E enjte, 28.03.2024, 10:09 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Ukaj: Shën Pali, misionari i madh i krishterimit

E merkure, 03.06.2009, 06:08 PM


Shën Pali, misionari i madh i krishterimit

(Përkitazi me librin e Don Lush Gjergjit, Shën Pali Apostulli i Popujve, Drita, 2009)

Nga Ndue Ukaj

Shën Pali Apostull mbetet njëri ndër figurat qendrore të Krishterimit përgjatë këtyre dymijëvjetëve të gjallimit dhe qenësimit të tij. Ai, me besimin e tij, me dashurinë e tij, me kthimin e tij të mrekullueshëm, me flijimin e tij dhe misionin e tij të gjithmbarshëm, është bërë shembull i jashtëzakonshëm, në të cilin çdo i krishterë sheh gjurmët e Mësuesit të tij, Jezu Krishtit, nga i cili u frymëzua dhe për të cilin u flijua. Në figurën e Shën Palit gjejmë frymën e tejkohëshme të fesë dhe dashurisë, vlerat e përjetshme të Ungjillit, të cilat ai i përhapi dhe i përjetësoj ane e kënd rruzullit tokësor, me urtësi e dashuri. Madje, këtë fat të madh dhe të veçantë e kemi pasur edhe në si komb, ngase, pikërisht nëpërmjet tij jemi mishëruar e ndërlidhur qysh në agimet e hershme me botën e krishterë, duke u bërë protagonist dhe pjesëtar të saj. Shën Pali kishte shkelur dhe kishte përhapur krishterimin, pikërisht në trojet tona Ilire. Kjo domethënë shumë. Ndërkaq për këtë dëshmitë janë apostolike dhe nuk ka asnjë hamendësim. Prandaj, njohja, pranimi, rifunksionalizimi dhe mësimi nga jeta dhe vepra e tij, janë modele të shkëlqyera për të njohur e rinjohur, përveç tjerash, gjurmët e lashta të identitetit tonë, ngase siç dëshmoj vetë Shën Pali, ai: “Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Ilir e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”. Këto fjalë të Shën Palit, të cilat i gjejmë në Bibël, janë një referencë e fuqishme, domethënëse, për të prekur dhe rizgjuar reminishencën tonë nacionale, në këtë vit të madh kushtuar atij, në të cilin Kisha e gjithmbarshme dhe ajo shqiptare përkujton, nderon dhe ndriçon figurën e tij të jashtëzakonshme dhe shumëdimensionale.  

Për në shqiptarët figura e Shën Palit ka një rëndësi të veçantë, sepse na ndërlidh me gjenezën tonë dhe na rikujton martirizimin tonë, gjallimin tonë tragjik nëpër kohë, duke na dëshmuar një segment krucial të identitetit dhe qenësimit tonë nacional.

Në vitin kushtuar Shën Palit, Kisha Katolike në Kosovë ka zhvilluar veprimtari të shumëfishta, ndërkaq Don Lush Gjergji, kjo figurë markante e Atmes dhe Kombit vjen para lexuesit me librin ”Shën Pali apostulli i Popujve”, nëpërmjet së cilit libër na rizbulon e ndriçon, me një përkushtim të thellë prej studiuesi e teologu, këtë fenomen kompleks të historisë së kishës dhe krishterimit, nga këndvështrime të ndryshme. Madje, edhe për faktin se përmes njohjes me jetën dhe veprën e Shën Palit, autori mëton të prek ndërgjegjen shqiptare, të rikujton dhe rizgjon krenarinë e tij, duke vënë kësisoj në spikamë, vlerën e tij në dimensionet shqiptare. Prandaj, me të drejt ai shkruan se përmes njohjes së veprës dhe jetës së Shën Palit “ne njihemi me rrënjët tona, me vetveten dhe të vërtetën...si dhe me kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë dymijëvjeçare, që na bënë pjesë të rëndësishme të qytetërimit krishtëro-europian në Mesdhe dhe më gjerë”. Kjo referencë e Don Lushit na fut në një qerthull përsiatjesh e analizash, prej së cilave ravijëzohen para nesh perspektiva të shumëfishta nga njohja e kësaj figure.

 Në këtë libër, Don Lush Gjergji interpreton figurën universale dhe shumëdimensionale të ”Apostullit të Popujve”, siç e quan Saulin- sinonimin e përndjekësve të krishterëve, i cili do të shndërrohej në predikatarin e madh të dashurisë së Ungjillit, mësimit të Jezu Krishtit. Duke e studiuar dhe njohur veprën e tij, autori përçon fuqishëm tek lexuesi mesazhe të fuqishme shprese, feje e dashurie. Në të vërtetë, Shën Pali gjurmët dhe fjalët e Jezu Krishtit i shtriu dhe mbolli kudo nëpër botë. Libri në fjalë, nëpërmjet dhjetë kapitujve, sintetizon gjithë atë që është jeta dhe misioni i Shën Palit, mesazhi i veprës së tij kuptimplote, nëpërmjet një gjuhe të kultivuar, shprehjeve elokuente, mendimeve atributive dhe filozofike. Autori si një njohës i thellë i çështjeve teologjike, psikologjike dhe filozofike, trajton çështje të shumta që lidhen me personalitetin e Shën Palit, formësimin e tij si dhe transformimin e tij nga një përndjekës i madh i të krishterëve, në predikues dhe misionar. Në këtë kontekst, Don Lushi shënjon një ndërlidhshmëri mes Shën Palit dhe Jezu Krishtit, duke diskutuar edhe raportet krahasimtare mes vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit dhe kthimit të Shën Palit deri tek Pagëzimi. Së këndejmi, autori me një vëmendje të posaçme analizon dhe interpreton letrat e tij misionare, të cilat përbëjnë thesarin e pashtershëm të vlerave të krishterimit dhe janë një burim i thellë i fesë dhe kulturës botërore. Më tutje, në këtë libër Don Lush Gjergji hulumton dhe gjurmon aktivitetit të tij misionar, respektivisht udhëtimeve të tij misionare, të cilat do të lënë gjurmë dhe njëherësh do të bëjnë një kthesë të madhe në përhapjen e Ungjillit në atë kohë. Një vend me rëndësi në këtë libër zë “Feja sipas Shën Palit” ku Don Lush Gjergji konstaton se për Shën Palin fytyra qendrore është Jezu Krishtit, vepra e tij dhe mësimet e tij. Në këtë aspekt, ai e sheh edhe ndërlidhninë e tij me Kishën. Ndërkaq, një trajtim të specifik autori i bën dashurisë sipas Shën Palit, ku merr dhe analizon letrat e tij, të cilat përfaqësojnë shkallën më të lartë të përshkrimit dhe perceptimit të dashurisë në variacione të ndryshme kuptimore. Për Shën Palin, dashuria është çdo gjë, prandaj ai thoshte “dashuria nuk mbaron kurrë...”, duke rekomanduar se pa dashuri asgjë nuk vlen dhe nuk ka kuptim. Në të vërtetë, dashuria këto sublimohet me vetë Krijuesin, apo “dashuria është Zot i mishëruar”-thotë Don Lushi.

Ky libër, i cili ka karakter teologjik, është pikë referimi prej ku lexuesit dhe dashamirët  mund të njohin këtë kolos të fesë. Autori figurën e Shën Palit e shkoqit përmes përsiatjeve teologjike, filozofike e kund edhe psikologjike. Kësisoj autori ravijëzon para nesh tërë kompleksitetin e kësaj figure të papërsëritshme të kishës. Intenca e autorit Don Lush Gjergji është që duke ndriçuar këtë Apostull të madh, të hap njëkohësisht një perspektiva të re të njohjes dhe identifikimit me këtë model. Autori e studion jetën dhe veprën e tij nga prizmi historike, psikologjike, filozofike, kishtare, teologjike. Dhe pikërisht kjo qasje i jep këtij libri një vlerë të posaçme dhe e bën tejet të rëndësishëm për lexuesin shqiptar, ngase përmes tij, përveç tjerash, ai mëson edhe një sekuencë tejet të rëndësishme të identitetit të tij.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora