E enjte, 28.03.2024, 10:16 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Rruga e Aliut

E marte, 02.06.2009, 05:08 PM


Rruga e Aliut

Nga Edison Ypi

Në një kohë djajsh udhëtim në në vend shenjtorësh ?! S’ka më bukur ! S’ka as më bukur as më këndshëm, por para se me u nisur duhet me j’a hedh një sy hartës. Ka plot shqiptarë që simetritë mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë rrahin t’i gjejnë duke palosur hartën. Njëri thotë po ta thyesh Shqipërinë në mes, Tropoja bie mbi Kolonjë, dhe prandaj të dyja ngjajnë. Pastaj hidhet tjetri thotë se Vlora bie mbi Shkodër, Elbasani mbi Lezhë, etj. Ka dhe nga ata që kur nuk gjejnë simetrinë grisin hartën Në vendin e shenjtorëve që quhet Skrapar, ka një simetri shqiptare Jug - Veri aq të qartë sa s’ka nevojë t’i biesh më qafë hartës.
Pak e dinë se ekziston rruga Çorovodë - Përmet e Shenjtorit Ali, simetrike me rrugën Rrëshen - Kukës të Orakullit Kadri.
E meqë ajo rrugë ekziston, thash’ ta rrah edhe unë një herë.
E pata menduar si shëtitje çlodhëse gjatë së cilës do ngopesha me ajër dhe do blija rrugës ndonjë shishe raki a ndonjë bidon të vogël me mjaltë. Por nisi, vazhdoi dhe përfundoi, krejt ndryshe.
Pa vajtur në Çorovodë, tek një krua ku ndala për t’u freskuar, një mesoburrë me sy të lëvizshëm mbështetur mbi krrabë në një pozicion dhe me një shprehje fytyre sikur kishte vite që më kishte zënë pusi’.
- Hë mo, j’a nisi adhuruesi i Abas Aliut duke më parë në sy. Si thua, do fitojmë apo jo ?!
Ou, thash’ me vete, për kë po më merr mua ky xhind mbi shkop në krua ?!
- Po të pyes a do fitojë Partia Socialiste. Atë pres unë të fitojë. Për atë më djeg xhani mua.
- Të lumtë skraprlli. E gjete Teqenë ku të falesh për Abas Alinë.
I hodha një vështrim gjysëm kërcënues paragjykuesit që i mjaftoi një targë Tirane për të më vënë vulën politike, freskova surratin dhe u largova. Ama ç’më tha s’e harrova.
Në Çorovodë, dy policë rrugorë të buzagazshëm. I pyeta policët gazmorë sa kohë duhet për të kapur prej aty Përmetin. Më dhanë një kohë e cila në mbarim të udhëtimit rezultoi nja pesë herë me vogël. Më gënjyen policët, për të mos ma ndalur hovin drejt Përmetit, a sepse s’ua mori mëndja që atë rrugë s’isha nisur ta bëj me makinë por me helikopter, a se ashtu u tha rakia, këtë një Zot e di.
Megjithse ndjehet zbrazja, Çorovoda ka goxha’ gjallëri. Hyjnë e dalin nëpër lokale dhe dyqane plot njerëz me hap dhe pamje të sigurtë. Aty - këtu, nga dy e nga tre, ata që s’mungojnë kurrë në asnjë qoshe të provincës; të moshuar me kasketë dhe gazetë të palosur në duar.  Mbi ish - Komitetin Ekzekutiv, si demek diçka e harruar, si diçka pa rëndësi, pa ndonjë ndikim, ende nuk e kanë hequr parrullën PUSHTETI BURON NGA POPULLI DHE I TAKON POPULLIT ! S’e hoqi Muçi sloganin poshtërues kur ishte Kryetar i Partisë Demokratike. Do t’i them ndonjë ditë Muçit; Muç, që të jesh në rregull me nostalgjikët të cilëve heqja e sloganit mbi komitet mund t’u duket si heqja nga kapelja e yllit partizan me urdhër nazist; “Pështyje të shpëtosh !”, s’ke zgjidhje tjetër, për vonesën duhet të paguash një çmim, ik zbrite parrullën natën fshehtas si hajdutët.
Të rrish të flasësh për bukurinë e Kanioneve të Osumit, nis sot e s’mbaron kurrë. Prandaj lere fare atë punë, ik më mirë tutje, dhe hiç mos e zgjat.
Harrova të them se me vete kam një djalë vëllai, pra një nip. Nipit t’im, tek ikim nëpër Skrapar, apo gjithkund tjetër nëpër Shqipëri, s’i duhen aspak, as kamerat as dylbitë, të cilat i ka fort zët, se ai gjithçka që sheh me sy e ruan në tru. Këtu në Skrapar duke hedhur sytë rrotull këndon këngë të vjetra trimërie duke ua shqiptuar qartë tekstin. Ky kolonjar 100 karatësh dy metrosh 17 vjeçar, di gjithçka; Të tërë emrat e fshatrave dhe toponimet një nga një me gjith’ etimologji, zakonet, besimet, dialektet, efektet, eventet historike, ndërlikimet politike. Tek Gjurma e Abas Aliut, pasi jep paraprakisht disa të dhëna mbi Shenjtorin, udhëtimin e Tij nga Përmeti në Tomorr dhe historinë e kësaj gjurme këtu, plot Besim, seriozitet dhe dinjiitet, gjunjëzohet puth shkëmbin.
Plot nxënëse dhe nxënës gjimnazistë çorovodarë veshur bukur shoqëruar nga mësueset kanë dalë atyre anëve për shëtitje. T’i shohësh skraparllinjtë e rinj, të bëhet zëmra Tomorr. Ata, në mos më të bukur e më të fuqishëm, nuk dallojnë aspak nga moshatarët e tyre europianë e amerikanë.
Rruga buzë Osumit ka pak gropa. Por ka dhe taban të fortë. Prandaj nuk është aspak dekurajuese.
Nja 20 kilometra pas Çorovodës, ku e mardhura malore nis depërton këndshëm nëpër trup, pakngapak, madhështinë humnerore të vetes, kanionet j’a përcjellin bujarisht një bimësie të lartë të dendur marramendëse. Aq dehëse janë këto pamje e këto fresqe të mistershme, sa të del vetvetiu pyetja; Ç’fatkeq pa sy e veshë e hundë të ketë qënë ai i pari që u mor me shata e lopata, rrush e vreshta, zjarre, kazana e tuba, sa pa kuptim lodhjet e tia, dhe sa e kotë shpikja e quajtur Rakia ?!
Diku aty një Benz që vjen përballë. Ishte e para dhe e fundit makinë në lëvizje me të cilën u këmbyem gjatë gjithë rrugës në sens të kundërt me atë të Shenjtorit deri në Përmet. I them shoferit të Benzit; Hë mo, kush do fitojë ? Ma kthen me vendosmëri; Ay atje, Baba Tomorri. Të lumtë skraparlli. Po a s’më thua, ku ishe, nga cila humbëtirë u nise, në cilën guxhuvërrë po vete ? Thotë; “Po vij nga Mulliri”. Pak më tutje, ku rruga e lë Osumin më të majtë, dhe vetë rruga pasi kalon Urën e Hambullit ngjitet përpjetë, ka vërtet një Mulli që quhet Mulliri i Hambullit. Por krejt i shkretë ai mulli, bjeri sa të duash borisë, askush s’përgjigjet. Sa duket, si shpesh nëpër Shqipëri, për arësye më të thella dhe më të errëta se Kanionet në muret e thepisura shkëmbore të të cilave bëjnë foletë laraskat, të zotët e mullirit kënaqen duke kundruar pas dritareve vuajtjet e udhëtarëve.
Aty pranë tjetër mulli, krejt i braktisur, kthyer në stan.
Malindi, Çepani, Muzhëncka, Koprëncka, dhe të tjerë katunde, janë për të qënë aty rrotull, por nuk duken, sepse pengon gjelbërimi i dendur dhe i lartë. Le dëshpërimi që s’duken Çepani e Koprëncka, por të gjen belaja dhe me nipin. Sepse nipi nuk të lejon të mbash shënime për orët dhe kilometrat e përshkruara. Kjo sepse, sipas tij, gjatë një udhëtimi të tillë, nuk është mirë të bëhen kalkulime kohe dhe hapësire, ngaqë, në këtë mënyrë, udhëtimit i humbet bukuria, magjia. Për Zotin s’e ka keq nipi. Të depërtosh mes këtyre bukurive duke marrë shënime, është njëlloj sikur të bësh seks duke vizatuar skica.
Duke u ngjitur rruga keqësohet. Gurë rënë nga mali, rrëshqitje dheu, gropa dhe kanale. Epo dihet, përderisa kjo nuk është rrugë bythpambukësh por rrugë Shenjtorësh.
Tomorri dhe Ostrovica, dhe ndoshta jo më pak se çereku i Shqipërisë, prej aty duken si në hartë. Kilometra e kilometra të tëra, xhan - xhin, asnjë frymë njeriu. Me siguri ujq, arinj, kunadhe, dhelpra, na ndjekin pas aheve, pishave, gëmushave. Në lartësi, paksa mënjanë më të djathtë, dy-tre kilometra nga rruga, fshati Hambull. Një hambulliot ka lënë Benzin me targë italiane anës rrugës dhe vet’ se ku ka vajtur është zhdukur. Të gjitha qafat të ftojnë të fotografosh. Njëra më e hatashme se tjetra, zor ta ndash cilat janë më të bukura, vet’ qafat e gjata si qafa femrash të pikturuara nga Modiliani, apo kryeveprat e Krijuesit që derdhen nën ‘to.
Duke komunikuar me celular mes atyre mahnitjeve lodhëse dhe çlodhëse njëkohësisht, ja tek vjen inkurajimi i parë bajagi’ i fuqishëm. Një mik skraparlli pa një pa dy i premton nipit erudit hiç më pak se një kec të pjekur. Kur të dojë dhe në cilindo fshat të Skraparit t’i teket.
Në një nga qafat e gjata dhe të larta nxjerr kryet me dëborë madhështorja Nëmërçka.
Në Kashisht ka Teqe’ të zbukuruar, por asnjë shtëpi të re. Aty, nënë e re dhe bijë fëmijë, secila mbi nga një kalë. Jo kuaj brinjë-dalë ! Kuaj rrace ! Nëna thotë se rruga deri në Përmet prej aty e tutje është e mirë, dhe nis të qartësojë diçka mbi përkatësinë administrative të Kashishtit, Përmet apo Skrapar.
Frashëri atje tej. S’ta kam ngenë tani o i madhi Frashër. Herë tjetër o i hatashmi Frashër.
Nga kaq lart ku duket gjithçka, konstatohet përfundimisht ajo simetria që përmendëm në krye. Rruga e Aliut Çorovodë - Përmet ka pothuaj të njëjtën strukturë planimetrike si edhe Rruga e Kadriut Rrëshen - Kukës. Nga Çorovoda tek Ura e Hambullit ku ishte ai mulliri si i Verhaeren-it që “gjithë vërtitet e vdes duke u vërtitur”, e Aliut shkon buzë Osumit njëlloj si ajo e Kadriut buzë Fanit. Pastaj, në vazhdim të analogjisë simetrike aq befasuese, prej aty, pra prej Mullirit e deri në Përmet rrugës i del përpara një masiv malor i ngjajshëm me atë të Kalimashit. Nëse Çorovodë - Përmet do bëhet një ditë autostradë, nga Ura e Hambullit e deri afër Përmetit, mes maleve, duhet çpuar një tynel. Do çpohet a s’do çpohet një ditë ai tynel, ajo s’dihet. Ajo që dihet është se simetria shenjtërore ekziston.
Në Raban, plak përmetar pa dhëmbë mbi gomar. Bëj ta fotografoj, s’mundem, se plaku tek sheh aparatin mrrylet. Do të më fotografosh mbi gomar ?! thotë plaku duke ikur. Nuk dua të fotografohem mbi gomar. Ik lemë rehat.
Pak më tutje dy të rinj vendalinj. Njëri është polic në Tiranë. Tjetri banon në Përmet. Që të dy kanë ardhur këtu për qef, për hava’. Pamja e tyre s’të jep asnjë shpresë se mund të marrësh ndonjë përgjigje po t’i pyesësh për zgjedhje dhe partira.
Rruga e Frashërit më të majtë në luginë. Më të djathtë-lart Teqeja e famëshme e Ali Postivanit.
Edhe pak kilometra deri në Piskovë ku kjo rrugë prek rrugën e asfaltuar buzë Vjosës. Prej Piskovës, ku takohen butësia e vjetër dhe e ashpër shenjtërore me ashpërsine e re dhe të butë moderne, më të majtë, fare afër, ndodhet Përmeti, më të djathtë, pak më larg, Këlcyra.
Pa zbritur ende në luginë, duket sikur, po ashtu si India e cila kur ishte ishull, duke j’u bashkuar kontinentit nga përplasja u ngritën Himalajat, në të njëjtën mënyrë, kur Kolonja nga Dashuria i është afruar Përmetit duke shqiptuar me zë të dridhshëm atë Lutjen që nis me fjalët...
Sa fije bar ka përmbi dhe’
Sa gjethe gjënden nëpër drurë
Sa thërrime kum ka në çdo det
Sa shkëmbinj edhe sa gurë
...prekja e butë dashurore ka shkaktuar një tërmet kataklizmik aq të llahtarshëm sa nga thellësitë e tokës është ngritur drejt Qiellit madhështorja Nëmërçka.
N’danë një vreshte dy qën të mëdhenj mbledhur kutullaç. Gëzofat e qënve mbuluar me pluhur pengojnë t’i dallosh cili prej tyre është larua e cili balua. Ndoshta asnjëri laro asnjëri balo. Ndoshta të dy laro të dy balo.
Një vigan përmetar ish-kulak po korr bar. Ish-Kulaku 73 vjeçar, që mban me vete raki’ Përmeti nga ajo e mira fare se raki të keqe Përmeti s’ka, ka një tru aq të kthjellët dhe aq të shkathët sa mund të krahasohet vetëm me të Ainshtainit ose me një Pentium që ende nuk është shpikur. Mban mënt gjithçka vigani i vuajtjeve. Deri edhe meselerat me teqera dhe turqira të gjyshit t’im Rushan Bej Pacomitit. Pacomiti është një fshat që ndodhet paksa më të djathtë te disa shtëpi që duken majë një kodre, në më të madhen e të cilave, nga qefi i Rushanit vendali dhe Zyrasë nga Veleshnja, ka dalë në Dritë Nëna ime. Ish - kulaku e thotë sheshit që është i pa kënaqur nga Sali Berisha. E quan jo aq anti-komunist apo aq i djathtë sa ai do deshte. Ama Kulaku i këndshëm gjatë muhabetit tregon edhe se çupën në Tiranë e ka të punësuar në një televizion të majtë të Tiranës, çka e kompromenton paksa atë që thotë për Sali Berishën.
Nejse, nga Çorovoda, deri buzë Vjosës, jo më pak se nja tre orë. Kohë kjo e matur me pozicionin e Diellit në qiell, se ta vrasësh s’të lë nipi t’i hedhësh sytë orës.
Dy bejlerë mbi Suzuki, pasi kanë rënë në asfalt, s’kanë asnjë arësye të kthehen në Tiranë nga Mallakastra. Të gjitha arësyet tërheqin në krahun tjetër. Duhet patjetër t’ia therin më të djathtë për t’u hedhur një sy çifligjeve në Kolonjë.
Patjetër nga Kolonja pra. Sado gjatë të jetë rruga. Sado të shumta të jenë kthesat. Sado e madhe të jetë lodhja. Për më tepër që në Helmës pret Agron Nazarko. Agroni para nja një muaji ishte në Tiranë. Më telefonoi tek vërtitej e vërtitej rrotull Ministrisë së Drejtësisë si gurët e Mullirit të Hambullit buzë Osumit. Halli ishte ky; Djali i ikur në Greqi, pas shumë vitesh, një ditë ishte kthyer në shtëpi në Halmës. Kur pasi u ç’mall, kur desh’ të kthehej përsëri në Greqi, se ku e zuri Policia jonë i kapi një falsifikim në Pasaportë. Policia j’a mori Pasaportën djalit të Agronit. Por ai bëri si bëri iku përsëri në Greqi. Por këtej, pra në Shqipëri, u hap një proces. Dhe, për 1 gërmë të falsifikuar, e dënuan 2 vite burg në mungesë të shkretin. Në prezencë të Agronit telefonova Kreshnik Spahiun. I thashë; Kreshnik i dashur, zgjidhja hallin Agronit, se s’është mirë shqiptari të bëjë 2 vite burg për 1 gërmë në Pasaportë. Kreshniku më dëgjoi dhe premtoi. Ndërkohë Agroni, i cili në ato rrethana, pra kur halli mori rrugën e zgjidhjes, do duhej të qeshte, s’di pse nisi të qante. Ç’ke Agron që po qan, i thashë, ?! S’mu përgjigj. Vetëm qante me lotë të heshtur që udhëtonin ngadalë teposhtë rrudhave të fytyrës së rreshkur. Dhe ashtu u ndamë, unë duke ikur i habitur, Agroni duke qarë i mekur.
Tani, me nip erudit në bord, mezi pres të vete ta takoj Agronin në Helmës ta pyes si vajti ajo punë, dhe pse qau.
Bukuritë e Çarshovës, Leskovikut, Kolonjës, më zi se Kanionet e Osumit; Hallall 200 milionë Euro në dorë atij që di t’i përshkruaj.
Por, ah, pishat s’kanë ndonjë shkëlqim. E gjelbëra e tyre si e vrarë. S’e kanë marrë ende veten nga zjarret e beharit që shkoi.
Mbi një livadh të madh të blertë rrethuar me pisha hallakatet si në jerm një turist i huaj.
Nipi seç thotë për inginieringun e çuditshëm njerëzor që shndrron vendet e zakonshme, pyje, pllaja, korije, në vende të shenjta, vakëfe.
Nëpër faqe malesh gjarpërojnë rrugë të reja fshatrash.
Diku pranë një përroi më erdhi më në fund rasti në Kolonjë të hakmerrem ndaj skraparlliut mbështetut mbi shkop që më mori për socialist. Aty një kolonjare te të dyzetat me shkarpa nën sqetull.
- Hë moj, i them, si ma ke synë, për kë do votosh ?!
Ma pret kolonjarka me shkarpa;
- Aman të keqen se s’durohet dot Sali Berisha, na la me shkarpa mbi kurriz.
- Shkarpat nuk i ke mbi kurriz por nën sqetull. Dhe s’dukesh aspak e kërrusur. Je e sigurtë për sa thua për Sali Berishën ?
- Jam shumë e sigurtë. Dhe ty ta thashë se po më dukesh nga t’anët.
- Po moj Zonjëzë po, e gjete. Me gjith’ lecka i juaji jam. I juaji këtu në Kolonjë, dhe i tyre atje në Skrapar. Se jo vetëm sipas teje, por edhe sipas meje, të gjithë ata që mbathin këpucë socialista janë. Por a s’më thua, a të kujtohet se si Diktatori ua mori të gjitha, edhe leckat, edhe morrat, edhe shkarpat ?
- Po, është e vërtetë, na i mori të gjitha, por ama na dha...
- Çfarë j’u dha ?!
Përgjigja ishte e pa besueshme !
- Mëntë !
- Epo mir’ moj kolonjarkë me mënt në vënd. A do ta dish se për kë do votoj unë, se s’po më rrihet pa ta thënë ?
- Po !
- A e do të ta jap me shkrim ?
- Po.
Rrëmbeva një fletë letër të bardhë nga blloku me shënime të munguara orësh dhe kilometrash për shkak të embargos së nipit estetizant, dhe j’a shpalla kolonjarkës votën; Ja ç’i shkrojta;
E di si e doni ju nostalgjikët shqiptarë, ju shejtan - budallenjtë e pa ndreqshëm që tani hiqeni si socialista ? Jo sipas meje. Sepse po të nis e të flas unë, nisin e lëvrijnë krimbat e zyrave, zagarët e gazetave. Po të përgjigjem sipas një mikut t’im që jeton në emigracion. E di si thotë ai ? Ai thotë se ju si ti jeni zhgani kriminal më i ndyrë, jeni bërllogu antishqiptar më i qelbët që Historia e këtij trualli ka njohur. Prandaj ju të tillët duhet të zhdukeni nga faqja e dheut të gjithë një nga një. Sytë j’u duhen nxjerrë juve o ndyrësira. Koka j’u duhet shtypur. Me të vajtur në Tiranë do t’i them disa kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste të betohen mbi medaljonet dhe nishanet e Abas Aliut, se s’kanë asgjë të përbashkët me ju, dhe votën tuaj hileqare nuk e duan kurrsesi. Se po s’vepruan kështu, deputetë të vërtetë nuk do bëhen dot kurrë. Hajt mirbetsh o kolonjare budallaqe me shkarpa nën sqetull. Edison Bej Ypi. (Firma)
E mori shushka letrën dhe nisi ta lexojë. Tek lexonte nisën t’i bien shkarpat një nga një në tokë. Dhe nisi të gulçonte. Në fillim nga pak. Pastaj gulçet j’u përzjenë me një të qarë amanozot. Pasi e mbaroi, priti pak çaste, shkundi kokën, fshiu disi lotët, sikur erdhi pak në vete, dhe nisi ta tundë letrën në erë. Dhe ashtu e marrosur, duke tundur letrën u zhduk brenda pyllit me pisha me një hap krenar me kokën lart sikur po e çonte letrën diku për të më denoncuar. U trëmbe moj kolonjare ?! Po si ka mundësi që u trembe ?! Ju komunistet nëpër filma me prita dhe atentate jeni goxha trime ! Ik o kolonjare ik, i thashë nga pas, ik se duhet vetëm të ikësh dhe kurrë të vish.
Një tu lehtësuar nga kjo hakmarrje e vonuar kolonjare me origjinë Skrapari, atypëraty, për t’u risjellë në mëndje bukuritë natyrore kolonjare, i telefonova miqve të m’i të shquar. Cilit të parit ? E kujt tjetër veç Fisnikut, Oxhakut, Beut, të persekutuarit të hershëm, biznesmentit të tanishëm,  Qytetarit të Nderit të Ersekës, mirbërësit, madhështorit, të papërkulurit, Mustafa Taçit. Pastaj Kryetarit të Bashkisë Ersekë, Adriatikut, dhe nja tri a katër të tjerëve.
Diku më zunë rrugën ca dhën. Pas tyre vijnë dy barinj shtatlartë. Njëri prej tyre me njeh nga televizori. Kishte parë para disa vitesh, vetëm një herë afër mesnatës, një reportazh t’imin të quajtur “Fshati për karshi” kushtuar Bezhanit të braktisur. Pasi përshëndoshem me të dy, qefliu i reportazheve më thotë;
- Ku po vete o lako ?
- Në Helmës. Tek një mik që quhet Agron Nazarko. Edhe ay si ty, qefli i televizionit, televizionit si e bëj unë, jo si e bëjnë të shiturit. Për atë reportazhin që mbajtke mënt ti o lako, Agroni më dërgoi me postë një letër të gjatë ku thoshte se Helmësit i kisha borxh dy dit e dy net pa gjumë, dhe shumë lotë.
- Te Agroni ?!
- Po mor lako po, tek Agron Nazarko, mezi pres të vete ta takoj.
- Agron Nazarko vdiq para tre ditësh !
- O i marrë, a je në vete ?!
- Po, jam në vete. Agronit të shkretë j’u ndal qarkullimi i gjakut në njërën këmbë. Doktorët s’i bënë dot derman. Vdiq në spital në Tiranë.
Paska ikur Agron Nazarko.
Epo mir’. Pas Skraparit të Rrugës së Aliut, pas Pacomitit të Nënës, pas Kolonjës së Nipit dhe pas Agron Nazarkos së Helmësit, po iki edhe unë. Dhe ika në Tiranë. I cfilitur pas plot 553 kilometrash rrugë dhe 16 orësh mbi timon brenda një dite. Tani do çlodhem duke fjetur një gjumë të thellë. Po më zuri.
edisonypi@gmail.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora