E premte, 26.04.2024, 12:04 AM (GMT+1)

Faleminderit

Tuni Papuçiu, shkrimtari që e donte jetën dhe bashkëkombasit

E merkure, 03.06.2009, 09:58 PM


3 qershor 2009. U mbushën 34 vjet nga ikja e parakohëshme e Tunit tonë të shtrenjtë. Ai u largua nga kjo botë shumë shpejt, në 3 qershor të vitit 1975, në moshën 53 vjeçare. Në Shkodër, midis miqsh, dashamirës, fatosa  që i donte dhe e donin.  Kisha pranë Lajde Stakun, Skënder Drinin, Murat Gecaj, Xhevat Beqaraj,…Kur ju ndodha pranë, m’u duk sikur hapi njërin sy dhe më buzëqeshi, atje tek morgu i spitalit në Shkodrën që e donte shumë. Ju drejtova me ankth doktorit që kisha pranë, t’i bënte një gjilpërë për ta sjellë në jetë. Por ai më ra krahëve dhe më tha se të gjitha ishin provuar, por pa rezultat.
Iku, megjithëse dashamirësit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre, për të dëgjuar zërin e tij melodioz që i jepte jetë darkave midis miqsh, dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshinjve. Më kujtohet si tani se ishte i pashëm, me ato flokët e gjata që shpesh i drejtonte prapa. Dhe pyes veten, pse ishte aq i bukur me pamjen e tij engjëllore? Kur ishte 30 vjeç, apo pesëdhjetë e dy, apo pesëmbëdhjetë vjeç, kur shoh fotografitë e fëmijërisë së tij. Kjo pyetje vlen për të gjithë bijtë e baballarëve dhe në fakt ne nuk i dimë të gjitha të fshehtat e tyre. Më kujtohet ajo festa , atëhere në vitet 50-të kur si babagjysh i Vitit të Ri ai u shpërndau fëmijëve të kolegëve të tij gazetarë pakot e Vitit të Ri. Më tregonte se vitet e para pas çlirimit shkonte herë pas here në Fier dhe i jati i përgatiste shqerat, të cilat pastaj piqeshin dhe përfundonin në pjatat e kolegëve të tij gazetarë, darkave të bukura dhe kuptimplote. Ishte një shoqëri e pastër. Pastaj filloi rrokullima e diktuar nga E.Hoxha…

Babai e pëlqente natyrën, lulet dhe sidomos manjolat, trëndafilat e kuq, qëndronte shpesh për të parë horizontin dhe buzëqeshte. Ishte besnik ndaj vetes, i qartë në mendimet dhe logjikën e tij. Pranonte mendimet e kundërta, pa dashur t’i «vrasë» bashkëbiseduesit, gjithmonë me dëshirën e mirë, politesën, drejtësinë, dashamirësinë. Nuk i gjykonte dashakeqët e paktë, nuk i përçmonte, por i linte të gjykonin vetë dhe të ktheheshin në rrugë të drejtë: kjo dhunti dua të jetë edhe e jotja mik, e jona, përjetësisht midis nesh…Punoi gjithë jetën me modesti, pa u qarë për meskinitetet që ju desh të përballojë prej një pakicë keqdashësish e « qoftëlargësish ». Ishte më i fortë se vuajtja, më i fortë se varfëria, i thjeshtë, këndonte ashtu pak melankolik nga hallet e jetës, por pranonte i lumtur jetën siç ishte, i lirë, i pavarur, besnik i shoqërisë dhe i të afërmve që i donte aq shumë. Mbi të gjitha ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Për 17 vjet rresht, nga 1959 deri sa vdiq në fillim të qershorit 1975, fillimisht vetëm, pastaj me një kolektiv tepër të vogël, nxori revistën « Fatosi ». Faqet e « Fatosit » ishin të mbushura me tregime, skica, të fatosave, të rinjve dhe shkrimtarëve për fëmijë, me vizatime e ilustrime të piktorëve të rinj që hapat e para i kanë nisur ndoshta tek kjo revistë që botohej në fillimet e veta nga i vetmi redaktor përgjegjës, Tuni. Dikush, vite më parë më kërkoi koleksionin e « Fatosit » por fatmirësisht nuk u tundova nga shuma që më ofroi. Atë e ruaj si gjë të rallë që ta shohin edhe brezat e ardhshëm të Papuçinjve dhe shokët e tyre.

Vetë Tuni u formua si gazetar gjatë Luftës kur nxorri në Sevaster të Vlorës, bashkë me Jakov Xoxën e paharruar « Përpjekjen e Rinisë ». Pastaj, gazetari në moshë të re, 22 vjeçar, u bë kryeredaktori i parë i « Sportit » dhe më 1946, bashkë me Anton Mazrekun mbushën faqet e gazetës me njoftime tepër domethënëse për solidaritetin e sportistëve tanë që arritën të zinin vendin e parë në Ballkaniadë. Nëna më thotë se kur isha fare i vogël, babai më merrte me vete tek studio e stadiumit « Qemal Stafa » ku shoku i tij Andoni transmetonte ndeshjet e futbollit dhe Tuni përgatiste kronikat për gazetën. Koleksionet e « Sportit » janë të mbushur me artikuj të përditshëm të Tunit, Andon Mazrekut dhe gazetarëve të tjerë. Pastaj punoi me Alfred Kazanxhiun me të cilin e lidhte një miqësi e sinqertë.

Më tej punoi 12 vjet natën në gazetë, më tepër si i « freskët », ku humbi dhe njerin sy, por me karakter gazmor dhe shokët e tij që rrojnë akoma kujtojnë me nostalgji ato mbrëmje madhështore të viteve 50-të, ku Tuni këndonte këngë të trevës së tij. Në Institutin e Folklorit dorëzoi një fletore të madhe me të gjitha këngët myzeqare, që i këndonte vetë aq bukur. Deri sa vdiq, organizoi lexime letrare duke shkuar tek lexuesit, bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, realizoi botime të vetat dhe të miqve të tij, afroi rreth vetes autorë që ishin të shquar apo që shpejt u bënë të shquar. Shkrimtar por mbi të gjitha njeri dhe qytetar, i tillë që portreti i tij mbetet mallëngjyes, pasqyrë e epokës që jetoi. Kryeredaktori i tij Fadil Paçrami kujtonte shpirtin e tij të mirë dhe rigorozitetin në paraqitjen e gazetës.

Revista « Fatosi » kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënës por edhe shkrimtarë të dëgjuar që Tuni i afroi rreth vetes qysh në fillimet e saj më 1959. Sa here shkonte tek Safo Marko për të krijuar një ilustrim të bukur që t’i joshte fëmijët. Aty qëndronte dhe bisedonte edhe me Petro Markon e madh që kishte një shpirt të pastër por që mbeti « një rebel », krenar që nuk i pranonte meskinitetet dhe njerëzit e ngushtë. Ai ofroi rreth saj pena të njohura që i dhanë hov letërsisë për fëmijë, Dritëro Agollin, Petro Markon, Kolë Jakovën, Bedri Deden, Odhise Grillon, Shpresa Vreton, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj, Lajde Stakun, Shpresa Vreton, Sandër Gerën, Murat Gecaj, Skënder Drinin, Adelina Mamaqin, Rozi Theoharin, Sokol Jakovën, Aristotel Micin, Mina Naqon, Aleko Mingën, Petrit Skënden, Tashko Lakon etj. Te revista « Fatosi » ai shpalosi sërish talentin e vet. Piktori i merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër të madhe dhe shpirt fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare te këngës për fëmijë ne Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmimin e parë të nderit, bashkë me kompozitorët Cesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj.

Tuni i përket elitës së publicistëve. Ai shkroi gjatë jetës së tij të shkurtër me qindra artikuj publiçistikë, për rininë, për sportin shqiptar, profesonin e gazetarit, edukimin e fëmijëve, problemet sociale, të familjes, të shoqërisë në përgjithësi, pa artifica, ashtu thjeshtë, siç ishte dhe vetë. Tuni shkroi edhe për qytetin e tij të lindjes Fierin, si dhe për prejardhjen e të parëve të tij që u vendosën aty, të ardhur nga Voskopoja.
Me qindra e qindra poezi dhe poema të tij, apo tregime, skeçe për fëmijë, balada, skica u botuan në revistat për fëmijë dhe sidomos tek « Fatosi », në vëllime të veçanta, si dhe në botime shkollore në Shqipëri dhe Kosovë. Shumë prej tyre akoma nuk e kanë parë dritën e botimit, pasi ai ishte tepër kërkues ndaj vetes, por edhe miqve dhe dashamirësve të tij që u lexonte apo u botonte vjershat apo tregimet e tyre. Ato shpresojmë t’i mbledhim së shpejti me miqtë e tij të ngushtë Xhevat Beqaraj dhe Agim Faja. Libri i tij « Një sirtar i veçantë » që u botua nën kujdesin e Pandora Dedes është një tregues i punës së tij të vyer ku ai çdo njerit i kthente përgjigje dashamirëse, për të bërë ndonjë korrigjim të duhur në shkrimin që i kishte dërguar revistës. Letërkëmbimet me miqtë e tij të përhershëm piktorë e shkrimtarë, me Agimin, Lajden, Skënderin, Muratin, Aristotelin e shumë e shumë të tjerë që i ruaj në arkivin familjar, mbeten një shembull i dashurisë së tij për artin e letrarët, shkrimtarët qofshin këta të çdo moshe. Jo më kot, kolegu i tij i dikurshëm i revistës Llambi Blido e cilësoi në një shkrim përkujtimor për të "njeriu-redaksi".

Ishte observues i shoqërisë shqiptare, i pëlqente shoqëria e pastër, u shmangej karrieristëve dhe arrivistëve, nuk shante kurrë. Ai ishte pasqyra e mirësisë. Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vet, të njerëzve të thjeshtë.Të afërmit dhe dashamirët e tij do ta kujtojnë si njeriun e çiltër, me karakter, që të bënte për vete me zërin e tij kur kishte një gëzim në familje apo shoqëri, por që shprehte edhe keqardhjen e tij të thellë për fatkeqësinë e një miku apo të njohuri, që u ndodhej pranë, me mish e me shpirt, për të kaluar dhembjen sëbashku. Sa herë, bashkëqytetarë e fshatarë të krahinës së tij vinin në Tiranë, për t'i ndihmuar Tuni i thjeshtë për një hall, për të takuar një mjek të mirë, për të treguar kujdesin e duhur, për t'i ndihmuar fëmijët që të shkolloheshin, duke njohur zemrën e tij të madhe, shpirtin e tij të dhimshëm, gjerësinë e tij, megjithëse e dinin se ishte vetëm një punonjës i zakonshëm i një reviste për fëmijë. Dhe ai me sa kishte mundësi i ndihmonte sikur të ishin njerëzit e familjes së tij. Për punën e tij për 30 vite në shtyp ai u nderua me medaljen « Naim Frashëri », si dhe medalje të tjera. Gjithashtu një rruge në Fier i është vënë emri i tij.

Tuni e kishte pasion gjenealogjinë dhe shpesh i rikthehem atij blloku ku ka shënuar pemën gjenealogjike të familjes sonë të madhe që nga vitet 1700 nga Voskopoja është vendosur në Fier, si edhe shumë familje nga Kosova martire. Papuçinjtë jane ndër të parët të vendosur në Fier. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh«Lumi i vdekur». Më pas, sipas dëshmive të pleqve të kohës, Loni Xoxa dhe Grigor Dhima, kanë ardhur familje të tjera, si Demajt, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Verriajt etj. Dalëngadalë Fieri po rritej dhe pas ndërtimit te urës së Gjanicës dhe kishës së Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua në qytet.

Një nga miqtë e tij mendoi pas vdekjes së tij të botonte një libër me tregimet e tij, me titull: « Midis shelgjesh buzë lumit », si kujtim e mirënjohje për të. Në shtypshkronjë, kopjet e para të librit dolën me fotografinë e tij të madhe (të përgatitur nga dashamirët e tij tipografë) dhe të gjithëve u duk se e kishin pranë nesh dhe u përmalluam. Më vonë u botuan edhe vëllimi me tregime, përralla, vjersha e skeçe, mbledhur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj dhe botuar nga « Toena». Me këtë rast Tunit atij ju dha një çmim i veçantë pas vdekjes për veprimtarinë e pasur letrare, për vogëlushët që i donte aq shumë dhe që u shkruante tekstet më të arrira në Festivalet e Fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. U organizua edhe një mbrëmje përkujtimore për Tunin e paharruar ku folën shumë dashamirës e miq të tij :prof. Alfred Uçit, shkrimtarët Bedri Dedja, Pandora Dedja, Xhevat Beqaraj, Nasho Jorgaqi, Shpresa Vreto, e sa e sa të tjerë. Libri « Një sirtar i veçantë » që u bot ua para tre vitesh është një kujtim i bukur për krijimtarinë e pasur të Tuni Papuçiut. I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tij, të mirit, të dashurit, njerëzorit. Mbi varrin e tij, shokët vunë mbishkrimin tepër domethënës, nga një vjershë e tij : « E dini pse nëna folenë, në zemër e ka, se bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ».

Alfred Papuçiu për « Zemra Shqiptare », 3 qershor 2009



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora