Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Virgjëreshat e Elvirës

| E marte, 14.08.2007, 07:25 PM |


Elsa Demo

Dokumentari i shkrimtares Elvira Dones prezantohet së fundi në hapësirën amerikane.
Virgjëreshat e betuara e Veriut të Shqipërisë, ngjallin vëmendjen e botës së huaj që nuk kish dëgjuar kurrë më parë për këtë fenomen

Pasi kish dorëzuar në prill dokumentarin "Virgjëreshat e betuara" në televizionin zviceran, shkrimtarja Elvira Dones menjeherë do thoshte se pse ky dokumentar merr një vlerë të veçantë sidomos nisur nga fakti që ajo vetë është një autore shqiptare por edhe e huaj, pra një autore mes dy botesh, dy kulturash, gjë e cila është për të pasuri e madhe e në të njëjtën kohë jo gjithmonë e lehtë për t'u mbajtur në barazpeshim. "Shqipëria e parë që atje duket sikur ngjall një interes më të madh se sa në realitet ndodh. Punët që janë bërë rreth saj nga kjo anë e botës - qoftë Europë apo përtej oqeanit - janë veçse një pikëz fare e vogël në një xhungël të vërtetë prodhimesh - dhe këtu e kam fjalën natyrisht për punët gazetareske e dokumentaristike." Kështu do ta komentonte Dones që tani jeton përtej oqeanit, në Amerikë, pyetjen pse një dokumentar për virgjëreshat e betuara dhe sa ndikon distanca në qasjen ndaj fenomenit. Dones e realizoi dokumentarin në një kohë rekord. Është transmetuar tashmë nga Televizioni Sviceran dhe është seleksionuar që të marrë pjesë në Festivalin e Filmit për Gruan që zhvillohet në Baltimore në muajin tetor. Po ashtu filmi është i mundshëm edhe përmes Dones Media, me qëndër në Amerikë drejtohet nga bashkëshortët gazetarë Elvira dhe Vasko Dones, në bashkëpunim me Televizionin e Zvicrës.

Është bërë gati një vit dhe tani ka ardhur koha të flitet se çfarë ka bërë Dones në "Sëorn virgins". E përditshmja amerikane "The Washington post", një ndër autorët e saj, Joshua Zumbrun, i kushtonte më 11 gusht një artikull të gjatë autores shqiptare dhe dokumentarit të saj.

"Dones, e cila jeton në Rockville, kishte takuar një pasues të traditës së lashtë të Shqipërisë së Veriut sipas të cilës gratë betohen për virgjëri të përjetshme në këmbim të të drejtës që të jetojnë si burra. Procesi nuk është kirurgjik – këtyre maleve s'e di kush që edhe kirurgjia për ndërrimin e seksit është e mundur. Më mirë, më tepër, virgjëreshat e betuara presin flokët dhe veshin rroba të gjera burrash dhenisin të jetojnë kryesisht si barinj ose shoferë kamioni madje edhe si kryetar politik. Dhe rreth tyre ata – që pavarërisht se e dinë që virgjëreshat e betuara janë gra – i trajtojnë si burra",- shkruan Joshua Zumbrun dhe duke iu referuar interpretimeve të Donesit i jep lexuesit vendas një panoramë të fenomenit edhe gjatë regjimit dhe izolimit të Enver Hoxhës. Në fund të fundit, virgjëresha apo virgjna si Shkurta, Sanija apo Lulja dalin gra të sakrifikuara. Kështu shkrimtarja 47-vjeçare thotë se ky zakon ka ekzistuar të paktën që prej shekullit të 15-të, kur traditat e krahinës u kodifikuan për herë të parë dhe qysh atëherë virgjereshat e betuara "lindën" nga nevoja të ngutshme: nëse i pari i familjes vdiste dhe nuk kishte mashkull tjetër shtëpia, kështu vetëm një grua-burrë mund të merrte në dorë gjithçka në familje.

Një nga personazhet, pyet: "Pse jetoj si burrë?". Ky/kjo është Lule Ivanaj që duket rreth të pesëdhjetave, me flokë të shkurtër, me krahë të mbushur dhe me një orë me rrip ta gjerë metalik në dorë. "Sepse çmoj lirinë time. Them se kam qenë përpara kohës sime." Dhe po kjo virgjëreshë e pyetur nga Dones nëse do të ishte ndjerë e kufizuar nga martesa, përgjigjet: "Aspak! Më shumë e shtypur se e kufizuar... Edhe kur ka dashuri dhe harmoni vetëm burrat kanë të drejtën që të vendosin. Unë dua o drejtësi absolute o hiç".

Kujtojmë se ky është filmi i dytë që Elvira Dones realizon në Shqipëri, po në Veri. I pari është "I ngujuari" i para disa viteve pjesëmarrës me sukses në disa festivale, madje dhe fitues çmimesh. Dones beson se që filmi dokumentar po merr një "ringjallje" në vitet e fundit. "Nëse në Europë - ku dokumentaristika ka patur ngaherë një lëvrim të gjerë - kjo po rreshket nëpër "qoshka" për shkak të imponimit të dhunshëm të televizionit komercial, në Shtetet e Bashkuara (ku televizioni komercial është i gjithpushtetshëm prej kohësh) ka një lëvizje të kundërt: dokumentari po mbrohet, lëvrohet dhe po i jepet pesha e duhur, natyrisht duke u shfaqur në televizionet publike apo parapublike: PBS, Sundance Channel, HBO, Discovery Channel etj, por ama këto televizione shikohen nga miliona spektatorë të shpërndarë në një popullsi prej 400 milionësh të gjithë vendit. Pra nuk është e papërfillshme por një forcë që kërkon programe e informacion cilësor që të informojë mbi fenomene, ngjarje, dhe mbi kulturën e të gjithë botës".

Hana pararendëse

Në pranverë të këtij viti Elvira Dones hodhi në qarkullim romanin "Hana" (Botime Sejko). Fjala është sërish për një virgjëreshë të betuar, një 34-vjeçare e quajtur Hana, e cila vendos të heq dorë nga betimi. Ky libër është shkruar para se Dones t'i hynte kësaj aventure. "Isha e kënaqur me romanin, por unë doja t'i takoja ato/ata. Isha e obsesionuar prej tyre. Doja të tregoja historitë e tyre dhe të mbaja atë mënyrë si ato i rrëfejnë historitë e tyre. Gjeta tek ato një bukuri të madhe. Ato s'janë të hidhëta. I përcjellin historitë e tyre me kaq dinjitet... Ndihen mirë në rolin e tyre." Në fakt këto janë përshtypjet e shkrimtares shqiptare vetëm pasi ajo u takua me virgjëreshat. Gjithsesi këtë bukuri Dones e ka ndjerë që ato ta kenë pasur, edhe pa i njohur nga afër. Në romanin "Hana", personazhi është një grua-burrë që shkruan poezi, në fshehtësi të botës që e kujton për virgjëreshë burrë nga jashtë dhe nga brenda shpirtit.

"Hana" pritet të botohet së shpejti në Itali nga "Feltrinelli" ku Donesi ka botuar në vitet dymijë romanin e suksesshëmë "Yjet nuk vishen kështu".