Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Treva e trazuar (e Kosovës), Shqipërisë lindore

| E enjte, 04.06.2009, 05:35 PM |


TREVA E TRAZUAR (E KOSOVËS), SHQIPËRISË LINDORE

Nga Mehmetali REXHEPI

 Pjesa, gjysma dhe tërësia e pjesëzuar etnike na futën, po na fusin dhe ndoshta do të na shpijnë në sprova të njohura dhe të panjohura të trazimit... Dhe assesi të dalim tej përmasës së trazimit...
 Trazues është edhe titullimi gjysmak i temës së sipërshënuar..
 Veprimtarët e devotshëm, që kurrë nuk kanë munguar, do ta pohonin shtrirjen dhe lidhjen, mos më thellë në lashtësi, së paku, që nga antika me Dardaninë.
 Por, ku na shpie dhimbja e tkurrjes? Dhimbja e humbjes na shpie te kryeçështja: rrudhja jonë etnike ndodhi, po ndodh dhe vallë, a do të ndodh edhe më tutje?

  1.

 Ankthi i tkurrjes e i zhbërjes na ka ndjekur, duke u bërë tejet i shprehur, posaçërisht që nga vitet 1877 – 1878, ciklushëm: Sanxhaku i Nishit, Toplica, Prokupla, Tregu i Ri, Jabllanica, Qarku i Vrajës dhe së fundi Medvegja edhe veriu i Kosovës nën Rezolutën 1244, të OKB-së mbi Kosovën.
 Dëbimet zhbirëse të të parëve tanë, thua se përvijojnë heshtjen dhe, nuk akuzojnë! Ndërsa në ndërdijen tonë shekullore nuk janë fshirë akuzat, por vetëdijes i janë ngulfatur ato akuza nga piromania serbe, nën sferën e gjakimit rus, për dalje zotëruese në detërat e ngrohtë të Adriatikut, Jonit dhe Mesdheut.
 Pasardhësit e Bizmarkut, të Kongresit të Berlinit, të Traktatit të Shën Stefanit, të Londrës, të Versajës, të Jaltës, Maltës dhe Rambujesë, ende i mbajnë gërshërët në duart e tyre, për të na prerë tesha të shkurta e të ngushta për trupin tonë të shkallmuar. 
 Këta pasardhës, specialistë për përzgjedhje të historisë, kërkojnë të mos shikojmë prapa, të mos rishikojmë historinë, por të shikojmë kah ardhmëria, qoftë edhe pa të tashmen e saj!
 Këta vijues të ujdive e kurdisjeve namkëqija, lypin nga ne që ta bëjmë një “identitet të ri”, ndonëse identiteti ynë është mijëravjeçarë! Dhe ka nga tanët që bien në këtë kurthe peshku.

  2.
 
Mbi çfarë vlerash shpirtërore e qytetëruese mund ta përtrollisin krimin, akademikët e kryepopët e ortodoksisë serbe, kur “shumë kufoma të muhaxhirëve, të ngrira e të mbetura në grumbuj, pos se ishin të dëmtuara nga egërsirat dhe korbat e maleve, pastaj nga serbët lokalë, kufomat lyheshin me një lloj llape mielli dhe, të njëjtat kufoma të fëmijëve muhaxhirë të ngrirë, ua hidhnin derrave të tyre për t’i ngrënë!”
 Çfarë krishterimi dhe çfarë vlerash të besimit pretendojnë, vijuesit e një logjike të tillë, makabre?! Të një terrorizmi skajshmërisht ndotës mbi gjininë njerëzore, qoftë e një tjetre etni, por me rrënjë të thella në histori, qytetërim, krishterim?...
 Ende është e palëkundshme e vërteta: logjika e refuzimit të shqipfarës vazhdon të farkohet në Beograd. Ndaj, nuk i dihet kësaj logjike të mprehur... Sapo t’i japin hapësirë kthesat, kusuret strategjike, hedhjet në sferat e interesit të njërës a tjetrës fuqi, logjika e programuar serbe nuhatë e lypë prore për ta zënë shtegun, të çarën, mjegullnajën për të viktimizuar ose për t’u viktimizuar, për ta gjuajtur gurin e fshehur e dorën e zezë.
 Ja se me çfarë janë dhe do të përballen shqiptarët gjithandej, edhe më në ballë këtu, në këto treva të tyre, ku fare lehtë iu kurdiset trazimi. Këtu, ku thyhet, vendoset e zhvendoset kufiri, gjithnjë mbi gjymtyrë të kombit. Këtu, në portën e përtashme e të përardhshme të Kosovës.

  3.

 Spastrimi i përnjëhershëm i 714 fshatrave autoktone shqiptare, gjatë viteve 1877 – 1878, dëbimi i dhunshëm i mbi 350.000 mijë shqiptarëve, nën heshtjen, indiferencën dhe lejimin e parisë së Evropës, ua shtuan lakmitë pasuesve të gjenocidit në Luftërat Ballkanike, në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, në Jugosllavinë Mbretërore, në atë të Avnojit dhe Serbinë e zgjeruar të kryevrasësit më famëkeq të shekullit njëzet, Milosheviqit për ndjekjen dhe përzënien e miliona shqiptarëve, me zjarr e hekur, nga vatrat e veta, tashmë të një Kosove të ngushtuar.
 Dalja e UÇK-së në shtigjet e luftës çlirimtare, bombardimet përzgjedhëse të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, sollën kthesën e papritur për plëngprishësit e përkëledhur të Evropës. Rrethanat e kthesës do t’i sillnin pushkët çlirimtare, gjenocidi e krimet gjithserbe mbi të pambrojturit, gjithandej mbi fqinjtë e Ballkanit.
 Me gjithë tmerrin e llahtarinë në Bosnje e Kroaci, fashistët serbë fituan në Dejton. Dejtoni ua shpërbleu pajtimin për “paqe”me dyzetë e nëntë përqind të Bosnjës!
 Drejtësia evropiane edhe kësaj katrahure i dha çmim! Shpërbleu krimin e ngritur mbi devizën fashiste serbe: aty ku ndodhet edhe një serb është Serbi?!
 Pra, kush është sinonim i krimit, spastrimit dhe tendosjeve shekullore në këto hapësira, cilave u premtohet “integrimi në vlerat evropiane”? Nëse dihet, deri kur do të eufemizohet?
 Kush e sistemoi urrejtjen mbi ne në një nivel akademik?!
 Poqese  Evropa bashkëkohore, që synon bashkimin e vlerave, të gjuhëve e kulturave, pohon indiferencën, sikurse kishte pohuar jo njëherë: “Is fecit cui prodest”, që do të thotë “Kujt i vlejti ai e bëri”, humb drejtpeshimin rendi i vlerave njerëzore, nga barra e animeve djallëzore.
 Dhe, mbi çfarë vlerash mund të ngritet e të qëndrojë ai qytetërim?
 A është liri e mëvetësi, liria e mëvetësia e “mbikëqyrur” përmes kornizash të huaja? A po shpërblehet politika e krimit me tipin e këtillë të decentralizimit në Kosovë për pesë përqindëshin dhe, jo decentralizimin te shqiptarët e Kosovës lindore, nën Serbi me mbi shtatëdhjetë përqind?
 
  4.

 Le t’i kthehemi shpalimit të librit të ëndrrave, të idealeve, të dhimbjes, të ligësive e të guximit tonë. Si e shkruam dhe si do ta shkruajmë librin e të përtashmes dhe të përardhmes sonë?
 Si u përdorën dhe keqpërdorën energjitë tona të brendshme, në përballje të dukshme dhe ta padukshme, me autorë të mohimit e të asgjësimit për mbizotërim?
 Gatimet shovene dhe virusët e diferencimit mes nesh, qenë të ngritura në fushata të riciklueshme të përndjekjes. Trumbetimi serb për Kosovën, si kërthizë e djep i serbizimit, vonë është zbërthyer si një lugatëri mitike për bashkëkohësinë e standardeve të njëmendta.
 Përmes miteve dhe ikonografive të imagjinuara, rikthimit të tyre në kishat politike, si dhe manastireve të përvetësuara nga mesjeta bizantine, mëtohet marrja e tokës së Kosovës përbrenda saj.

  5.

 Ikjet nga kapjet e darëve armike, do ta shkapërderdhin shqipfarën në tërë globin. Përderisa izraelitët e shpërndarë, të rralluar pas holokaustit, do ta sublimonin dijen, djersën dhe nëntëdhjetë përqind të kapitalit për Feniksin e shtetësisë së tyre, tanët, të shumtët, do të shpërfytyroheshin pa reflektuar për Feniksin e vetëngritur në një tërësi shtetërore.
 Të parët ngritën lobe unike, mbi ideologjitë; tanët, sipas urtisë tashmë të pandryshuar: më mirë vonë se sa kurrë, mëtojnë lobe përmes subjekteve politike! Dhe, po ashtu, vonë sipas motos që i karakterizon, e kuptuan se lobet përfaqësojnë bindjen dhe zërin unik të kombit. Dhe assesi ndryshe.
 Rolin e Feniksit te ne, me sakrifica të pashkruara, kur shuheshin vatra nga mizoritë ... për vazhdimësinë e racës, e mori femra, gruaja, nëna dhe motra jonë. Pikërisht nëna shqiptare, shembëllyeshëm me nënë Zarifen e Gjyrishecit, Marie Shllakun, Hatixhenë e Idriz Gjilanit, Xhevën e Fehmi Lladrocit, si dhe  qindra e mijëra shëmbëllesave të atilla por anonime, mynxyrshëm mbollën lozën aq, sa të mos përmbusheshin elaboratet qubrilloviqiane.
 Dhe ja ku jemi.


  6.

 Duke qenë e coptuar nën katër administrime të huaja, çështja shqiptare edhe nga vetë shqiptarët nuk u shtrua për zgjidhje si tërësi. Lëvizjet politike që e programonin tërësinë: LKÇK, LPK, etj., u margjinalizuan. Pikëmbështetja e zgjidhjeve të pjesshme, që u përfill si me e lehta, me e pa vetëdije, do të jetë, si duket, më e rëndë dhe e panatyrshme. Zgjidhjet e pjesshme do t’ia shkapërderdhin energjitë kombit, andaj lëngata do të jetë e gjatë, ndërsa mundësitë për shuarje të tyre do të jenë të shkurta.
 Kësaj rrjedhe të mos zgjidhjes, e pashmangshme është kryepyetja për kryetemën: pse luftërat çlirimtare të UÇK-së, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të UÇPMB-së, nuk e përmbyllën ciklin e çlirimit dhe të bashkimit të trevave kombëtare?
 Pse nuk u arritën objektivat tonë kombëtarë? Mund të ketë një mori shkaqesh, por kryeshkaku është: ngase ne nuk lëvizëm si tërësi kombëtare. Vumë në sprovë lëvizje të pjesshme, me mangësi organizative, pa një logjistikë më afatgjatë, me disiplinë të lëkundshme në stilin: le të dal ku të dal, pa ndërvashmëri e ndërsjellshmëri mes trevave dhe kapitalit, të kapluar nga euforia, të izoluar nga tërësia...
 Edhe populli i kësaj pjese të shkëputur të Kosovës, ngriti në këmbë çlirimtarët, por mbeti i izoluar nga Kosova, Shqipëria administrative e vatrat tjera shqiptare. Fundi dihej që në fillim: një fitore kozmetike për qytetarët shqiptarë dhe, mbetje nën fushata përndjekjesh policore, veçmas, për sublimen çlirimtare nga okupatorët serbë.
 Kësisoj, bishti nuk mundi ta vente në lëvizje kokën dhe trupin e pangopur të organizmit kombëtar.

 

  7.

 Fuqizimin e këtyre luftërave e dobësoi shtresimi pacifist brenda përbërjes sonë kombëtare. Diskursi politik i këtij shtresimi u zgjerua në përmasa gjithë  përfshirëse. Ky diskurs mobilizoi për çmobilizim. Duke mos pasur energji brenda vetës, nuk i besonte dot energjisë pozitive çlirimtare, si një nga shtytjet dialektike për çlirimin kombëtar. Ndaj, pas shuarjes së luftërave çlirimtare nga plani i jashtëm dhe bojkoti i brendshëm, pacifizmi fërkoi duart për futje në kompromise dhe përfitime individuale, klanore e partiake.
 Me letrën e luftës çlirimtare luajtën, edhe ata, “çlirimtarë” të shpifur brenda “drejtuesve” të luftës dhe ja, si e dogjën kartën e luftës çlirimtare: në një shoqatë për zjarrfikje e për përmbytjet atmosferike!
 Mynxyrshëm u stërkeq kthesa që solli shtresimi i tre përqindëshit çlirimtar në trojet e okupuara!


  8.

 Radhazi klasa politike e kompromiseve, para statusit, apriori e futi Kosovën në një fushë të minuar të decentralizimit. Nëntëdhjetë përqind  “ Pakoja” e Marti Ahtisarit trajton pakicën serbe në Kosovë! Ky është njëri nga shembujt e pashembullt në traditën shtetformuese e shtetvepruese! Dhe e tëra kjo për klasën e përtashme politike, të karakterizuar nga korrupsioni, cilësohet si fitore kombëtare!
 Gjatë gjithë një viti ecejakesh në Vjenë: viktimat përballë xhelatëve, të cilët shtruan kusht pas kushti për pesë përqindëshin e instrumentalizuar, qyqarësia e klasës sonë përfaqësuese, pothuajse e la në heshtje varri çështjen e shqiptarëve të kësaj pjese të Kosovës!
 Si mund të heshtet një hapësirë, një degë etnike me rreth dymijë kilometra katrorë, që pastaj kur të ngre kokën kryengritëse të zhvarrimit, të etiketohet si lugatëri politike?!
 Por, është ky popull që do të qëndrojë në trojet e veta, sepse, për të, mbi të gjitha është shqipjeta.        Është ky popull që do të dijë t’i çmojë si shenjtorë dëshmorët. Të krijojë vlera dhe modele, për t’u shëmbëllyer e identifikuar brezat: me Bacë Adem DEMAÇIN, Rexhep MALËN, legjendën e Prekazit – Adem JASHARIN, Ismet JASHARIN – KUMANOVA, Tahir SINANIN, Indrit CARËN, Mujdin ALIUN, Zahir PAJAZITIN, Skerdilajd B.LLAGAMIN, Skifter ARIFIN...
 Është ky popull që, si një termet katastrofal, e dridhi Vrajën... Është ky popull që do t’i frenojë politikanët e vet, kur mëtojnë t’i shkëputen interesave të tija jetike.
 Pra, është ky popull që do ta sublimojë brezin, i cili politikave të kamufluara do t’ua lexojë letrat në xhep.

 Është ky popull FENIKS...

Gjilan, prill 2007