E enjte, 25.04.2024, 09:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Halit Bogaj: Një jetë e tërë në shërbim të atdheut

E merkure, 03.06.2009, 07:03 PM


Një jetë e tërë në  shërbim të atdheut

Martin Çuni,’’Jetë e furtunë’’, përmbledhje poezish

Nga Halit Bogaj

Krahas veprimtarëve dhe patriotëve të tjerë që luftuan në mënyrë të pakursyer për mbarëvajtjen, lirinë dhe të ardhmen më të ndritshme të Kosovës, pa mëdyshje një vend nderi i përket edhe pishtarit të palodhur Martin  Çuni, me emrin e të cilin është e lidhur një periudhë e lavdishme e historisë sonë kombëtare.

Martin Çuni u burgos nga armiqtë tanë dhe një kohë të gjatë u mbajt në burgjet e egra serbe, ngase kishte kërkuar liri për popullin e tij të dashur të cilit i qëndroi besnik deri në ditët e sotme. Ai të gjitha vuajtjeve dhe persekutimeve u qëndroi stoik dhe i  pathyer, duke dalur edhe më i çelikosur në idealet e veta patriotike të cilat datonin nga ditët rinore kur ishte në shkollën e mesme. Qysh atëherë ai mori një rrugë  sakrifikimi individual  për një të ardhme më të ndritur të këtij vendi.

 Arrestimi i tij pas ngjarjeve të vitit 1981 ishte diçka shumë e dhembshme për ne shokët e tij, por edhe madhështore për vendin tonë ngase bijtë tanë dhe bijat kundërshtuan në mënyrë të fuqishme pabarazinë tonë kombëtare dhe  sociale nën një regjim të egër dhe barbar.

Martin  Çuni kishte hyrë një rrugë plot  rreziqe  , por pa iu trembur asnjëherë syri nga ajo që do të përjetonte gjatë nëntë viteve të burgut. Ai ishte i bindur se Kosova një ditë do të çlirohej nga  okupimi shekullor.

Pas vuajtjes së dënimit, i shtyer nga gjendja e vështirë ekonomike, detyrohet të shkojë në ekzil për ta mbajtur familjen e tij, por edhe për t’u larguar nga syri vigjilent i UDB-së e cila nuk pushonte asnjëherë së ndjekuri veprimtarët tanë më të  devotshëm.

Gjatë luftës sonë çlirimtare , Martin Çuni erdhi në radhët e para, me Radiostacionin’’Kosovën e lirë ‘’, të financuar vullnetarisht nga bashkatdhetarët tanë që jetonin në perëndim. Pikërisht aty, në një Radiostacion shqiptar, u dëgjua për herë të parë zëri i kushtrimit për ta mbrojtur atdheun e rrezikuar nga bandat militare serbe. Thirrjes për luftë i përgjigjeshin shumë djem e vajza që ishin ngopur me robërinë e paduruar.

Atdhetari ynë i shquar, i cili mori pjesë aktive në luftë, në unin kreativ kishte edhe ide të shumta letrare të  cilat i hodhi në librat e tij. Ndonse akoma i mërguar dhe larg familjes dhe rrethit në të cilin u lind dhe u rrit, Martin  Çuni edhe atje ishte i preokupuar me mallin e pashuar ndaj vendit të vetë.

Tronditjet e thella shpirtërore të të burgosurit të ndërgjegjes Martin Çuni, dalin në sipërfaqe në një varg të poezive të tij të dhimbshme përmes të cilave ai na jep tabllo të tmerrshme. Është shumë e vështirë për të, por edhe për mijra e mijra të burgosur të tjerë nga radhët e popullit tonë që t’ i përjetonin ndarjet e tyre nga më të afërmit, familjet e ngushta dhe shokët e tjerë të jetës. Është mallëngjyes çdo varg i poezive të tij në relacion me’’afërsinë’’dhe’’largësinë’’ e  ambientit në të cilin lindi dhe u rrit. Për shembull, kur ai një kohë qëndroi në burguun  e Prishtinës, ishte shumë afër por edhe shumë larg nga ata me të cilët  do të  duhej të ndante gëzimet dhe hidhërimet e kësaj jete. Por edhe në atë periudhë aq të gjatë sa qëndroi në burg ai mbeti i papërkulur, pikërisht duke u mbështetur në idealin  e tij të për të cilin ishte arrestuar dhe dënuar aq gjatë, dënim ai i cili aplikohej vetëm në regjimet më të egra dhe totalitare staliniste. Burgu serb, i ushtruar në mënyrë të pashpirtë ndaj të gjithë shqiptarëve që kërkonin liri nga kthetrat e robërisë shekullore, ishte një  burg që mund ta ushtronte vetëm një armik pervers siç ishte Serbia me aparatin e saj represiv. Kurse Martin Çuni ishte njëri ndër personalitetet më të paepura që u përballoi atyre furtunave drakonike të cilat i kishin përjetuar edhe shumë të rinj të tjerë që nuk e kishin  shtrirë qafën e tyre para armikut tonë të përbetuar. Golgota personale e Martinit ishte edhe golgotë kolektive, por ai e përjetoi personalisht dhe duke dalur shumë më i fortë nga ajo. Ai ishte thellësisht i bindur se e nesërmja do të shëndrriste me rrezet e një dielli të ngrohtë edhe për popullin tonë të nëpërkëmbur. Ai bëri shumë që edhe ai diell i ri të  vinte edhe në vatrat tona të errëta , të cilat si të tilla i kishte lënë  Evropa, duke e shpërblyer Serbinë! Andaj në disa raste i drejtohet edhe asaj për fajet që i kishte ndaj nesh, duke u përpjekur që ta zgjonte ndërgjegjen e saj të fjetur.

Poezitë e M. Çunit lexohen me dashuri të madhe, me dhembje dhe me krenari që kishim dhe kemi djem dhe burra të tillë aq atdhetarë.

Në përmbledhjen e tij poetike kemi shumë vargje të bukura, në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe ato nga poezia’’Malli prindor’’në të cilën autori tregon një realitet të hidhur kur për të burgosurin’’lulet nuk çelin/fare nuk kanë aromë/bilbilat ndërruan zërin/bukur më nuk këndojnë/, të shkruara në burgun e Nishit në prill të vitit 1987.

Strofa e tretë e poezisë përfundon me vargjet:/Për ty mendojmë shpesh/ si në dimër dhe në verë/dëshira jonë e madhe është/ të na kthehesh me nder/, të cilën porosi e përmbush autori me dinjitet dhe krenari të madhe.

Që nga fillimi i përmbledhjes e deri në  fund të saj, vërtet joshemi duke i lexuar krijimet me përmbajtje të fuqishme dhe me simbolikë të theksuar.

Edhe poezia’’Në mbrëmje’’ na bën kureshtarë për ta lexuar dhe gjurmuar në brendinë e saj nga e cila burojnë mendimet, se burgu është’’ferr plot gjemba’/ ku ditët janë të gjata dhe mbrëmjet të vështira/ kur në Evropë disa kombe nuk janë të lira/..

Mes tjerash autori pret lajme edhe nga një pëllumb i cili do t’ia sjellë dy fjalë të mira për atdheun dhe lirinë e tij.

Agresorët dhe tiranët e kësaj bote ai i denoncon me fjalët lutëse:’’Ju thërras o njerëz/ në emër të dashurisë/ shporrni djajt nga zemrat/ për hir të Perëndisë/.

Mbresa të mëdha na bën edhe poezia’’Zemër bjeshkë’’, kushtuar një minatori në mërgim,  e cila vijon me vargjet:’’Dhe kafshata të lidhet në fyt/loti n’ faqe të bën rrëke’/për një yll t’ gjakon ty zemra /dritë për tokën ku ke le/.

Në vijim, na mbesin në kujtesë edhe nga një varg poezish tjera ndër të cilat spikat  ajo kushtuar nënlokes së tij, të cilën e pavdekëson me vargjet:’’Në ditët me vapë, argate, korrtare/ nëno e fortë qëndrove çdo herë/ me shumë mundime e skamje/ fëmijët i rrite me shumë nder/.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora