E marte, 21.09.2021, 11:32 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Kosova zyrtare serbe dhe miti i ''betejës së Kosovës''

E merkure, 03.06.2009, 06:44 PM


POLITIKA ZYRTARE SERBE DHE MITI I “BETEJËS SË KOSOVËS”

Nga Adnan Abrashi

Nuk duhet të ketë më kurrfarë dyshimi: Politika zyrtare serbe nuk heq dorë nga Kosova! Sikur, gjatë vizitës së tij të paradokohshme në Beograd, deklaroi edhe zv. presidenti i SHBA-ve, z. BIDEN, një njohtë të tillë nga Serbia, as bashkësia ndërkombëtare nuk do ta kërkoj me ngulmë. Së paku jo në një të afërme të shpejtë. Këtë realitet duhet ta pranojmë të gjithë, e veçanërisht politikanët tanë në pushtet, të cilën, si duket, ende kultivojnë iluzione se diçka e tillë mund të ndodhi shumë afër. Të gjithë ata që sado pak e njohin mentalitetin e popullit serb dhe historinë e saj shetformuese, e dinë mirë se kush është në këtë shtet kreatore e vërtetë e strategjive afatgjate politike dhe “sfinga” e padukshme mbrojtëse në prapavijë të interesave nacionale serbe. Edhe pse, realisht, metodat e tyre të veprimit dhe mënyrat e kontrollit autoritar të politikave vepruese, mbahen në konspiracion, si institucione publike ato dihen kush janë: Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (mëndja dhe shpirti i kombit serb).
Nëse dikush ende mendon se politika oficiale e cila aktualisht zhvillohet në Serbi është e pavarur, atëherë mashtrohet rëndë. Sepse, shikuar edhe historikisht, të gjitha kahet e gjertanishme të strategjive politikbirëse të këtij shteti, janë mbështetur dhe mbështeten në platformat programore të përcaktuar më parë nga ta. Disa prej këtyre programeve si dhe kokave kreatore të tyre, tanimë veç ju janë të njohur opinionit tonë akademik dhe publik shqiptar, por, mbase jo edhe të gjitha. Si duket ka ende sosh, dhe ato, sipas rrethanave dhe kërkesave hapësinore-kohore, veç janë në realizim e sipër. Me pretekstin legal patriotik, dhe në emër të ruajtjes me çdo kusht të interesit nacional serb, ky bashkëveprim i instaluar edhe si mentalitet mbarëkombëtar, gjithmonë ka funksionuar në mënyrë të përsosur si relacion i pashkëputshëm veprues: “Akademia-Kisha-Politika.”
Edhe pse, në dukje, realitetit i disponimit politik të masave popullore në Serbi, në mes të forcave nacionaliste dhe ekstra-nacionaliste serbe, nga njëra anë, dhe demokratëve pro -evropian, nga ana tjetër, konsiderohet i balancuar “fifti-fifti”, gjithsesi si neutrale ekziston një “tampon shtresë” e pa orientuar politikisht, e cila, varësisht prej nevojave strategjike të vlerësuara për veprim, lehtë mund të përdorohet në favor të njërës apo anës tjetër të politikbërjes në pushtet. Sido që të jetë, cila do prej këtyre forcave politike që do të vije në pushte, kurrë nuk e shkëput marrëdhënien me atë “trinit” të njohur të koordinimit bashkëveprues: “Akademi – Kishë- Politikë”. Mbase, në Serbinë demokratike je i lirë të bësh çdo gjë, gjersa nuk konstatohet se me atë veprim ke shkel interesin më parë të përcaktuar nacional serb.
Derisa, ta zëmë, te ne në Kosovë, pushteti ynë aktual, “forcat dhe lëvizjet nacionaliste ekstreme shqiptare” i konsideron dhe i anatemon si armiq të përbetuar të demokracisë dhe pengesë kryesore të proceseve integruese euro – atlantike të Kosovës, politika serbe, përkundrazi, kur vlerëson se si efekt është nevoja t’i kundërvihet ndonjë presione ndërkombëtare, me urtësi i fton dhe i përdor ekstremist e vetë nacionalist.
Asgjë në politikën serbe nuk ndodh rastësisht dhe si eufori e momentit. Çdo gjë është e koordinuar mirë. Që më parë dihet: kur duhet të bëhen protesta masive, dhe sa ato për efekt duhet të jenë të dhunshme; kur duhet të jep dorëheqje një lider dhe cili tjetër duhet të vjen në pushtet....
Të gjitha subjektet politike në Serbi, pa marrë parasysh orientimet e tyre ideologjike programore partiake, posa të vijnë në pushtet, si patriot serb, me devotshmëri duhet ta zbatojnë atë politikë nacionale, e cila më parë është definuar dhe përcaktuar nga “mëndja dhe shpirti i kombit” si interes nacional serb.

...dhe miti i “Betejës së Kosovës”

Baza më e fuqishme e lidhshmërisë shpirtërore mbi të cilën mbështeten këto programe nacionaliste serbe, është Kosova si “djepi i civilizimi serb. Si ngjarje më emblematike përmes së cilës lidhet dhe favorizohet kjo bindje në popull, është ngjarja historike e ndodhjes së Betejës së Kosovës. Kjo betejë, më e madhe në Ballkanin mesjetar, e njohur si“Beteja e Kosovës”, është zhvilluar më 15 qershor të vitit 1389, në afërsi të fshatit Mazgit të Prishtinës, dhe ka zgjatur vetëm një ditë. Në këtë fushëbetejë të përgjakshme, u ndeshën dy ushtri të mëdha: ajo invaduese e Perandorisë Osmane, dhe një ushtrie tjetër e formuar nga përfaqësuesit e popujve të shteteve të atëhershme krishtere ballkanike, në të cilën kanë marrë pjesë edhe shqiptarët.
Udhëheqja ushtarake e kësaj beteje, ju është besuar princit serb Llazarit. Pas një përleshjeje të përgjakshme në mes të këtyre dy ushtrive, ushtria e Shteteve të aleancës ballkanike pësoj disfatë, ndërsa për ushtrinë e Perandorisë Osmane, si humbje më e madhe ishte vrasja e prijësit të tyre, Sulltan Muratit. Edhe pse të dhënat historike-materiale për këtë betejë janë fare të radha, këtë ngjarje, për nevoja të veta nacionaliste dhe ekspansioniste, nga historiografia tendencioze akademike, kishtare dhe politike serbe, qëllimisht janë retushuar, falsifikuar dhe glorifikuar. Kështu, duke qenë ato më së paku të bazuara në të dhëna të dëshmuara shkencore – historike, si dhe në mungesë të fakteve të mirëfillta materiale, me kohë, kjo betejë është shndërruar më shumë se në një tërësi mitesh dhe temash për artin folklorik.
Andaj, jo edhe rastësisht, mu kjo ngjarje e një periode historike ende të padefiniuar qartë, nga politika ditore e Beogradit, gjithmonë në mënyrë perfide dhe manipuluese është shfrytëzuar për synimet e tyre të errëta nacionaliste.
Sot, nën presionin e një ofensive, thuaja multi-disiplinore të Serbisë, që po i bëhet shtetit tonë të ri dhe shqiptarëve, politika e brishtë aktuale kosovare, patjetër në këtë drejtim duhet të bashkëpunoj ngushtë edhe me akademitë shkencore të të dy anëve të Drinit. Ajo, përveç demanteve politike, të drejtën autoktone dhe historike të shqiptarëve për Kosovën, paralelisht, duhet ta dëshmoj edhe me fakte materiale empirike- shkencore.
Ja një mundësi konkrete e ofruar në këtë drejtim: Më vitin 2007, në mes të Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe atij të Turqisë, nënshkruhet një marrëveshjeje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje në dokumentacionin arkivor të këtij vendi, sidomos për periodën 5-shekullore të sundimit osman në viset shqiptare. Ky dokument bashkëpunimi ndërshtetëror, këto ditë u pasurua edhe me një mundësi: pas disa hezitimeve, më në fund, Turqia lejoji që si pjesë e kësaj marrëveshje, të përfshihet edhe dokumentacion arkivor voluminoz, i cili ka të bëj me “Betejën e Kosovës”. Pra, me këtë marrëveshje të nënshkruar dypalëshe, shkencëtarët dhe historianët shqiptar, tani e tutje, mes shumë dokumenteve origjinale te periudhave të shumta të sundimit shekullor osman në këto vise, do të kenë mundësinë e një qasjeje të pakufizuar edhe në dokumentacionin voluminoz që ka të bëj me këtë betejë tejet kontradiktore, e cila , edhe për shkencën e historisë në përgjithësi, konsiderohet si ende e pasqaruar sa duhet.
Pas këtij lajmi tejet të mirëpritur për shkencën e historisë sonë, ishte vërtetë befasuese deklarata shqetësuese e një zyrtari të Arkivit të Kosovës, se: “...edhe përpos kësaj mundësie tejet të favorshme të ofruar nga Turqia për Arkivin dhe historiografinë tonë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi, ne ende nuk kemi kuadro profesional adekuat për deshifrimin e atij dokumentacioni origjinal, i cili është i shkruara në gjuhën e vjetër osmanishte. Andaj, kjo mundësi e ofruar nga ana e shtetit Turk, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë e pashfrytëzuar...”?!
Besoj se në vazhdim, nuk na duhet ndonjë koment i veçantë në këtë drejtim?
Sikur edhe viteve tjera, edhe më 15 qershorin të këtij viti, në shenjë të kremtimit të kësaj beteje, me mira e mira “turist”nga Serbia dhe viset tjera serbe të ish Jugosllavisë, do të na vijnë në Kosovë. Pa dyshim, në mesin e tyre, do të jetë edhe ndonjë udhëheqës i rangut të lartë shtetëror serb?!
A thua, edhe këtë herë opinioni kosovar do të bombardohet me aso dilema të njohura, në stilin: “T’i lëshosh, apo mos t’i lëshosh në kufi?!”, “Kanë kërkuar leje-nuk kanë kërkuar leje nga institucionet e Kosovës?!”, “Janë në vizitë private, apo vizitë zyrtare ?!”... etj..
Kështu, derisa ne në mes veti do të merremi me këso hamendësime dhe akuza, ashtu sikur bënin çdo vjet, serbët e ardhur në këtë kremte, përmes fjalimeve dhe parrudhave të tyre nacionaliste dhe provokuese, edhe këtë 15 qershor të këtij viti, do të na “nderojnë” me parulla të shumta nacionaliste dhe antishqiptare, e posaçërisht aty do të jetë si dominonte ajo reprezentativja shumë mirë e njohur për ne: “Kosovo je Srbija!” (“Kosova është Serbi!”) 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora