E enjte, 25.04.2024, 10:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Botohet romani Dallëndyshet e Kabulit?

E merkure, 03.06.2009, 05:34 PM


Shtëpia botuese BOTA SHQIPTARE së fundmi ka botuar romanin Dallëndyshet e Kabulit të autorit Yasmina Khadra. Dallëndyshet e Kabulit vjen në gjuhën shqipe pas suksesit të madh në Francë, për shumë kohë në krye të listave të librave më të shitur, si dhe në shumë vende të tjera të botës.

Ky roman është pjesa e parë e një trilogjie kushtuar fondamentalizmit islamik, apo ashtu siç pëlqen ta quajë autori, dialogut të shurdhët midis lindjes dhe perëndimit. Ky roman vlerësohet si romani më i mirë i shkrimtarit Khadra që konsiderohet si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të mirë që shkruajnë në gjuhën frënge.

Ngjarja zhvillohet në Afganistanin e sunduar nga talebanët. Dallëndyshet e Kabulit është një roman befasues, një histori e dashurisë dhe sakrificës në regjimin çnjerëzor dhe të tmerrshëm të talebanëve.

Yasmina Khadra u sjell lexuesve rrugët me pluhur dhe të nxehtin e Kabulit, nuk u ofron rrënqethje por një depërtim përdëllyes dhe të dhimbshëm në një shoqëri ku dhuna dhe hipokrizia kanë sjellë dëshpërimin.

Khadra përshkruan mjeshtërisht pasojat e shtypjes së dy çifteve në Kabulin e sunduar nga talebanët fanatikë. Atik Shokati, një gardian burgu është lodhur nga detyra e tij të zymtë, duke ruajtur të burgosurit që janë në listë për t’u ekzekutuar në publik. Jeta në shtëpi, ku gruaja e tij, Musarrati, po shuhet ngadalë nga një sëmundje kronike e pashërueshme, nuk është më e mirë.

Ndërkohë, Mohsen Ramati, përsiatet pas kujtimeve të jetës së klasës së mesme, klasë të cilës i përkiste, bashku me gruan e tij të bukur e progresiste, Zunairën, pasi talebanët ua kanë poshtëruar dinjitetin dhe mjetet e jetesës u janë zvogëluar në maksimum. Zunaira, një ish avokate e shkëlqyer, mbrojtëse e të drejtave të grave, tani nuk i lejohet të dalë në rrugë pa e shoqëruar dikush dhe pa mbuluar fytyrën. Khadra, në kapitujt e parë, me stilin e të treguarit të sjell ndërmend Nagib Mahfuzin, kapituj në të cilët pakënaqësia e tensionuar e të dy çifteve është shpallur.

Një nga momentet kulmore të librit është kur Mohsen Ramati, për të shkarkuar frustrimet e tij merr pjesë në ezekutimin me gurë të një femre të burgosur nga talebanët. Incidenti ndryshon dinamikën e martesës së tij; pas një bisede të nderë dhe një argumenti në lidhje me këtë incident, Mohsen Ramati  e bind Zunairën për të shkuar për një shëtitje në qendër të Kabulit ku çifti dhunohet brutalisht nga ushtarët talebanë. Zunaira vazhdon ta vuajë psikologjikisht këtë situatë, dhe kur argumenti i ardhshëm kthehet në dhunë fizike, Mohsen Ramati bie aksidenatalisht duke e goditur kokën në mur dhe vdes.

Atik Shokatit i është caktuar detyra të ruajë Zunairën, pasi ajo është arrestuar dhe akuzuar për vrasje, dhe pasioni i tij i menjëhershëm për Zunairën shënon një zinxhir të mrekullueshëm të ngjarjeve.

Është një roman verbues, i shkruar me dhembshuri nga një nga shkrimtarët më të qartë në lidhje me mentalitetin e fondamentalistëve islamikë dhe kompleksitetin e botës muslimane.

Dallëndyshet e Kabulit nxjerr në pah në mënyrë të shkëlqyer dallimin midis besimit dhe besimtarëve të rrezikshëm ekstremistë. Shkruar me elegancë dhe mprehtësi, me një gjuhë të hollë dhe therëse, ky roman është një portret i paharrueshëm i jetës nën një teokraci fashiste.

Proza e Khadrës është e thjeshtë, e qartë, elegante, koncize, pa fjalë të tepërta e përshkrime të ekzagjeruara. Është një meditim i sacrificës së fundit të dashurisë. Khadra me mjaft mjeshtëri zbulon shkatërrimin e marrëdhënieve njerëzore në një shoqëri mbytëse dhe trajton me detaje të fuqishme se çka mund t’i ndodhë një njeriu kur ‘drita e ndërgjegjes së tij shuhet’. Khadra është shembulli i romancierit të talentuar: ai na paraqet jetën emocionale dhe zërin e atyre që janë tjetërsuar dhe harruar...

Kabuli i Yasmina Khadrës është ferri në tokë, një vend i urisë, mërzisë, frikës dhe vdekjes. Përshkrimet e Kabulit që na ka paraqitur Khadra janë të ngjashme me Ferrin e Dantes.

Portretizimi  i tragjedisë afgane nga Khadra është flakërues, proza e tij e magjishme dhe aftësitë e të treguarit janë të paarritshme...

Dallëndyshet e Kabulit është shkruar me të tilla nota të pamëshirshme dhe pasion... Kjo provon edhe një herë fuqinë e prozës për të kthyer dëshpërimin në shpresë, për të kthyer ndjenjën e vjedhur të dinjitetit dhe të humanizmit, dhe dëshirën për të jetuar kur vdekja duket se është streha më e sigurt.”

Yasmina Khadra, është pseudonimi i shkrimtarit Mohammed Moulessehoul, lindur në Saharanë algjeriane në vitin 1955.

Pseudonimin femëror e mbajti për të shmangur kontrollin e dorëshkrimeve të tij nga censorët ushtarakë ndërsa ishte ende duke shërbyer si oficer në ushtrinë algjeriane. Është i njohur dhe i vlerësuar në mbarë botën ku romanet e tij janë botuar në 36 vende dhe përkthyer në 33 gjuhë.

Është fitues i mjaft çmimeve letrare në Francë, Amerikë etj. Dallëndyshet e Kabulit është volumi i parë i një trilogjie kushtuar dialogut të shurdhët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe që vazhdon me Sirenat e Bagdadit dhe Atentati.

Jeton në Francë.

Shtëpia botuese Bota Shqiptare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora