E enjte, 25.04.2024, 07:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Takimi me bashkëshorten e Albert Kohenit

E merkure, 03.06.2009, 07:56 PM


Takimi me bashkëshorten e Albert Kohenit

Nga Alfred Papuçiu

S’ka shumë kohë që u nda nga kjo jetë, në moshën 82 vjeçare, Bela Kohen, e shoqja e shkrimtarit të madh Albert Cohen (Kohen). Ajo ishtë një grua tepër e thjeshtë, modeste dhe mbi te gjitha të bënte për vete me tregimet e saj për jetën e Albert Kohenit, këtij shkrimtari të mrekullueshëm, si dhe punën e tij të gjatë në Byronë Ndërkombëtare të Punës (BIT) në Gjenevë. Ishte një punonjës i zellshëm, por me një karakter të veçantë. Gjithçka e donte të përkryer.
Albert Cohen u lind në Korfuz më 16 gusht 1895 dhe vdiq në Gjenevë, më 17 tetor 1981. Ai ishte poet, shkrimtar dhe dramaturg dhe vepra e tij pati ndikim të madh nga prejardhja e tij çifute. Emri i tij ka qënë evokuar për të marrë çmimin Nobël në letërsi. Ka qënë mik dhe bashkënxënës me shkrimtarin e shquar francez, Marcel Panjol. Në vitin 1914, Albert Cohen ikën nga Marseja ku ishte vendosur prej vitesh dhe shkon në Gjenevë. Vazhdon fakultetin e drejtësisë dhe pas mbarimit të tij, shkruhet në fakultetin e letërsisë që e përfundon shkëlqyeshëm. Në vitin 1921 ai boton „Fjalë çifute“, përmbledhje poemash. Pastaj boton romanin „Solal“ (1930), vëllimi i parë i një cikli që Cohen mendoi njëherë ta quante « Solal dhe les Solal ».  Romani, deri diku tregon për jetën e një të riu grek në ishullin e Céphalonie, si edhe dashuritë e tij të para. Në Francë libri vlerësohet shumë. Ai përktheht në shumë gjuhë të botës dhe suksesi i romanit është universal : «  Një vepër e mrekullueshme », shkruan New York Herald Tribune ; për New York Times, Cohen, është Xhejms Xhois, Erskine Kallduell, Rabelé. Kritikat britanike, austriake, italiane dhe zvicerane shprehen me të njëjtin ton.

Albert Cohen
Më parë, në vitin 1925 Albert Cohen kishte drejtuar „Revistën çifute“ në Paris, ku në komitetin e redaksisë së saj bëjnë pjesë Albert Anjshtaini dhe Sigmund Frojdi. Nga 1926 deri më 1931 punon si funksionar në Drejtorinë diplomatike të Byrosë Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë. Në këtë përvojë ai do të gjejë frymëzimin për të ndërtuar universin e Adrian Deume dhe të Solal des Solal për librin „E bukura e Zotit“, një nga më të bukurit të tij. Më 10 janar 1943, nëna e Albert Cohen vdes në Marsejë. Po atë vit takon gruan e tij të tretë, Bella Berkowich (Cohen), me të cilën do të ndajë afro 4 dekada të jetës së tij.
Në vitin 1947 Alberti është drejtor i një prej institucioneve të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Në 1957 ai refuzon të mbajë postin e ambasadorit të Izraelit, për të vazhduar veprimtarinë letrare. Në vitet 70-të, Albert Cohen vuan nga depresioni nervoz dhe për pak sa vdiq në 1978 si rezultat i mungesës të të ushqyerit. Pastaj ndryshon krejtësisht mënyrën e të jetuarit dhe mbi 80 vjeç, vitet e fundit të jetës së tij ja kushton botimit të veprave të tij. Ashtu siç bëri edhe miku i tij i madh Panjol. Më 1978 boton “Carnets”. Pas një interviste ekskluive me Bernard Pivot, e realizuar në apartamentin e tij në Gjenevë, 7 Avenue Krieg, për emisionin « Apostrophes », ai vlerësohet në skenën letrare. Një numër i plotë i « Magazine Littéraire », i kushtohet atij. Tekstin e tij të fundit e boton tek « Le Nouvel Observateur » në Paris, në maj 1981, duke nxjerrë në pah dashurinë e bashkëshortes së tij, Bela për të. Më 4 tetor 1981, Cohen rrëzohet dhe dëmton një brinjë të tij. Kjo bëhet shkak që ai të ketë anemi dhe një bronko-pneumoni. Albert Cohen vdes më 17 tetor. Ai është varrosur në Varrezat çifute të Veyrier në Gjenevë. Më 2002 aty u varros dhe Bela Cohen.
Të kthehemi tani tek historia jonë. Folëm gjatë me Belën fisnike, me flokë të përhimta, atë mbrëmje ku na kishte ftuar shkrimtarja Marie-Luce Dayer. Bela, si edhe unë kishte punuar në BIT dhe e njihte shumë mirë punën dhe njerëzit e këtij organizmi të madh ndërkombëtar, ashtu si edhe unë që punova në gjirin e tij, në shërbimin e edukimit punëtor dhe atë të botimeve, për më tepër se katër vjet...
Disa ditë pas takimit tonë, në kutinë e postës, gjeta një zarf me emrin tim, bashkë me një shënim të vogël të Bela Kohenit, e cila banonte në një apartament pranë rrugës Eugene-Pittard. E hapa. Brenda ishte libri i Albert Kohenit, shkruar me dashuri për të jëmën, një himn për nënat. Me një frymë shfletova faqet e para… „Nuk ka dashuri më të madhe se për nënën“, shkruan Koheni në veprën e tij të shquar. Dhe vazhdon : “ Se kam më nënën për të qëndruar pranë meje, deri sa të fle. Në darkë, kur shtrihem, vendos disa herë një karrige pranë shtratit tim, për të më bërë shoqëri. Meqënëse nëna nuk është, duhet të kënaqesh me karrigen ”.

Bashkë me librin ishte dhe shënimi i Bela Kohenit, ku ndër të tjera më vinte në dukje : “ Ja botimi i “ Librit të nënës sime ” për të cilën ju fola. Dosja pedagogjike e Michel Bigot përbën, për mendimin tim, një hyrje të mirë, jo vetëm për këtë libër, por gjithashtu për tërë veprën e Albert Kohenit. Isha e lumtur që ju takova dhe që fola me ju. Me shumë përzemërsi. Bela Kohen”…Dhe unë lexoj herë pas here „Librin e nënës sine“ dhe kam nisur të vë në rrugë të mbarë përkthimin në shqip të librit, të shprehur edhe nga vetë bashkëshortja e autorit…

Albert Cohen fëmijë
Albert Cohen fëmijë
Ishim sëbashku në mbrëmjen e organizuar për shkrimtaren Marie-Luce Dayer, diku jashtë Gjenevës, në Konfinjon, në një sallë të madhe, ku ishin ekspozuar pikturat dhe vizatimet e realizuara me subjektet e përrallave dhe tregimeve të Marie-Luce Dayer. Bela - e shoqja e Albert Kohenit, një grua tashmë e moshuar, por që kishte tipare shumë të rregullta e duhet të kishte qënë e bukur në rininë e saj,  ishte me mua dhe Marie-Luce në “ Volvon ” e kësaj të fundit. Ishte shumë e thjeshtë. Për një kohë vazhduam bisedën për veprën e të shoqit, për të cilin fliste me admirim dhe pasion të veçantë. Megjithatë ishte shumë e matur në fjalë dhe të jipte përshtypjen e një njeriu erudit. Kuptova edhe nga fjalët e Marie-Luce Dayer se Bela kishte ndikuar në botimet e Albertit dhe kishte marrë pjesë në botimin e tyre. Dhe ruante me pasion çdo relike të tij, çdo botim të tij, megjithëse pa i bërë reklamë vetes si gruaja e një autori të madh, me famë botërore, që kishte dhënë edhe ajo ndihmesën e saj në ecurinë e shkrimeve të tij. Shkrimtari i ka diktuar versionin përfundimtar të librit „E bukura e Zotit“, kryevepra e tij që në 1968 mori çmimin e madh të romanit të Akademisë Franceze. Bela botoi tek Gallimard „Rreth Albert Kohenit“, një libër që përmban portrete të hollësishme të grave që kanë jetuar me të. Ajo asnjëherë nuk e quajti veten si frymëzuese të Arianës tek „E bukura e Zotit“…

Albert dhe Bella Cohen

Kohë pas kohe e shihja Belën të kalojë në rrugën Eugène-Pittard, të qetë dhe ajo më përshëndeste me buzëqeshjen e saj të ëmbël, të një njeriu të mirë, të ditur. Dhe mendoj për „Librin e nënës sime“ e cila është një vepër monumentale për çdo qënie njerëzore që ka lindur në këtë botë. Asnjeri nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë kur ka lëshuar thirrjen e parë dhe asnjëri nuk do të nënshkruajë kontratë kur të ikë nga kjo botë. Megjithatë, deri në vdekje, atij do t’i kujtohet nëna e vet...Dhe unë në çaste të veçanta, kur jam vetëm, kujtoj me mallëngjim fytyrën e nënës sime të dashur, fjalët e saja të mira për birin e saj. Me kalimin e moshës, ajo është bërë edhe më e urtë, më fjalëpakë. Megjithatë, ajo ka një kujtesë të jashtëzakonshme dhe din të tregojë me saktësi histori të familjes sonë, me një dhunti të veçantë prej aktoreje teatri që e ka pasur qysh në moshë të re, kur vazhdonte gjimnazin e Tiranës, si dhe më vonë në ushtrimin e profesionit të saj fisnik, si edukatore kopshti…

Pelegrinë apo kalimtarë hedhin një gur, apo lënë një lule, një copë druri, që është një shënjë e kalimit të tyre, pranë varrit të Albert Cohen.
Ja se çfarë shkruan roja e varrezave izraelite të Veyrier të Gjenevës ku prehet Albert Cohen.
«  Shumë njerëz që vijnë këtu duan të dijnë kuptimin e gurëve të vegjël që vendosen mbi varre. Është traditë që çdo vizitor kur i afrohet një varri, vendos në mënyrë simbolike një gur për të shënuar praninë e tij. Origjina e këtij veprimi është shumë e vjetër, qysh nga Antikiteti, kur monumentet funerale nuk ekzistonin akoma. Varret atëhere përbëheshin vetëm nga një grumbull gurësh, pak a shumë në formë piamide. Kjo praktikë përdoret akoma në disa vende. Me daljen e monumenteve funerale, kjo u zhduk, por jo zakoni. Kjo është arsyeja që vazhdohet si shenjë për vizitën vendosja e gurëve mbi varre“.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora