E shtune, 20.04.2024, 12:54 PM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: I gjashti në listë

E marte, 02.06.2009, 06:54 PM


I gjashti në listë

Nga Agron Tufa

Ne do ta quajmë zoti R, për të shmangur ndonjë faull etik: më ftoi për kafe dhe nxitoi që të mos ia refuzoja, se për këtë kishte ardhë. Kandidat i partisë së madhe opozitare në një zonë të jugut, zoti R kishte një hall të madh, të cilin këmbëngulte ta kuvendonte me mua në mënyrën më miqësore që mund të bëhej. I hapa udhë për në kafe, me paralajmërimin: “Vetëm për 30 minuta dhe asnjë sekondë më shumë!”. Sapo u ulëm, i priva vetë, duke hyrë drejt e në temë:
- Ç’hall ju ka zënë zoti R, dhe a jeni i sigurtë se mundem t’ju ndihmoj?

- Si ore s’mundesh! – ma priti ai. – Ti ke në dorë të vetmin televizion që shihet në të gjitha zonat e Shqipërisë.
- Nuk ka si të jetë e vërtetë kjo që thua; unë kam në dorë vetëm atë që varet prej meje: mendimin tim.
- Ke ndikimin, i dashur! – ngriti pëllëmbët ai, në mënyrë çarmatosëse. – Po të duash ti, më bën një me fushatën.
- Në ç’mënyrë u bëka kjo?
- Dy-tre kronika nga zona ime zgjedhore dhe bashkë jemi larë, - tha zoti R në mënyrën më lakonike të mundshme, duke shkundur duart.
- Heu! Po mua që më duket se bashkë nuk jemi në ndonjë borxh dhe, rrjedhimisht, s’kam ç‘të të laj?
- Po miqësia?
- Cila miqësi?
- A jemi shokë?
- Jo, nuk jemi.

- Shokë jemi, i dashur, bile shumë shokë, pavarësisht bindjeve të tua që unë i di mirë... Ne jemi shokë, kolegë se, që të dy, merremi me librin... Kjo ka qenë në fakt arsyeja pse u përfshiva në politikë unë: të ngre zërin për librin në parlament dhe të zgjidh disa probleme infrastrukturore në fshatin tim.

- Meqë e çove llafin deri këtu, - i thashë, - po, është e vërtetë që ne merremi me librin, por kam përshtypjen se merremi në mënyra të ndryshme: unë duke e fisnikëruar, ti duke e përdhosur. Të paktën kështu mendoj unë...
- S’u bëka fjalë me ty sot, - tha duke buzëqeshur me djallëzi. Mandej vazhdoi me një taktikë tjetër: - Ji më i gjerë z. Tufa... Më i gjerë... Je dhe poet...
- Po të flisja si poet këtu me ty, të kisha zënë me shqelma, - iu përgjigja ashpër, duke e parë e parë në sy me gatishmërinë e sherxhiut.
- Po sikur të të them se fitorja ime është thuajse e sigurtë?
- Dhe ju prisni që unë të impresionohem?
- Po të kërkojë ndihmë, o burrë i dheut... Njëherë është kjo... dhe nuk ta harroj sa të jem gjallë... Bëhu më i gjerë. Je alamet djali... Më duhen ato tre kronika nga vendlindja ime. Kaq mjafton... dhe më votojnë.

Unë heshta. E lashë të fliste dhe, në fakt, po mundohesha të rrokja me mendje se si ka mundësi që tre kronika të mund të sjellin një përqendrim votash, sa të nxjerrin fitues dikë nga palët politike. Meqë nuk e kuptova (e as tani nuk arrij ta kuptoj), e pyeta vetë:

- Pse mendon se ato tre kronika a intervista mund të të sjellin fitore? Në fund të fundit, në skemën e tashme zgjedhore nuk ka përballje kandidatësh, por vende favorizuese që i vendosin sipas parapëlqimeve vetë kryetarët e partive.
Ai kishte marrë zemër dhe e zbuti aq shumë zërin, duke i dhënë një ton intim, miqësor e familjar, madje duke më kallzuar edhe një sekret tepër të rëndësishëm.

- Shiko, ta them si vëllaut... Në listë mua më kanë venë në vendin e gjashtë. Është rreth i madh dhe ka shumë mundësi ta kap unë vendin e gjashtë e jo kandidati blu. Por nëse arrij të ndikoj personalisht, duke shëtitur nëpër gjithë krahinën e duke u premtuar atyre gjërat më jetike... se unë e di ku u dhemb atyre! Marrja e votave rozë më shumë, përcakton fitoren përfundimtare të kandidatit të gjashtë rozë, dhe jo blu... Dreqi ta hajë, është llogaritje e saktë...

Pastaj, duke e marrë heshtjen, apo më saktë, kureshtjen time, si miratim, ai më rrëfeu dhe për një shpresë të fshehtë, sipas së cilës, do ta kishte krejt të sigurtë fitoren. Pa rreth e rrotull, e uli kokën dhe e zgjati paksa qafën, duke zbuluar mishrat e irrituara e të përskuqura të qafës nga jaka e re e këmishës dhe, me një zë të ngazëllyer e konfidencial, tha:

- Unë, more miku im, dua t’ia bëj hyzmetin kështu siç më kanë pozicionuar në listë – në vendin e gjashtë – megjithëse ka shumë, po jashtëzakonisht shumë shpresë, që të zë vendin e pestë!
- Në ç’mënyrë kështu? Me sa di unë, listat janë të palëvizshme që nga momenti i miratimit në KQZ.
- Absolutisht e vërtetë. Por... e ke parasysh se kush kandidon në vendin e pestë?

Ngrita supet. Ai vuri dorën hinkë anash gojës dhe shqiptoi emrin e një politikani të njohur brenda kampit rozë, një personi energjik e agresiv në moshë të re, imazhin e të cilit e kisha parë me dhjetëra herë në studiot më të njohura të telekanaleve tona.

- E çfarë pastaj? Do të japë dorëheqje?
- Jo, jo, - tha ai me zërin e emocionuar të një të fshehte përvëlonjëse. Emrin e ka në listë, siç të thashë, në vendin e pestë, por vetë ai... gjendet në një spital europian prej dy muajsh, i sëmurë rëndë... në derexhe të fundit... me leuçemi... Kupton tani?

Ai fliste, me të njëjtin ton, me të njëjtin ankth, me të njëjtin ngulm, por në veshët e mi, pa e nga një grimë zuri të zhurmërijë mbyturazi një zhuzhimë e bezdisshme mizash dhe, se si, një një vel i hollë mjegulle xixa-xixa e veshi pamjen përqark me një optikë të turbullt dhe opake.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora