Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ruajtja e gjuhës shqipe në Amerikë, një sfidë e vërtetë

| E marte, 14.08.2007, 07:01 PM |


Nga Gjeke Marinaj

Për shqiptarët që jetojnë në Amerikë, gjuha angleze është fondamentale për të jetuar oportunitetet më të mira. Një njeri bilingual ka vlera të dyfishta. Të qenurit bilingual nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë e të folurit në dy gjuhë; një gjë e tillë shpalos njëherësh edhe kapacitetin e vlershëm të leximit dhe të shkrimit të dy gjuhëve. Fatkeqësisht, kur fëmijët shqiptarë integrohen në shoqërinë amerikane ata preferojnë të flasim vetëm anglisht me shokët dhe familjen, duke lënë shpesh mbrapa jo vetëm gjuhën e prindërve të tyre, por edhe kulturën shqiptare. Një gjë e tillë ka ndodhur me djalin e madh të Etleva Sinanit. Pa e kuptuar ai fliste përditë e më pak shqip, derisa një ditë e kuptoi se e kishte harruar tërësisht gjuhën e tij. Tani Etleva është duke u përpjekur të parandalojë ndodhjen e të njëjtës gjë me Tonin, djalin tjetër të saj. Për të sfida është më e madhe sepse burri i saj, Filipi, është amerikan dhe flet vetën Anglisht. Etleva shton se shumë fëmijë shqiptarë përvetësojnë anglishten sepse ajo është gjuha që përdorin në shkollë pavarësisht se prindërit e tyre flasin shqip me njëri-tjetrin. Në vend që të kërkojë që Toni të flasë ekskluzivisht shqip në shtëpi, Etleva përdorë një tjetër taktikë: “njerëzit mësojnë edhe në atë mënyrë, por detyrimi nuk është i domosdoshëm. Një metodë e tillë nuk është natyrale.” Ajo jep idenë se do të ishte më efektive nëse prindërit përpiqen të zbulojmë se çfarë i bën në qejf fëmijët, pastaj të gjesh mënyrat më të përshtatshme për t’i ekspozuar ata te gjuha dhe kultura shqipe. Për shembull, kur ata si familje udhëtojnë me makinën e tyre, Etleva prezanton kaseta apo CD në gjuhën shqipe. Sipas saj Toni është i dhënë pas CD-ve dhe tani kërkon të dëgjojë këngë të kënduara, midis të tjerëve, nga Afërdita Zonja, Bashkim Alibali apo motrat Libohova. Mirjam Laçi, një ish mësuese e gjuhës shqipe në një nga shkollat e qytetit të Korçës, përdor të njëjtën metodë që djali i saj, Igli, dhe vajza, Bora, të mund të shijojnë gjuhën dhe kulturën shqipe. Mirjami nuk i detyron që të flasin në njërën apo tjetrën gjuhë, por kur vëren se ata harrojnë ndonjë fjalë ose e përziejnë shqipen me anglishten në të njëjtën fjali, ajo ndërhyn menjëherë. “Asnjëherë nuk hezitoj të ndërhyj, sepse dua që të dy të përdorin një leksik dhe fonetikë korrekte”, thotë ajo.

Mirjami e pranon se nganjëherë as të rriturit nuk i dinë rregullat e përdorimit të gjuhës letrare shqipe sa të jenë konfident në përgjigjet e tyre kur fëmijët u kërkojnë shpjegime konkrete. “Sidomos prindërit duhet të mundohen ta mësojnë rregulloren gjuhësore dhe të mos flasin me hamendje. Nëse nuk e di përgjigjen e saktë mos e fabriko atë”, sugjeron Mirjami.

Si mësuese Mirjami e ka parë kapacitetin e fëmijëve për të mësuar gjëra të reja. Ajo vë në përdorim librat që ka përdorur dikur në klasë, jo vetëm për t’u mësuar subjektet bazë fëmijëve, por edhe për t’ua pasuruar aftësitë për t’u shprehur me një kulturë gjuhësore sa më të avancuar.

Mirjami shpjegon se ajo lexon me zë për Iglin dhe Borën, çdo ditë për një gjysmë ore nga librat shqip, që ose i blenë në internet, ose i pranon si dhurata nga miqtë dhe të afërmit e saj nga Shqipëria. Ajo i alternon gjuhët kur lexon për fëmijët, duke u përqendruar një ditë në gjuhën shqipe dhe në atë anglishte ditën tjetër. “Natyrisht nganjëherë ndjehem e lodhur, por mundohem të jem e kujdesshme në këtë metodë pune,” shpjegon ajo. Rabie Çukaj, nëna e Tales, Verës dhe Agimit, është dakord se leksionet janë esenciale për përmirësimin dhe ruajtjen e një gjuhe. “Ne kemi libra në gjuhën shqipe të botuara këtu në Amerikë, por librat që vinë nga Shqipëria janë më të rëndësishme. Përveç vlerave që kanë si mjete për të mësuar gjuhën, ato janë shumë efektive edhe për të mësuar rreth Shqipërisë dhe kulturës së saj,” thotë ajo. Në shtëpinë e saj në Dallas (Teksas), Rabia dhe burri saj Fadil Çukaj gjithmonë flasin shqip me fëmijët e tyre. Gjatë darkës bisedojnë familjarisht rreth traditave shqiptare që fëmijët e tyre të jenë jo vetëm bilingualë, por të kenë edhe njohuri të mjaftueshme rreth prejardhjes së tyre. Ata përdorin këtë edukim të përditshëm për të ilustruar kulturën shqipe. Rabia dhe Fadili gjithmonë mundohen të ngjallin krenari kombëtare te fëmijët e tyre, që ata të mos vihen kurrë në ndonjë pozicion shoqëror ku të debatojnë në vetvete për opsionin e shfaqjes së prejardhjes së tyre tek të tjerët. “Megjithëse shokët e tyre janë amerikanë, unë dua që edhe ata ta dinë se cilat janë zakonet tona dhe vlerat tradicionale që kemi si komb. Që kur kanë filluar shkollën, fëmijët e tyre kanë vazhduar një program edukues bilingual që të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në shqip dhe në anglisht njëherësh. Rabia beson se një mënyrë e tillë mësimi ofron një oportunitet të mrekullueshëm për fëmijët e saj që të vazhdojnë të zhvillohen si njerëz bilingual dhe si njohës të vërtetë të të dy kulturave në fjalë. Për këtë ajo ka të drejtë. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë mendojnë se është mirë që t’i ekspozojnë fëmijët e tyre te gjuha shqipe që në moshën më të re të mundshme. Për këtë ata përpiqen të përfitojnë nga përdorimi i lojërave elektronike, muzikës, filmave, librave dhe aktiviteteve të tjera të kësaj natyre. Gjithsesi, për shumicën e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ruajtja e gjuhës shqipe mbetet një sfidë e vërtetë. Përpjekjet e tyre mbetën të vazhdueshme. Ata shpresojnë se duke i frymëzuar fëmijët e tyre të bëhen bilingual do të arrijnë ta mbajnë gjallë si gjuhën shqipe ashtu dhe dashurinë kombëtare. Përveç tendencave patriotike, nëse shpresat e tyre marrin jetë, ata do ua rrisin fëmijëve kapacitetin e arsyetimit, gjë që mund të përkthehet në një zhvillim më të mirë linguistik dhe një bashkëpunim social më efektiv në veprimtaritë e tyre intelektuale.