrëzohen, kultura e rileximit kërkon kodin e ri të kohës tjetër, kulti i modeleve bëhet qesharak, metodat krahasuese duken në horizont: sfinksa me mijëra pyetje asgjësuese; KOHËT IKIN, të vdekurit kujtohen për të shpikur fjalë të reja në formë bari, të mëdhenjtë e dikurshëm rrudhen, po mbeten të mëdhenj; simbolet sa vijnë e hollohen e marrin formën e shigjetës në pritje të tendosjes së harkut, veç harku i tendosur i ngjan një gjiri të madh> shigjeta thyhet e në vend t[ saj pikon pakëz qumësht profetik....
Në këto vitet e fundit kam bredhur, kam kapërcyer oqeanet dhe rrugët i kam kthyer në miq. Shpesh në paterica. Njerëz të shumtë kam hasur, u kam falur dashuri: më janë bërë miq... Ka poetë që rrrinë denjësisht në krye të oxhakut duke shprushëritur vatrën e vjetër: normale për ata. Unë bëj pjesë te ata njerëz, mes dheut dhe hapësirës kibernetike, që rri në qendër dhe me mashën e gjatë të vargjeve të shprushis vatrat e dhjetë oxhaqeve. Normale të ngrohesh e të ndriçohesh nga dhjetëra drejtime të ndryshme, veçanërisht në epokën e globalizmit....
.....Kohë të vështira. kriza ka mbërthyer globin për gryke; e vërteta mediatike nuk mund të fshihet; popujt, duke u tallur me sistemet shoqërore, kërkojnë bukë dhe dritë, po aq sa të parët e tyre prehistorikë, kërkojnë bukë dhe dritë nga 01% e atyre që kanë në duar gjithë bukën dhe dritën, të atyre, pra, piratëve të TOK-ës, të këtij planeti të mjerë, që në shqip përkthehet: TË JEMI SË BASHKU.
Kohë të vështira kur pasojat nuk duan t'ia dijnë për shkaqet e kur shkaqet vënë një cohë pirati në sy (cohë të grisur nga flamuri i OKB-së) dhe grabisin vaporët e civilizimit...."



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora