E enjte, 28.03.2024, 07:26 PM (GMT)

Kulturë

Alma Papamihali: "Trëndafili që çelte në janar"

E merkure, 03.06.2009, 07:19 PM


"Trëndafili që çelte në janar" - Kostaq Duka, poezi.

Nga Alma Papamihali
 
"Trëndafili që çelte në janar", është libri aktual i shkrimtarit Kostaq Duka, në të cilin janë përmbledhur një numër poezish ndarë në tre cikle..."Jemi larg dhe jemi afër"
"Hapësira e Amerikës" dhe "Humbja e perandorisë".
Në këto tre cikle, ai shpreh gjithë hapësiren e gjëndjes emocionale që përfshin një poet larg vendit. Ai nuk ka harruar as mbëmjet e Korçës, as ditën e verës apo qarkun e Qarrit, as borën dhe as shokët e tij mësues....Mbase ka lënë më shumë se një valixhe pas... në vëndlindjen e tij. Ka lënë mallin dhe nostalgjinë, edhe pse në hapësirën e Amerikës ka gjetur gjithçka, ka prekur ëndrrën, përsëri ndihet i paplotësuar.
Në ciklin e tretë ndihet edhe më shume ana lirike e poetit...që buzëqesh me fëmijën që është rritur pa e kuptuar...i këndon puthjes, dashurisë...Megjithatë poetit i mjafton muza e tij e përjetshme, ndaj dhe mbetet një qytetar pa pashaportë.
E lexova librin e tij me një frymë, sepse poezitë e tij lirike të mbështillnin të tërën në emocionet e tyre dhe të shpinin aty ku ishte poeti, në çdo minutë të poezisë dhe meditimit të tij.
Ndaj dhe po ndaj disa poezi për lexuesin, nga libri "Trëndafili që çelte në janar"...botuar në shtëpinë botuese Toena, në Tiranë.
 
Klith poezia...
 
Po ti,
Ti më nxirr,
Më shkul,
Më hidh...
 
Në patsha zjarr
e shpirt do jetoj.
Në qofsha
Mëlçi me dy sy,
E tillë do të mbes,
E tillë handikapate,
Siç lind do të vdes...
 
Pse e dua...?

 
Tymi djeg sytë,
I skuq i shpon, drithmë trupit i çon,
Dhe nxënësit mes tymit shkruajnë hartimin,
Pse e dua Shqipërinë...!?
 
Tymi vjen vërdallë,
Padurimi hap dritaren,
Sjell dëborën me tërsellimë,
Pse e dua Shqipërinë...!?
 
Mësuesi udhëzon,
nga një gjysmë karrige,
Me tri këmbë dhe pa shpinë...
 
Kur lindin fëmijët
 
Lindin fëmijët,
Gëzohen pleqtë,
Nga balli u hiqet një rrudhë.
 
Lindin fëmijët,
Dhe një qeshje mbi buzë,
U çel djemve dhëndurë,
Dhe një rudhë mbi ballë,
Me fjalën e rëndë, burrë.
 
Për sa kohë
 
Sigurisht
Njeriun
E braktisin të gjitha.
 
Dora, këmba,
Syri,
E prapë ai është njeri.
Për sa kohë ëndërron e pret një ditë të re,
Për një të nesërme që ska të  djeshme.
 
E vërteta
 
E vërteta
Brenda vetes,
Është vullkan i ndrydhur.
E vërteta e pathënë,
E tret si kanceri njeriun e mirë.
E vërteta
E shprehur,
Një stuhi
Që sjell pranverë,
Pas një dimri të keq, të vështirë.
 
Ëndrra e vrarë

 
Ëndrra e vrarë,
Stampuar në ballin e brazduar para kohe,
Në thinjat e ngrira,
Të stërmundimit të madh.
 
Ëndrra e vrarë,
E të braktisurve,
Të zbuarve,
Të revoltuarve,
A të marrëve emigrantë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora