Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Sportklub Tirana – Kampionia absolute Nr. 24

| E hene, 01.06.2009, 10:00 AM |


Sportklub Tirana – Kampionia absolute Nr. 24

Nga Besnik Dizdari

Sportklub Tirana - skuadra e cila ka fituar Kampionatin e parë të Shqipërisë (1930) - fitoi të shtunën në mbrëmbje Kampionatin e 70-të jubilar, përmes një nate ndër më të bukurat në historinë e saj. E fitoi përballë Sportklubit më të vjetër shqiptar, Vllaznisë së Shkodrës, me të cilën ka patur e pakta 11 duele në 11 Kampionate Kombëtare të betejës për vendet 1-2 midis tyre, duke triumfuar Sportklubi i Tiranës 7-4. Ndonëse 7 titujt të fituar drejtpërsëdrejti në këte kryqëzim shpatash me skuadrën shkodrane, duken pak kur kujton se të shtunën e 23 majit 200, Sportklub Tirana fitoi Kampionatin e 24-t të saj, shifër e rrallë kjo, që tregon se shoqëria historike kryeqytetase ka fituar më shumë se një të tretën e Kampionateve të Shqipërisë. Ndodhemi kështu para një rekordi të llojit, jo vetëm shqiptar. Pa përfshirë këtu dy titujt e Kampionateve Kombëtare të Luftës (1939 dhe 1942), ende në përpjekje për t’i zyrtarizuar. Eshtë një kampione absolute përderisa kundërshtari më i afërt është 7 kampionate më pak: Dinamo 17.

E ka goditur Vllazninë e Shkodrës në një luftë rrufe në harkun e minutave 2-30, duke i dhënë fund garës për titullin, plot 60 minuta para mbarimit të asaj që do të hyjë në histori si “fundorja” (“finalja”) virtuale (e hamendshme) e Kampionatit të 70-të. Për të mbërritur mandej te festimi i saj më madhështor që është pa vitet e fundit në mbylljen e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Ku janë përfshirë kampionët Nr. 24 të Shqipërisë, kryetari i saj largpamës Refik Halili, trajneri “i rrufeshëm” Alban Tafaj, të cilit i mjaftuan vetëm 3 javë për të hyrë edhe ai në panteonin e trajnerëve të Sportklubit, natyrisht si mbasardhës i Blazo Sliskovic dhe Agustin Kolës. E bashkë me ta edhe një publik fantastik i saj që nuk ishte pa prej gjithë këtyre kohëve tejet të zbehta të Kampionatit të Shqipërisë.

Vllaznia e Shkodrës do të jetë bindur ndërkaq, se ka fituar skuadra më e mirë e Shqipërisë, më serioze, më tradicionale në fitimin e titujve, sunduesja e dy shekujve të futbollit shqiptar kur kujton se vetëm në dhjetëvjetshin e parë të shekullit XXI, Sportklub Tirana ka fituar 6 nga 10 kampionatet e mundshme.

Ndoshta për Vllazninë gjithçka mund të përmblidhet në këte thënie të Ovidit: “Sic erat in fatis”- “Kështu qe shkruar”. Për të mbetur në gjithë këto vite skuadra e “e pafat” shkodrane thjesht Nënkampione e Shqipërisë për herë të 11-të. Dhe gjithnjë vetëm 9 herë Kampione!...